E marte, 08.10.2024, 06:41 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Vlash Prendi: Nëpër Mbretërinë e Sicilisë

E diele, 05.05.2024, 07:59 PM


... NËPËR MBRETËRINË E SICILISË

- Reportazh -

NGA VLASH PRENDI

Vizitat në provincën ishullorë të Sicilisë, janë gjithmonë të kendëshme dhe mjaft interesante, kjo për faktin se ky rajon është banuar që në kohë të lashta dhe ka një histori interesante të ekzistencës së saj, por edhe sepse ky territor ishte provinca e parë që u vu nën sundimin e Perandorisë Romake në vitin 241 p.e.s, aty nga përfundimi i Luftës së Parë Punike, duke shkruar historinë e këtij rajoni, që sot vjen e dokumentuar në 9 vëllime. Mendohet se ishulli i Sicilisë u pushtua nga fiset indigjene rreth 7800 vjet para Krishtit, kohë kur e pagëzuan edhe me emrin e sotëm Sicili. Po kështu edhe Flamuri i mbretërisë siciliane i dominuar nga ngjyrat verdhë e kuq, paraqet portretin e një gruaje me tre këmbë, stilizuar me kokën e mitike të Meduzës, e përshkruar përgjithësisht si femër  me krahë dhe në vend të flokëve konceptohen gjarpërinj helmues të gjallë, ndërsa tre këmbët e saj simbolizojnë tre qoshet e provinces së Sicilisë, ose sipas legjendës janë tre nimfat mitologjike që paten krijuar ishullin në fjalë. Megjithatë duhet theksuar se Mbretëria e Sicilisë nën sundimin e Hieron II, ishte  aleate e Romës deri në humbjen e saj në vitin 212 p.e.s gjatë periudhës që përkon me zhvillimin e Luftës së Dytë Punike. Më pas gjithë provinca që përfshinte ishullin e Siçilisë, ishullin e Maltës dhe disa grupe më të vogla ishujsh, u vunë nën sundimin e perandorisë. Gjatë sundimit të Republikës Romake, ishulli ishte burimi kryesor i drithrave, perimeve dhe agrumeve për qytetet më të mëdha të perandorisë, sidomos për qytetin e Romës. Jemi në vitin 36 p.e.s, kur ishulli ra nën kontrollin e Augustit pasi ai organizoi disa koloni romake që krijuan ngulimet e tyre në disa qytete të mëdha të kësaj province. Në periudhën e sundimit perandorak, provinca e Sicilisë ishte një territor kryesisht agrar, ashtu siç vazhdon të jetë edhe sot, prandaj përmendet rrallë në burimet letrare dhe dokumentare, por arkeologjia dhe epigrafia zbulojnë në këtë rajon disa qytete të lashta të zhvilluara dhe të lulëzuara, si Panormus në perëndim republika e Sirakuzaës dhe Katania në lindje, ndërsa qytetet e tjera më të vogla si Ragusa, Taormina, Agreginjo ishin në formim e sipër ku ishte e zhvilluar kryesisht bujqësia. Qytetet e mëdha, ishin të organizuara në bazë të vetqeverisjes, ku kryesisht fliteshin gjuhët latinisht dhe greqisht. Provinca e Sicilisë, dikurë mbretëri shtrihet në pjesën ishullore në jugperendim të gadishullit Apenine ku zotëron një sip. prej 25.711 km2, ku jeton një popullsi rreth 5.4 milion banorë. Qytetet siçiliane janë të njohura që në lashtësi, pasi kanë luajtur një rol shumë të rendësishëm në lëvizjet historike dhe kulturore të rajonit, por edhe në zhvillimet ekonomike dhe bujqësore të tij. Qytete të tilla si Palermo, si kryeqendra e provinces, Raguza, Sirakuza, Katania, Mesina, Trapani të cilët përmbajnë dhe shfaqin kurdoherë vlera historike dhe kulturore të periudhës antike.

Me kalimin e viteve, shumë shpejt kjo province u bë një rajon i lakmueshëm për vendosjen e ngulimeve të ndryshme dhe popullimin e qyteteve me banorë të nacionaliteteve të ndryshme, një prej të cilëve ishin edhe shqiptarët, të larguar nga vendi i tyre në periudha të ndryshme kohore qe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit.  Nga burimet historike mësojmë se marredhëniet e Mbretërisë së Sicilisë me shtetin e Arbërit, kanë qënë të vazhdueshme dhe reciproke sidomos në periudhën e sundimit të Karlit Anzhu. Por vështirësive të aristokracisë shqiptare në marrëdhëniet me këto fuqi të huaja, u shtoheshin edhe ndarjet e konfliktet midis vetë fisnikëve shqiptarë të asaj kohe, megjithse për hir të së vertetës duhet theksuar se edhe Principata e dikurshme e Arbrit aso kohe e kishte humbur disi shkëlqimin që kishte pasur në periudhën e sundimit të princit Dhimitër Jonima. Kështu që në trevën e Shtetit të Arbrit tashmë ushtronin ndikimin dhe pushtetin e tyre disa familje feudale mjaft të njohura në atë periudhë, që shpesh here hynin në konflikt me njëra-tjetrën për arësye territoresh, pronash etj, si familjet Skura, Topia, Arianiti, Vrana, Blinishti etj. Këto marrdhënie u konsoliduan kur në zona të caktuara të provcës së Sicilisë, në qytetet kryesore të saj, u vendosën emigrantë shqiptarë që formuan ngulimet e tyre për të shpëtuar nga asimilimi që po i bëhej në masë popullsisë shqiptare pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Në këto kushte, mjaft familje shqiptare u detyruan të largoheshin nga vendlindja e tyre dhe të vendoseshin në provinca të ndryshme të Italisë, kryesisht në pjesën jugore të gadishullit, por një pjesë e mire e tyre u vendosën në ishullin e Sicilisë. Në fakt, emigrimi i parë i shqiptarëve sipas Marin Barletit daton në vitin 1450, pas rënies së Beratit, ndërsa i dyti rreth vitit 1480, kohë në të cilën trojet arbërore ranë nën sundimin osman. Siç na bën me dije studiuesi i njohur Rosolino Petrotta në librin e tij “Arbreshët në Sicili” botuar në vitin 1941, në pjesën jugore të Italisë gjenden rreth 80 komuna me rrënjë arbërore, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm arbreshësh, rreth 250 mijë të tillë të larguar nga toka amë, por sipas tij, numri i tyre është shumë më i madh. Këto arbreshë, me ndihmën e Eminencës Kardinal Luigj Lavitranit, peshkop i Palermos, me dekret të Shkelqesisë së Tij Papa Piu XI, në vitin 1937 u bashkuan në juridiksinin e diocezës së Piana dei Greci, themeluar në vitin 1488, ku jetojnë edhe sot. Por sipas R. Petrottës  duhen veçuar katër humanistë të mëdhenj themeltarë të Instituteve fetare që mbajtën ndezur dashurinë e arbreshëve për dheun amë përmes veprës së tyre Andrea Reresi, Gjergj Guzzeta, Antonin Brankati dhe Françesk Saluti, të cilët bënë të mundur bashkëpunimin e arbreshëve me autoritetet e kohës dhe integrimin e tyre në shoqërinë e athershme italiane.

Vizita në këtë provincë është mjaft interesante dhe me vlera, sepse në shumë qytete gjen familje dhe fshatra arbreshe që edhe sot ruajn doket, zakonet dhe gjuhën e atdheut të tyre. Kemi zbritur në aeroportin “Vincenzo Bellini” të Catanias, një nga qytetet më të njohura të provincës së Sicilisë, i cili ka një sipërfaqe prej 182.90 km2, ku jeton një popullsi prej 312 mijë banorë. Të tërheq vemendjen pozicioni gjeografik i qytetit të lashtë vendosur në rrëzë të malit Etna ku ndodhet edhe vullkani me të njëjtin emër, njëri nga vullkanët më aktive në ditët e sotme. Siç na thonë, ai kishte pasur një shpërthim ditët e fundit, prandaj mbi majën e tij shiheshin endë shtëllunga tymi të bardhë. Dorina, që është bashkëudhëtare me mua, vështron me habi jo vetëm vullkanin që duket qartë në horizont, por edhe ndërtimet antike që zbukurojnë madhërisht qytetin dhe plot kuriozitet më drejton një mori pafund pyetjesh, të cilave perpiqem t’u jap përgjigje bazuar mbi ato që kam lexuar për këtë provincë. Akomodohemi në një lokal për të konsumuar një kafe së bashku me Gëzimin, i cili më thonë se edhe në Catania ka shumë arbreshë që shpesh komunikojnë edhe në shqip. Kudo ku i takoje ata ishin të interesuar të dinin sa më shumë për vendlindjen e të parëve të tyre. Roberto Sortino na thotë se ka prejardhje arbëreshe nga nëna. Ai na tregon se jo vetëm në Palermo, por edhe në Catania ku jetojnë arbëreshë zhvillohen aktivitete të ndryshme si manifestime, festivale dhe promovime në kujtim të historisë, prejardhjes dhe jetës së tyre, por shton se në Catania arbreshët jetojnë në fshatrat Bancovilla, Brente, San Michele, që sipas tij e kanë humbur disi identitetin, ndërsa në Mesina vetëm Lipari banohet nga arbëreshët. Ai na tregon se shpërthimi i vullkani të njohur në Malin Etna në vitin 1669 thuajse e shkatërroi qytetin e Catanias, ndërsa në vitin 1693, rreth 16 mijë banorë vdiqën  për shkak të tërmeteve të shumta që prekën provincën, e këtu ndikoi edhe përhapja e sëmundjes së murtajës. Kështu, agimi i shekullit të 17 - të, shenoi rënien e Mbretërisë së Sicilisë. Kjo situatë e vështirë, çoi në përhapjen e korrupsionit, sidomos në shtresat e larta të shoqërisë, ku ky fenomen dhe sidomos keqtrajtimi që u bëhej shtresave të ulëta nga feudalët, çoi në krijimin e grupeve të hajdutëve, duke sulmuar pronarët dhe duke shkatërruar pronat e tyre. Këto grupe grabitësish, u quajtën “mafia”, dhe qe atëherë këto grupe u bënë baza e mafies siciliane duke kthyer ishullin në vatër të tyre. Daniele Grandi na thotë se ekonomia e ishullit mbështetet kryesisht tek prodhimet bujqësore me të cilat furnizohen tregjet e disa qyteteve të Italisë Veriore. Këtë fakt e pohon edhe Gëzimi, i cili na tregon se shumica e prodhimeve bujqësore, madje edhe vreshtaria trejtohen në serra, megjithse ishulli i Sicilisë me atë reliev tepër të përshtatshëm kodrinor dhe fushorë, ka një klimë të përshtatshme të tipit mesdhetarë. Kërkoj të lidhem përmes telefonit me misionarin, shkrimtarin dhe humanistin e njohur don Carmelo la Rosa, të cilin e kam njohur dhe kam bashkëpunuar me të kur ishte misionar në kishën e Mamurasit, por më thonë se për shkak të angazhimeve të shumta ishte e pamundur t’a takoja.

Jemi nisur për në qytetin e lashtë të Ragusës, i cili ndodhet në pjesën juglindore të ishullit, ndërtesat e të cilit ruajn endë mjeshtërinë e hershme të stilit barok. Përgjatë rrugës prej rreth 180 km. të tërheqin vemendjen plantacione me agrume, sidomos mandarina, portokalle dhe ullinj, por nuk mungonin edhe fiqtë e detit dhe limonat. Të bënte përshtypje se nuk mund të shihje asnjë pëllëmbë tokë të pa punuar. Shumica e tokave, megjithse ishin kodrinore mbuloheshin nga serrat, ku kultivoheshin perime deri tek hardhitë e rrushit, ku prodhimet ishin të bollshme. Maria veshtronte nga dritarja e makinës dhe habitej. Shpesh krahasonte tokat tona pothuajse djerrë, me tokat e atij aksi rrugorë në kushte të vështira, por të punuara, të sistemuara dhe të mbjella. Në qytetin historik të Ragusës na presin Edi Balozi, Silvana, Alma, Noeli dhe sidomos Merilini i vogël që na uron mirëseardhjen plot kenaqësi. Jemi në sheshin “San Giovani” ku shpesh mblidhen shumë emigrantë shqiptarë. Më miklohet sedra kur dëgjoj se edhe në fund të Italisë flitet gjuha jonë e bukur, madje edhe Meri i vogël 3 vjeçare komunikon tërësisht shqip. Gëzimi na thotë se është kujdesur që në familje të flitet gjithmonë shqip dhe t’ja mësojë shqipen në vazhdimësi vajzës së vogël.

Qyteti i Ragusës, njëri nga më të njohurit në ishull, i cili vitet e fundit ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm falë ndërtimit të tij të stilit barok të vendosur në pjesën antike të qytetit, i cili që nga viti 2002 është pjesë e listës së UNESCO - s, me 18 lokalitete të shpallura si pjesë e trashëgimisë botërore. Në anën perëndimore të qytetit ndodhet lugina e lumit Irminao një nga lumenjtë më të mëdhenj të rajonit të Ibleas, i cili krijon një pjerrtësi nga deti drejt malit Lauro. Ragusa shtrihet në kodrat Hyblaei dhe ndahet në pjesën antike dhe atë industriale, qe përbëjnë dy komuna të krijuara në fillim të shek. XIX, të quajtura Ragusa Superiore dhe Ragusa Inferiore ose Iblea, ku zë fill historia e qytetit të lashtë. Nga të dhënat historike thuhet se qyteti i vjetër u shkatërrua nga një tërmet i vitit 1693. Ndërtesat e bukura të stilit barok përfshijnë katedralen San Giovani rindërtuar në vitin 1706, pasi ndërtesa e saj që daton në fillim të shek. XIV, ndodhet në Ibleas dhe bazilikën e San Giorgio rindërtuar në vitin 1738. Qyteti sot ka rreth 72 mijë banorë. Vizitën e parë e bëjmë në Iblea duke ecur  në këmbë dhe duke kundruar ndërtesat mesjetare. Lidhja e qytetit me mrekullitë mesjetare të Ibleas bëhet nëpërmjet 340 shkallëve. Vizitori këtu do të shijojë pamjen e qytetit historik të Ibleas në pozicione të ndryshme, veçanërisht në mbrëmje, dritat që ndriçojnë rrugët e vogla dhe shtëpitë që duket sikur mbështesin njëra - tjetrën në kodër, paraqesin një bukuri të rrallë në llojin e saj. Bien në sy pallatet e ndërtuara me mure prej guri dhe tulle, që rrallë i kalonin katër kate. Dominonte stili gotik, por disa prej tyre ngjanin edhe me stilin romak. Pasi kemi ecur disa kilometra, mbërrijmë në sheshin qendror të Ibleas ku nuk është vështirë të dallosh katedralen San Giorgio, ndërtuar në shek. XV, një nga monumentet më të bukura të kulurës fetare siciliane. Me shumë vlera historike ishin edhe objekte të tjera fetare që pasqyronin historinë shumëshekullore të këtij qyteti historik si kisha Santa Luçia, Katedralja San Giuzeppe, por vetëm në Iblea numëroheshin shtatë monumente të tilla që datojnë qe nga shek. XVI.

Katedralja San Giovani Batista ndodhet në qendër të qytetit. ?shtë një institucion fetar që daton në shek.XIV, por e rindërtuar pas termetit të vitit 1693 sipas stilit barok, në qendër të qytetit të Ragusës. Pjesa e parme e saj dominohet nga lista e gjatë e trashegimisëfetare, ku janë skalitur emrat e misionarëve dhe heronjve të fesë. Ajo ka gjashtë kulla të ndërtuara në vitin1731, ndërsa në kapelë është skalitur një orë elektronike që qendron mes dy orëve diellore të ndërtuara në vitin 1751. Don Giovani Meli na tregon, se pjesa e brendshme është praruar me stuko të shkeqyshme nga dy vëllezër sicilianë Giovani dhe Gioacchino Gianfforma në vitet 1776 - 1778. Mes harqeve të saj janë gdhendur në reliev 24 engjej, ndërsa në harkun triumfal dy prej tyre mbajnë një pllakatë në formë rrethore ku shkruhet: “Non surrexit Major”, që do të thotë: “Askush më i madh nuk ka lindur”. Festa e shenjtorit San Giovani Baptista festohej triumfalisht në Ragusa më 24 qershor, ditën e lindjes së tij. Don Giovani më rekomandon të vizitoj edhe Muzeun e Katedrales, një ndërtesë mjaft e bukur ndërtuar në shek. XVIII. Së bashku me Almën, paraqitemi tek sekretaria e muzeut. Na pret përgjegjësja e tij Angela Ocipitti, e cila me shumë mirësjellje na fton të vizitojmë pavionet e tij. Të bëjnë përshtypje objektet origjinale të misionarëve të fesë të ekspozuara në stenda të veçanta dhe të sigurta. Numri i ipeshkëvinjve dhe priftërinjve ishte i konsiderueshëm, ashtu si dhe veshjet e tyre të ekspozuara nëpër pavione të ndryshme sipas viteve. Dalloheshin mes tyre gjashtë unaza që datonin nga shek. XVII, disa varëse floriri me kryq, një numër i caktuar monedhash, të gjitha prej ari. I kërkova z. Ocipitti nëse kishte ndonjë objekt të San Giovanit, emir i të cilit është mjaft i njohur në province, dhe ajo më drejtoj tek një stendë ku ndodhej një dhëmb. - Vetëm ky objekt mendohet se është i tij, - më tha. E falenderova pa masë për kohën që na kushtoi, shpjegimet që na bëri dhe u largova i emocionuar nga ky institucion shumë i rendësishëm dhe me shumë vlera, që në shumë kisha të tilla, në vendin tim mungon.

Bashkë me Redin, shetisim nëpër qytetin e Ragusas. Takojmë njerëz të kombeve të ndryshme, e veç shqiptarëve atje mund të takosh tunizian, kinezë, tajlandezë, algjerianë, e deri edhe nga Bangladeshi. Emigrantët me kombësi shqiptare janë të shumtë. Madje njëri prej tyre, Rubin Kasa një djalosh energjik dhe shumë i shkathët na fton për kafe. Ishte nga Lushnja dhe ndiqte mësimet në një shkollë profesionale në qytet për teknik - mekanik. Biseda me të riun rrjedh natyrshëm. Më tha se jetonte në Ragusa bashkë me familjen, madje më tha se gjyshi i tij kishte jetuar disa vite në qytetin e Laçit për ndërtimin e uzinës së superfosfatit, e cila sot nuk ekziston më. Në darkën e 31 dhjetorit.

Komuna e Ragusas ka planifikuar një mori aktivitetesh promovuese dhe argëtuese, kështu që pas darkës së kendëshme dhe atmosferës festive që kaluam së bashku, bashkë me Merilinin e vogël dalim të ndjekim një koncert festiv në Duomon “San Giovani”, ku është ngritur podiumi dhe interpretohen këngë, recitime dhe muzikë vallëzimi. Jehoi qyteti i Ragusës deri në orët e para të mëngjesit, gëzuan edhe banorët e qytetit. Diku mes turmës dalloj mikun tim të hershëm Marjo Mishi, që unë e thërrisja Hamdi Kruja, një burrë fisnik nga Kavaja. Takohemi dhe urojmë njëri - tjetrin, pastaj duke biseduar si dy miq të vjetër konsumojmë edhe një kafe. Të nesërmen në teatrin “Duemila” do të shfaqej një dramë krishtlindjesh, inskenuar nga këshilli artistik i qytetit. ?shtë për t’u theksuar se aktivitetet kulturore dhe artistike nuk kishin të sosur. Diku promovojej një libër, diku tjetër hapej një ekspozitë me piktura, diku këndohej, në këndet sportive zhvilloheshin aktivitete të shumta dhe manifestime.  Të bënte përshtypje gjallëria, entuziazmi dhe gëzimi i ardhjes së festave, e me këtë rast kishte oferta në çmime si dhe shpërblime.

Isha kurioz të dija se si funksiononin institucionet e arsimit parashkollorë në qytet, për këtë arsye, së bashku me Vanën nisemi tek kopshti që frekuentonte Meri, Asilo Nido “San Giovanni”, ku na presin dy edukatoret e nderuara, Elisabeta dhe Davila, të cilat më njohën me programet që zbatoheshin në arsimin parashkollorë, që bazoheshin kryesisht në lojëra dhe ushtrime zbavitëse për të edukuar aftësitë shprehëse, edukative dhe komunikuese të fëmijëve, kryesisht nëpërmjet lojrave, lodrave dhe interpretimeve. Në numrin e madh të fëmijëve, dalloje veç atyre italianë edhe shqiptarë, marokenë, kinezë, kongolezë, arabë të cilët kishin kushte optimale dhe ambient të ngrohtë dhe tepër miqësorë. Aty takova edhe Marinelën, prindi i Leos që frekuentonte prej kohësh këtë kopësht. Vinte nga Kukësi dhe ishte vendosur në Ragusa para pak vitesh bashkë me familjen. Ajo na foli fjalë të mira për funksionimin e këtij institucioni.

Ndërsa po i  hidhja një sy gazetës “Sicilia”, e cila dilte me një tirazh të kosiderueshëm, më tërheq vemendjen një telefonatë qe më vjen nga Bolzano. Redi, i cili është aktivizuar me skuadrën e qytetit të Ragusës si portier, tani i vendosur në qytetin veriorë, më transmeton ftesën e gazetares së njohur të Radios “Jehona shqiptare” në Bolzano z. Mirela Tomazini, që në një rast të mundshëm të isha i ftuari i saj për një intervistë në radio. E pres me kenaqësi ftesën, i dergoj falenderimet e mija zonjës, duke i premtuar se do të përpiqesha që t’a realizonim një projekt të tillë. Më duhet të takoj edhe trajnerin e ekipit “ASD Ragusa - 1949” z. Alessandro D’Antoni, i cili stërvit Noelin që kërkon të shfaqë aftësitë e tij si portier. ?shtë një burrë babaxhan dhe flas me të sikur të njiheshim prej kohësh. Më flet fjalë të mira për lojtarët shqiptarë që ka në ekip, madje më thotë se edhe vetë ka prejardhje arbëreshe, prandaj i respekton shqiptarët. Ai më tregon se në periudhën e sundimit të fashizmit babai i tij nuk kishte pranuar të mobilizohej ushtarë dhe për këtë ishte dënuar disa vite me heqje lirie. Së bashku me Almën jemi tek qendra e aftësimit të emigrantëve përmes mësimit të gjuhës ilaliane, me qëllim që ata të integrohen më mire në komunitet. Mësuesit Andrea Gustella qe jepte spanjisht, Maria Elena Calabrese jepte histori - gjeografi, Marcello Duri, jepte teknologji, Carmela Campo jepte matematikë, Giuseppina Miano anglisht, ndërsa Carmelo Zappulla lendën e italishtes, qe duke biseduar me ta, na thanë se këtë kurs, që në fakt ishte një shkollë e vërtetë, e ndjekin nxënës të moshave dhe nacionaliteteve të ndryshme. Madje aty njoha edhe dy nxënës si Orawe Konsari nga Tajlanda dhe Rakibul Rakibul nga Bangladeshi me të cilët bisedova gjatë për jetën në ishull, ambjentimin me punën, shoqërinë dhe klimën në Europë.

Ditët po i linin vendin njëra - tjetrës dhe vizitës sonë po i vinte fundi, ndonse kisha shumë vende për të vizituar, miq për të takuar dhe objekte për të përshkruar. Kështu një ditë të bukur shkurti me kompaninë Wizzair zbrita në aeroportin “Nënë Tereza”, për t’u rikthyer përseri në këtë ishull të lashtë, mjaft interesant dhe plot begati.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora