Kerko: a
Pëllumb Gorica: Razma pëshpërit heshtje dhe flakëron ngjyra
E marte, 11.11.2025, 07:05 PM

RAZMA PËSHPËRIT HESHTJE
DHE FLAKËRON NGJYRA
NGA
PËLLUMB GORICA
UKur njeriu e ka shpirtin të lidhur ngushtë me natyrën, me trashëgiminë kulturore, me arkitekturën e sheh të bukurën e saj: në shiun që lag gurin dhe mjegullën misterioze; në të ftohtin që të vret; në përqafimin e zjarrtë të diellit; në fishkëllimën e erës, në dëborën që vesh gjithçka me batanije të bardhë; në pastërtinë e një bluje qiellore; në një mantel të myrrëtuara resh, apo gjethrënie.
Moti qe i mugët, kur u nisëm. Tirana ende flinte nën një mantel dritash nate që reflektoheshin në ndërtesat, duke krijuar një kontrast magjik. Në qiellin gri, vërtiteshin shtëllunga të mëdha resh, që kishin marrë forma të ndryshme si qënie prehistorike.
Dritat e makinës përhapen në errësirën e natës, duke ecur në rrugët që do të na çojë larg në Veri, që gjithmonë ka tërhequr turizmin si fije drite që lidhnin qytetet, fshatrat, vendet dhe peizazhet.
Asgjë nuk vjen pa ngadalësi: duhet të ecësh për një kohë të gjatë. Shikimi dhe mendimi arrin përtej, për të zbuluar ndjesi të reja.
Megjithëse në shi, Shkodra të diellëzon fjalën
Në Shkodër qielli ishte myrrëtuar nga retë, një shtroje e padepërtueshme e kryeneçe, sikur jetoje një skenë filmash horror. Por ende pa shkel pragun e saj, ndjen ngrohtësinë e tokës, njerëzit që ecin ngadalë dhe avullin që mbulon mjedisin, si në një përqafim i lashtë dhe misterioz
Aty, tek ura e Baçallëkut, vargu i makinave dukej sikur kishin qëndruar në vend.
Murosen sytë mbi kështjellën e Rozafës me atë lloj magjepsje si ajo e legjendës, kur u ngujua nëna më e re me fëmijë të sapolindur. Në Rozafa qielli qan, sikur janë lotët e saj.
Poshtë kështjellës përplasen dallgët e dy lumenjve; Drini që turfullon i rrëmbyer dhe Buna paqësore si bukuroshja e fjetur. Bashkohen, duke gjarpëruar drejt Velipojës, për t’u derdhur në Detin Adriatik.
Nga bedenat e kështjellës peizazhi është vërtet magjik. Vështron malin e Taraboshit dhe tutje sa të ha syri kreshtat e Alpeve shqiptare që gërvishin qiellin.
Një shi i butë, i qetë, pothuajse pa zhurmë bie. Duke ecur në shi një këngë në mendjen time, me zërin madhështor të Vaçe Zelës “Ja shiu pik pik, pik, në rrugë troket pa pushim”.
Rrugët, dhe dyqanet, dhe shtëpitë, anëmbanë u shkundën nga një rrapëllimë rrufeje që u rrokullis nëpër qiell.
Tej xhamave të makinës, njerëz me çadra mbi kokë nxitonin sa andej-këndej. Kalojmë pranë brigjeve të Liqenit të Shkodrës (Labeatit të Lashtë) me ca varka në breg, aq sa thua janë brektoca dhe peshkatarët në pritje me pelerine të zeza si dallëndyshe, që të kujtojnë Filip Shirokën, të cilave u këndoi më bukur dhe përshpirtshëm se askush. A nuk është pikëlluese pamja e këtyre varkave që dergjen në breg të Liqenit, për të pritur turrin e peshkatarëve e flatrimin e rrjetave me u kredh mbi syprinën e blutë të liqenit?
Shiu filloi papritur, me një vrull të shpejtë e bezdisës. Njerëzit të hutuar vraponin drej strehëve, lokaleve, tendave dhe prisnin të pushonte. Ndërkohë që jashtë, shiu vazhdon të bjerë, pa pushim ne ndihemi të sigurt dhe të qetë brenda makinës në udhëtimin tonë.
Shiu i jep bukuri tjetër të veçantë Shkodrës, por ndonjëherë mbjell frikë, plot ogure e ankthe. Në vjeshtë shirat i fryjnë lumenjtë me një rrëmbim të frikshëm, sa marrin çdo gjë që u del përpara, përmbytin toka, shkatërrojnë shtëpi e marrin jetë njerëzish.
Humbas vështrimin në pamjet e qytetit. Megjithëse shi, jeta në qytet dukej po aq e gjallë, me makinat, biçikletat dhe njerëzit. Ecëm nën melodinë e orkestrës së shiut, që lagte asfaltin, muret dhe strehët e shtëpive karakteristike, ku secila përmban një muze në vete.
Shkreptima e një rrufeje na kujtoi se trokitjet këmbëngulëse të shiut u shtuan dhe u shndërruan në një rrebesh. Aty- këtu të kapte syri kalimtarë që kishin hapur çadrat e të kujtojnë tablot e piktorëve ekspresionist. Shohim edhe skena të trishta lypsish, që të rrënqethin deri në majën e flokut, nga rrobat si në kohën e mesjetës. Kur shikon duart që zgjaten të vjen të ulërasësh, sa të shemben malet. Të kujtohet Migjeni me “Lulin” dhe në shpirt ndjen dhimbje.
Shiu të pëlqen për ndjenjën e intimitetit, me piklat që trokasin në një zhurmërim të këndshëm, në mbulesën e makinës, e sidomos, kur pas xhamave të dritareve vështron vallëzimin simfonik të tij. Po kjo nuk na pengon të gjejmë fije të bukura “për të qepur mëngjesin”.
Shkodra, me energji dhe sqimë të hershme që e dallon nga trevat e tjera, është një qytet ku ka filluar gjithçka nga e para në trojet tona: Futbolli i parë, libri i parë, fotografia e parë, filmi i parë, bicikleta e parë, vendi i humorit, djepi i kulturës I jares shkodrane, modeli i bashkëjetesës fetare, një nga qytetet me tradita të hershme që i ka dhuruar Shqipërisë shumë poetë, humoristë, muzikantë dhe më shumë kundërshtarë politikë të sistemit monist.
Aty tingëllon bukur thënia proverbiale: “Boll me kanë shkodran tana i ban”. Një të vërtetë që nuk mund ta mohojnë kontributin dhe vlerat e qytetit të tyre dhe atë kombëtar për thesaret e pararilindasve tanë veriorë, katolikët gegë, aty, ku gjen shumë fjalë e forma ndërtimore fjalish, që tregojnë madhështinë e tjetërlloj.
Të kumbon në vesh, e folura plot purizëm dhe me theks të lehtë e gegënishtes sa e bukur, aq edhe e lashtë. Ajo gegnishte që i jep fjalëve të tyre një nuancë sikur këndon, teksa flasin konçizë dhe “të shkoqur” në ligjërimin e tyre, kanë kuptim me ton të zërit, një gjuhë poetike, emocionale. Jo dialekt, por muzikë për veshët.
Vetëm në Shkodër mund të të ngjajë që në rrugë, apo të hysh në një kafene, në një dyqan, e të dalësh i pasuruar me fjalë nga vargu i Eposit shqiptar:
“Ne s'jem kanë e Zoti - Vetë na ka dhanë” Vazhdojmë t’i kemi, prej Zoti, shëmbëllimesh sot prej moti...
Natyra ka skalitur një cep të vogël mrekullie
Ecim në periferi të qytetit, buzë betonit të përforcuar, ku natyra duket se e ka humbur luftën me njerëzimin dhe zhytemi në horizontet e mëtejshme, në fushat që u zgjeruan dhe u bënë të arta, nga pemët si krifat e kuajve.
Ndërkohë, shiut i është kthyer mendja dhe ka pushuar. Rreze të turpshme të diellit kalonin nëpër re si një magji e lashtë. Këto nuanca blu qielli me diellin e shndërrojnë edhe pamjen më të zakonshme në diçka të ndritshme dhe të bukur.
Rruga na çon larg, drejt Razmës në Malësinë e Madhe. Kemi dëgjuar kaq shumë për këtë vend dhe kemi dashur ta shohim prej kohësh.
Koha dhe kilometrat duket sikur fluturojnë, midis një bisede dhe tjetrës për pasionet në jetë, por edhe një diskutim të fortë, të përzier, ca tipologjinë koniciane të kritikës ndaj ne vetë Shqiptarët për një erë atdhetarie e përgjegjësie, për identitetin tonë, se cilët jemi si popull, ku i kemi rrënjet, sa e trashë është shtresa orientale ndër ne; për marrëdhëniet e miqësisë, fytyrat, të kaluarën, faktet lokale dhe historitë e tyre, aqsa e tejkalojmë njëri-tjetrin, me informacione rreth dimensioneve marramendëse të maleve, si kështjella fantazme, herë të mbuluar me pyje, herë të zhveshura.
E copëzuam vrullin e dialogëve dhe të qeshurave me zëra më të qetë rreth vendbanimeve të shpërndara mbi shpatet e kodrave si copëza historie, të thërrasin për vëmendje. Nuk i eksploruam ato, por ecëm, në një udhëtim që të mbush sytë me peizazhet e tyre të heshtura.
Shtëpitë me një larushi vendosjesh dhe dekoracione mes kopshteve të rrethuara me mure guri te thatë; me arka kurioze shpirtrash, kisha dhe simbole fetare të kryqta që dëshmojnë besimin e tyre katolik. Imazhet e braktisjes krijojnë një ndjesi melankolie dhe ndonjëherë drithëruese, që është intensive edhe përmes fotove. Dyert gjysmë të hapura të shtëpive duken sikur njerëzit dolën me nxitim dhe lanë gjithçka pas.
Pastaj, nga një peizazh i shtruar gjejmë veten përballë shpateve të mbështjella me fije resh si shalle, me ngjitje në lartësi, pas një shtrirjeje fillestare të lehtë, në morfologjinë e rrugës që thekson formën dredha-dredha të saj, të ngushtë e të pjerrët, që rrotullohet si shirit drite.
Pastaj, dalëngadalë, me kënaqësinë e ecjes, të shijimit të peizazheve simpatike, u shfaqën shtëpitë e para të Vrithit, të ngurta, tipike.
Razma e zhytur, si brenda një pikture, me ngjyrat e gjalla të vjeshtës, e kornizuar nga freskia, paqja dhe gjelbërimi i harlisur, falë ndërgjegjësimit ekologjik, zbulon veten nën rrobat e saj më të bukura, për të befasuar.
Ajo nuk ta jep fjalën, të bën të heshtësh, dhe nuk ke fjalor të mjaftueshëm për të shprehur atë që të lejon të shohësh, të ndjesh, të prekësh…
E ndërtuar në një lartësi prej 900 metrash, ndihet paqësore dhe pak surreale, por ajo që ia shtojnë bukurinë, janë malet madhështore që e rrethojnë.
Jo larg nga këtu, maja e malit të Veleçikut është 1725 metra e lartë, i ngjashëm si një piramidë guri. Është një mal i i zhveshur, shkëmbor si një gjigant i fjetur, kreshtat e të cilit tërheqin një profil me bukuri të rrallë kundrejt një qielli dramatik, i mbështjellë me një mantel mjegulle të lehtë.
Në majën e gjigantit Veleçik qëndron një kuriozitet i mahnitshëm gjeologjik: një krater vullkanik, dikur i aktivizuar. Në fakt, kurioziteti për të zbuluar se si do të jetë maja e tij e lëkund dëshirën, për zbulim që është e fortë.
Shkëmbinjtë gëlqeror, që datojnë miliona vjet më parë nga veprimi i ujit kanë formuar thyerje tektonike, që të magjepsin, aq shumë saqë pothuajse ke emocione të veçanta kur shkel shenjtërinë e tyre, dhe gjëja e parë që mendon është të hysh për ti eksploruar. Aty fshihet një botë tjetër, që nis e shpërfaq gjithë magjinë e saj, perla e xhevahire që të lënë pa mend për larminë, shkëlqimin dhe veçantinë e tyre.
Duke kaluar afër Veleçikut i zhytur në atmosferën paqësore shohim se natyra ka mbajtur disa sekrete vetëm për ata që gjejnë kohën për t'i kërkuar ato, shpella që fshehin sekretet e një bote që nuk ekziston më, dhe gjeja e parë që mendon është jeta e banorëve që i përdorën. Vendasit të flasin për shpellën e Erës, me guva të vogla, e cila ka marrë emrin ngaqë dëgjon fërshëllimin e erës në zgavrat e saj; Shpella e Ujit, që është shumë e frikshme për të zbritur në gjashtë shkallë të drujnta. Shpella e Lugjeve, e gjatë dhe vende- vende e ngushtë, aqsa mezi kalojnë dy vetë ngjitur, ajo ka zbritje të vështirë si dhe rjedhje uji.
Në kohën kur stinët thurnin ritmin e jetës dhe heshtja e maleve ruante sekretet e njerëzve, Razma filloi të popullohej në shekullin e 19-të, pasi u zbulua (dhe u vlerësua për botën bimore të saj) nga disa natyralistë dhe ekologjistë europianë. Ishte që herët, për të pasurit dhe sot për të gjithë, një vend me vlera kuruese Malore. Azmatikët këtu nuk kanë nevojë për pompë, të rrethuar nga bimë medicinale dhe oksigjeni i pasur.
Aty, nën pishat që krehin retë, ndërtesa me arkitekturë, herë të thjeshtë e herë me rregullime të personalizuara, përzihen në mënyrë harmonike me peizazhin, të përshtatshme për turizmin malor. Ato të japin ndjesinë e qetësisë, të lirisë, të paqes.
Ndalesa për foto. Por jo vetëm dy-tre shkrepje për të thënë "Unë isha aty". Natyrisht fotografojmë shtëpitë si strehë për pushime të qeta, të rrethuara nga heshtja e drurëve dhe ngjyrave të vjeshtës.
Razma është një dekorim kartoline, me rrugët e rregulluara, me hapsira të këndshme, që duken sikur kanë dalë nga një përrallë; nga bujtinat, nga kafenetë, nga restorantet me shije minievropiane, të cilat ofrojnë panorama që të lë pa frymë.
Oaz i natyrës së ruajtur me fanatizëm
Përmes pyllit, një qiell që dukej po aq i lodhur përshëndeti skajet e Razmës, pishat e drejta, me trungje si shtylla dhe gjethet që kërcejnë në dritë.
Razma është një parajsë që të fton të ndalesh, mes hijes dhe dritës, me atë ndjenjën e rrallë të të qenit pikërisht në vend, të dëgjosh tingujt e natyrës dhe të ecësh me hapa që duken pa mundim.
Pylli pak nga pak, si një mik i vjetër të merr për dore në hapësirat e pakufishme që dridhen nga intensiteti i drurëve. Ecja përgjatë tij është emocionuese, zbulon peizazhe të pasura. Heshtja ndërpritet vetëm nga fëshfërima e erës.
Nga ato ku nuk do shumë të flasësh, thjesht shiko, merr frymë dhe lëre veten të të bartë bukuria e vendit. Ndjeheshim si një pjesë e asaj fryme të ngadaltë, të thellë që vetëm vjeshta mund ta ofroj, thith ajrin e pastër balsamik, sodit pyllin dhe dëgjo heshtjen.
Flladi është i lehtë dhe i këndshëm, ashtu si një goditje e lehtë që të përkëdhel fytyrën, i bën gjethet të lëviznin, pothuajse sikur një zanë po nder fustanin e saj më të mirë, me ngjyra të ngrohta: të verdha të aheve, të panjave aq intensive me ngjyrën e kuqe sa duken si flakë, në jeshilen e smeraldtë të pishave.
Shiu në fillim thjesht dukej i bezdisshëm, pastaj, hap pas hapi, u bë pjesë e rrugëtimit tonë. Zhurma e ujit, aroma e tokës së lagësht, gjethet që binin vizatonin një tapet të kuq nën këmbët tona. Pastaj shiu pushoi duke i lënë vend mjegullës së hollë si qumështi i derdhur me një dritë përrallore, e cila e bën peizazhin edhe më të heshtur. Ka nga ata që emocionohen, që buzëqeshin, që bisedojnë përzemërsisht.
Ecim si fëmijë me ritëm të ngadaltë dhe shikim kureshtar, në poezinë e pyllit që ruan një atmosferë mistike. Humbasim veten në gjithçka, nga detajet e vogla tek entitetet e mëdha. Pylli dukej sikur pëshpëriste thashetheme me një murmërimë aq të hollë, të tregoj misteret. Shijon çaste dionisiane kënaqësie të pastër të përziera me soditje të vendit, të kalojmë butësisht nga bota empirike në atë ëndërrimtare. Sikur takojmë mbretin ilir Gent me fisin e tij të endur në pyllin e dendur, të rreshtuar me pemë të shenjta.
Nuk mund ta fsheh që çdo dy hapa ndalesh për të bërë foto, dhe do të doje të bëje më shumë, për të pikturuar këtë peizazh madhështor me bojëra uji.
Në çdo cep ka diçka për të parë, për t'u admiruar, për t'u gëzuar, për t'u habitur, të ofron një mijë fytyra, si të ishin modele për tu shfaqur, në një shpërthim ngjyrash të thella, në gjethet që rrotullohen në ajër me një stuhi gjethesh, siç rrotullohet një nuse gjatë kërcimit të valles së dasmës. Ndërsa syri humbet në këtë magjepsje, shpirti pëshpërit një melodi, ndërsa shkojmë drejt: para një tapeti gjethesh, me aromë të lagësht, ku kërpudhat si lule, bëhen çadra të kuqe, topa të vegjël të bardhë. Këpucët fundosen hap pas hapi nëpër gjeometritë e gjetheve shumëngjyrëshe të vjeshtës, ndërsa koka duhet të anohet lart për të parë i magjepsur nga kompleksiteti dhe format e degëve të pemëve. I fotografoj kërpudhat e brishta, gjethet e vjeshtës që bien si plagë të vogla shumëngjyrëshe, të fshehura në myshk si vepra arti natyrore; një merimangë, mbi trungun e një ahu...
Pas mjegullës dhe reve, dielli i ndrojtur që përpiqet të shpërthejë, duke dhënë përshtypjen e siluetave të caktuara të fshehura në pyll.
Shpejt mrekullohesh me bukuritë e tjera të Nënës Natyrë, pa mjegull, ne ishim në gjendje të shijonim plotësisht, të marrim frymë pak më thellë, në gjelbërimin e pishave që shkëlqejnë, në ajrin që vinte erë rrëshirë dhe lagështi, në dritën nëpër gjethe si një bekim.
Mali Veleçik me një gjeologji e gjallë, që gdhend peizazhin, të gjallërohet, falë diellit. Shumë blu në të majtë, gri në të djathtë, e rrok dielli në majë. Ndërsa sytë pushojnë mbi këto pamje, ndjen një valë qetësie.
Më tej, ajo që nuk ishte befasi, një tufë miqsh që nuk njiheshin domosdoshmërisht në mëngjes, mes të qeshurave, shakave dhe lodhjes së butë të ditës, shijojmë çaste të thjeshta që i bashkojnë aq shumë: në lojëra me top, në livadhin e gjerë si një tapet, të kthyer në fushë futbolli.
Zhytur në këtë kaleidoskop emocionesh ndalemi te Razëm Natyral Resort, që na mirëpret bukur. Gatimi është tradicional, por me një prekje moderne. Duket që kanë përvojë në administrimin e grupeve turistike.
Orët ikin pa nxitim. Razma nuk të lë të largohesh, veçse kur ndien që ke për t'u kthyer përsëri në këtë copëz Parajse. Zbresim gjarpërisht rrugën, në ajrin e pastër që thithet aty. Qielli na shoqëroi, i qetë, sikur donte të na dhuronte një kthim perfekt.
*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.






























