Kulturë
Zyba Hysa: Hysen Ibrahimi – Një Njeri i Veçantë dhe Arkivë e Aktivitetit Kombëtar
E diele, 12.10.2025, 06:33 PM
Fjala e Znj. Zyba Hysa, recenzente e librit, e cila shkruan:
HYSEN IBRAHIMI, JENI
VËRTET NJERI I VEÇANTË, JU JENI NJË ARKIVË E AKTIVITETEVE KOMBËTARE SI:
PUBLICIST, SHKRIMTAR, POLITIKAN, KRIJUES LETRAR DHE DREJTUES… QË, PËR FAT TË
KEQ, NUK KEMI SHUMË NJERËZ NË MËRGATË SI JU!
…Fjala e poetes, shkrimtares dhe
studiueses Zyba Hysa, në recensën e saj, ndër të tjera.
Tiranë, 24 KORRIK 2025
Ndodh që edhe një takim rasti të bëhet
shkak të njohim të duhurit, e për këtë falënderoj fatin që pata mundësi të jem në
Suedi, për të marrë pjesë në Kuvendin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve
Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, ku u njoha me veprimtarinë e kësaj
shoqate, e drejtuar prej 12 vitesh (2011–2023) nga z. Hysen Ibrahimi. Dhe, për
të thënë të drejtën, u ndjeva sikur isha në Prishtinë: kudo ngjyra kuqezi,
fjalë e këngë shqipe, kudo buzëqeshje dhe miqësorë… aty kuptova se shqiptarët
dinë të mbeten shqiptarë, kudo që jetojnë e punojnë!
Kur komunikoi me mua në lidhje me librin
“Duaje Gjuhën Tënde”, menjëherë pranova (për herë të parë) të jem recensente,
dhe nuk zgjati më shumë se pak minuta, libri më erdhi në emailin tim. Menjëherë
nisa ta shfletoja: ndalesha në një foto, në një faqe apo fragment… dhe në këto
çaste më telefonoi Hyseni. Shprehimisht i thashë: “Hysen, jeni vërtet njeri i
veçantë, ju jeni një arkivë e aktivitetit tuaj si politikan, si shkrimtar, si
drejtues… që, për fat të keq, jeni një specie në zhdukje…!” Qysh te titulli “Duaje gjuhën tënde” mendoj se
ky libër vjen për lexuesin mërgimtar e jo vetëm, si një këmbanë alarmi për të
ndërgjegjësuar shqiptarët kudo që janë. Unë e lexova këtë libër me kujdesin që
meriton: pak histori familjare, shumë aktivitete, shumë autorë e personazhe
publikë e jopublikë, por me vlera. Gjatë leximit të librit, u ndala në faqen
19, ku i madhi Dr. Rugova jep një porosi prej politikani të devotshëm, duke
nisur në radhë të parë me gjuhën shqipe: “Zoti Hysen, dua t’ju propozoj të
blini librin
me titull Gjuha shqipe dhe kultura e të
shprehurit, për klasën e III–IV të arsimit të mesëm të orientuar, Prishtinë,
1984, autor Mr. Zijadin Munishi, i cili do t’ju shërbejë shumë mirë, do t’ju
ndihmojë veçanërisht se si të shkruani procesverbalin, si të shkruani ankesat,
lutjet etj.”Me këtë porosi të Dr. Rugovës nxjerr dy vlerësime: së pari, Dr.
Rugovën e vendos në udhëheqësit intelektualë shqiptarë që përfaqësojnë
denjësisht kombin tonë; ai mendoi e veproi si një shqiptar i devotshëm, ashtu
siç ka qenë edhe Ismail Qemali, i cili vuri si rregull në qeverinë e tij të
parë:“Duhet të gjithë ta dinë mirë se, që në ditën fatbardhë kur Shqipëria doli
më vete, gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare e vendit.
Tani çdo degë e administratës na lipset
nënpunës të cilët ta njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare… Edhe
nënpunësit që ndodhen në shërbim do ta japin provimin në gjuhën shqipe: ata që
do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do ta
dinë mirë gjuhën shqipe, do të mund të kërkojnë kohë që ta mësojnë, nëse kanë
dëshirë të mbeten në shërbim.” (Shënimi nr. 222)Shenja dalluese e një
politikani shqiptar është dashuria, respekti dhe kujdesi ndaj gjuhës shqipe;
kjo është “alfa”, e më pas vijnë detyrat dhe punët e tjera në shërbim të
popullit.Vlerësimi i dytë vjen natyrshëm për z. Hysen Ibrahimi, i cili e ka
mbajtur të ndezur dritën e Rugovës, duke ngulitur në mendjen e tij dhe të
shqiptarëve, ngado që janë, të flasin, të shkruajnë dhe të transmetojnë ndër
breza gjuhën tonë, gjuhën e të parëve, gjuhën e perëndive! Kurrë s’mund të jesh
një njeri i mirë, një krijues i mirë, një politikan i mirë, një familjar i
mirë, pa qenë i dashuruar pas gjuhës tënde, pas traditës dhe kulturës tënde,
pas racës tënde, pas historisë së kombit tënd!
Duke e njohur nga afër, duke lexuar librat
e tij të mëparshëm dhe librin “Duaje gjuhën tënde”, mendoj se z. Hysen Ibrahimi
është njeri i mirë, sepse përherë vlerëson të mirët; është i dashuruar me
gjuhën shqipe, sepse këmbëngul në vazhdimësinë e saj ndër breza; është krijues
i mirë, sepse shkruan për çdo gjë që mban shije dhe aromë shqiptare; është
njeri i traditës dhe kulturës shqiptare, sepse jo vetëm është përfaqësues i
denjë i saj, por ka mbajtur në mend porosinë e Dr. Rugovës, i cili e
këshillonte: “Mbani shënime për aktivitetet që bëni në mërgatë, ato do t’i
shërbejnë historisë së Kosovës...” Ai jo vetëm është i marrosur pas historisë
dhe trashëgimisë kulturore të kombit, por është edhe një dokumentues i
jashtëzakonshëm i shumë veprimtarive në mërgatë, që nga ditët e para e deri në
ditët e sotme, duke vazhduar pa ndërprerje aktivitetin e tij patriotik në
mërgatën shqiptare, sidomos aty ku jeton e punon, në Suedi.
Shqiptar, ngado që të
shkosh,
Për hallet e tua nëpër
botë,
Gjuhën e nënës mos
harrosh,
“Mos më braktis”, ajo të
thotë!