Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Si në tempull…
E shtune, 22.11.2025, 06:55 PM

SI NË TEMPULL…
Nga
Visar Zhiti
…
kërkuam të futeshim… deshëm ta shihnim nga brenda. Na pranuan prej fytyrave,
kështu na thanë, asnjë dokument, as… dukeni të mirë…
Po
endeshim mesoreve dhe ku gjenim dyer të hapura, hynim, ndalnim për të parë
mureve a për të lexuar ndonjë gjë… Është
sinagogë nga më të vjetrat… e stilit bizantin… Na kishin tërhequr vëmendjen
dritaret dekorative, vitrazhet jashtë…dhe…
Ka
bibliotekë, galeri arti, mblidhen dhe flasin… për drejtësinë, barazinë racore,
edukimin e fëmijëve…
E
kanë vizituar Znj. Eleanor Roosevelt, në vitin 1937 dhe Dr. Martin Luther King
Jr. kur? - në 1964 dhe foli këtu…
Sa
e madhe salla kryesore, hijerëndë, me rreth 1.350 vende… ja, që duhet dhe
përsaktësia… Ulem vetëm që të dëgjoj heshtjen. Nuk dua të mendoj…
Nuk
na iket. Prapë një kthinë… një skulpturë tërheqëse, një siluetë njerëzore e
stilizuar, gjatoshe dhe hollake, forma gati engjëllore. Eda ime lexon, është
shkruar në hebraisht dhe anglisht, i kushtohet përkujtimit të 6.000.000
hebrenjve të zhdukur në Holokaust. E vërej ngulmueshëm. Ka një hovje, diçka
sikur ngrihet lart me një gjest dhimbjeje dhe shprese. Shpirti i lartësuar mbi
tragjedinë.
Sipër
një scroll/ pergamenë, - ligji i jetës… Poshtë janë flakët… ah, zjarri i
krematoriumeve… jo, jo më… është dhe flakë e përjetshme e kujtimit, refuzimi
për të harruar…
Dhe
befas m’u ndërmend takimi me poetin hebre Yehuda Amichai, diku larg, në
Ballkan, në një kishë të vjetër ortodokse, ky ndriçim misterioz ishte si tani
dhe këto hije si të drunjta. Dhe më shungëlloi së brendshmi vargu i tij:
“Një
gur i shenjtë kërkon
zemrën
e njeriut.”
Ah,
po kur gurët janë të rëndomtë, të tanishëm, të gjuajnë me to? Vëre dorën para
zemrës, mbroje! - mërmërita…










