Udhëpërshkrim
Vlash Prendi: Duke udhëtuar drejt qytetit të Lasgushit
E merkure, 03.09.2025, 06:59 PM
...DUKE UDHËTUAR DREJT QYTETIT TË LASGUSHIT
REPORTAZH
NGA VLASH PRENDI
Stina
e verës është periudha më e gjallë, më e bukur dhe më active në vendin tone,
sepse kthehen emigrantët nga vendet e huaja në atdheun amë, pranë trojeve të
veta, pranë njerëzve të familjes dhe të afërmve të tyre. Malli dhe dhimbja për
atdheun, për vendlindjen, për të afërmit, duket se ka lënë ende gjurmë në
ndjenjat, zemrën dhe kujtesën e tyre. Kështu, shumica prej tyre, përveçse vijnë
të takojnë njerzit e tyre të afërt, i shfrytëzojnë këto udhëtime edhe për të
njohur fëmijët me vendin e tyre, për të zgjuar sadopak dashurinë për vendin e
origjinës, për të njohur bukuritë e pafundme të atdheut, njerzit e dashur dhe
bujarë, traditat e trasheguara ndër shekuj, pse jo edhe të kaluarën e vështirë
të popullit tonë.
Kështu
më ndodhi këto ditë, pasi një miku im, Besnik Elezi nga Sanxhaku, emigrant disa
vjeçarë në Mbretërinë e Bashkuar, më ftoi të shkonim familjarisht të vizitonim
qytetin e bukur të Pogradecit. Kam qenë në ato anë rreth vitit 1977, por më
vonë nuk më është krijuar mundësia. Në këtë qytet të bukur, nuk duhet ardhur
vetëm si vizitor, por edhe si vezhgues, si vlersues për gjithçka të bukur që
shihet e shijohet në atë vend të mrekullueshëm. Nisemi plot gëzim dhe
entuziazëm drejt Tiranës, por ky entuziazëm disi u fashit kur kaluam Urën e
Zogut, të cilën Marinela e mbante mend funksionale, ndërsa tani po e shihte të
bllokuar dhe jashtë funksionit. Pas një breshërie pyetjesh, u shpjegoj se është
një nga urat më strukture të vaçantë në Ballkan, e ndërtuar në vitin 1927,
projektuar nga inxhinieri i njohur gjerman Emil Mersh, aso kohe në Universitetin e Stuttgartit, dhe zbatuar
nga inxhinieri shqiptar Gjovalin Gjadri, i cili sapo ishte kthyer në atdhe pasi
kishte përfunduar studimet për inxhinieri në Universitetin Teknik të Vjenës. Ka
qënë një objekt me vlera të veçanta, por që tani siç shihet është jashtë
perdorimit dhe është lënë në mëshirë të fatit. E lemë urën në qetësinë dhe
hallet e saj dhe vazhdojmë udhëtimin tone drejt kryeqytetit. Të merzit trafiku
i dendur në këto ditë vere, makina me targa të ndryshme pothuajse nga të gjitha
vendet e Europës e më gjërë, na parakalojnë papushim. Shumë prej tyre edhe me
shpejtësi tej limiteve të caktuara. - Prandaj ka aksidente çdo ditë, - i them
Besës, i cili ishte i përqendruar në timon me një disipline të admirueshme.
Kalojmë në tunelin e Krrabës që lidh Tiranën me Elbasanin me gjatësi 2375 metra. - Tani Elbasanin e kemi vetëm dhjetë kilometra, - i them Besnikut. Ky tunel e ka shkurtuar shumë rrugën, sepse më ka rënë rasti të kaloj me makinë edhe nga Qafë - Krraba. Ishte një torturë e vërtetë, rrugë të ngushta, kthesa të shumta, ka pasur edhe shumë aksidente. Tani Elbasani arrihet për rreth 30 minuta. Në bisedë e sipër, kemi kaluar Bradasheshin dhe nga larg duken skeletet metalike të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, e vetmja vepër përfaqësuese e industrisë së rendë në vendin tonë, në vitet e sundimit komunist. E kuptoj kuriozitetin e bashkëudhëtarëve të mi, prandaj i sqaroj se këtu shtrihej Kombinati Metalurgjik që mbahej si vepra më e rendësishme e kohës, por që rezultoi një dështim i industriesë sonë, jo vetëm në fushën e industrisë por edhe të prodhimit. Ishte një nga objektet kryesore të ndotjes së mjedisit, por pas viteve ’90 shkoi drej falimentimit dhe çdo gjë u shkatërrua.Unë tregoja, ndërsa Kevini dhe Danieli, të lindur dhe rritur në Londër, vështronin me habi këto varreza të industrisë sonë, që lanë plagë të pa riparueshme në ekonominë tonë.
Vazhdojmë
udhëtimin tonë drejt bulevardit kryesor të qytetit. Kam kujtime të pashlyera
nga ky qytet i bukur. Ja Teatri “Skampa”, në skenën e të cilit kam luajtur disa
role kryesore bashkë me trupën teatrore të Shkollës së Mesme Pedagogjike “Luigj
Gurakuqi”, nën regjinë e të mirënjohurve Tomorr Shishmani, Veronika Papa,
Dhimosten Papa, nën kujdesin e “Artistit të Merituar” Astrit Çerma. Duke lënë
menjëanë modestinë, më duhet të kujtoj dy role për të cilat jam shpallur aktori
më i mire në olimpiadat teatrale të shkollave të mesme të rrethit të Elbasanit.
Rolin e Gjelosh Nikës tek drama “Fisheku në pajë” e Fadil Krajës dhe rolin e
Shtjefën Gjergjit tek drama “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës. Këto copëza
kujtimesh ia tregoj Anës, e cila jo rrallë është subject i aktiviteteve
teatrale që zhvillohen në shkollën e saj në Londër, si prezantuese dhe aktore.
Nuk di pse dyert e tij ishin të mbyllura në atë moment, sepse nuk ndodhte një
gjë e tillë kur isha nxënës normalist. - Ja atje në atë rrugicë ishte libraria
e qytetit, ku blija vazhdimisht libra për pasurimin e bibliotekës personale, -
i them Dorinës e cila e njeh mire gjendjen e bibliotekës sime. Qyteti ka
ndryshuar shumë, aq sa turizmi i vjetër, që mbahej si ndërtesa më e bukur e
kohës, mezi shquhet. Ajo që nuk ka ndrushuar është vetëm Porta e Kalasë, afër
së cilës ka qënë një kafene e vogël, ku rastësisht në vitin1976 pata takuar
shkrimtarin e njohur Dhimitër Xhuvani, i cili më jepte leksione për teknikat e
të shkruarit, sa here e takoja. Më tej ishte redaksia e gazetës “Shkumbini”,
nëpër faqet e së cilës u formova si gazetar. Mbaj mend se artikujt i shkruaja
me dorë dhe ja jepja Kryeredaktorit Mefail Pupuleku, një burrë tepër i
komunikueshëm, i dashur dhe korrekt. Takoja shpesh edhe shkrimtarin dhe
studiuesin e njohur Astrit Bishqemi, i cili më ndihmonte dhe këshillonte here
pas here, ndërsa redaktorja Suzana Zyrakja shpesh më ngarkonte me sherbime nga
redaksia. Kujtime të bukura, për kohë të perenduara. Ç’të bësh? Kjo është jeta!
-
Ja tek është edhe Normalja, fidanishtja e arsimit tonë kombëtarë, që përgatiti
mësuesit e parë për Kosovë e Shqipëri, - i them Marisë. Në bankat e saj
qëndrova katër vjet. Kanë qënë katër vjetët më të bukura të jetës sime, qe nuk
mund të harrohen kurrë. Shkolla është e mbyllur dhe as pedagogjike nuk ka, por
unë kam mundësi të riprodhoj në kujtesë ngjarjet, lëvizjet, mësuesit, shokët
dhe shoqet që mbeten përgjithmonë në kujtesën time. Më duket sikur shoh
drejtorin Grigor Kalljxhiu, mësuesen time kujdestare Bleta Dervina, mësuese
Vildën, Shyqyri Latifin, Xhevat Domin, Xhemal Luftën, Boro Shoshkiç, Lida
Xhomon, Laura Shuteriqin, Met Arapin e mjaft të tjerë. Kujtoj me nostalgji
shetitjet në buzëmbrëmje me shokët e shoqet në rrugicat rreth shkollës, sepse
daljet në qytet ishin të kufizuara, koncertet dhe shfaqjet teatrale që jepnim
tek salla e kulturës në kat të tretë, atje ku shpesh shkonim bashkë me mjeshtrin
Llesh Lleshi, i cili më kënaqte me tingujt e çiftelisë, fisarmonikës,
mandolinës etj. - Ja ku ka qenë klasa ime, në kat të tretë, - i them Elës, që e
kundron me kuriozitet ndërtesën e moçme. Atje ishim rreth 42 nxënës, shkonim si
një familje dhe e donim dhe ndihmonim njëri - tjetrin. Tani kjo ndërtesë simbol
i arsimit tonë kombëtar, i ngjan një rrënoje pa vlerë edhe nësë kryen ndonjë
funksion edukimi në ditët e sotme. Largohem i mallëngjyer nga porta e kësaj
shkolle në të cilën kam hyrë e dale me mijera herë, dikur me emër të njohur,
ndërsa sot e harruar…
Përmes
parkut të dikurshëm “Rinia”, që tani nuk ekziston më, sepse është lulëzuar me
ndërtesa dhe shtëpi shumëkatëshe, drejtohemi drejt qytezës së Labinot - Fushës,
në shkollën e të cilit para 48 vjetësh pata bërë pedagogjinë praktike tek
mësuesja e mirënjohur Kosova Bishqemi. - I kam shetitur këto vende të bukura
bashkë me nxënësit e mi të athershëm, - i them Danielit. Ndjehem krenar se kam
qënë nxënës i kësaj shkollë, për të cilën ka nevojë edhe sot arsimi ynë. Në
rrugëtimin tonë, na shoqëron kudo lumi Shkumbin. Rruga është ndërtuar kudo
brigjeve të tij, prandaj edhe pamjet janë magjpsëse. Besniku, shpesh herë i
krahason me pamjet fantastike të maleve të Zvicrës, ose bjeshkëve të Austrisë,
përmes të cilave ka udhëtuar për të ardhur në vendlindje. Pasi kalojmë fshatin
Qukës, dallojmë kantjere të shumta, fadroma dhe makineri të renda që po punonin
për ndërtimin e autostradës Qukës - Qafë Plloçë, si pjesë e Via Egnatia.
Jemi
në krahinën e Mokrës, ngjitemi në malin që ndan Prrenjësin me Linin dhe para
nesh shfaqet madhështor Liqeni i bukur i Pogradecit, për të cilin janë thurur
legjenda dhe janë shkruar shumë poezi. Ndersa po ngjitemi maleve të Mokrës, re
të zeza tymi duken nga larg. - Diku po digjet pylli, - më thotë Besniku. - Po,
- i them, - sivjet ka patur dëme të konsiderueshme nga zjarret. Janë djegur
qindra hektarë pyje dhe kullota, shum prej tyre për mungesë rruge, sepse nuk ka
rrugë as në pyje dhe as në fshatrat malore për ndërhyrje emergjente. Zbresim
poshtë drejt bregut të tij, ku shquajm qartë fshatin Lin, një nga fshatrat më
të njohur tashmë jo vetëm në shqipëri, por edhe në mbarë Europën për shkak të
zbulimeve arkeologjike që tregojnë se ky fshat është banuar qe në lashtësi,
duke vertetuar se është nga më të lashtit në Europë. Madje egziston një
gojëdhënë që thotë se: Justiniani, perandori me origjinë ilire, ka fshehur në
brigjet e liqenit të
Ohrit
në afërsi të Linit një pjesë të rëndësishme të thesarit të perandorisë
bizantine. Kjo gojëdhënë ka rreth katërmbëdhjetë shekuj, që ka aedhur deri në
ditët e sotme, por deri tani asgjë nuk është zbuluar. Dikur i pagëzuar me emrin
e lashtë Lyhnidas - Liqeni i dritës, brigjeve të cilit pati banuar fisi ilir i
enkelejdëve, mendohet se është formuar para 6000 vjetësh si rezultat i
lëvizjeve tektonike. Liqeni ka një sipërfaqe prej 349 km2 dhe thellësi
maksimale 289 m, nga i cili rrjedh Drini i Zi. Në këtë liqen na thanë se rriten
rreth 40 specie, kryesisht peshq si korani, belushka, trofta etj. Qyteti shtrihet
qetësisht në breg të liqenit, plot gjallëri, ku mund të shohësh njerëz të
kombeve të ndryshme, disa bëjnë plazh, të tjerë shetisin në bulevardin buzë
liqenit, shumica kanë zënë vend në bare e restorante dhe sodisin bukuritë e
qytetit të lashtë.
Jemi
në parkun e qytetit, pikërisht aty ku qendrojnë ballë për ballë dy figura të
shquara të letërsisë dhe kulturës sonë, Llazar Gusho dhe Dhimitër Pasko. Dy
kolosët e letërsisë shqipe qëndrojnë krenarë dhe presin e përcjellin vizitorët
e shumtë që i vështrojnë plot admirim dhe mirënjohje. Të realizuara nga
“Skulptori i Popullit” Muntaz Dhrami dhe derdhur në bronx nga mjeshtri Ramazan
Karaj, shkëlqejnë me dritë të pashuar në qytetin ku lindën, u rritën dhe i
dhanë lavdinë e merituar. Lulishtja para tyre është konceptuar në formë
rrethore, dekoruar me stola prej betoni, në të cilët janë shkruar citate nga
veprat e njohura të dy shkrimtarëve të mëdhenj. Si në endërr më vijnë vargjet e
bukura të vjershës “Poradeci”, recituar dikur në bangat e shkollës pedagogjike
me kembënguljen e mësuesit tim të gjuhës Gjergj Junçaj: Perëndim i vagëlluar mi
Liqerin pa kufirë, / Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije, / Nëpër
Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije, / Duke sbritur që nga qjelli
përmi fshat po bëhet fir…, / E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlimë, /
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë, / Një shqiponjë e
arratisur fluturon në Mal të Thatë…e këto vargje gjenden të shkruara bukur edhe
në njerin prej stolave aty në lulishten e qytetit ku ka lindur poeti, vargje të
cilat Kevini përpiqet t’i lexojë me zë të lartë. Ndjejnë kenaqësi edhe sy
studentet që na shoqërojnë në rrugëtimin tonë, njëra Ana Elezi, lindur, rritur
dhe shkolluar në Londër, e cila këtë vit shkollorë do të vazhdojë studimet në
Fakultetin e Mjekësisë, dega pediatri në Universitetin e Yorkut, ndërsa tjetra
vjen nga Lisbona e Portugalisë, quhet Rafaela De Alvarenga, që këtë vit
shkollor do të vazhdojë studimet në Fakultetin e Edukimit, dega psikologji, po
në universitetin e Yorkut. Ana e flet mire gjuhën shqipe, megjithse pak ka
qendruar në vendin tonë, poi a kanë mësuar prindërit, të cilët kurdoherë me
fëmijët e tyre komunikojnë vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa Rafaela që ka mësuar
disa fjalë shqip, mahnitet me bukuritë e qyteteve, fshatrave dhe maleve tona,
prandaj premton të vijë perseri për pushime në Shqipëri.
?shtë e pamundur të vijsh
në qytetin e Pogradecit dhe të mos vizitosh fshatin e bukur Tushemisht, atje ku
vite më parë u xhirua filmi “Zonja nga qyteti”, kjo me kembënguljen e Dorinës,
e cila donte të takonte teta Ollgën. Jemi pikërisht para gurrës ku teta Ollga
takohet me Bujarin dhe Tirkën. Aty është ngritur edhe monumenti i saj, punuar
me mjeshtëri nga skulptorët e njohur Vasillaq Kolevica dhe Sadik Spahia. Njerëz
të shumtë e rrethojnë përmendoren, dhe bëjnë foto pranë bustit të saj. Pastaj
bisedat nuk kanë të mbaruar. Kujtime, analize ngjarjesh nga fragmente të
filmit, diskutime rreth sekuencave të filmit dhe buzëqeshje… Pastaj tek kanali
i famshëm ku teta Ollga hedh postierin Malo, interpretuar me mjedhtëri nga
aktori Hasan Fico. Kjo vizitë e kendëshme ishte si homazh edhe për ata aktorë
të këtij filmi që nuk jetojnë më.