Udhëpërshkrim
Sevdail Hyseni: Zarbica e harresës, qëndresës dhe shpresës
E merkure, 06.08.2025, 06:54 PM
Zarbica e harresës, qëndresës dhe shpresës
Nga
Sevdail Hyseni
Një e diel e ndritur gushti, e shoqëruar me diell të butë
e aromë mali, mblodhi një grup veprimtarësh të shoqërisë civile në një udhëtim
ndryshe – një kthim simbolik drejt rrënjëve, historisë dhe shpirtit të Malësisë
së Bujanocit. Në krye të grupit që përfshinte personalitete të njohura si Reis
Nexhmedin Saqipi, publicisti Sevdail Hyseni, ish-profesorët dhe arsimtarët
Hesat Maliqi, Mehmet Dalipi e Metali Krasniqi, si dhe bashkatdhetari nga
Islanda, Fatmir Sopi, ishte destinacioni: Zarbica, zemra e Malësisë.
Ky udhëtim nuk kishte vetëm karakter rekreativ.
Përkundrazi, synimi ishte më i thellë – të rikujtonte, dokumentonte dhe
përcillte mesazhin se këto treva nuk janë thjesht një relike e së kaluarës, por
një pasuri e gjallë natyrore, kulturore dhe historike që kërkon vëmendje,
mbrojtje dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Vendlindje e haruar, por jo e fikur
Zarbica dhe fshatrat përreth – Priboci, Çarri, Ramabuqa,
Gjergjeci, Novosella e Suharrna – dikur përfaqësonin një jetë të gjallë
shqiptare në Malësinë e Bujanocit. Me 374 familje e mbi 3,000 banorë, kjo zonë
kishte gjithçka që i duhej një vendbanimi funksional: shkollë qendrore me 350
nxënës, treg të gjelbër, ambulancë, xhami, qarkullim të rregullt me Bujanocin e
Gjilanin. Por sot, pak kanë mbetur për të dëshmuar atë kohë të artë – vetëm
rreth 25 shtëpi janë ende të banuara në gjithë zonën.
Shkretimi i kësaj treve nuk ndodhi rastësisht. Presioni
sistematik, mungesa e investimeve, politikat diskriminuese të shtetit serb,
ndalesat në pikat kufitare dhe pengesat administrative i kanë shtyrë shqiptarët
e këtyre anëve drejt mërgimit.
Kur jeta dhe legjenda bëhen një
Por këto toka nuk janë thjesht një copë toke e braktisur.
Ato janë një arkiv i gjallë i historisë
shqiptare, me figura si Hoxhë Hasan Masurica – shpikës i parë i një
aeroplani dhe pushkës me pesë fishekë – apo kreshniku i maleve Sylë Zarbinca e
Lam Breznica, ideologët: Mulla Selimi,
Mulla Sherifi, doktor Ilazi, emra që dëshmojnë për lavdinë dhe krenarinë
e kësaj krahine.
Edhe pse të braktisura nga institucionet, këto fshatra
nuk e kanë humbur shpirtin. Aty, burimet e pastra të ujit rrjedhin të paprekura
nga civilizimi, lumenjtë këndojnë simfoninë e natyrës, shpendët krijojnë
orkestrën më të pastër që mund të dëgjohet – një bukuri që të jep ndjesinë e
parajsës.
Historia dhe trashëgimia kulturore
Malësia e Bujanocit nuk është e pasur vetëm me pasuri
natyrore, por edhe me histori dhe trashëgimi kulturore. Çdo fshat veç e veç
dallohet për nga karakteristikat e veta: Priboci dallohet për kultivimin e
dardhave ujëse, Novosella për patatet, Ramabuqa për mollët sobine, që viheshin
mbi bajrak gjatë dasmave, Muhoci pë kultivimin e fasules etj. Kjo krahinë është
e pasur edhe me xehe e pyje të dendura, si ato të Gurit të zi, Gurit të Shqiponjës”
etj.
Këto të dhëna flasin për një potencial të jashtëzakonshëm
ekonomik të pazhvilluar, ndoshta të fshehur qëllimisht për interesa të
caktuara.
Shpresa që nuk vdes
Sot, në këtë Malësi të gjymtuar, ende qëndrojnë 15
familje që nuk janë dorëzuar. Me përkushtim e mund, ato kanë ngritur ferma,
kanë mbjellë toka dhe kanë ruajtur gjallërinë e fshatit. Falë tyre, janë hapur
paralele shkollore në Priboc, Suharrnë dhe Qarr.
Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Nëse institucionet
do të kthenin sytë drejt këtij rajoni – jo vetëm për respekt ndaj historisë,
por për interes strategjik – kjo Malësi do të lulëzonte sërish. Tregjet e
Bujanocit, Rogaçicës, Dardanës e Gjilanit dikur mbusheshin me produkte nga këto
treva. Pse jo sërish?
Thirrje për veprim
Zarbica nuk është vetëm një vendbanim. Është një simbol –
i qëndresës, i kujtesës kolektive dhe i pasurisë së shpërfillur. Sot, në këtë
vend të bekuar me ujë të kristaltë, tokë pjellore, bimë shëruese dhe histori të
lavdishme, mungon vetëm një gjë: vëmendja
institucionale dhe përkushtimi për zhvillim.
Ky reportazh është më shumë se një rrëfim nostalgjik –
është një thirrje për reflektim dhe
veprim. Sepse vendet si Zarbica nuk harrohen. Ato mund të heshtin për
një kohë, por nuk vdesin kurrë.