Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Zarbica e harresës, qëndresës dhe shpresës

| E merkure, 06.08.2025, 06:54 PM |


Zarbica e harresës, qëndresës dhe shpresës

Nga Sevdail Hyseni

Një e diel e ndritur gushti, e shoqëruar me diell të butë e aromë mali, mblodhi një grup veprimtarësh të shoqërisë civile në një udhëtim ndryshe – një kthim simbolik drejt rrënjëve, historisë dhe shpirtit të Malësisë së Bujanocit. Në krye të grupit që përfshinte personalitete të njohura si Reis Nexhmedin Saqipi, publicisti Sevdail Hyseni, ish-profesorët dhe arsimtarët Hesat Maliqi, Mehmet Dalipi e Metali Krasniqi, si dhe bashkatdhetari nga Islanda, Fatmir Sopi, ishte destinacioni: Zarbica, zemra e Malësisë.

Ky udhëtim nuk kishte vetëm karakter rekreativ. Përkundrazi, synimi ishte më i thellë – të rikujtonte, dokumentonte dhe përcillte mesazhin se këto treva nuk janë thjesht një relike e së kaluarës, por një pasuri e gjallë natyrore, kulturore dhe historike që kërkon vëmendje, mbrojtje dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Vendlindje e haruar, por jo e fikur

Zarbica dhe fshatrat përreth – Priboci, Çarri, Ramabuqa, Gjergjeci, Novosella e Suharrna – dikur përfaqësonin një jetë të gjallë shqiptare në Malësinë e Bujanocit. Me 374 familje e mbi 3,000 banorë, kjo zonë kishte gjithçka që i duhej një vendbanimi funksional: shkollë qendrore me 350 nxënës, treg të gjelbër, ambulancë, xhami, qarkullim të rregullt me Bujanocin e Gjilanin. Por sot, pak kanë mbetur për të dëshmuar atë kohë të artë – vetëm rreth 25 shtëpi janë ende të banuara në gjithë zonën.

Shkretimi i kësaj treve nuk ndodhi rastësisht. Presioni sistematik, mungesa e investimeve, politikat diskriminuese të shtetit serb, ndalesat në pikat kufitare dhe pengesat administrative i kanë shtyrë shqiptarët e këtyre anëve drejt mërgimit.

Kur jeta dhe legjenda bëhen një

Por këto toka nuk janë thjesht një copë toke e braktisur. Ato janë një arkiv i gjallë i historisë shqiptare, me figura si Hoxhë Hasan Masurica – shpikës i parë i një aeroplani dhe pushkës me pesë fishekë – apo kreshniku i maleve Sylë Zarbinca e Lam Breznica, ideologët: Mulla Selimi, Mulla Sherifi, doktor Ilazi, emra që dëshmojnë për lavdinë dhe krenarinë e kësaj krahine.

Edhe pse të braktisura nga institucionet, këto fshatra nuk e kanë humbur shpirtin. Aty, burimet e pastra të ujit rrjedhin të paprekura nga civilizimi, lumenjtë këndojnë simfoninë e natyrës, shpendët krijojnë orkestrën më të pastër që mund të dëgjohet – një bukuri që të jep ndjesinë e parajsës.

Historia dhe trashëgimia kulturore

Malësia e Bujanocit nuk është e pasur vetëm me pasuri natyrore, por edhe me histori dhe trashëgimi kulturore. Çdo fshat veç e veç dallohet për nga karakteristikat e veta: Priboci dallohet për kultivimin e dardhave ujëse, Novosella për patatet, Ramabuqa për mollët sobine, që viheshin mbi bajrak gjatë dasmave, Muhoci pë kultivimin e fasules etj. Kjo krahinë është e pasur edhe me xehe e pyje të dendura, si ato të Gurit të zi, Gurit të Shqiponjës” etj.

Këto të dhëna flasin për një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik të pazhvilluar, ndoshta të fshehur qëllimisht për interesa të caktuara.

Shpresa që nuk vdes

Sot, në këtë Malësi të gjymtuar, ende qëndrojnë 15 familje që nuk janë dorëzuar. Me përkushtim e mund, ato kanë ngritur ferma, kanë mbjellë toka dhe kanë ruajtur gjallërinë e fshatit. Falë tyre, janë hapur paralele shkollore në Priboc, Suharrnë dhe Qarr.

Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Nëse institucionet do të kthenin sytë drejt këtij rajoni – jo vetëm për respekt ndaj historisë, por për interes strategjik – kjo Malësi do të lulëzonte sërish. Tregjet e Bujanocit, Rogaçicës, Dardanës e Gjilanit dikur mbusheshin me produkte nga këto treva. Pse jo sërish?

Thirrje për veprim

Zarbica nuk është vetëm një vendbanim. Është një simbol – i qëndresës, i kujtesës kolektive dhe i pasurisë së shpërfillur. Sot, në këtë vend të bekuar me ujë të kristaltë, tokë pjellore, bimë shëruese dhe histori të lavdishme, mungon vetëm një gjë: vëmendja institucionale dhe përkushtimi për zhvillim.

Ky reportazh është më shumë se një rrëfim nostalgjik – është një thirrje për reflektim dhe veprim. Sepse vendet si Zarbica nuk harrohen. Ato mund të heshtin për një kohë, por nuk vdesin kurrë.