Udhëpërshkrim
Hamdi Hysuka: Atje ku takuam historinë shekullore
E hene, 01.04.2024, 08:54 PM
Atje ku takuam historinë shekullore
Nga
Hamdi Hysuka
Mëngjes i bukur pranvere. Kalendari shënoi 22 mars
2024. Shkencërisht, sipas ciklit astronomik, është dita e parë e pranverës. Me
një grup të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ Mat, përmes
freskisë së mëngjezit dhe bukurive natyrore, udhëtuam për në Dibër të Madhe,
Strugë, Ohër, Shën-Naum e kthim. Lamë pas male e kodra të gjelbëruara, të cilat
mbartin dëshmi historike. Parakaluam fushën e Torviollit, ku i madhi i kombit
tonë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, luftoi e fitoi kundër turqve. Përpara syve
na kaloi historia shumëshekullore, me dëshmi e fakte heroizmi. Se çdo pëllëmbë
toke matjane, nga kalaja ilire e Xibrit, kalatë mesjetare të Stelushit, Gurit
të Bardhë etj, janë të lidhura me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe të
poetit të parë shqiptar, ipeshkvit Pjetër Budi. Gjelbërimi në kodrat nga kaluam
na dha ndjesinë e jetës. Drini, në afërsi të zonës së Maqellarës, sikur e
ndryshoi ngjyrën, nga i zi u bë jeshil. Nga larg morëm dhe përshëndetjen e malit
të Korabit.
Pas Njësisë Administrative të Maqellarës, 3
kilometra larg saj, arritëm në Bllatë, pikë e rëndësishme doganore verilindore.
Drejtuesit e Doganës na pritën mirë. Përballë trarit doganorë, punonjësi i
policisë dhe një doganier kryen veprimet e kalimit tonë kufitar. Për të dalë
nga kufiri ynë shqiptaro-shqiptar mjaftoi karta e identitetit dhe karta jeshile
e autobuzit, dmth siguracioni. Udhëkalimi që lidhte Dibrën me pikën kufitare të
Bllatës kryqëzohej me rrugën rajonale, e cila përshkon Gostivarin, Hanet e
Mavrovës dhe Strugën. Ndjesi e madhe kënaqësie na pushtoi, edhe pse në atë vend
kemi udhëtuar dhe herë tjetër. Rruga për Dibër të Madhe, kryeqendër treve me
rrënjë të thella në histori, është e bukur. Qyteti shtrihet në një fushë të
gjerë, në pjesën më perëndimore të Maqedonisë së Veriut, në lartësinë 625 m mbi nivelin e detit, pranë kufirit me Shqipërinë, aty ku bashkohet Radika me Drinin e Zi. Pamje mahnitëse na afruan
malet e larta, sidomos kur hymë grykës së Radikës, asaj rruge ku para 180
vitesh, me ushtrinë e Perandorisë Osmane, për të “nënshtruar” Malet e Dibrës,
kaloi turku Hajredin Pasha. Është histori që meriton të shfletohet, se
dibranët, siç thotë kënga folklorike, lidhën besë në fushë të Gjoricës, i dolën
pashës në mejdan dhe 12 mijë ushtarë ia lanë pa varre.
Historia e Dibrës së Madhe është e lidhur me
pjesëmarrjen dibrane në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Figurat më të shquara:
Iljaz pashë Dibra, Mehmet Sadik pashë Hoxholli, Mehmet Reshit beu, Bajram bej
Dibra etj, ishin delegatë të Lidhjes, kryetar i së cilës u zgjodh Iljaz pashë
Dibra. Edhe në shpalljen e Pavarësisë Dibra e Madhe u bë vatër e ndezur
atdhetarizmi. Në Vlorë më 1912 Dibra dërgoi përfaqësuesit e vet Vehbi Dibra dhe
Sherif Lengu. Vehbi Agolli (Dibra), atdhetar i shquar, u zgjodh nënkryetar i
parë i Parlamentit Shqiptar. Dibranët Aziz Menzelxhiu, Hafez Abdurrahimi, Hasan
Ballanca etj, ishin propagandues të gjuhës shqipe dhe mësues të saj. Shfletimi
i ngjarjeve të historisë dibrane flet për gjenocid të përmasave të
paimagjinueshme. Tri herë serbët e dogjën Dibrën. Por as lufta e dytë botërore
nuk e ndryshoi gjendjen. Fitorja e LANÇ kundër nazifashizmit më 2 shtator 1944
nga brigatat partizane shqiptare dhe humbja e forcave nacionaliste u bënë shkak
që Dibra e Madhe sërish të mbetej nën kthetrat serbo-maqedonase.
Ajo që sot Dibrën e Madhe e bën të veçantë, është
emigracioni. Shumë të rinj, për një jetë më të mirë, kanë emigruar në Greqi,
Itali, Gjermani, Zvicër dhe Amerikë. Pothuajse shumica e familjeve dibrane
jetojnë me të ardhurat e fëmijëve të tyre.
Nga Dibra udhëtimin e vazhduam në
drejtim të Strugës, e shtrirë në bregun e liqenit të Ohrit. Në këtë qytet u ndalëm për kafe dhe vizituam shëtitoren buzë liqenit. Në
të dy anët e bulevardit, përgjatë rrjedhës së lumit Drini i Zi, takuam buste e
shtatore, kushtuar figurave të ndritura të këtij qyteti. Në qendër ishte
shtatorja e Nënë Terezës. Por mirëseardhjen na e uroi një lapidar i bardhë,
dëshmitar historik, i përmasave mbi
mesataren, i cili dëshmon luftën çlirimtare dhe gjakun e derdhur për liri. Në
pllakën e korrnizuar lexohej: “Lavdi dhe
nder luftërave të revolucionit tonë!” Sipas kalendarit të ngjarjeve e
datave, “...pas 12 ditë luftimesh, më 8
nëndor 1944 brigada e katërt shqiptare e mori Strugën, duke lënë 35 të vrarë
dhe afër 60 të plagosur e të zënë robër. Pra, vazhdoi vrasja dhe plagosja e
shumë shqiptarëve mes vete”.
Kënaqësi tjetër e udhëtimit tonë ishte qyteti i
Ohrit, nga më të vjetrit e më të vizituar, me identitet të theksuar historik e
turistik, simbol qendrese kundër osmanëve turq, me histori e mbijetesë
mijëravjeçare! Përballë na u shfaqën pamje befasuese të liqenit me të njejtin
emër. Syri dhe shpirti ndjenë të bukurën, hijeshinë, kulturën, vlerat,
madhështinë e liqenit, përzier me dhimbje historike për brezat e sotëm dhe ata
që vijnë.
Padyshim, bukuri e udhëtimit tonë 1-ditor ishte
manastiri i Shën-Naumit, përgjatë liqenit të Ohrit, kartolinë për syrin, objekt
adhurimi e peligrinazhi për mijëra vizitorë vendas e të huaj. Këmbët na çuan
majtas, nga tabela paralajmëruese “Sveti Naum”, (“Shën-Naum”).
Përshtypjet e vizitës në këtë manastir ishin të
veçanta. Dikur ishte i yni, por më 16 korrik 1925, në kohën e mbretit Zog,
Shën-Naumi u bë pjesë e kufirit maqedonas, me motive të papërcaktuara shkëmbimi
apo dhurate mes dy qeverive të asaj kohe. Iu dhurua jugosllavëve nga qeveria e
Ahmet Zogut, u shit apo u shkëmbye, është çeshtje e ndërlikuar, “patae e
nxehtë”, që i takon historisë. Sepse, si Shën-Naumi, jashtë kufijve të
shtetit shqiptar, mbetën dhe toka të tjera të Shqipërisë etnike. Për hollësi
mjafton t’i referohemi Enciklopedisë Zyrtare të vitit 1985, në të cilën thuhet
se “Shën-Naumi është nga manastiret më të
njohura shqiptare, 10 km në verilindje të Pogradecit. Në korrik të vitit 1925
iu dhurua Jugosllavisë nga mbreti Zogu I, si shpërblim për shtypjen e
Revolucionit të Qershorit 1924 dhe për kthimin e tij në Shqipëri”.
* * *
Mbërthyer nga bukuritë e shumta, që na afroi
manastiri i Shën-Naumit, orët që kaluan nuk i ndjemë. Por koha e kthimit
afrohej. Përsëri udhë, me vështrim mbi hapsirat nga erdhëm. Përsëri pamjet e
liqenit të Ohrit, për ballë të cilit, bashkë me ne, sikur udhëtonin Prespa e
Madhe dhe Prespa e Vogël. Pamjet urbane të Strugës e të Dibrës sikur po i
shijonim për herë të parë. Në pikën e kalimit kufitar të Bllatës rikaluam pa
probleme. Kryerja e procedurave doganore ishte stacioni i fundit i kthimi nga
erdhëm. Befas, rrugës për Burrel, më erdhi ndër mend psalmi (lutje fetare) për
Shën-Naumin i poetit Agim Vinca:
Je tepër i bukur, për të qenë i vërtetë
e tepër mëkatar për të qenë i shenjtë,
një mallkim i kaltër ç’po të fle në sy,
i mjeri unë për ty!