Udhëpërshkrim
Gjekë Gjonaj: Një udhëtim turistik nëpër fshatrat e Trieshit
E diele, 11.05.2025, 06:56 PM
Fshati
Delaj
Një
udhëtim turistik nëpër fshatrat e Trieshit
Vendlindja të
pret dhe të thërret t’i kthehesh
Nga
Gjekë Gjonaj
Kur
një person arrin një moshë të caktuar, shpesh i mungon gjithçka që ka kaluar,
dhe madje e pushton nostalgjia për vitet e para të jetës, fëmijërinë apo edhe
rininë. Atë e merr malli për vendin ku
ka lindur, për shtëpinë ku është rritur, për gurët dhe drurët, për kodrat dhe malet, për çdo gjë me
të cilën e kanë lidhur vitet e moshës së
hershme. Këtë përjetim e ndau me ne edhe bashkëvendësi
dhe shoku im Gjelosh Rroku
Gjokaj, profesor i fizikës tashmë në pension, familja e të cilit u zhvendos nga
fshati Muzheçk i Trieshit në Tuz, disa dekada më parë. Në një takim të
rastësishëm në Tuz, ai na sugjeroi të udhëtonim drejt vendlindjes
tonë të përbashkët dhe të
shijonim bukuritë e saj natyrore
kodrinore dhe malore, ku kaluam një
pjesë të jetës sonë, e cila, sado e vështirë ka qenë , do të mbetet
përgjithmonë e pashlyeshme në kujtimet tona.
Udhëtimi
për në Triesh më ka nxitur prej kohësh
dëshirën për të vizituar këtë vend, për mua më të dashurin dhe më të bukurin në
botë, me trashëgiminë, historinë, luftërat e përgjakshme, heroizmin, njerëzit e
mirë dhe krenarinë kombëtare, dhe për të shijuar ajrin e pastër dhe mikpritjen
e përzemërte të atyre pak banorëve të
Trieshi, që i kanë qëndruar besnikë
vendlindjes së vet ku , ndryshe nga e
kaluara, ka kushte shumë më të mira infrastrukturore, por jo aq sa për të
ringjallur jetën siç ishte dikur me më shumë banorë sesa sot.
Në
këtë udhëtim, na shoqëroi edhe babai i
bashkëshortes së Gjelosh Gjokajt, por edhe miku
im Pjetër Kolë Dedvukaj, nga mali i Hotit, tashmë i ndjerë. Mëngjesi i
nisjes në atë ditë shtatori me diellin e ndritshëm të verës na bashkoi në Podgoricë.
Unë erdha nga Ulqini, kurse ata nga Tuzi. Sapo u larguam
nga Podgorica, në kilometrin e
shtatë të rrugës që të çon në Kuç, u kthyem
djathtas drejt Trieshit. Ne vazhduam rrugës përpjetë, të gjerë dhe të
shtruar me asfalt të ri , kryesisht falë kontributeve të mëdha financiare të mërgimtarëve
trieshianë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo
rrugë dredha-dredha ( me shumë kthesa) mes gjelbërimit të pafund dhe ajrit të
pastër na çoi në Qafën e Rozdecit. Atje
ndaluam për të parë panoramën piktoreske të Trieshit, malit të
Sukës së Grudës, ku ndodhet
varri i Vuksan Gelës (shekulli i XVI-të), i njohur si një luftëtar i shquar i
Malësisë së Madhe, por edhe për amanetin e tij: "Më varrosni aty ku thundrat e kalit të
turkut nuk do të më shkelin", një
pjesë e Bjeshkëve të Namuna (Alpeve Shqiptare) dhe male të tjera magjepse
përreth. Pastaj vazhdojmë udhëtimin
tonë nëpër fshatin Rudinë, Nikmarash, Stejepoh dhe Delaj, i cili ishte
destinacioni ynë i fundit për atë ditë. Ne shijuam bukurinë përrallore të këtij fshati, pamjet
magjepsëse të kanionit të lumit Cem, riparimet dhe ndërtimin e shtëpive të reja
me paratë e fshatarëve mërgimtarë , të
cilat ia shtojnë hijeshinë këtij lokaliteti, i cili me të drejtë quhet
vendi më tërheqës turistik në Triesh. Nuk ka vizitor, vendas apo i huaj, apo
kalimtar i rastësishëm, që viziton Trieshin pa u ndalur pikërisht këtu, ku ka çfarë të sheh syri dhe të kënaqet
shpirti.
Fshati
Delaj , ashtu si e gjithë kjo krahinë
shqiptare që kufizohet me shtetin amë (tokën mëmë), identifikohet me gurin nga
i cili janë ndërtuar
shtëpi, saranxhe, kroje, ledhe të
ngritura në buzë të arave dhe rrugës. Si
rezultat i kësaj Delajt lindën mjeshtra të gdhendjes ( skalitjes) së gurëve, të cilët u dalluan si
gurgdhendësit më të njohur jo vetëm në këtë rajon, por edhe më gjerë.
Askund
në botë nuk është gjithçka perfekte dhe pa të meta. E njëjta gjë ndodh edhe me
Trieshin. Kur hymë në Triesh, gjëja e
parë që vumë re ishte heshtja. Nuk kishte fëmijë që luanin dhe bërtisnin me zë
të lartë, nuk kishte të rritur që flisnin, qeshnin, punonin në fusha, as nuk
kishte zhurma që dëgjonim shumë vite më parë. Prandaj, plaga më e rëndë e
Trishit është migrimi dhe emigrimi i bijve dhe bijave të tij, të cilët në
fillim të viteve 1970, për shkak të rrethanave të kohës, migruan dhe emigruan
në qytete dhe vende të ndryshme të botës.
Kjo
boshatisje e madhe e fshatrave, i
cila ka mbyllur shumë shtëpi të këtushme, një pjesë e të cilave janë rrënoja , ishte shqetësimi ynë më i
madh. Nuk mund të mos ndihesh keq për këtë heshtje që e ka mbuluar dhe mbytur
Trieshin për kaq shumë vite.
Të
shqetësuar për këtë heshtje, vendosëm të kthehemi. Gjatë rrugës së kthimit,
kaluam pranë Kishës "Zoja Rruzare" ,
Qendrës së Kulturës "Besa",
shkollës fillore "Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu" dhe Kishës së
Shën Nikollës në fshatin Rudinë, në
dalje të Trieshit. Ndaluam për drekë në një restorant të vogël
por shumë të veçantë, "Këngë e
vjetër". Pronari i restorantit, Martin Cacaj, i gëzuar na mirëpriti me ngrohtësi. Na ofroi menynë (
listën e ushqimeve). Ne u përcaktuam
për ushqimet dhe pijet
tradicionale nga Trieshi, të cilat janë tepër të shijshme, të freskëta dhe
organike.
Ne
donim të qëndronim më gjatë në Triesh, por u kthyem pasdite, duke dashur ta
vizitojmë përsëri. Sepse vendlindja të thërret dhe të pret të kthehesh
tek ajo si dallëndyshet në foletë e tyre. ( K.J)