E diele, 19.10.2025, 02:46 PM (GMT+1)

Mendime

Mark Palnikaj: Vështrim historik mbi marrëdhëniet ndërfisnore në Malësinë e Gjakovës

E premte, 29.08.2025, 07:10 PM


VËSHTRIM HISTORIK MBI MARDHËNJET NDËRFISNORE NË MALËSINË E GJAKOVËS

Nga Mark Palnikaj

Para disa ditësh kam lexue një shkrim në rrjetet sociale i shkruar me tendenca urrejtjeje ndëretnike dhe indirekt edhe fetare.

E ndiej si detyrë të bëj një historik të mardhënieve midis fiseve Nikaj, Mërtur, Krasniqe, Gash, Bytyç dhe Berishë.

Gjatë studimeve të mija, kryesisht për zonën Nikaj dhe Mërtur në arkivat më të mira të Shqipërisë por edhe të disa vendeve të tjera, kam kaluar nëpër duar mijëra dokumente historike, kryesisht në gjuhë të huaj që hedhin dritë në mënyrë krejt të qartë mbi këto mardhënie.

Po ja filloj sqarimit të këtij problemi nga viti 1500 e në vazhdim.

Deri në vitin 1650, të gjitha këto fise kanë qenë të besimit katolik roman dhe nuk ka patur kurrë luftë as fetare as me karakter krahinor, një bajrak kundër bajrakut tjetër.

Mbas vitit 1650, në fillim fshatrat e Hasit dhe më vonë edhe disa familje në zonën e Bytyçit kanë filluar të ndërrojnë besimin nga të krishterë në musliman për arsye të dhunës shumë të madhe që ushtronte pushtuesi turk me të gjitha format për të marrë fenë, kulturën dhe zakonet e pushtuesit.

Në Malësinë e Gjakovës, në territorin që sot njifet si rrethi i Tropojës, në vitin 1671, sipas regjistrimit të popullsisë nga Shtjefën Gaspri, regjistrim i ruajtur në arkivin e Propagandës Fide për 350 vjet dhe i publikuar i plotë në versionin dygjuhësh nga ana ime në Tiranë në vitin 2020, kishte 581 shtëpi katolike, 4045 banorë të besimit katolik dhe asnjë familje të besimit islam ose të ndonjë besimi tjetër.

Tetëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 1689, ka ndodhur një luftë midis forcave austriake të komanduara nga një gjeneral me emrin Pikolomini dhe forcave pushtuese turke me qëllim çlirimin e territoreve të zonave veriore nga pushtimi turk. Kësaj ushtrie austriake, sipas dokumenteve të kohës, ju kanë bashkuar edhe rreth njëzet mijë forca nga popullsia shqiptare e komanduar nga Ipeshkvi Pjetër Bogdani. Kjo force ushtarake njëzetmijëvetëshe ka qenë e përbërë nga shqiptar të të tre besimeve, ortodoks, katolik dhe musliman. Këto forca kanë luftuar si shqiptar dhe jo si një njësi fetare dhe lufta ka patur karakter çlirimtar dhe jo fetar.

Mbas rënies së sëmundjes së kolerës, e cila sipas gjasave u perhap nga turqit si armë kimike por për këtë nuk kemi gjetur prova për ta pohuar me siguri të plotë, koalicioni e humbi luftën dhe turqit fitues bënë një hakmarrje shumë të ashpër. Ata vranë në mënyrë barbare ata që mundën të kapnin pa kursyer as grate, fëmijët dhe pleqtë, dhe kush mundi, u larguan nga vendi në drejtim të Kroacisë, Austrisë dhe sipas dokumenteve shkuan deri në Transilvani dhe kjo popullsi nuk u kthye kurrë.

Popullsinë e fiseve Shalë, Shosh, Nikaj dhe Mërturë (që në atë kohë ishin pak shtëpi dhe banorë) nuk arriti ti dhunojë por, Gashin që në atë kohë ishin 140 familje dhe Krasniqen që ishin 100 familje, i shpërnguli pa lënë asnjë në zonën e Llapit në Kosovë. Pa u zhvendosur shpëtuan 11 shtëpi gashjanë që banonin në fshatin Luzhë dhe kushërinjt e Nikajve, Kolmekshajt që sot njifen si fisi i Krasniqes edhe pse asnjë banor i sotëm nuk është me fis krasniqe në Tropojë.

Kolmekshajt pranuan një marrëveshje që ua ofruan turqit fitimtarë për të mos i larguar nga fshatrat ku jetonin. Në kushtet e asaj kohe, kur nuk kishte asnjë lloj zhvillimi teknik, në krahasim me Kosovën, zona e Malsisë së Gjakovës ku përfshiheshin Geghyseni i sotëm, Gria, Markajt, Kolgecajt, Margegajt, Dragobia, Shoshani, Babina dhe zona e sotme e Gashit, ishte një parajsë e vërtetë për bujqit dhe blegtorët. Kishte bjeshkë shumë të mira dhe të pafund, ujë të pijshëm me burime të mrekullueshme, plantacione me gështenja dhe tokë pjellore e cila nëse punohej jepte çdo lloj prodhimi përveçse ullinj dhe portokalle.

Nisur nga kjo, Kolmekshajt pranuan të bëhej musliman i pari i familjes dhe pjestarët e tjerë të ruanin besimin e mëparshëm. Kjo popullsi deri në vitin 1830 kishte edhe kishat edhe xhamijat dhe besimi ishte i përzier, edhe brenda familjes.

Popullsia e fisit Gashi që u zhvendos me dhunë në Llap, sipas dokumenteve, 24 familje u kthyen përsëri në shtëpitë e tyre në Geghysenin e sotëm dhe rreth vitit 1745, janë larguar në drejtim të Toplanës, Shllakut dhe një pjesë edhe në Dibër të Madhe dhe Tetovë.

Gradualisht, pronat e tyre i morën Kolmekshajt duke formuar lagjet Gjonaj, Ndreaj, Pepnikaj, Mulgecaj, Gri, e të tjera.

Sipas dokumenteve që kemi gjetur, në fshatin Gri dhe në fshatin Zogaj, në vitin 1708 janë ndërtuar dy objekte kishtare dhe popullsia masivisht ishte e krishterë por me urdhër të pushtuesit filluan të ndërtohen xhamijat e para në këtë zone rreth vitit 1730.

Janë të ruajtura regjistrat kishtare të lindjeve, martesave dhe vdekjeve nga janari i vitit 1760 për kishën e Shalës dhe nga viti 1818 për kishën e Nikajve të cilat i kam të ruajtura dhe një pjesë edhe i kam publikuar. Në ato regjistra në rastin e martesës shënohej edhe fisi prej nga ishte nusja. Në rastin e regjistrimit të fëmijës së lindur shënohej me saktësi data e lindjes, emri i babes dhe i gjyshit, emri i nënës dhe fisi prej nga ishte bijë, emri i kumbarës për djemt ose i ndrikullës për vajzat dhe emri i priftit që e pagëzonte.

I bëra këto sqarime për të treguar se ka me shumicë bija nga fiset Gashi dhe Krasniqja të martuara në Shalë dhe në Shosh dhe anasjelltas. Pra kishte miqësira, nipa dhe mbesa në të gjitha këto fise.

Relatorët e kishave, nuk merrnin rrogën nëse nuk dërgonin të paktën një relacion në vit në qendrën e tyre në Vatikan.

Relacioni që ata dërgonin ishte një lloj formulari, në fillim në vitin 1622 me 27 pika që duhej të bëheshin sqarime dhe me kalimin e viteve numri i pikave u shtue duke arritur në vitin 1802 në 69 pika që relatori duhej të sqaronte.

I kam marrë të gjitha këto relacione të shkruara me dorë në gjuhën italjane dhe latine dhe i kam lexuar të gjitha. Rreth njëmijë faqe i kam publikuar në gjuhën shqipe por pjesa më e madhe e tyre mbetet akoma e pa publikuar.

I bëra këto sqarime për të treguar se kam njohuri mjaft bindëse për mardhënjet midis fiseve Nikaj, Mërtur, Gash, Krasniqe, Bytyç dhe Berishë dhe e them me bindje të plotë dhe siguri absolute se nuk më rezulton që gjatë katër shekujve të ketë patur ngatërresa ose përplasje me armë midis këtyre fiseve përveçse rasteve sporadike që ndodhnin jo vetëm midis fiseve por edhe brenda vetë fisit. Relacionet që kam pare dhe ato që kam publikuar e vërtetojnë plotësisht pohimin tim.

Mbas shpalljes së pavarsisë nga Turqia, pushtuesit turq u zëvendësuen në Kosovë nga një pushtues edhe më i keq se pushtuesi turk, pushtuesit serb.

Nga viti 1914 deri në vitin 1920, pushtuesit serb ushtruan genocide dhe dhunë të pa pare për shumë shekuj në zonat e Rugovës, Pejës, Gjakovës, Gashit dhe Krasniqes duke detyruar popullsinë e këtyre zonave të zhvendosen në drejtim të Pukës dhe të Shkodrës ku janë pritur me shumë bujari nga popullsia e zonave Nikaj, Mërtur, Thaç, Berishë dhe Malzi që ishin zona kufitare. Jashtë këtyre zonave ka patur shfaqje të një sjelljeje jo dinjitoze nga persona të veçantë por jo nga fise në tërësi. Në biseda personale, banorë të zonave Gash dhe Krasniqe kanë paraqitur prova të një sjelljeje jo dinjitoze nga disa vende por këto pretendime, edhe pse fatkeqësisht në disa raste të vërteta, kurrë nuk janë publikuar dhe nuk është folur publikisht për to. Kjo sepse ka qenë jo një veprim kolektiv, por veprime që janë dënuar shumë ashpër nga shumica.

Mbas formimit të shtetit shqiptar funksional në vitin 1920, bëhet fjalë mbas formimit të Qeverisë së Lushnjes dhe deri sot, mardhënjet janë të pasqyruara mirë dhe të ruajtura në kujtesën kolektive.

Mbas kryengritjes së Dukagjinit të vitit 1926, bashibozukët e dërguar nga Ahmet Zogu për të shtypur këtë kryengritje, në Malësinë e Gjakovës dhe në Dukagjin u sollën shum më keq se pushtuesit turq të udhëhequra nga Shefqet Durgut Pasha në vitin 1910.

Popullsia e Shalës, Shoshit, Nikajt, Mërturit, Gashit dhe Krasniqes nuk ja falën dhe nuk ja harruen asnjëherë regjimit zogist këtë sjellje brutale të ushtruar nga fise shqiptare të ardhura nga zona të tjera.

Për këtë pike nuk më pëlqen të zgjatem në këtë shkrim sepse kam folur në disa shkrime të tjera të publikuara para vitit 2020 në disa botime të mijat.

Tani do të përshkruaj mardhënjet midis fisve Nikaj dhe Mërtur me fiset Krasniqe, Gash, Bytyç dhe Berishë nga viti 1944 dhe deri sot.

Këtë përshkrim po e bëj i nxitur për të sqaruar se si kanë qenë këto mardhënie sepse kam vërejtur se disa njerëz, me qëllim të keq apo nga padija, këtë nuk di ta them, kanë hedhur ide sikur Nikajt dhe Mërturi që janë të besimit të krishterë, janë persekutuar dhe u janë shkelur të drejtat nga katër fiset e përmendura që janë të besimit muhamedan.

Diku është hedhur ideja se Nikajt dhe Mërturi duhet të shkëputen nga ana administrative me prefekturën e Kukësit dhe të bashkohen me prefekturën e Shkodrës.

Këtyre personave më duhet të ju spjegoj se gjatë pesë shekujve, nga viti 1500 deri në ditët e sotme, Nikajt dhe Mërturi kanë qenë pjesë e Pashallekut të Dukagjinit me qendër në Kosovë nën pushtimin turk dhe pjesë e Malsisë së Gjakovës nga viti 1912 dhe deri sot.

Nën pushtimin turk, Nikajt dhe Mërturi janë bashkuar me Pashallekun e Shkodrës nga viti 1757 deri në vitin 1831 të nxitur nga Bushatllinjtë që sunduen për afër 75 vjet pashallëkun e Shkodrës.

Edhe nga viti 1939 deri në vitin 1947 Nikajt dhe Mërturi kanë qenë të administruar nga Komuna e Dukagjinit me qendër Kodërshnjergj.

Gjithë pjesën tjetër të kohës, edhe gjatë tre viteve të Administrimit Ushtarak Austriak, 16 janar 1916 deri dhjetor 1918, Nikajt dhe Mërturi kanë qenë të lidhur, me dëshirën e tyre me Malsinë e Gjakovës.

Po ju tregoj arësyet.

Tregu i qytetit të Gjakovës ishte më i mundshëm të arrihej dhe misri dhe gruri gjëndej më me shumicë dhe më me leverdi në Gjakovë se në Shkodër.

Nikaj Mërturi është një zone me tokë buke shumë të kufizuar. Rrallë ndonjë familje në të gjith zonën Nikaj Mërtur i ka patur dy hektar tokë. Shumica e familjeve kishin më pak se një hektar tokë dhe as një e treta e familjeve nuk e siguronin në vend bukën e nevojshme për një vit. Shumë familje nuk e prodhonin bukën as për tre katër muaj.

Kjo shkaktonte emigrimin dhe deri në vitin 1912 në Kosovë banonin më shumë famlje me origjinë nga ana jonë se sa vetë Nikaj Mërturi. Nga Nikajt kishte shumë familje në Dragobi, Shoshan, Koçanaj dhe fshatra të tjera. Në Bytyç është formuar Berisha e Brigjeve me banorë të fisit Berisha dhe Mërturi. Nga pesë djem që ka patur Nik Mëngja i Shengjergjit të Mërturit janë formuar pesë vllazni të këtij fshati. Tri nga këto vllazni kanë formuar Shengjergjin e Berishës. Lidhjet janë të njohura dhe të pashuara asnjëherë.

Gjatë periudhës nga viti 1944 deri në vitin 1990 nga fiset Nikaj dhe Mërtur mbaruan shkollat e larta 730 persona në të gjitha degët e arsimit të lartë të asaj kohe. Midis tyre kanë mbaruar 43 persona inxhinjerinë në të gjitha degët inxhinjeri mekanike, elektrike, ndërtim, gjeologji, minjera, pyjore, kimi etj. Mbaruan edhe 42 persona degët mjekësi, farmaci dhe stomatologji.

Janë dërguar për studime në shtetet e Europës për studimet e larta nga Nikaj Mërturi Kol Tahiri nga Shengjergji, Nikoll Marku nga Curraj Eper, Geg Sokoli nga Brisa, Shtjefen Ndreaj dhe Pashk Vogli nga Salca, Drande Neçaj nga Mserri dhe te tjerë.

Nuk ka ndodhur e njëjta gjë me popullsinë e fiseve Shala, Shoshi dhe fqinjët e tyre që vareshin nga rrethi i Shkodrës.

Duhet ta vemë në dukje se këto të drejta studimi administroheshin nga komiteti ekzekutiv që në tërësi ishte me nëpunës të besimit jo të krishterë. Duhet shënuar se këta persona që mbaruan shkollat punuan në komitetin ekzekutiv si shefa seksioni dhe si punonjës seksionesh për vite me radhë. Shumë kuadro nga Nikaj Mërturi punuan si drejtora dhe kryeinxhinjera ndërmarrjesh dhe shefa të ndryshëm në ndërmarrjet e rrethit të Tropojës.

Duke ju kërkuar ndjesë për përmendjen e emrave, e shof me arësye të shkruaj disa emra dhe ju kërkoj ndjesë nëse harroj ndonjërin.

Kanë punuar shefa seksioni në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, në Komitetin e Partisë dhe të Rinisë, në Degën e Punëve të Brendshme një numër i madh kuadrosh nga Nikaj Mërturi me funksione shumë të larta si Beqir Ndou, Pal Neçaj, Ded Zefi, Drita Progni, Mira Marku dhe disa të tjerë që kanë patur funksione kryesore në institucionet ku kanë punuar. Kanë punuar si shefa seksionesh dhe me detyra te tjera me rendesi kuadrot si Vogël Ademi, Ndue Bushati, Mark Vuka, Mark Palnikaj. Punonjës në aparatin e Komitetit Ekzekutiv me funksione jo pa rëndësi kanë punuar   Pal Neçaj, Mark Zogu, Zef Ukcama, Lush Gjonpali,  Filip Meshi, Murat Gecaj, Kol Tahiri, Ndue Ukcamaj, Filip Bushgjokaj dhe disa të tjerë.

Në administratën partiake dhe ndërmarrjet ekonomike me funskione drejtuese kanë punuar Sokol Meta, Nik Zmali, Ndue Bushati, Pal Kola, Geg Sokoli, Ded Zmali, Kol Hasa, Bardhe Mulaj, Ndue Susaj, Lek Bushati, Marash Mhilli, Nik Progni, Dod Progni, Ndok Kukaj, Ndre Martini, Jak Marketa, Fran Lulashi, Zef Ymeri, Dukate Dodaj,  Pjeter Geci, Drita Progni, Mira Marku, Prel Martini, Mirash Martini, Mark Prekperaj, Pal Prekperaj, Fran Bushgjoka, Gjok Vukaj, Pjeter Ademi, Mark Milani, Pjetër Prebibaj, Dalina Paplekaj, Lulash Paplekaj, Kol Malaj, Fran Hasaj, Lulash Vogli, Pjetër Meta, Nik Neçaj, Mark Doçi, Ndue Kapiti, Gjon Zhivani, Ndre Kola, Stak Vukaj, Mark Palnikaj, Zeqir Marku, Prek Cani, Filip Gjoka, Marie Geci dhe disa të tjerë. Kanë punuar edhe shum persona si oficera të ushtrisë në repartet ushtarake të kohës.

Nuk e kanë patur këtë status dhe këtë përfaqësim në strukturat drejtuese në rrethin e Shkodrës banorët e besimit katolik nga fiset Shalë, Shosh dhe bajrakët e vegjël të Dukagjinit. Ky është fakt i pa mohueshëm. Edhe numri i të arsimuarve në universitetet e shtetit ka qenë shumë i kufizuar dhe i pa krahasueshëm me fiset Nikaj Mërtur.

Një numër shumë i madh punonjësish nga Nikaj Mërturi kanë punuar në sektorin e arsimit, kulturës, artit, shërbimet komunale magazinjerë dhe detyra të tjera me rroga fikse.

Gjatë gjithë periudhës 500 vjeçare, në të gjitha kohërat, edhe kur këto fise ishin katolikë edhe mbasi e ndryshuen besimin, kanë vazhduar pa ndërprerje martesat me fiset Mërtur dhe me Nikaj përveç Kolmëkshajve me të cilët kemi patur lidhje gjaku.

Besimtarët musliman të këtyre fiseve e kanë përdorur rakinë, verën dhe birrën me shumicë, madje nganjëherë më shumë se vetë katolikët.

Më duhet të shtoj këtu se janë zhvendosur në fshatrat Dojan, Gri, Cerrnicë, Katundi i Paqes, Llugaj, Bukovë, Vuzhniqe dhe Nimaj mbi 500 familje nga Nikaj Mërturi nga viti 1945 deri në vitin 1990.

Nuk do të ishte e moralshme për mua si dëshmitar okular në ndryshmet politike të vitit 1990, të mos tregoj dhe të mos i falenderoj banorët autokton të fshatrave dhe lagjeve që përmenda për qëndrimin shumë fisnik që mbajtën mbas ndryshimit të sistemit me të ardhurit nga zona jonë por edhe nga zona të tjera të veriut si Puka dhe Dukagjini.

Asnjë pronar nuk kërcënoi, nuk dhunoi, nuk e përzuni personin që i kishte okupuar tokat tradicionale të trashëguara. Ju thane rrini sa të doni, largojuni kur të doni por nuk do ti shitni pronat që nuk janë të juajat. Jam dëshmitar, nuk ka ndodhur asnjë ngatërresë dhe për këtë duhen falenderuar këta njerëz.

Tani pyetja që bëj unë është kjo: “Çfar na kanë bërë këta njerëz që ne u dashka të shkëputemi prej tyre? Ku kanë gabuar këta njerëz që u dashka ti kritikojmë dhe ti shpallim kundërshtar?”

Tradicionalisht kanë ardhur për festat tona Shënkollë, Shmasjan dhe Zoja e Mërturit dhe ne ju kemi shkuar në festat e tyne. Qindra familje kanë qenë të lidhuna si probatina dhe kumarë me njani tjetrin.

Si mund të harrohet kjo bashkjetesë kur në arkivat historike nuk gjëndet as edhe një rast i vetëm i përplasjeve me armë midis fisesh.

Unë besoj se këto mardhënie duhet të jenë model për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Mark Palnikaj, Tiranë 28 gusht 2025.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Llesh Ndoj: Banor i 'rrugës së harruar',… ndërtesa pa emër Sadbere Emshiu: Katundaria në Pushtet Albert Zholi: Dr. Vladimir Mici - Një inflacion dy shifror apo më shumë është një rrezik i lartë i stabilitetit makroekonomi Kalosh Çeliku: 'Partallmenti' Idriz Zeqiraj: Një organizim ndryshe i pajisjes me libra shkollore të nxënësve Milazim Zeqiraj: Problemi që s'është problem, u bë problem- kurthë apo dështim i demokracisë Sevdail Hyseni: Haxhi Haki Hasani - kur bamirësia bëhet stil jetese në Luginën e Preshevës Florim Zeqa: Deri kur me politikë vrastare për shtetin!? Petrit Dibrani: Avancohet gënjeshtra me pagesë! Idriz M. Hajrullahu: Reagim publik nga Lëvizjes Qytetare 'Vatra' Zenel Çeliku: Çfarë qëndron mbrapa protestave të dhunshme në Serbi? Idriz Zeqiraj: Mohimi i votimit të fshehtë - praktikë komuniste dhe fashiste! Nexhmedin Saqipi: “Fondi i Luginës” - Ide e duhur, kohë e gabuar? Dorian Koçi: Përkujtimi i parë institucional i Ditës Ndërkombëtare të Totalitarizmit Florim Zeqa: Çdo e keqe e ka të mirën mbrapa! Klajd Kapinova: “Diplomati” i pasuksesshëm John Robert Bolton i shpallur ‘persona non grata’, sëmundja e Sindromës Trump dhe FBI Vladimir Shyti: Hyjneshat e fatit, tjerrin fatin e Ukrainës Kalosh Çeliku: Ditët e Humorit dhe Satirës X 'Xha Deralla' 2025 Gjon Keka: Është koha për ta thyer akullin dhe dalë nga tuneli e të krijohen institucionet sa më parë Milazim Zeqiraj: Kur gënjeshtra prezentohet si e vertetë, në vend krijohen paqartësi

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx