Udhëpërshkrim
Syrja Etemi: Në gjurmët e një toke me emër të lashtë
E diele, 05.10.2025, 06:56 PM
NË GJURMËT E NJË TOKE ME EMËR TË LASHTË
(Arrnjeti
në kohë të Ilirisë, Sobri në kohën e Arbërisë, Orasha sot)
Nga:
Syrja ETEMI
Në mëngjesin e një të marte shtatori, shkelëm në
një truall që frymon histori me çdo gur, me çdo rrënjë, me çdo emër. Arrnjeti –
ky fshat që rrjedh nga Iliria, u dëshmua si një mozaik gjurmësh që lidhen
përmes brezave, mes gërmadhave të kohëve, kujtimeve të pleqve, dhe fjalëve që
ende e ruajnë gjuhën e parë.
Ishte
Qemal Rushiti, nikoqiri me zemër të hapur, që na priti në fund të fshatit dhe
na udhëhoqi në këtë rrugëtim. Bashkë me të, edhe dy miq të dashur – Sead
Ramadani - krijues e Usref Ramadani - mësues në pension, por që shndërroheshin
në historianë të gjallë sapo hidhje hap në një toponim të ri.
E
nisa shënimin që në çastin kur sytë kapën konturet e Kalasë së Nicës, të
heshturën krenare që ruan misterin e Ilirisë. E nisa nga rruga që ndan fshatin
më dysh – Udha e vjetër, si një damar që ushqen kujtesën kolektive.
Në
horizont, andej nga Lumi Vranicë, mali ia mbron fshatit krahun perëndimor – një
mburojë e gjelbër që ruan qetësinë dhe hijen e ditëve e netëve. Shikimet,
pyetjet, shënimet... gjithçka merrte formë rrëfimi. Ata më flisnin me emocion,
e unë tentoja të shënoja edhe detajin më të vogël – një vendemër, një shprehje,
një kujtim. E gjithë kjo për të ruajtur një copëz të shpirtit të Arrnjetit.
Kujtesa e vendit – një
hartë në zë dhe tokë
Rruga
jonë nisi me Proj-in, burimin që lind në krye të fshatit – si vetë lindja e
fshatit. Pastaj vijon Proj Asejnës, Breg’i Vneshtve, e Udha që ndahet në Nër
Oudh’ dhe Maj Oudh’, ku ndodhen edhe Voret e Reja e Voret e Vjetra, varre që
ruajnë kujtimet e brezave të shkuar.
Te
Gjur’i Bardh, vendi ku dikur organizoheshin gara dasmash, e ku fituesi
shpërblehej me marhamë apo çevre, koha kishte ndalur për të na dëgjuar. Ndërsa
në Rekën e Vranicës, lumi përshkon vendin si një damar i gjallë që mbart
freskinë dhe heshtjen.
Na
thanë për Sofsëjn, që kufizohet me pyjet e Dubravës, për Livadhet e Vakoufit,
për Oudhën e Prejsht, e për një botë të tërë bimësie – dushk, shkozë, pjergullë
e thana, që e mbështjellin vendin me hijeshi të egër.
Në
Gjurin Kënkec, vajzat lajnë flokët për Ditën e Shën Gjergjit, duke lënë pas një
ritual që lidh trupin me tokën. Me pështymë e myshk, krijojnë masën si këna,
dhe ngjyrosin duart – në një traditë që është më shumë se zbukurim, është
besim. E djemtë, tinëz, i vrojtojnë nga larg – një skenë e hijshme dashurie që
ndodh në heshtje, në mëngjesin e hershëm.
Në
Te Mullejn’i Memetit dhe Te Mullejn’i Zeqirit, kohët përzihen me aromën e
drithit dhe zhurmën e ujit që dikur rrotullonte gurin e mullirit. Nga Kodra e
Peshqimit, zbresim deri te lumi Vranicë, ku gjejmë Gjurin me Bith n’Uj – një
gur që ledhaton ujin dhe ruan rrëfime peshkimi nga lashtësia.
Këto
janë vetëm disa nga toponimet që fshati i ruan me një kujdes të përçuar përmes
brezave. Ato nuk janë vetëm emra, por kronika të heshtura, që bashkojnë
ritualet, gjeografinë, gjuhën dhe shpirtin e këtij vendi.
Në prag të harresës –
ose kujtesës që rri zgjuar
U
ngjitëm, zbritëm, dëgjuam dhe shënuam – por mbi të gjitha, dëshmuam. Dëshmuam
një territor që flet ende me fjalët e lashtësisë, që ruan hijet e kalasë në
kujtesën e gurëve, e që e përmend veten nëpër gojët e plakëve si një emër i
pafashitur në valë kohe.
Arrnjeti
nuk është vetëm një fshat. Është një letër e palexuar deri në fund. Një hartë
që nuk gjendet në asnjë atlas shkollor. Një poezi e vendosur në copa dheu,
shkurre, rrënjë, gurë me emër dhe lumë me kujtesë.
Toponimet
që i përmendëm me përpikëri, (të tjerat do t’i ruajmë për ndonjë rast tjetër),
nuk janë thjesht fjalë: janë fije të një rrjete që mban shpirtin e vendit të
lidhur me të kaluarën, janë dëshmi që kundërshtojnë harresën, dhe që, nëse nuk
i thërrasim me emër, rrezikojnë të humbasin përgjithmonë.
E
në një botë që gjithnjë e më shumë përpiqet të shkojë përpara pa kthyer kokën
pas, vizita në Arrnjet ishte një akt qëndrese. Një kthim tek rrënjët, jo për
t’u kthyer mbrapa, por për t’u nisur përpara me vetëdije se nga vijmë.
Sepse
vendet si Arrnjeti nuk shuhen as atëherë kur zbrazet shtëpia e fundit – shuhen
vetëm atëherë kur harrohen emrat e gurëve, të përrojeve, të burimeve dhe të
fjalëve që i mbartën brez pas brezi.
Dhe,
sa kohë që ne i kujtojmë e i rrëfejmë, Arrnjeti do të jetojë – jo vetëm në
hartë, por në kujtesën e gjallë të njerëzve.