Udhëpërshkrim
Kadri Tarelli: Rreth e qark Liqenit të Ohrit
E diele, 01.09.2024, 06:58 PM
Të falem ty, o gjuhë e fisit tim,
siç
nuk i falem asnjë perëndie –
se
tempull i përjetshëm më je ti,....
Mitrush Kuteli.
DY
DIT, RRETH E QARK LIQENIT TË OHRIT
Përjetime nga një udhëtim i magjishëm
Nga
Kadri Tarelli
Prej
kohësh, mes shokësh piqej muhabeti për një rrugëtim rreth liqenit të Ohrit, që
ne e quajmë liqeni i Pogradecit, ose liqeri i Lasgushit, por siç thonë të
vjetrit, “Me të thënë e me të bërë,/ e ndan një det i tërë”.
E
çuditshme.... koha! Që ne të lëviznim. mjaftoi një thirrje nga Struga, se do të
organizohet “Një mbrëmje me Prof. Dr. Nuhi Vinca”, ku do përkujtohet miku ynë i nderuar, i cili nuk ka
shumë kohë që ka ndërruar jetë dhe tashmë na vështron nga froni i yjeve. Një
dëshirë, më shumë një urdhër i brendshëm, na shtyu që brenda pak orësh të
sigurojmë makinë, të caktojmë orarin dhe të ndajmë “detyrat”, për një udhëtim
dy ditor rreth liqenit të Ohrit, për të vizituar Pogradecin, Manastirin e “Shën
Naumit”, Ohrin, Strugën, e më pas edhe Manastirin e kishën në Kalishtë. “Një
rrugë e dy punë”, - thonë të moçmit, ndërsa unë shtoj një shprehje huazuar nga
matematika: “Nuk ka problem që nuk zgjidhet, nëse shtrohet për zgjidhje”.
Grupi
ynë përbëhej nga katër persona: Shpendi Topollaj, Kadri Tarelli, Gëzim Agasi
dhe piktori Arben Kristani, që do të kryente edhe detyrën e shoferit.
U
nisëm herët, që kohën ta kishim përpara dhe të mos nguteshim. Së pari ndaluam
në restorantin “Gjuetari”, në anë të rrugës, para se të hyjmë në Librazhd. Siç
i thonë shoferët, duhet furnizuar stomaku me karburant, që ta kemi mendje e
fjetur deri edhe për mbas dite, se nuk i dihet ku na ze dreka.
Më
tej ndaluam në Pogradec, ku na priste akademiku dhe miku ynë Kopi Kyçyku, për
një kafe dhe për t’u çmallur. Unë kisha disa vjet pa u takuar. Përshëndetemi në
facebook apo portalet elektronike, por takimi dhe këmbimi i mendimeve apo
bisedave ka tjetër vlerë, duke pasur parasysh krijimtarinë letrare apo
studimore.
Akademiku
ynë i nderuar, megjithëse në moshë të thyer, ende vazhdon të shkruajë dhe të
botojë libra studimor, me vlera historike kombëtare. Një shembull që e vlen të
përshëndetet dhe të përgjithësohet, se krijimtaria të mban gjallë deri sa të
lenë fuqitë. U kënaqëm me kafe, por më shumë për muhabetet tona që nuk
pushonin. Prof. Kopi na ftoi të qëndrojmë për drekë, por ne nuk pranuam, pasi
kohën e kishim ndarë me minuta. Do qëndronim më gjatë në Shën Naum.
Në
doganën e shtetit fqinj, na vonuan pak si shumë. Koha e pritjes na u duk tepër
e gjatë, mbase nga përshtypja, se vendet fqinje, sidomos në valë lëvizje
turistike të shtuar, s’ka pse të vonojnë duke kërkuar e zbatuar rregulla
burokratike. Zyrtarët burokratë janë në rregull me punën e tyre, por janë
qytetarët që harxhojnë kohë dhe djersë duke pritur.....? Çuditërisht kështu na
ndodhi edhe kur u kthyem në doganën tonë në Qafëthanë, të nesërmen pas dite. Mbase
mendojmë gabim, sepse na u krijua një lloj pështjellimi, sikur doganat dhe
doganierët kopjojnë njëri-tjetrin, pavarësisht se janë goxha larg.
Unë
kisha më shumë se njëzet vjet që nuk kisha qenë në Manastirin e Shënd Naumit,
siç do të thoshte Lazgushi ynë i madh. Kishin bërë ndryshime të ndjeshme, të
bukura në pamje dhe praktike për turistët dhe vizitorët e shumtë, që nuk
pushonin të vinin me makina apo me tragete të vegjël nga liqeni.
Nuk
di ç’të them.....! Këto fjalë mbase do t’i përsëris shpesh, pasi fqinjët tanë i
kushtojnë shumë kujdes mjedisit turistik, jo vetëm të jetë i bukur, i pastër
dhe i mirëmbajtur, por të jetë i përdorshëm, i lehtë në lëvizje edhe kur ka
dyndje vizitorësh. Përjetuam një lloj modeli turistik, për t’u marrë si përvojë
pozitive edhe nga ne. Pyetja që mbetet pa përgjigje është: Pse ata, fqinjët
tanë, bëjnë kaq kujdes, ndërsa ne jo kudo dhe jo kurdoherë.......? I them këto
fjalë, jo vetëm për Shën Naumin, ku nuk pushonte vargu i vizitorëve, që hynin e
dilnin si mizat e dheut, por edhe në pika të tjera, si bie fjala në qytetin e
Ohrit, apo në Manastirin e Kalishtës, në anën perëndimore të liqenit.
Unë
po vija vërdallë në oborrin e manastirit, diçka kërkoja në heshtje, kur Gëzimi
më pyeti:
-
Ç’po kërkon, mos të ka humbur gjë......!?
-
Jo.....! - i them i qetë. – Më mirë të më pyesje, ç’ kemi humbur ne shqiptarët?
Unë po mendoj vallë në cilën kënd të oborrit, një nga murgjit e manastirit
ndezi zjarrin dhe dogji të gjithë dokumentacionin e mbajtur ma aq kujdes e
fanatizëm për afro 700 vjet, që atëherë kur u ngrit ky vend i shenjtë? Ishte
viti 1850-51, - Shkruan studiuesi Nuri Dragoi, në librin “Shqiptarët dhe
Grekët. Realitete historike”. Faqe 49. - “Ka patur dokumente të çmuara edhe në
manastirin e “Shën Naumit”, i ndërtuar në shekullin XII-të, të cilat u
shkatërruan me urdhër të patrikut grek në vitin 1850 ose 1851. Murgu Serafim,
rrëfen: - Por patriku më ka urdhëruar tri herë radhas: “Është hera e fundit që ne të urdhërojmë. Në qoftë se nuk
e djeg ti, do ta bëjnë të tjerët, por pa ty. Sa keq më vinte!”.
-
Po ç’ lidhje ka me ne shqiptarët, ky dokumentacion manastiri, si institucion
fetar, kur ende ne nuk kishim krijuar shtet? - e vazhdoi bisedën Gëzimi.
-
Pikërisht këtu qëndron edhe enigma, natyrisht “në dukje”: - Kohës i duhesh
mbyllur goja, të mos fliste mbi historinë e shqiptarëve dhe trojet e tyre, në
një kohë që Perandorisë Osmane po i binin dhëmbët dhe po e linin fuqitë. Kështu
që, tokat e banuara nga shqiptarët, të copëtoheshin mes fqinjëve, ashtu siç
edhe ndodhi në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20, kur ne u
shpallëm të pavarur me një truall kaq të vogël, duke lënë jashtë shumë hapësira
toke, dete, liqene e lumenj. Jemi i vetmi vend në botë, që, si në jugë, në veri
e lindje, rrethohet me popullsi tërësisht shqiptare. Madje edhe ti e di mirë si
u veprua edhe me këtë Manastir të shenjt, apo pikë turistike kaq e njohur në
Ballkan dhe në botë, pranë këtij burimi të mrekullueshëm, nga ku buron edhe
lumi Drin i Zi. Padrejtësia mbetet plagë e hapur në trungun e kombit tonë,
dhemb shumë, ndaj dhe nuk mbyllet lehtë. Historia bërtet e këlthet me gjuhën e
letrave dhe......, letrat në të tilla raste kushtojnë shtrenjt.
Zbritëm
nga Manastiri dhe qëndruam rrëzë shkëmbit, të gjelbëruar, ku aq bukur është
ndërtuar një mol i vegël, ku venin e vinin tragete të mbushur me turistë e
vizitorë të shumtë. Na u duk vetja sikur jemi në Durrës, në port, ku ankorohen
tragete të mëdhenj, që vijnë nga larg, plot me turistë e udhëtarë. Beni hapi
kavaletën dhe vendosi telajon, pikërisht
në qoshe të atij moli të vogël, ku dukej bukur ndërtesa e manastirit,
mbështetur mbi shkëmb, që laget e rrihet nga era dhe dallgët e liqenit të
magjishëm.
Ai
u fut në botën e ngjyrave, ndërsa ne filluam të mbledhim e të shijojmë
manaferra, të mbira natyrshëm mbi atë copë vend. Në fund, kur i gjithë peisazhi
me ngjyra u fut në telajo, s’na mbeti tjetër veç të shijojmë e të krahasojmë
aty në natyrë, bukurinë e objektit model dhe pikturës. Nuk kishte pamje më të
bukur. Frymëzimi krijoi një mrekulli. E uruam autor Kristanin dhe u bëmë gati
të lëvizim drejt qytetit të Ohrit, në të njëjtën kohë, që Mali Thatë po vishej
me re të zeza, që paralajmëronte se shiu ishte fare pranë.
Ndërkohë
që ne bënim shaka dhe vlerësonim këtë vend magjik, Beni na thotë se duhet bërë
karburant, pasi shenja e kuqe njoftonte se rezervat ishin në pikën e fundit. Ne
“Si të ditur”, pa e vrarë mendjen, duke menduar se jemi në Shqipëri, ku në çdo
pëllëmbë rrugë ka një pikë furnizimi, i thamë: - Besoj se rrugës do të ketë pa
tjetër ndonjë vend furnizimi....., pasi Shën Naumi dhe Ohri janë goxha larg.
Udhëtonim, por shqetësimi i Benit sa vinte dhe shtohej, pasi pikë karburanti
s’po dukej gjëkundi, kur edhe shiu si mysafir i shumëpritur po godiste
qetësisht xhamat e makinës. Të gjithë u çliruam nga ankthi vetëm kur hymë në
ndërtesat e para të qytetit.
Nëse
edhe pak rrugë të kishte zgjatur, udhëtimi ynë do të përfundonte në një
aventurë jo të këndshme. Sidoqoftë shpëtuam dhe shakatë u rikthyen, duke pyetur
veten: Si është e mundur që në këtë rrugë kaq të gjatë, Shën Naum-Ohër, mos
ketë një pikë karburanti. Në këtë rast përgjigja mbetet pa zë......! Ata e dinë
ç’bëjnë...!
Ne
nxitonim....! As guxuam të ndalojmë as për kafe, as për ujë. Nuk na shkonte
mendja të hidhnim sytë në qytet. Mbetëm duke “vrapuar” drejt Strugës, ku na
prisnin për të marrë pjesë në veprimtarinë përkujtimore, “Mbrëmje me Prof. Dr.
Nuhi Vinca”, organizuar mrekullisht në teatrin “Poshka”. Të parët që takuam
ishin çifti nga Prishtina, Ilir Kafexholli (kirurg) dhe Teuta Vinca Kafexholli,
e bija e Prof. Nuhiut, të cilëve fisnikëria u lexohej në fytyrë.
Kësaj
ngjarjeje të paharruar përkujtimore, me t’u kthyer në Durrës, i kushtova një
shkrim me titull: “Në përkujtim të Prof. Dr. Nuhi Vinca”, publikuar: Facebook.
23. 08. 2024, Gazeta “Dielli”. SHBA, 24. 08. 2024, “Fjala e lire”, Londër, 25.
08. 2024, dhe “Zemra Shqiptare”, Zvicër, 27. 08. 2024.
Këtu
në Strugë, një lloj tjetër aventure përjetuam, siç ndodh kudo kur nuk e njeh
qytetin, rrugët, sheshet, objektet e artit dhe kultit. Nuk u mërzitëm dhe as u
çuditëm, pasi jemi mësuar edhe këtu në Shqipëri, siç na ndodhi pak dit më parë
në qytetin e Shkodrës, që vetëm për të parkuar makinën u endëm nëpër rrugicat e
saj, jo më pak se një orë. Sidoqoftë kur udhëtimi mbaron mirë, vogëlsirat
harrohen shpejt, vetëm kujtohen në bisedat e atyre çasteve, si për të zgjatur
me humor e për ta bërë më interesant muhabetin, rreth tavolinës së kafesë.
Në
darkë, siç ndodh kur jemi mes miqsh, si Agim Vinca e Hysen Ibrahimi, bisedat
dhe diskutimet vazhduan gjatë. Temat gjuhësore dhe letërsia mbetën në krye, pa
harruar edhe problemet e ditës që përjetojnë shqiptarët në të dy anët e
gardhit, që na ndan prej më shumë se një shekulli.
Mëngjesi
i ditës së hënë, pas shiut të djeshëm, ishte më i freskët. Vendosëm që kafenë
ta pimë në Ohër, ku mbërritëm shpejt. Qyteti i vjetër, me rrugica të ngushta
dhe shtëpi karakteristike në shpatin e kodrës, na kujton Beratin tonë. Nuk po
flas për kishat, manastirin dhe kalanë në majë të kodrës që sundon qytetin, që
gëlonin nga vizitorët e shumtë. Nuk po shtoj fjalët, se kur përsëriten, nuk
shprehin fantazi, as bukuri e forcë mendimi.
Ajo
që më shtyn të shpreh një lloj kënaqësie çasti, por edhe një zhgënjim në
vetvete, ishte pamja e amfiteatrit të atij qyteti, i ndërtuar prej mijëra
vitesh, tashmë i restauruar, i vënë në shërbim të publikut, të artit dhe
artistëve, me skenën e mbuluar, por të pajisur me të gjitha mjetet dhe orenditë
që kërkon një mjedis i tillë. Pas kënaqësisë së atij admirimi, për ne durrsakët
zuri vend zhgënjimi: Ne në Durrës kemi amfiteatrin më të madh të Mesdheut, dhe
e kemi lënë ashtu sikurse u zbulua rreth gjashtëdhjetë vjet më parë, pa i bërë as më të voglin investim.
Pse? Pse...? Dhe pyetja zgjatet pa mbarim. Nuk dimë, apo nuk duam....? Fjala e
fundit “nuk duam”, zë më shumë vend në fjalorin e gjithsecilit, kur përpiqemi
të përtypim e shtjellojmë ngjarjet që kanë përcjellë, mbështjellë, ngjyer e
përlyer jetën e qytetit tonë, sidomos në këto vitet e fundit.
Nuk
di ç’të them....! Por emri i çdo kryeministri, presidenti apo titullar shteti,
do të mbetej në historinë e Durrësit mijëra-vjeçar dhe në historinë tonë
kombëtare, i shkruar me germa të arta, që do përmendej jo vetëm nga ne
shqiptarët, por në mbarë botën. Është arti dhe artistët që do ta përjetësonin
në përjetësi, ringjalljen e këtij monumenti me vlera të dhuruar nga koha.
Restaurimi dhe vënia në punë e një objekti të tillë, si pasuri kombëtare e
jashtëzakonshme, do të nderonte e ngazëllente cilindo, jo vetëm durrsakët, pasi
pasuria, vetvetiu sjell pasuri, mirëqenie, pse jo edhe jehonë lavdie.
Pas
Ohrit, që na hëngri shumë kohë, Shpendi na nguci që të vizitojmë Manastirin dhe
kishën në Kalishtë, pranë fshatit me të njëjtin emër. Nuk e bëmë fjalën dysh.
Ishte fare pranë rrugës Strugë-Qafëthanë, dhe që lagej nga ujërat e kristalta
të liqenit “hyjnor”, do ta quaja unë, pas këtij udhëtimi të çuditshëm. Një
mrekulli e vërtetë. Objekte kishtare të ngulura apo të mbërthyera në faqe
shkëmbi, ku guri i shpellave ishte bërë pjesë dhe strehë e këtij ndërtimi
fantastik. Mjeshtëri e rrallë për të shfrytëzuar gjithçka, duke na mahnitur sot
ne vizitorët e shumtë. Uji i ftohë i burimeve aty rrotull dhe një gotë birrë
shijonte shumë, ndërkohë Ben artisti pikturonte pamjen e Strugës në breg liqeni
dhe malet përkarshi.
Qetësia,
pastërtia dhe freskia e këtij vendi magjik, na mbajti për një kohë goxha të
gjatë, edhe pse Beni kishte kohë që kishte përfunduar pikturën e tij. Ky ishte
një tjetër çast i bukur në ndjesitë tona, që na shtyu të diskutojmë gjallërisht
për artin vizual, pikërisht tani që ndodheshim fare pranë krijimtarisë, që e
preknim dhe e përpinim bukurinë e ngjyrave. Mos ishte magji, apo frymëzim
perëndie.....!? Nuk e di........!
Kam
përshtypjen se kam lënë shumë gjëra dhe hollësi të pa thëna, të cilat janë e do
të jenë për një kohë të gjatë, pjesë e bisedave tona në kafe, në Durrës apo
Currila, aty pranë detit që na freskon e na nxit të harrojmë problemet e
zakonshme të ditës, duke i lënë shteg përjetimit që i jep krahë përfytyrimit e
frymëzimit magji-ndjellës.
Provoni
dhe do të më besoni. Jam i bindur se kam të drejtë.....!!!!!!
Kadri Tarelli
Fund gushti, 2024.