E premte, 11.10.2024, 09:53 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Raif Mehmeti: Shkolla në Skromë krenari e brezave

E merkure, 25.09.2024, 06:50 PM


SHKOLLA NË SKROMË DHE PUNKTI I SAJ I VITEVE TË 90-ta

KRENARI E BREZAVE

Dy herë në jetën time kam qenë nxënës dhe dy herë student, kam punuar në shumë vende pune, kam takuar njerëz të profileve dhe të kulturave të ndryshme, kam fituar përvojë perëndimore dhe jam i barabartë me kolegët e mi suedez, mirëpo po të më pyetni sot pas 32 viteve nga largimi im nga Kosova se cila ka qenë koha më mbresëlënëse e punës sime dhe që e kujtoj me krenari, është koha kur punova në punktin e Skromës. (Raif Mehmeti)

Nga Raif Mehmeti

Atmosferë festive e gëzimi në bjeshkët e Shalës

Ishte fillimi i muajit gusht që i mblodhi të gjithë banorët e asaj ane në një vend në oborrin e shkollës fillore ”Rrustem Hyseni”, Dëshmor i Kombit e ku kjo shkollë me krenari e mbanë emrin e tij. U tubuam në këtë fshat, i njohur për traditë, mikpritje, trimëri e bujari për të kujtuar ditët e mbajtjes së mësimit kur regjimi serb na përzuri nga objektet tona shkollore të gjimnazit të atëhershëm ”Muharrem Bekteshi” në Vushtrri.

Ideja për këtë tubim erdhi nga prof. Bahtir Feka, i cili pas një konsultimi që kishim filloj t’i informoj të gjithë banorët e zonave duke përfshirë ish prindër, nxënës dhe arsimtarë. I mbajtëm shumë takime e konsulta për t’u përgatitur sa më mirë që ky tubim të jetë një ngjarje e shënuar dhe të skalitet në kujtesën e brezave të kësaj ane. Kishte shumë prej banorëve që na pyetnin se çka kemi nevojë për ndihmë?

Ne të them të drejtën nuk dinim nga t’ia fillonim pasi që nuk e dinim se a ka inventar në shkollë, rrymë dhe si është gjendja e oborrit të shkollës pasi kjo shkollë tash e një kohë ka mbetur e mbyllur pa asnjë nxënës. Komuna e Vushtrrisë na i kishte ndarë 150 euro për këtë tubim, mjete që edhe sot e kësaj dite nuk janë paguar. U dashtë të organizohemi në baza vullnetare dhe falë mërgimtarëve Fadil Ademi dhe Rifat Ademi i siguruam mjetet për pije freskuese e ujë. Drejtoria për Diasporën na siguroj ushqimin me gatime tradicionale për pjesëmarrës. Ditët shkonin shpejt dhe emocionet shtoheshin. Ajo që më ra në sy ishte pikërisht se një pjesë që ishin aktorët kryesor të kësaj ngjarje nuk i pamë aty. Disa me e pa arsye, por kjo e zbehi atë madhështinë që kishte ky tubim.

Ishte ditë e shtunë, 3 gusht 2024. U dashtë që bashkë me veprimtarin e orëve të para Shukri Ademi që të koordinohemi dhe të fillojmë rrugën për në Skromë. Na solli me makinën e tij dhe kishte gatuar enkas fli për ta kujtuar kohën kur na ftoj në darkë gjithë grupin e arsimtarëve kur mbanim mësim dhe edhe atëherë kishin gatuari fli, ushqim i yni tradicional. Në rrugë për në Skromë me ne ishin dhe arsimtarët Mustafë Feka dhe Gani Braha.

Kur mbërritëm në oborrin e shkollës ekipi nga drejtoria për kulturë me mjetet e zërimit veç kishin mbërri dhe menjëherë filluam me punën. I rregulluam karriget, mikrofona e zmadhues dhe pritnim ardhjen e të ftuarve. Si këshill organizues që ishim i pritëm me ngrohtësi të gjithë që vinin duke ju dëshiruar mirëseardhje!

Gëzimi ishte i madh kur në oborrin e shkollës hynë veteranët e arsimit Ymer Gërguri, arsimtari i Batit dhe Edukatës fizike dikur në këtë shkollë, Halil Braha, dikur mësues i ciklit të ulët, Mustafë Feka, arsimtar i histori/gjeografisë, Osman Kosumi, arsimtar atëhershëm i kimisë, Enver Isufi, arsimtar i dituri natyrës dhe ish sekretar i shkollës, Adem Izmaku, mësues i ciklit klasor, Azem Hyseni, ish arsimtar dhe drejtor i kësaj shkolle, Ismet Braha, arsimtar i gjeografisë, Gani Braha, i gjuhës shqipe, Shaban Zeka, arsimtar dhe ish drejtor dhe ish nxënësit tanë me prindër që një pjesë e tyre ishin të shtyrë në moshë.

Nderi  ynë ishte që i takuam dhe Bahtir Hajrën, Izet Shabanin dhe Behram Jusufin, të cilët gjetën forcën e na nderuan me ardhjen e tyre. Numri i njerëzve sa vinte e shtohej e ku kishte dhe mërgimtarë që me dashamirësi vinin e na përshëndetnin.

Skenën e zbukuroj ardhja e prof. Islam Krasniqit, në veshje kombëtare, bashkë me familjen e tij,  e gjeneral Mensur Kosumit, nderi dhe krenaria e jonë, e solo këngëtarëve Shaban Krasniqi dhe Fazli Rashica, e veprimtarëve Naim Brahimi e Ejup Krasniqi, Remzi Mehmeti dhe ish nxënsëve Rifat Ademi, Rifat Hyseni, Selvete Krasniqi, Bekim Hyseni, Haxhi Feka, Nazif Hyseni dhe Naim Shabani të cilët patëm kohë t’i takojmë dhe të bisedojmë e të çmallemi me ta.

Për çudinë tone edhe pse ishim dy orë para kohe si organizator nuk arritëm të fillojmë në kohën e paraparë në ora 15.00 për shkak të ndërprerjes së rrymës. Më në fund vëllai i dëshmorëve Basri e Ali Hyseni na gjeti zgjidhjen me sjelljen e një agregati.

Një gëzim i madh dhe i veçantë ishte kur vërejta se arritën dy ish kolegët e mi të gjimnazit Bedri Tahiri, profesor, shkrimtar e publicist dhe Hazir Mehmeti, mësues, krijues dhe veprimtar në Austri.

Kujtime që nuk harrohen

I dhamë sinjalin që moderatori i programit Gëzim Saraçi të filloj me prezantimin e programit. Pasi intonimit të himnit kombëtar dhe shtetëror dhe një minutë heshtjeje për dëshmorë e martirë programi filloj me një fjalë rasti të mbajtur nga ish profesori i gjimnazit dhe njëherësh përgjegjës për punktin e Skromës Raif Mehmeti. Në fjalën e tij ai veçan përshëndeti familjarët e Dëshmorëve të kësaj ane: Faruk Beqirit, Shahin Krasniqit, Beqir, Basri e Ali Hysenit. Një përshëndetje duke ju shprehur mirëseradhje ju bë edhe prindërve, veteranëve të arsimit, nxënësve, përfaqësuesve të SHBH ”Nëna Terezë”, dega në Vushtrri, Pajazit Pllana, Shahin Ismajli dhe Kadri Bunjaku. Në fjalën përshëndetëse u potencua rëndësia arsimore, kulturore dhe kombëtare që pati punkti në Skromë në edukimin e brezave. Në këtë punkt me dëshirë të madhe dhe vetëmohim u angazhuan arsimtarët: Bahitir Feka (fizikë), Prof. dr. Ismet Begu (matematikë, ekonomi), Fadil Beqiri (matematikë), Sabit Kadriu (gjuhë shqipe), Beqir Haxhiu (mbrojtje e siguri), Shefki Ibishi (kimi), Sefer Sadiku (biologji), Nazmi Smakolli (gjuhë frënge), Banush Ademi (gjuhë shqipe), Azem Hyseni (edukatë fizike dhe muzikë) dhe Raif Mehmeti (sociologji, histori dhe filozofi).

Drejtoria e shkollës me drejtor Azem Hysenin na i hapi dyert dhe na ndihmuan si me kuadro ashtu dhe me material shkollore dhe mjete të konkretizimit. Fshatarët dhe prindërit i hapën shtëpitë dhe zemrat e tyre. Këtë e vendosëm në mbledhjen e përbashkët që kishim në fillim të muajit janar të vitit 1992. Vlen të theksohet se edhe punëtorët teknik të shkollës, në krye me Ahmat Ademin e Ramë Ademin ishin mbështetja dhe ndihma e jonë e pa kursyer.

Punkti i Skromës filloj punën në janar të vitit 1992 dhe përfshiu nxënësit e fshatrave: Gumnishtë, Bozhlan, Skromë dhe Karaçë. Gjatë kësaj periudhe kohore janar/prill 1992 dy here ka qenë ekspedita policore serbe dhe falë punëtorit për çështje teknike dhe siguri Avdyl Ademit, që çdo herë e kishte situatën nën kontroll nuk patëm pasoja.

Rrustem Hyseni, Komandant Historiani, tani Dëshmor i Kombit, dy herë erdhi në vizitë duke u interesuar për mbarëvajtjen e mësimit dhe shtrirjen e ndihmës. Përmes tij ne mbanim lidhjen dhe me punktin në shtëpinë shkollë të Isë Mërnicës, ku Komandant “Historiani” atë kohë vijonte mësimet në vitin e tretë. Dhe Beqir Hyseni, tani Dëshmor i kombit u kujdes për sigurinë tone fizike dhe strehimin pas orëve të mësimit.

Në fjalimin e tij z. Raif Mehmeti, shprehi mirënjohjen e tij të thellë edhe për arsimtarët që nuk jetojnë më e ku një pjesë ishin direkt pjesë e këtij punkti si Fadil Beqiri dhe Murat Ademi të cilët ishin shtylla kryesore e organizimit dhe motivimit të nxënësve tanë. U përmenden dhe arsimtarët që na ikën në amshim: Riza Zymberi, Tafil Mehmeti, mësues i ciklit të ulët dhe Rrustem Zejnullahu arsimtar i matematikës dhe fizikës, si dhe Abedin Ismajli, mësues i ciklit të ulët që kohë më parë u nda nga jeta e ku kontributi i tyre është vlerë e veçantë e historisë së kësaj shkolle.

Gjatë kohës së mbajtjes së mësimit në Skromë u mbajtën dhe tri ligjërata për nxënësit e asaj kohe: Banush Ademi me ligjëratën Martin Camaj, një jetë për letërsinë dhe çështjen kombëtare, Sabit Kadriu me ligjëratën: Falmur nga Drenica, kushtuar atdhetarit dhe veprimtarit për çështje kombëtare dhe Flamur Fazli Greiçevci dhe Raif Mehmeti me ligjëratën: Çështja e pa zgjidhur kombëtare shqiptare, faktorët e brendshëm dhe të jashtëm në zgjidhjen e saj.

Në kujtim e në nderim të brezave arsimdashës dhe liridashës

U potencua se përvjetori i punktit të Skromës na ka mbledhur për të kujtuar gjithë brezat e kësaj vatre të diturisë që edhe pse veproj në kushte të vështira, me godinë të vjetër dhe me hapësirë të ngushtuar, dhanë çdo gjë që ne të mësojmë shqip e të rrugëtojmë më tej në fushën e dijes. Fjalimi vazhdoj me fjalët: Faleminderit arsimtarë veteran- ju që jeni sot me ne dhe ata që për arsye shëndetësore nuk patën mundësi të jenë sot me ne!

Raifi në fjalën e tij shtoj dhe këtë: Dy herë në jetën time kam qenë nxënës dhe dy herë stundent, kam punuar në shumë vende pune, kam takuar njerëz të profileve dhe të kulturave të ndryshme, kam fituar përvojë perëndimore dhe jam i barabartë me kolegët e mi suedez, mirëpo po të më pyetni sot pas 32 viteve nga largimi im nga Kosova se cila ka qenë koha më mbresëlënëse e punës sime dhe që e kujtoj me krenari, është koha kur punova në punktin e Skromës. Punonim pa paga, pa mundësi transporti, rrobat, këpucët, ushqimin të gjitha i kishim në mungesë, po vullnetin, ambiciet për punë i kishim si asnjëherë më parë. Kishim të gjithë një bindje se liria do të na vije  e shtetin do ta bëjmë.

Me rëndësi është të ceken edhe vizitat që kishim gjatë kohës sa mbajtëm mësim në Skromë edhe vizitat e Mr. Emin Fejzes, përgjegjës i arsimit i asaj kohe, Bajram Mulakut, nënkryetar i LDK/së, Ferat Përçkut përgjegjës për fillimin e mësimit ne punkte në atë kohë dhe babait të Dëshmorit Faruk Beqirit, Nazmi Beqirit, i cili disa herë ishte me ne dhe vëzhgonte çdo gjë që ndodhte.

Aktivitete të tjera të rëndësishme që u mbajtën në këtë kohë ishin: Tubimi në shkollën e Gumnishtës me Haxhi Feriz Zekollin, kryetar i pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave për komunën e Vushtrrisë, ku bashkë me arsimtarin Murat Ademin dhanë kontributin e tyre, që ngatërresat, mosmarrëveshjet, të zgjidhen me mirëkuptim duke na kujtuar se jetojmë në okupim e kemi nevojë më shumë se kurrë për bashkim.

Ngjarje e rëndësishme gjatë kohës se punktit në Skromë ishte dhe formimi i SHBH ”Nëna Terezë”, nëndega në Skromë. Kjo u bë me iniciativën e prof. Abit Fejzës, ish drejtori QAMO-s  ”Muharrem Bekteshi” e ku në mbledhjen e mbajtur në dhjetor 1992 u zgjodh kryesia e kësaj shoqate me kryetar Raif Mehmetin. Kjo shoqatë shtriu dorën e ndihmës për familjet skamnore me gjera ushqimore. Vlen te cekët se koordinator me nëndegën tonë ishte nënkryetari prof. Shefqet Popova, i cili e dinte gjendjen e rëndë materiale të banorëve dhe insistonte më shumë ndihma për këtë zonë.

Një fjalë përshëndetëse mbajti dhe drejtori aktual i gjimnazit,  prof. Galip Avdiu, i cili ceku rolin që patën punktet në organizimin tonë arsimor e kombëtar si dhe mbështetjen  që patëm nga njerëz atdhetarë për sigurimin e objekteve mësimore. Kjo gjë ndikoj direkt në kapërcimin e sfidave të mëdha që ishin karshi nesh dhe në anën tjetër mobilizoj popullatën në përgjithësi për organizim e rezistencë. Pra, kjo tregoj se Punktet ishin rezistenca e jonë direkte për mbijetesën e arsimit shqip në Kosovë .

Galip Avdiu- drejtori i gjimnazit “Eqrem Çabej”-Vushtrri

Banush Ademi, profesor i punktit dhe mësimdhënës i asaj kohe në shkollën e Skromës, ceku sfidat që e përcollën këtë punkt dhe bashkëpunimin e mirë që u krijua mes arsimtarëve dhe udhëheqësit të punktit Raifit,  ky që fillim asistoj në orët e çdo arsimtari, duke treguar mbështetje të drejtpërdrejt dhe këshilla të mira për secilin nga ne. Prof. Banushi në fjalën e tij veçan përshëndeti fëmijët e ardhur nga mërgata ku i quajti Shqiponja të ardhura sërish në tokën e Kosovës!

Në emër të ish nxënësve përshëndeti me një fjalë rasti policja Selvete Krasniqi, e cila evokoj kujtimet e asaj kohe të vështirë dhe falënderoj në emër të gjithë ish nxënësve të këtij punkti të gjithë arsimtarët për dijen, mundin e guximin e treguar në edukimin tonë, që ne sot të jemi të formuar e të përgatitur ta ndërtojmë dhe zhvillojmë shtetin tonë.

Në prill të vitit 1992 përfundoj punën e tij punkti i Skromës dhe në mbledhjen e mbajtur më 24 prill 1992 në lokalet e shkollës fillore “Ali Kelmendi” në Vushtrri, mbledhje që u kryesua nga prof. Bedri Shyti u dorëzua i gjithë dokumentacioni dhe nxënësit shkuan në pushim 3 javor për të filluar më pastaj me lëndët profesionale në objektet “Shtëpi shkolla” në Vushtrri.

Në fjalën përfundimtare u bë një falënderim i veçantë për Dëshmorët e martirët e kësaj ane, dhe ish arsimtarëve që kaluan në amshim duke cekur se jeta dhe vepra e tyre është shembull për breza dhe se kujtimi për ta është i përjetshëm!

Falënderime e këngë në sofrën e malësorëve bujarë

Për  shkak se filloj shiu na u ndërprenë disa pika artistike në program, mirëpo këngët e vallet vazhduan në objektin brenda shkollës, ku të rinj e të reja në përcjelljen me tingujt e çiftelisë që bukur i binte e bukur këndonte, prof Islam Krasniqit i dhanë këtij objekti shkollor të braktisur tashmë, bukurinë dhe nxorën mesazhin se nxënësit e rinia kudo që tubohen e madhështojnë çdo gjë.

Islam Krasniqi

Krejtësisht në fund u bë një falënderim i veçantë për komunën e Vushtrrisë dhe kryetarin Ferit Idrizi, për ndihmën dhe përkrahjen, fshatarëve të kësaj ane, mërgimtarëve, ish prindërve, arsimtarëve dhe ish nxënësve të kësaj shkolle, sponsorëve: Fadil Ademi me qëndrim në Suedi dhe Rifat Ademi me qëndrim në Belgjikë, Shukri Ademit për ndihmë në organizim dhe krejtësisht në fund falënderim dhe prof. Isalm Krasniqit me grupin e tij, solo këngëtarëve Shaban Krasniqi e Fazli Rashica, drejtorit për kulturë Gëzim Saraçi me ekipin e tij, drejtoreshës për kulturë Medina Bunjaku, Shoqatës së gruas në komunën e Vushtrrisë, drejtorinë e arsimit në Vushtrri, respektivisht z. Enver Bajramin dhe policinë e Kosovës për rend e siguri.

Nybro, më 22 shtator 2024

Raif Mehmeti

Arsimtar i gjuhës amtare dhe i suedishtes për të huaj

Në Nybro të Suedisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora