Mendime
Llesh Ndoj: Më ndihmoni, po kërkoj kryeministrin tim!
E hene, 01.09.2025, 06:55 PM
MË NDIHMONI…, PO KËRKOJ KRYEMINISTRIN TIM!
Nga
Llesh NDOJ
E
di se shumëkush do t’a marrë këtë titull shkrimi si ndonjë shkarje timen, por
ndonjë tjetër ndoshta edhe si një thirrje të dëshpëruar, a si nevojë reale për
t’u takuar me kryeministrin e vendit, por as njëra dhe as tjetra nuk qëndrojnë,
realisht. Unë as nuk kam shkarë, falë Zotit, dhe s’kam asnjë mallë për t’a parë
e takuar kryeministrin tim, se vetë ai ka vite që ka mbirë në ekranet e çdo
televizioni, është prezent në rrjetet e tij sociale, e takoj kudo në
propogandën e shfrenuar të partiakëve socialistë, ngritur në detyra të larta,
që as i kishin parë ndonjëherë edhe në ëndërrat e tyre më të bukura, për të
vetmen meritë, duartrokitjet ndaj Tij, e shoh dhe dëgjoj kudo e kurdo në çdo
dalje qeveritarësh të çdo rangu, sa më është bërë “i bezdisshëm” me daljet e
tij e propogandën bajate, aq sa jo rrallë them: - Enver ku je? Se edhe Enveri,
ky diktator i pamëshirshëm, nuk dilte përditë në televizor, por një ose dy herë
në vit, me 1 Maj dhe me 29 Nëntor kryesisht, duke bërë që të na “merrte malli”
për të, por ky, me “praninë e tij” propagandistike, është bërë vërtetë i
kudondodhur dhe i padëshirueshëm nga shumica e atyre njerëzve, që nuk ushqehen
e nuk majmen përmes gabzherrit të tij, pasi zor se dinë të flasin ndonjë fjalë
të vetën, të tregojnë aftësi tjetër, apo ndonjë punë të bërë në jetën e tyre.
Shto këtu daljet me e pa brekushe, me syze kllounësh, me mjekër e mustaqe, më
shumë të pakuruara se sa të rregullta, me e pa kollare, dhe sa herë e shoh,
kujtoj atë batutën e lezeçme të aktorit të ndjerë Fadil Hasa: “Kripë, kripë!”,
pasi ia kishte prurë në maje të hundës sheqeri. Ja, njejtë edhe ky! Sado
bukurosh të jetë edhe miss bota po deshe quaje, sado punë e rezultate të ketë,
sado orator e njeri i fjalës së gjetur të paraqitet, kjo dalje e shfrenuar e
bën atë të papranueshëm. Shto këtu shumëfishimin e situatës nga servilët e çdo
niveli, që s’dinë punë tjetër, absurdi e tejkalon kohën e “artë” të Enverit dhe
ka vetëm kohën e Saliut si mostër, apo të Kim Jong Ung, atij bufit
koreanoveriorë që ngjanë me “derkucin çufo”…
Edhe
sikur të mos ketë kaq shumë “makiazh”, aq sa realiteti duket tejet i largët,
dhe arritjet të jenë reale e vetëm pasojë e dritëgjatësisë së tij, duke qenë
ato arritje pjesë e detyrës funksionale për të cilën është votuar dhe paguhet,
kjo mënyrë e të reklamuarit i barazon me zero edhe arritjet reale, për shkak
dhe si efekt negativ i propogandës së shfrenuar. Le që, si e thotë një shprehje
e urtë popullore, “me të thënë e me të bërë, shtrihet në mes një detë i tërë!”
Njerëzit, përfshirë mua, duan t’a shohin kryeministrin e tyre sigurisht, por në
përditshmërinë e tyre, jo në imazhe të zbukuruara fjalësh e pamjesh!
Po
ku, e si?
Unë
dua t’a shoh atë tek rruga e rrugica që më çon tek shtëpia ime. Nëse ajo është
e tillë që ma lehtëson jetën, falenderimi pa fjalë, por me shpirt, i shkon atij
e vartësve të tij. Në se ajo është inekzistente, pa drita e trotuare, pa
pastrim e mirëmbajtje, mallkimi im, prap pa zë, u shkon po atyre. Unë dua t’a
shoh kryeministrin tim tek trafiku në rrugë. Kur ai është komod, me rrugë
normale, me sinjalistikë rrugore e ndriçim, urimet e zemrës i shkojnë atij e
qeveritarëve të tij. Por kur mbetem dy orë për të udhëtuar në më pak se 10 km
rrugë, kur perla të natyrës nuk aksesohen dot për mungesë rruge, jo unë por
shpirti mallkon. Dua t’a shoh atë tek spitali i shtetit e t’a përgëzoj kur aty
më trajtojnë si njeri, por edhe t’a shaj e mallkoj kur më trajtojnë si bankomat
e presin të gjejnë “pinin”, përmes vështirësive artificale, që më krijojnë, për
të nxjerr nga portofoli im edhe qindarkat e fundit. E duartrokas kur shoh
policinë që u shërben qytetarëve me kulturë e përulje dhe e shaj sa mundem e me
zë, kur ata bëhen bashibozukë pa mend e pa shpirt, zbukuruar me rrobat e
policisë që s’dinë as t’i kopsitin, e kur forcën e vetme e varin pas të pasmeve
të bëshme, bashkë me revolverin. Dua t’a shoh kur bën pazarin dhe sheh vetë si
rriten çmimet në mënyrë artificiale, duke rënduar shumë në xhepin e punëtorit,
pensionistit dhe personave me aftësi ndryshe, dhe ta duartrokas kur qeveria,
përmes legjislacionit që nxjerrë e masave të tjera, të rregullojë tregun duke
eleminuar abuzimet dhe po me ligj, të kompensoje realisht shtresat në nevoje,
deri në nivelin e minimumit jetik, i cili të jetë i pëcaktuar dhe i njohur
publikisht. Dua ta shoh e të ndjehem krenar ne kryeministrin tim, kur
administrata e tij sillet si shërbëtore e ligjit, dhe e shaj e mallkoj sa herë
(fatkeqësisht shumë!) në zyrat e shtetit e me paratë e taksave të mija, “më
vret” paaftësia, mendjemadhësia, arroganca e korrupsioni i tyre. Dua t’a shoh
kryeministrin tim kur inauguron rrugë fshati dhe ujësjellësa kudo, si në jug
edhe në veri, dhe e urrej kur kjo bëhet dukshëm në mënyrë selektive e deri
diskreminuese për zona të caktuara që kurrë s’e njohën dorën e shtetit dhe po
braktisen përfundimisht e pakthyeshmërisht. Dua t’a shoh kur burokracitë e
panumërta për një leje ndërtimi për banim ose biznes familjar në truallin e
trashëguar të bëhen inekzistente, kur parandalon rrëmujën urbane dhe jo kur “si
kamikaze” transmeton shpërthime tritoli, a thua se ato para dhe ato prona I
përkasin armikut, jo shqiptarëve.Dua t’a shoh zgjuar gjithnjë, e jo zgjimin në
jermi pasi bien këmnanat e gjendja shkon aty ku s’mban!
Dua
t’a shoh kryeministrin orë e çast e kudo, si kryetarin e një shteti që lehtësimin
e përmirësimin e jetës time e të tjerëve e ka mision, por s’dua t’ia shoh bojën
kur paraqitet si zot, si shpëtimtarë, si profet, ndërkohë që dhunon me të
gjitha format edhe me ato daljet e vazhdueshme e propogandën bajate, të
qeverisurit prej tij.
E
mua më ka marr malli t’a shoh kryeministrin tim në përditshmërinë e jetës,
ndërkohë që pasi nuk gjej asnjë stacion televiziv apo faqe të rrjeteve sociale
ku ai e propoganda e tij të mos jetë e stacionuar 24 në 24, shtatë ditët e
javës, më vjen t’a thyej ekranin e televizorit e t’a flak në hale telefonin,
veç për të mos e pare atë shfaqje bajate…