E merkure, 30.07.2025, 10:13 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Tahir Bezhani: Bjeshka – vendi më i përshtatshëm për pushim dhe rekreacion fizik e psikik

E marte, 29.07.2025, 06:55 PM


Reportazh nga pushimi në bjeshkët tona.

BJESHKA VENDI MË I PËRSHTATSHËM PËR PUSHIM E REKREACION FIZIK E PSIKIK

Nga Tahir Bezhani

Bukuritë  bjeshkore nuk mendoj se i zëvendëson ndonjë vend tjetër, nuk i gjen kudo ato pamje magjepse me atë freski ajri pishe, me ujin e ftoftë akull, me ushqime  bijo, gjëra të cilat padyshim se ndikojnë mrekullueshëm në shëndetin e njeriut.

Gjatë qëndrimit në Bogë të Rugovës, për 22 ditëve të korrikut, shijova bukuritë e Shkrelit, Bogës e Shtankaj, duke ndier e shijuar bukuritë e veçanta të Alpeve tona. Që nga fillimi, më krijoi ndjesi të veçantë miku i vjetër, rapsodi e lahutari i mirënjohur në të gjitha trevat shqiptare, Hysen Kurti, ku bisedat nuk e kishin fundin kur kalonim në evokime të rinisë sonë të hershme.

Foto n’oborrin e kullës së Hysen Kurtaj në Stankaj

Qëndrimi nën pisha të varura shpateve të larta të Bogës e Shkrelit, ai fllad që vinte nga ajo përkundje pishash shtathedhura, të mbante “lidhur” për shumë orë ,nën strehën e tyre, deri n freskun e mbrëmjes.  Ishte ky një” orar” ditorë që e kërkonte trupi e mendja që në orët e para të mëngjesit. Atje lartë, mes Bogës e Shkrelit, hotel “Belushi”, me atraktivitetin e një arkitekture te rralle, krijonte mundësi për kafe e pushim, prehje shikimi gjithandej reliefit madhështorë, pas nj ecje rrugicave të pishnajës. Gjitha këto ditë isha i shoqëruar me bashkëshorten time, Zaden, e cila, si përherë, ishte e gatshme të pjektë kafe ne bocën e plinit, edhe nen pishat e larta, kur dëshira e kërkonte. Sa shpejtë kaluan 22 ditë!... Sikur të vjedh dikush diçka nga  xhepi....

Dita e fundit e pushimit te miku në Stankaj.

Më kishte fole miku disa herë që mos të iki për në Gjakovë pa u kthye te shtëpia e tij në Stankaj të Rugovës. Në fakt, te ajo kullë guri dykatëshe, në shpatin e fshatit Stankaj ku kisha qene edhe më parë, disa herë. Aty, para disa vitesh ishte mbajtur edhe Festa e Plisit, organizuar nga Ismet Krasniqi-Lala.

Kulla e Hysen Kurtit në Stankaj të Rugovës, rrezon si një rreze dielli e mëngjesit, si një statujë qëndrese me atë bukuri të rrallë që nuk e shikon askund n ‘ato anë të Rugovës.  Pamjet atraktive  të kullës, me ato frenxhi e tipare tjera te arkitekturës sonë kombëtare, unë i krahasova me fortifikatën, Kullës së Oso Kukës. Si motivacion për këtë emërtim kisha vijën harkore të kufirit me Malin e Zi, kufi ky, i futur në dy sytë e rugovasëve dhe të gjithë neve....Biseduam gjatë, gjatë me mikun tim, duke gjetur pika të përbashkëta përafrimi në mendime....Koha mbulon plagë, koha shpalon e  shëron dhimbje...

Dreka te “Kuklla e Rugovasit” në Stankaj të Rugovës.

Kur i shkon rugovasit në shtëpi, është e pamundur të dalësh nga andej pa drekën ,pa ushqimin e vaktit. Pas shumë bisedash e shëtitjesh nëpër kohë, thua se “harruam” kohen e drekës!....

Çohu-tha Hyseni, koha drekës na paska ikur! Shkojmë të kushëriri, Zymer Kurti, pronar i hoteli “Kulla e Rugovasit”. Aty e kemi nënën Cubë, gruaja në moshe që gatuan ushqimet e traditës së Rugovës. Nëna Cubë, Cube Kurtaj, është “mësuesja” e gatueseve të reja, rejave, mbesave etj. të cilat vazhdojnë traditën e gatesave  të Rugovës.

Maza e zier, kaçamaku, mishi i pjekur e disa të tjera,  janë specialitete, meny e kërkuar nga dashamirë  e shumtë të turizmit malorë. Shkuam  së bashku familjarisht, ngrënem një drekë me shumë shije. E falënderoj mikun për dreken dhe pritjen e bukur të pronarit Zymer Kurtaj!

Muzeu me koreografi të pasur brenda këtij hoteli.

Para se të ndahemi nga dreka e përbashkët familjare me mikun Hysen Kurtaj, duke shikuar ballinën  veriore  të hotelit, vëreja në dritare  dy fotografi të kolosëve të kohës sonë, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Fehmi Agani, njëri zemra e Kosovës, tjetri truri i  saj. Kjo pamje më krijoj nostalgji, posaçërisht e Prof. Aganit, nga se në vitin 1972 isha student i tij në SHLP në Gjakovë. E ftoj pronarin Zymer Kurtaj dhe i lutem qe ato foto t’i zmadhojë, t’i bene akoma më të pashme, sepse janë figura të epokë sonë që nuk harrohen kurrë.

Cube Kurtaj,”mësuesja “ e te rejave për gatesa autoktone

Nga kjo bisedë kuptova se brenda ekziston një muze koreografik dhe mjaft i pasur. I shoqëruar me mikun, Hysen Kurtaj, u futem brenda dhe shikuar gjësende me vlerë të kohës së kaluar, ku prezantohet faktografia dhe kultura e  jetës sonë nëpër kohë. Një muze i ndarë në një dhomë jo aq të madhe, por, kishte  eksponate tejet interesante dhe me vlerë. Ia vlen të vizitohet nga secili  vizitor i këtij hoteli.

Nga përshtypjet që më krijoj ky muze nuk mund u ndala pa bërë disa foto në shenjë kujtimi, respekti e mirësie nga çdo aspekt i traditës ,bujarisë, burrërisë  së banorëve të Rugovës.

Me mikun, Hysen Kurtaj në hapësirën muzeale të hotel “Kulla e Rugovasit” në Stankaj të Rugovës,korrik,2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx