| E premte, 29.08.2025, 07:10 PM |
VËSHTRIM HISTORIK MBI
MARDHËNJET NDËRFISNORE NË MALËSINË E GJAKOVËS
Nga
Mark Palnikaj
Para
disa ditësh kam lexue një shkrim në rrjetet sociale i shkruar me tendenca
urrejtjeje ndëretnike dhe indirekt edhe fetare.
E
ndiej si detyrë të bëj një historik të mardhënieve midis fiseve Nikaj, Mërtur,
Krasniqe, Gash, Bytyç dhe Berishë.
Gjatë
studimeve të mija, kryesisht për zonën Nikaj dhe Mërtur në arkivat më të mira
të Shqipërisë por edhe të disa vendeve të tjera, kam kaluar nëpër duar mijëra
dokumente historike, kryesisht në gjuhë të huaj që hedhin dritë në mënyrë krejt
të qartë mbi këto mardhënie.
Po
ja filloj sqarimit të këtij problemi nga viti 1500 e në vazhdim.
Deri
në vitin 1650, të gjitha këto fise kanë qenë të besimit katolik roman dhe nuk
ka patur kurrë luftë as fetare as me karakter krahinor, një bajrak kundër
bajrakut tjetër.
Mbas
vitit 1650, në fillim fshatrat e Hasit dhe më vonë edhe disa familje në zonën e
Bytyçit kanë filluar të ndërrojnë besimin nga të krishterë në musliman për
arsye të dhunës shumë të madhe që ushtronte pushtuesi turk me të gjitha format
për të marrë fenë, kulturën dhe zakonet e pushtuesit.
Në
Malësinë e Gjakovës, në territorin që sot njifet si rrethi i Tropojës, në vitin
1671, sipas regjistrimit të popullsisë nga Shtjefën Gaspri, regjistrim i
ruajtur në arkivin e Propagandës Fide për 350 vjet dhe i publikuar i plotë në
versionin dygjuhësh nga ana ime në Tiranë në vitin 2020, kishte 581 shtëpi
katolike, 4045 banorë të besimit katolik dhe asnjë familje të besimit islam ose
të ndonjë besimi tjetër.
Tetëmbëdhjetë
vite më vonë, në vitin 1689, ka ndodhur një luftë midis forcave austriake të
komanduara nga një gjeneral me emrin Pikolomini dhe forcave pushtuese turke me
qëllim çlirimin e territoreve të zonave veriore nga pushtimi turk. Kësaj
ushtrie austriake, sipas dokumenteve të kohës, ju kanë bashkuar edhe rreth
njëzet mijë forca nga popullsia shqiptare e komanduar nga Ipeshkvi Pjetër
Bogdani. Kjo force ushtarake njëzetmijëvetëshe ka qenë e përbërë nga shqiptar
të të tre besimeve, ortodoks, katolik dhe musliman. Këto forca kanë luftuar si
shqiptar dhe jo si një njësi fetare dhe lufta ka patur karakter çlirimtar dhe
jo fetar.
Mbas
rënies së sëmundjes së kolerës, e cila sipas gjasave u perhap nga turqit si
armë kimike por për këtë nuk kemi gjetur prova për ta pohuar me siguri të
plotë, koalicioni e humbi luftën dhe turqit fitues bënë një hakmarrje shumë të
ashpër. Ata vranë në mënyrë barbare ata që mundën të kapnin pa kursyer as
grate, fëmijët dhe pleqtë, dhe kush mundi, u larguan nga vendi në drejtim të
Kroacisë, Austrisë dhe sipas dokumenteve shkuan deri në Transilvani dhe kjo
popullsi nuk u kthye kurrë.
Popullsinë
e fiseve Shalë, Shosh, Nikaj dhe Mërturë (që në atë kohë ishin pak shtëpi dhe
banorë) nuk arriti ti dhunojë por, Gashin që në atë kohë ishin 140 familje dhe
Krasniqen që ishin 100 familje, i shpërnguli pa lënë asnjë në zonën e Llapit në
Kosovë. Pa u zhvendosur shpëtuan 11 shtëpi gashjanë që banonin në fshatin Luzhë
dhe kushërinjt e Nikajve, Kolmekshajt që sot njifen si fisi i Krasniqes edhe
pse asnjë banor i sotëm nuk është me fis krasniqe në Tropojë.
Kolmekshajt
pranuan një marrëveshje që ua ofruan turqit fitimtarë për të mos i larguar nga
fshatrat ku jetonin. Në kushtet e asaj kohe, kur nuk kishte asnjë lloj
zhvillimi teknik, në krahasim me Kosovën, zona e Malsisë së Gjakovës ku
përfshiheshin Geghyseni i sotëm, Gria, Markajt, Kolgecajt, Margegajt, Dragobia,
Shoshani, Babina dhe zona e sotme e Gashit, ishte një parajsë e vërtetë për
bujqit dhe blegtorët. Kishte bjeshkë shumë të mira dhe të pafund, ujë të
pijshëm me burime të mrekullueshme, plantacione me gështenja dhe tokë pjellore
e cila nëse punohej jepte çdo lloj prodhimi përveçse ullinj dhe portokalle.
Nisur
nga kjo, Kolmekshajt pranuan të bëhej musliman i pari i familjes dhe pjestarët
e tjerë të ruanin besimin e mëparshëm. Kjo popullsi deri në vitin 1830 kishte
edhe kishat edhe xhamijat dhe besimi ishte i përzier, edhe brenda familjes.
Popullsia
e fisit Gashi që u zhvendos me dhunë në Llap, sipas dokumenteve, 24 familje u
kthyen përsëri në shtëpitë e tyre në Geghysenin e sotëm dhe rreth vitit 1745,
janë larguar në drejtim të Toplanës, Shllakut dhe një pjesë edhe në Dibër të
Madhe dhe Tetovë.
Gradualisht,
pronat e tyre i morën Kolmekshajt duke formuar lagjet Gjonaj, Ndreaj, Pepnikaj,
Mulgecaj, Gri, e të tjera.
Sipas
dokumenteve që kemi gjetur, në fshatin Gri dhe në fshatin Zogaj, në vitin 1708
janë ndërtuar dy objekte kishtare dhe popullsia masivisht ishte e krishterë por
me urdhër të pushtuesit filluan të ndërtohen xhamijat e para në këtë zone rreth
vitit 1730.
Janë
të ruajtura regjistrat kishtare të lindjeve, martesave dhe vdekjeve nga janari
i vitit 1760 për kishën e Shalës dhe nga viti 1818 për kishën e Nikajve të
cilat i kam të ruajtura dhe një pjesë edhe i kam publikuar. Në ato regjistra në
rastin e martesës shënohej edhe fisi prej nga ishte nusja. Në rastin e
regjistrimit të fëmijës së lindur shënohej me saktësi data e lindjes, emri i babes
dhe i gjyshit, emri i nënës dhe fisi prej nga ishte bijë, emri i kumbarës për
djemt ose i ndrikullës për vajzat dhe emri i priftit që e pagëzonte.
I
bëra këto sqarime për të treguar se ka me shumicë bija nga fiset Gashi dhe
Krasniqja të martuara në Shalë dhe në Shosh dhe anasjelltas. Pra kishte
miqësira, nipa dhe mbesa në të gjitha këto fise.
Relatorët
e kishave, nuk merrnin rrogën nëse nuk dërgonin të paktën një relacion në vit
në qendrën e tyre në Vatikan.
Relacioni
që ata dërgonin ishte një lloj formulari, në fillim në vitin 1622 me 27 pika që
duhej të bëheshin sqarime dhe me kalimin e viteve numri i pikave u shtue duke
arritur në vitin 1802 në 69 pika që relatori duhej të sqaronte.
I
kam marrë të gjitha këto relacione të shkruara me dorë në gjuhën italjane dhe
latine dhe i kam lexuar të gjitha. Rreth njëmijë faqe i kam publikuar në gjuhën
shqipe por pjesa më e madhe e tyre mbetet akoma e pa publikuar.
I
bëra këto sqarime për të treguar se kam njohuri mjaft bindëse për mardhënjet
midis fiseve Nikaj, Mërtur, Gash, Krasniqe, Bytyç dhe Berishë dhe e them me
bindje të plotë dhe siguri absolute se nuk më rezulton që gjatë katër shekujve
të ketë patur ngatërresa ose përplasje me armë midis këtyre fiseve përveçse
rasteve sporadike që ndodhnin jo vetëm midis fiseve por edhe brenda vetë fisit.
Relacionet që kam pare dhe ato që kam publikuar e vërtetojnë plotësisht pohimin
tim.
Mbas
shpalljes së pavarsisë nga Turqia, pushtuesit turq u zëvendësuen në Kosovë nga
një pushtues edhe më i keq se pushtuesi turk, pushtuesit serb.
Nga
viti 1914 deri në vitin 1920, pushtuesit serb ushtruan genocide dhe dhunë të pa
pare për shumë shekuj në zonat e Rugovës, Pejës, Gjakovës, Gashit dhe Krasniqes
duke detyruar popullsinë e këtyre zonave të zhvendosen në drejtim të Pukës dhe
të Shkodrës ku janë pritur me shumë bujari nga popullsia e zonave Nikaj,
Mërtur, Thaç, Berishë dhe Malzi që ishin zona kufitare. Jashtë këtyre zonave ka
patur shfaqje të një sjelljeje jo dinjitoze nga persona të veçantë por jo nga
fise në tërësi. Në biseda personale, banorë të zonave Gash dhe Krasniqe kanë
paraqitur prova të një sjelljeje jo dinjitoze nga disa vende por këto
pretendime, edhe pse fatkeqësisht në disa raste të vërteta, kurrë nuk janë
publikuar dhe nuk është folur publikisht për to. Kjo sepse ka qenë jo një
veprim kolektiv, por veprime që janë dënuar shumë ashpër nga shumica.
Mbas
formimit të shtetit shqiptar funksional në vitin 1920, bëhet fjalë mbas
formimit të Qeverisë së Lushnjes dhe deri sot, mardhënjet janë të pasqyruara
mirë dhe të ruajtura në kujtesën kolektive.
Mbas
kryengritjes së Dukagjinit të vitit 1926, bashibozukët e dërguar nga Ahmet Zogu
për të shtypur këtë kryengritje, në Malësinë e Gjakovës dhe në Dukagjin u
sollën shum më keq se pushtuesit turq të udhëhequra nga Shefqet Durgut Pasha në
vitin 1910.
Popullsia
e Shalës, Shoshit, Nikajt, Mërturit, Gashit dhe Krasniqes nuk ja falën dhe nuk
ja harruen asnjëherë regjimit zogist këtë sjellje brutale të ushtruar nga fise
shqiptare të ardhura nga zona të tjera.
Për
këtë pike nuk më pëlqen të zgjatem në këtë shkrim sepse kam folur në disa
shkrime të tjera të publikuara para vitit 2020 në disa botime të mijat.
Tani
do të përshkruaj mardhënjet midis fisve Nikaj dhe Mërtur me fiset Krasniqe,
Gash, Bytyç dhe Berishë nga viti 1944 dhe deri sot.
Këtë
përshkrim po e bëj i nxitur për të sqaruar se si kanë qenë këto mardhënie sepse
kam vërejtur se disa njerëz, me qëllim të keq apo nga padija, këtë nuk di ta
them, kanë hedhur ide sikur Nikajt dhe Mërturi që janë të besimit të krishterë,
janë persekutuar dhe u janë shkelur të drejtat nga katër fiset e përmendura që
janë të besimit muhamedan.
Diku
është hedhur ideja se Nikajt dhe Mërturi duhet të shkëputen nga ana
administrative me prefekturën e Kukësit dhe të bashkohen me prefekturën e
Shkodrës.
Këtyre
personave më duhet të ju spjegoj se gjatë pesë shekujve, nga viti 1500 deri në
ditët e sotme, Nikajt dhe Mërturi kanë qenë pjesë e Pashallekut të Dukagjinit
me qendër në Kosovë nën pushtimin turk dhe pjesë e Malsisë së Gjakovës nga viti
1912 dhe deri sot.
Nën
pushtimin turk, Nikajt dhe Mërturi janë bashkuar me Pashallekun e Shkodrës nga
viti 1757 deri në vitin 1831 të nxitur nga Bushatllinjtë që sunduen për afër 75
vjet pashallëkun e Shkodrës.
Edhe
nga viti 1939 deri në vitin 1947 Nikajt dhe Mërturi kanë qenë të administruar
nga Komuna e Dukagjinit me qendër Kodërshnjergj.
Gjithë
pjesën tjetër të kohës, edhe gjatë tre viteve të Administrimit Ushtarak
Austriak, 16 janar 1916 deri dhjetor 1918, Nikajt dhe Mërturi kanë qenë të
lidhur, me dëshirën e tyre me Malsinë e Gjakovës.
Po
ju tregoj arësyet.
Tregu
i qytetit të Gjakovës ishte më i mundshëm të arrihej dhe misri dhe gruri
gjëndej më me shumicë dhe më me leverdi në Gjakovë se në Shkodër.
Nikaj
Mërturi është një zone me tokë buke shumë të kufizuar. Rrallë ndonjë familje në
të gjith zonën Nikaj Mërtur i ka patur dy hektar tokë. Shumica e familjeve
kishin më pak se një hektar tokë dhe as një e treta e familjeve nuk e siguronin
në vend bukën e nevojshme për një vit. Shumë familje nuk e prodhonin bukën as
për tre katër muaj.
Kjo
shkaktonte emigrimin dhe deri në vitin 1912 në Kosovë banonin më shumë famlje
me origjinë nga ana jonë se sa vetë Nikaj Mërturi. Nga Nikajt kishte shumë
familje në Dragobi, Shoshan, Koçanaj dhe fshatra të tjera. Në Bytyç është
formuar Berisha e Brigjeve me banorë të fisit Berisha dhe Mërturi. Nga pesë
djem që ka patur Nik Mëngja i Shengjergjit të Mërturit janë formuar pesë
vllazni të këtij fshati. Tri nga këto vllazni kanë formuar Shengjergjin e
Berishës. Lidhjet janë të njohura dhe të pashuara asnjëherë.
Gjatë
periudhës nga viti 1944 deri në vitin 1990 nga fiset Nikaj dhe Mërtur mbaruan
shkollat e larta 730 persona në të gjitha degët e arsimit të lartë të asaj
kohe. Midis tyre kanë mbaruar 43 persona inxhinjerinë në të gjitha degët
inxhinjeri mekanike, elektrike, ndërtim, gjeologji, minjera, pyjore, kimi etj.
Mbaruan edhe 42 persona degët mjekësi, farmaci dhe stomatologji.
Janë
dërguar për studime në shtetet e Europës për studimet e larta nga Nikaj Mërturi
Kol Tahiri nga Shengjergji, Nikoll Marku nga Curraj Eper, Geg Sokoli nga Brisa,
Shtjefen Ndreaj dhe Pashk Vogli nga Salca, Drande Neçaj nga Mserri dhe te
tjerë.
Nuk
ka ndodhur e njëjta gjë me popullsinë e fiseve Shala, Shoshi dhe fqinjët e tyre
që vareshin nga rrethi i Shkodrës.
Duhet
ta vemë në dukje se këto të drejta studimi administroheshin nga komiteti
ekzekutiv që në tërësi ishte me nëpunës të besimit jo të krishterë. Duhet
shënuar se këta persona që mbaruan shkollat punuan në komitetin ekzekutiv si
shefa seksioni dhe si punonjës seksionesh për vite me radhë. Shumë kuadro nga
Nikaj Mërturi punuan si drejtora dhe kryeinxhinjera ndërmarrjesh dhe shefa të
ndryshëm në ndërmarrjet e rrethit të Tropojës.
Duke
ju kërkuar ndjesë për përmendjen e emrave, e shof me arësye të shkruaj disa
emra dhe ju kërkoj ndjesë nëse harroj ndonjërin.
Kanë
punuar shefa seksioni në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, në Komitetin e Partisë
dhe të Rinisë, në Degën e Punëve të Brendshme një numër i madh kuadrosh nga
Nikaj Mërturi me funksione shumë të larta si Beqir Ndou, Pal Neçaj, Ded Zefi,
Drita Progni, Mira Marku dhe disa të tjerë që kanë patur funksione kryesore në
institucionet ku kanë punuar. Kanë punuar si shefa seksionesh dhe me detyra te
tjera me rendesi kuadrot si Vogël Ademi, Ndue Bushati, Mark Vuka, Mark
Palnikaj. Punonjës në aparatin e Komitetit Ekzekutiv me funksione jo pa rëndësi
kanë punuar Pal Neçaj, Mark Zogu, Zef
Ukcama, Lush Gjonpali, Filip Meshi,
Murat Gecaj, Kol Tahiri, Ndue Ukcamaj, Filip Bushgjokaj dhe disa të tjerë.
Në
administratën partiake dhe ndërmarrjet ekonomike me funskione drejtuese kanë
punuar Sokol Meta, Nik Zmali, Ndue Bushati, Pal Kola, Geg Sokoli, Ded Zmali,
Kol Hasa, Bardhe Mulaj, Ndue Susaj, Lek Bushati, Marash Mhilli, Nik Progni, Dod
Progni, Ndok Kukaj, Ndre Martini, Jak Marketa, Fran Lulashi, Zef Ymeri, Dukate
Dodaj, Pjeter Geci, Drita Progni, Mira
Marku, Prel Martini, Mirash Martini, Mark Prekperaj, Pal Prekperaj, Fran
Bushgjoka, Gjok Vukaj, Pjeter Ademi, Mark Milani, Pjetër Prebibaj, Dalina
Paplekaj, Lulash Paplekaj, Kol Malaj, Fran Hasaj, Lulash Vogli, Pjetër Meta,
Nik Neçaj, Mark Doçi, Ndue Kapiti, Gjon Zhivani, Ndre Kola, Stak Vukaj, Mark
Palnikaj, Zeqir Marku, Prek Cani, Filip Gjoka, Marie Geci dhe disa të tjerë.
Kanë punuar edhe shum persona si oficera të ushtrisë në repartet ushtarake të
kohës.
Nuk
e kanë patur këtë status dhe këtë përfaqësim në strukturat drejtuese në rrethin
e Shkodrës banorët e besimit katolik nga fiset Shalë, Shosh dhe bajrakët e
vegjël të Dukagjinit. Ky është fakt i pa mohueshëm. Edhe numri i të arsimuarve
në universitetet e shtetit ka qenë shumë i kufizuar dhe i pa krahasueshëm me
fiset Nikaj Mërtur.
Një
numër shumë i madh punonjësish nga Nikaj Mërturi kanë punuar në sektorin e
arsimit, kulturës, artit, shërbimet komunale magazinjerë dhe detyra të tjera me
rroga fikse.
Gjatë
gjithë periudhës 500 vjeçare, në të gjitha kohërat, edhe kur këto fise ishin
katolikë edhe mbasi e ndryshuen besimin, kanë vazhduar pa ndërprerje martesat
me fiset Mërtur dhe me Nikaj përveç Kolmëkshajve me të cilët kemi patur lidhje
gjaku.
Besimtarët
musliman të këtyre fiseve e kanë përdorur rakinë, verën dhe birrën me shumicë,
madje nganjëherë më shumë se vetë katolikët.
Më
duhet të shtoj këtu se janë zhvendosur në fshatrat Dojan, Gri, Cerrnicë,
Katundi i Paqes, Llugaj, Bukovë, Vuzhniqe dhe Nimaj mbi 500 familje nga Nikaj
Mërturi nga viti 1945 deri në vitin 1990.
Nuk
do të ishte e moralshme për mua si dëshmitar okular në ndryshmet politike të vitit
1990, të mos tregoj dhe të mos i falenderoj banorët autokton të fshatrave dhe
lagjeve që përmenda për qëndrimin shumë fisnik që mbajtën mbas ndryshimit të
sistemit me të ardhurit nga zona jonë por edhe nga zona të tjera të veriut si
Puka dhe Dukagjini.
Asnjë
pronar nuk kërcënoi, nuk dhunoi, nuk e përzuni personin që i kishte okupuar
tokat tradicionale të trashëguara. Ju thane rrini sa të doni, largojuni kur të
doni por nuk do ti shitni pronat që nuk janë të juajat. Jam dëshmitar, nuk ka
ndodhur asnjë ngatërresë dhe për këtë duhen falenderuar këta njerëz.
Tani
pyetja që bëj unë është kjo: “Çfar na kanë bërë këta njerëz që ne u dashka të
shkëputemi prej tyre? Ku kanë gabuar këta njerëz që u dashka ti kritikojmë dhe
ti shpallim kundërshtar?”
Tradicionalisht
kanë ardhur për festat tona Shënkollë, Shmasjan dhe Zoja e Mërturit dhe ne ju
kemi shkuar në festat e tyne. Qindra familje kanë qenë të lidhuna si probatina
dhe kumarë me njani tjetrin.
Si
mund të harrohet kjo bashkjetesë kur në arkivat historike nuk gjëndet as edhe
një rast i vetëm i përplasjeve me armë midis fisesh.
Unë
besoj se këto mardhënie duhet të jenë model për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë
dhe Maqedoni.
Mark Palnikaj, Tiranë 28 gusht 2025.