Udhëpërshkrim
Hamdi Hysuka: Dëshmi shpirtërore për Tropojën dhe Malësinë e Gjakovës
E shtune, 20.09.2025, 07:00 PM
Dëshmi shpirtërore për Tropojën dhe Malësinë e Gjakovës
Nga
Hamdi Hysuka
Lëvizja Atdhetare "Iliria"
("LAI"), është shoqatë e re, me mision e synime atdhetare, pjesë e
çdo shqiptari atdhetar, luftëtari për çështjen e identitetit, të kulturës,
traditës dhe kauzës kombëtare. Atë që nuk arrijnë ta bëjnë Qeveria, pushtetarët
e politikanët, kërkon ta bëjë Lëvizja Atdhetare "Iliria", duke
bashkuar energjitë dhe potencialet e atdhetarëve të vërtetë për të mirën tonë
kombëtare. Siç theksohet në objektivat e saj, më shumë se kurrë atdheut dhe
kombit i duhet dashuri, vlerësim e bashkim, zhvillim i shoqërisë harmonike,
kontribuese, sakrifikuese, humane dhe atdhetare. Më kryesori objektiv i saj
është njohja, përvetësimi, pasurimi i traditave më të mira atdhetare,
historike, etnokulturore dhe artistike të popullit shqiptar, forcimi i
solidaritetit dhe harmonisë ndër breza, integrimi dhe bashkimi i gjithë
shqiptarëve të trojeve etnike.
Veç Peshkopisë, Elbasanit, Pogradecit e Kukësit
mikpritës i Lëvizjes Atdhetare “Iliria” ishte Tropoja, ku të shtunën, datë
13.09.2025, me nismëtar z. Shpend Bisheva, u zhvillua mbledhja e krijimit të
degës së Njësisë Administrative, në të cilën morë pjesën pjesë kryetari i LAR, Sitki
Jashari, sekretari Kadri Dauti, anëtarët Luigj Marku, Kolë Martini etj. Në
hyrje të mjedisit të përgatitur, Restaurant Hotel Real, u pritëm si dasmorë nga
Shpend Bisheva, Qazim Doshlani, Abdi Neza, Shpend Kuca, Hasan Buçpapaj, Sadri
Oruçi, Shaban Haxhia, Ibrahim Ismajli, Zenel Kurtbala, Rustem Gjyriqi, Bubë
Mici, Çel Shpati, Rexhep Hasani, Selaudin Kuçana, Maxhun Musa, Hysen Muça, Can
Sinani, Kujtim Haxhia, Riza Demushi, Pal Gjokli. Pas mikpritjes dhe bujarisë tradicionale,
u bënë diskutime dhe u vendos krijimi i Degës së Lëvizjes Atdhetare "Iliria" Tropojë. Me votim të hapur Shpend Bisheva u
zgjodh kryetar; Qazim Doshlani, sekretar; Avdi Neza, zv. kryetar; Pal Gjokli,
anëtar dhe Bubë Mici, anëtare.
Dikur Tropoja ishte fshat, por nga viti 1952,
qendra administrative e saj u bë Bajram Curri, ish-fshati Kolgecaj, mbi lagjet
Gjongecaj, Gjoçaj, Gjyriq dhe Mustafaj. Pozita gjeografike e qendrës së rrethit
shtrihet në Pellgun e Tropojës, rrëzë bjeshkëve të Ponarit dhe Bishevës, sot
Njësi Administrative e Qarkut Kukës.
Siç ka ndryshuar çdo gjë në Shqipëri, edhe në
Tropojë ndryshimet janë të mëdha. Ndodhemi përballë maleve të larta, simbole të
qëndresës e të burrërisë, strehë e liridashësve dhe frymëzim për këngët
popullore që u kënduan brez pas brezi. Njera prej tyre, popullore gjakovare,
ruan kujtimin për Bajram Currin, duke e shndërruar figurën e tij në
simbol të qëndresës dhe krenarisë kombëtare. Përmes vargjeve të thjeshta, por
të fuqishme, populli e lidh emrin e Bajram Currit me Gjakovën, Dragobinë,
Kosovën e Shqipërinë, duke e bërë pjesë të pavdekshme të kujtesës historike.
Bajram Curr, o Bajram Curr
emni yt s’harrohet kurrë
të ka mbajt o Dragobia,
s’të harron Shqipnia!
Shtatorja e Bacë Bajramit, ashtu hijerëndë, qëndron
krenare. Më kujton bëmat dhe luftërat e tij legjendare për Atdheun, por dhe
vrasjen e pabesë që i bëri mbreti Zog, te shpella e Dragobisë. Ai u vra, por
nuk vdiq. Noli e bëri të pavdekshëm me elegjinë e famshme kushtuar “Heroit të
Dragobisë”. Ai mbeti dhe do të rrojë i gjallë në zemrat e shqiptarëve si
“Bajrak i gjallë”.
Në Bujan ngrihet krenare kulla e Mic Sokolit,
180 vjet e fortë si vetë qëndresa shqiptare. Prej katër brezash, familja
Mulosmanaj e ka ruajtur si amanet të shenjtë, që brezat e sotëm mos të harrojnë
se ç’do të thotë sakrificë për liri. Kjo kullë nuk është thjesht një shtëpi
guri. Ajo është vatër kujtese, ku oxhaku i burrave, frëngjitë pranë dritares
dhe ballkoni i gdhendur në dru flasin ende me zërin e historisë. Busti i Mic
Sokolit, mbuluar me flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës, e bën edhe më të
gjallë këtë bashkim shpirtëror, që dikur heroi e kishte ëndërr. Por, në këtë
kullë ka edhe një jehonë tjetër: jehona e mallit. Shumë bij të kësaj toke, si
edhe të gjithë shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, kur kthehen e shohin, ndihen
sikur shikojnë në sy vetë atdheun e tyre. Mërgimtari, që jeton larg, e gjen
veten në këto mure të vjetra, aty ku sakrifica ka lënë gjurmë, aty ku kujtesa
është më e fortë se koha. Në ballkonin ku valëviten dy flamuj, malli për
vendlindjen merr krahë. Mërgimtari sheh jo vetëm kullën, por gjithë Shqipërinë
dhe Kosovën e bashkuar në kujtim e shpirt. Dhe, teksa largohet sërish drejt
dheut të huaj, e di se kulla e Mic Sokolit do të qëndrojë aty, si një amanet i
gjallë për të dhe për fëmijët e tij.
Njësia administrative Margegaj është pëllëmbë e
histori. Këtu u zbraz koburja e parë e Revolucionit Demokratik të qershorit
1924. Ndaj vargjet e këngës popullore i rezistojnë kohës:
Muaji qershor për në Malësi,
asht shënue në histori,
pushka e parë, thonë, ku ka kris
bash t’u gurët e Shpend Balisë...
Po kush ishte Shpend Balia? I biri i Bali
Arifit, i cili mori pjesë pothuajse në të gjitha betejat kundër pushtuesve të
kohës për mbrotjejen e trojeve shqiptare. Pasardhësit e kullës së Bali Arif
Bishevës trashëgojnë në breza traditat e të parëve të tyre. Shpend Bisheva i
ri, intelektual dhe veprimtar shoqëror, drejton Lëvizjen Atdhetare
"Iliria", dega Tropojë.
Nga figurat më të spikatura të luftës për çlirimin
dhe bashkimin kombëtar shqiptar është Tahir Sinani. Siç e thotë kënga:
"M’kanë pas thanë Tahir Sinani / tash Tahir Shqipëria", ai u kthye në
figurë gjithëkombëtare, që bashkon në kujtesë Tropojën, Kosovën, Preshevën,
Tetovën dhe tërë Shqipërinë etnike.
Fatime Sokoli është ylli i
këngës popullore tropojane, e dashur në Veri dhe në çdo cep të kombit. La pas
vetes trashëgimi që nuk shuhet kurrë. Edhe pse jeta i u ndal herët, zëri i saj
vazhdon të këndojë përmes zemrave të njerëzve, duke e bërë këngën e folklorit
të pavdekshme. Nga njerëzit e thjeshtë e bujarë, intelektualë të nderuar, përfaqësues
i denjë i burrave të vërtetë të Malësisë është Ali Mulaj, "Mjeshtër
i madh", zë i paharruar i folklorit, ndër themeluesit e Ansamblit
“Dardania”, pjesëmarrës në të gjitha festivalet kombëtare, lokale dhe në shumë
të tilla nderkombëtare si instrumentist virtuoz.
Pasuri e gjallë e kulturës shqiptare, zë i fuqishëm
i Tropojës, krahinës që ka dhënë shumë figura të mëdha kombëtare, është dr. Mujë
Buçpapa, drejtues i gazetës "Nacional", i Shtëpisë Botuese
“Nacional” dhe Institutit të Studimeve dhe Projekteve Nacionale. Nuk është
vetëm poet e studiues, por nga zërat më të fortë në mbrojtjen e vlerave
kombëtare, i angazhuar për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit
shqiptar, shembulli i intelektualit të plotë shqiptar: poet, studiues, gazetar,
menaxher kulture, përkthyes dhe opinionist, personalitet i rrallë në jetën
publike shqiptare. Poeti Hamit Aliaj nuk është ndarë kurrë nga fjala. Ai
jeton në vargun që këndohet, në librin që lexohet, në këngën që s’harron. Sot,
emri i tij bëhet çmim letrar, bëhet pishtar për brezat që vijnë. I pavdekshëm,
i përjetshëm, poeti ynë, Hamit Aliaj!
Zëri i Fatmira Breçanit është si malet e
Veriut: i fortë, i pastër dhe i paharrueshëm. Që nga vitet ’70, ajo ka mbajtur
gjallë këngën tropojane dhe muzikën popullore shqiptare, duke e bërë çdo
interpretim një përvojë të thellë shpirtërore. Këngët që ajo interpreton nuk
janë thjesht nota dhe fjalë, por emocione që flasin për dashurinë, mallin dhe
krenarinë e një populli. Fatmira është dritë që vazhdon të ndriçojë rrugën e
muzikës tradicionale, brenda dhe jashtë atdheut. Edhe Gëzim Nika, zëri i
bjeshkëve të Tropojës, është këngëtari që i ka dhanë folklorit shqiptar
madhështi dhe shpirt të pavdekshëm. Në këngët e tij ushton historia,
mallëngjimi i nënës, dashuria dhe krenaria kombëtare. Ai është ura që lidh
brezat, vendlindjen me mërgimin, të shkuarën me të ardhmen. Portreti i tij
artistik është vetë portreti i një kombi që këndon për të mos harruar.
Pas krijimit të degës së Tropojës, në udhëtimin
tonë drejt Valbonës, në Veriperëndim të qytetit, shoqëruesi Shpend Bisheva më
tregoi me gisht, si të më rrëfente një hartë kujtimesh të vdekura:
-Ja përballë ish-Pallati i Kulturës, në të majtë
ish-komunalja, më poshtë ish-ndërmarrja tregtare, ish-parku, ish-komiteti,
ish-gjykata, ish-policia dhe ish-reparti…
Një “ish” i rëndë ra mbi shpinën time, si gur
varri, si këmbanë zie. U ndala dhe pyeta veten me zërin që më dilte nga
thellësia:
-Pse nuk janë sot?! Ku shkuan zërat e rinisë që
këndonin në skenën e pallatit? Ku humbi gjallëria e tregut ku njerëzit blinin
me të qeshura? Pse hesht parku, ku fëmijët vraponin si zogj të lirë? Pse
mbyllen zyrat ku dikur shteti rrihte si zemër? Mos vallë ikën bashkë me bijtë
që mori mërgimi? Mos vallë u rrënuan bashkë me shpresat që u thyen? Mos vallë u
harruan, sepse kujtesa jonë është më e brishtë se guri?
Ah, Tropojë, sa “ish” bart mbi supe! Sa boshllëqe
ke në shpirtin tënd, plagë të pambyllura që kullojnë mall e kujtime.
Ish-institucionet nuk janë vetëm gurë të braktisur. Ato janë gjurmë kujtimesh,
vende ku gjenerata të tëra kanë jetuar, punuar, kënduar, gjykuar, festuar. Ato
mbajnë në themele zërat e njerëzve, ngrohtësinë e duarve, ëndrrat dhe shpresat
e një kohe. Dhe kur humbin, bashkë me 'to humb një copë identitet, një pjesë e
shpirtit të qytetit. Ndoshta nuk janë sot, sepse koha i fshiu me ndryshime të
mëdha. Ndoshta sepse nuk dinim si t’i ruanim. Ose ndoshta sepse ikja masive e
njerëzve ua rrëmbeu kuptimin. Por pavarësisht arsyeve, boshllëku që lanë pas
është i dhimbshëm, që nuk mbushet lehtë.
Dhe unë ndiej se fjala “ish” më përndjek kudo që
shkoj: Ish-shtëpia, ish-miqtë, ish-ëndrrat…Një jetë e tërë rri pezull midis kujtesës
dhe mungesës.
-Pse nuk janë sot?! -pyet zemra ime, jo vetëm për
godinat e Tropojës, por për gjithçka që kemi humbur bashkë me 'to.
Aty ku qielli puthet me majat e thepisura, rreth 25
kilometra larg Bajram Currit, shtrihet Valbona, zemra e gjallë e Alpeve
shqiptare. Lugina hapet si një libër i lashtë, me faqe të shkruara nga bora e
dimrit, gjelbërimi i pranverës, ari i verës dhe purpuri i vjeshtës.
Rruga drejt Valbonës kalon nga Dragobia, ku kullat
prej guri mbajnë ende frymën e shekujve, gurë mbi gurë si kujtesë e gjallë e
burrërisë dhe mikpritjes. Pas pyjeve të dendura, shfaqet shpella e Bajram
Currit, e heshtur por plot rrëfime për trimërinë e bijve të kësaj toke. Shpella
e Dragobisë, mulliri i vjetër, liqeni i Xhemës që pasqyron qiellin si pasqyrë,
majat e Bjeshkëve të Namuna që sfidojnë njeriun me madhështinë e tyre, të
gjitha janë stacione të pelegrinazhit mes natyrës dhe legjendës. Dhe aty, në
një cep ku historia bashkohet me mitin, ende dëgjohet jehona e lotit të Ajkunës
për vëllanë e saj të pagjetur, klithmë e dhimbshme që u bë këngë e pavdekshme. Valbona
nuk është thjesht vend i bukur. Është frymë, është ndjenjë, është poezi që nuk
shkruhet me fjalë, por me pamje, me jehona dhe me mall. Mikpritja dhe argëtimi
vazhduan në kompleksin turistik Bar-Restorant Tradita, me ushqime bio, ku nuk
munguan specialitetet e zonës.
Rruga për në Tropojë nuk është thjesht itinerar
udhëtimi, por rrugëtim në kujtesë e ndjenja. Zgjodhëm të shkojmë përmes
Kosovës, Tiranë-Gjakovë-Bajram Curri, jo rastësisht, por me qëllim të qartë: të
ndaleshim në Gjakovë, në kryeqendrën e Malësisë së Gjakovës, aty ku historia
dhe shpirti i kombit tonë marrin frymë ndryshe. Një kafe e shkurtër në Gjakovë
nuk ishte vetëm pushim, por çast për të prekur pjesën e shpirtit të vetvetes. Në
Qafën e Morinës na u shfaqën përpara syve bukuri mahnitëse. Alpet e larta,
krenare e të thepisura, rrinë si rojtarë në epiqendër të Shqipërisë etnike,
sikur u thonë brezave: “Ne jemi këtu, përherë të njëjtat, përkundër stuhive e
kohës.” Ai çast është mall e krenari bashkë: mall për çdo bir të kësaj treve që
sot endet nëpër botë dhe krenari për tokën që s’e tret dot harresa.
Kur morëm rrugën e kthimit për në Tiranë, ishim të
mbushur plot me ndjesi, por edhe të malluar. M’u bë sikur çdo hap i kthimit më
thoshte: “Mos u largo, kthehu prapë!” Doja të ndjeja përsëri aromën e gjelbër
të Bytyçit, të shihja madhështinë e Shkëlzenit që ngrihet si flamur guri, të
ndalesha te Kroi i Kumonave ku rrjedh legjenda bashkë me ujin e ftohtë, të
përshëndesja Jezercën nga larg dhe të shuaja etjen me ujin e burimeve të
Sylbicës. Këto pasuri nuk maten me euro. Janë më të çmuara se çdo vlerë
materiale, sepse maten me kujtesë, me gjakun e brezave që kanë ecur këtyre
shtigjeve, me respektin e mërgimtarëve që, edhe pse larg, e ndjejnë veten çdo
ditë në këtë tokë. Për 'ta, Alpet janë thirrje që s’pushon kurrë, këngë që nuk
harrohet, plagë që nuk mbyllet.
Ndaj, kur thashë “Mirupafshim”, nuk ishte thjesht
fjalë udhëtari, por betim shpirti. Sepse Malësia e Gjakovës nuk është vendi ku
shkon dhe ikën, por vendi ku gjithmonë kthehesh, qoftë fizikisht, qoftë me
mendje e zemër. Mirupafshim, Malësia e Gjakovës!