Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Visar Zhiti: Si në tempull…

| E shtune, 22.11.2025, 06:55 PM |


SI NË TEMPULL…

Nga Visar Zhiti

… kërkuam të futeshim… deshëm ta shihnim nga brenda. Na pranuan prej fytyrave, kështu na thanë, asnjë dokument, as… dukeni të mirë…

Po endeshim mesoreve dhe ku gjenim dyer të hapura, hynim, ndalnim për të parë mureve a për të lexuar ndonjë gjë…  Është sinagogë nga më të vjetrat… e stilit bizantin… Na kishin tërhequr vëmendjen dritaret dekorative, vitrazhet jashtë…dhe…

Ka bibliotekë, galeri arti, mblidhen dhe flasin… për drejtësinë, barazinë racore, edukimin e fëmijëve…

E kanë vizituar Znj. Eleanor Roosevelt, në vitin 1937 dhe Dr. Martin Luther King Jr. kur? - në 1964 dhe foli këtu…

Sa e madhe salla kryesore, hijerëndë, me rreth 1.350 vende… ja, që duhet dhe përsaktësia… Ulem vetëm që të dëgjoj heshtjen. Nuk dua të mendoj…

Nuk na iket. Prapë një kthinë… një skulpturë tërheqëse, një siluetë njerëzore e stilizuar, gjatoshe dhe hollake, forma gati engjëllore. Eda ime lexon, është shkruar në hebraisht dhe anglisht, i kushtohet përkujtimit të 6.000.000 hebrenjve të zhdukur në Holokaust. E vërej ngulmueshëm. Ka një hovje, diçka sikur ngrihet lart me një gjest dhimbjeje dhe shprese. Shpirti i lartësuar mbi tragjedinë.

Sipër një scroll/ pergamenë, - ligji i jetës… Poshtë janë flakët… ah, zjarri i krematoriumeve… jo, jo më… është dhe flakë e përjetshme e kujtimit, refuzimi për të harruar…

Dhe befas m’u ndërmend takimi me poetin hebre Yehuda Amichai, diku larg, në Ballkan, në një kishë të vjetër ortodokse, ky ndriçim misterioz ishte si tani dhe këto hije si të drunjta. Dhe më shungëlloi së brendshmi vargu i tij:

“Një gur i shenjtë kërkon

zemrën e njeriut.”

Ah, po kur gurët janë të rëndomtë, të tanishëm, të gjuajnë me to? Vëre dorën para zemrës, mbroje! - mërmërita…