Kerko: a
Vlash Prendi: Nga Tirana në Toskanë dhe Liguria me grigjën e mallit
E shtune, 26.07.2025, 06:59 PM
NGA TIRANA NË TOSKANA DHE LIGURIA ME GRIGJËN E MALLIT...
NGA
VLASH PRENDI
Avioni
i kompanisë së njohur ajrore Wizz Air, u shkeput nga toka arbërore dhe me
shpejtësi të madhe u drejtua plot siguri drejt gadishullit Apenin ku shtrihet
Perandoria e hershme Romake. Poshtë dukeshin ndërtesat e pafund dhe tokat
shumica të pa punuara në hapësirën mes Tiranës dhe Durrësit. Disa shtëllunga
tymi të shpërndara kuturu në horizont, ia lanë vendin hapësirave pafund të
ujrave të qeta të detit Adriatik. Kundrova përmallshëm trojet e mija të
Ultësirës Perendimore, derisa imazhi i qyteteve bregdetare dhe fshatrave
fushore të atdheut tim, më humbi nga sytë. As që e kisha mendjen fare kur hodha
vështrimin në bordin e aeroplanit ku stjuardesa kishte kohë qe po jepte instruksionet
për të qenë të gatshëm në rast rreziku. Më solli në vete reagimi i një
pasagjeri të moshuar, më shumë gjasa nga Shkodra, i cili foli si me deshpërim:
- Ndoshta na ruan Zoti moj bijë, se për sa na udhëzove, në rast rreziku, asnje
nuk shpetojmë... Disa qeshën, të tjerë i morën seriozisht fjalët e tij, pastaj
aty - ketu, si nën zë nisën diskutimet, temë e të cilave ishin aksidentet
ajrore të ndodhura kohët e fundit dhe zgjedhjet tona parlamentare.
Në
bordin e avionit ku ishin akomoduar rreth 320 pasagjerë, asgjë s’pipëtinte.
Mbretëronte një heshtje e plotë. Dorina që ishte me ne, dukej e shqetësuar, por
në momente të caktuara hidhte shikimin nga dritarja e avionit dhe shkrepte here
pashere nga një foto, kurse Maria me kokën ulur dhe gjithë nerva, dukej se
shfaqte ndjenja frike dhe malli perzier, ndërsa unë sa për muhabet iu drejtova
pasagjerit bashkëngjitur pa e ditur se i çfarë kombësie ishte: - Për ku? Ai më
pa me vemendje, pastaj foli: - Për në Gjenova. Kam mbi 27 vjet që punoj dhe
jetoj atje së bashku me familjen. Isha në Shkodër për të vizituar vendlindjen
dhe për të parë të afërmit e mi. - A kthehesh shpesh në vendlindje? - shtova
unë. - Rrallë e për mallë, - m’u pergjigj shkodrani. Kur kemi ndonjë dasëm, ose
raste fatkeqësish, sepse nuk na le puna. Heshta. Ndërkohë po mendoja, ç’bëhet
me këtë popull, punon dhe ndërton për të tjerët, ndërsa vendin e tij e le në
pike të hallit. Me sa kuptova, në bordin e avionit shumica dërmuese ishin me
kombësi shqiptare, aty – këtu ishte ndonjë Italian, thuajse të gjithe i
përkisnin moshës së tretë. - Epo të rinjë janë larguar me kohë, tani u ka
ardhur radha të moshuarëve, - mendova me vete.
Në
këto mendime e siper, avioni preku lehtas aerodromin e aeroportit të Pizës në
provincën e Toskanës. Kemi arritur në qytetin mesjetar të Pizas, në qytetin
plot ngjyra dhe me histori të lashtë një nga qytetet më të mëdhenj në provincën
e Toskanës. Qyteti është i bukur, antik, me një pamje fantastike që në momente
të tilla, tërheq vizitorë të shumtë. Piza është kryeqendra e provinces, pjesë e
rajonit të Toskanës ku jetojnë rreth 88
000 banorë. Qyteti është i njohur për kullën e pjerrët. Thuhet se është
gjithashtu një kulm i të ashtuquajturit "trekëndësh industrial" ku
bëjnë pjesë qytetet e Livornos, Pizas dhe Collesalvettit, popullsia e të cilëve
arrin në mbi 260,000 banorë, që jetojnë në një siperfaqë prej 400 km².
Pasi kemi konsumuar një kafe dhe kemi shijuar bukuritë e qytetit dhe pamjet plot magji të tij, pak metra larg aeroportit të vogël të Pizas na pret Gëzimi, me të cilin do të vazhdojmë udhëtimin drejt qytetit të bukur bregetar dhe një prej porteve më të rendësishëm të rajonit të Ligurias, La Spezia. Ndërsa rrugëtojmë, diku në horizont shquaj Kullën e famshme të Pizës, një nga veprat arkitetturore më të famshme në botë, ndërtimi i së cilës pati nisur me 9 gusht 1173. Gëzimi më tregon se Kulla kishte filluar të fundosej pasi ndërtimi kishte arritur në katin e tretë, aty nga viti 1178. Kjo kishte ndodhur sepse themeli i saj ishte vendosur në një taban të dobët. Për këtë shkak, thuhet se ndërtimi i saj qe pezulluar për rreth 100 vjet. Ne vitin 1198, në katin e tretë të kullës qenë vendosur orët, ndërsa në vitin 1272 patën rifilluar përseri punimet nën drejtimin e arkitektit të njohur Italian Xhovani di Simone.
Udhëtojmë
drejt qytetit të bukur të Sarzanas. Bisedat tona nuk kanë të sosur, ashtu siç
nuk kishin të mbaruara hapësirat pafund të mbjella me kultura bujqësore dhe
pemë frutore. Edhe historia e këtij qyteti ishte e pasur, sepse është ndërtuar mbi
themele antike. Pikërisht këtu është zbuluar edhe gjenealogjia e Perandorit të
famshëm francez Napoleon Bonaparti. Mendohet se
Bonapartët ishin degë e familjes Cadolingi të Borgonuovo, aso kohe zotër
të Fucecchios në Toskanë, me prejardhje nga qyteti i Sarzanas, në provncën e
Ligurias, që në dokumentat historike përmendet përpara vitit 1264, por pas dy
shekujsh bonapartët qenë zhvendosur në Korsikë. Sarzana është një qytet, komunë
dhe ish - peshkopatë katolike në Provincën e Ligurias, e cila ndodhet rreth 15
kilometra në lindje të qytetit bregdetar të La Spezias, me një popullsi rreth
22.000 banorësh. Qyteti shtrihet në hyrje të luginës së lumit Magra, që dikur
shënonte kufirin mes Etrurias dhe Ligurias në periudhën e sundimit të
perandorisë romake. Këtë lashtësi të qytetit e tregojnë edhe dy portat e
ndërtuara shekuj më pare sipas modelit të Harkut të Triumfit, të vendosura në
dy skaje të qytetit mesjetar në një largësi rreth dy kilometra. Në hyrje
ndodhet Porta Romano, ndërsa në dalje Porta Parma. Për here të pare ky qytet i
lashtë del në dokumentet historike rreth vitit 983 pas Krishtit, ndërsa Selia
Ipeshkvnore u vendos në Sarzana në vitin 1202. Qyteti i Sarzanas është i bukur,
i qetë, plot gjallëri dhe gjelbërim. Të bien në sy ndërtesat e bukura tre -
katër katëshe të ndërtuara në stilin romak dhe gotik. Ndërsa i hedh një sy
qytetit, bukurive të pafundme të tij, ndërtesave historike, monumenteve të
kulturës, trotuareve të lashta shtruar me gurë, pres me padurim të takoj
Merilinin, vajzën e vogël, bukuroshen shqiptare që është vendosur në këtë qytet
në moshën një vjeçare dhe tani pas tre vitesh flet mjaft bukur gjuhën e nenës.
Kjo është meritë e padiskutueshme e prindërve të saj Gëzim dhe Silvana që kanë
arritur të triumfojnë mbi presionin e komunikimit të përdithëm në gjuhën
italiane dhe në ambientin familjar komunikojnë gjithmonë në gjuhën shqipe. Pasi
përshendetemi përzemërsisht, Meri nis të na tregojë se shkon në azilio -
kopësht, se atje ka shumë shokë dhe shoqe nga shumë vende të botës, se ka superiore
- edukatore shumë të mira që e duan fort, se gjatë ditës në kopësht ajo merret
me mësime, lojra dhe vizatime dhe në fund më fton që në ditët në vijim t’a
vizitoj kopshtin e saj. I premtoj se do t’ia realizoj këtë deshirë vogëlushes,
aq më tepër se ajo fliste aq bukur gjuhën shqipe. - Po, - më tha, - kam mësuar
gjuhën tonë të bukur, gjuhën shqipe, madje kam edhe kostumin kombëtar të cilin
e vesh në aktivitete të ndryshme. Dua t’u tregoj të gjithëve, se jam shqiptare.
E përqafoj Merin e vogël dhe i them se ne duhet t’a ruajm gjuhën dhe
identitetin tone.
Në
mbrëmje na telefonon Mimoza Marku, e cila na fton për ditëlindje. Ceremoninë do
t’a bënte në një lokal jashtë qytetit të Sarzanas, sepse gatimin e gjellrave
tradicionale italiane, sidomos të picave e kishin traditë. Shkojmë në kohën e
duhur tek restoranti dhe bëjmë urimet e rastit. Tavolina është mbushur plot, të
gjithë shqiptarë. Më pelqente që po flitej vetëm shqip. Vetëm kamarieri ishte
Italian, madje shpesh here bënte edhe shaka me këtë popullim homogjen të
tavolinës gjigande. Edhe kengën e ditëlindjes e kenduam shqip. Mimoza ishte
mjaft e emocionuar. - Nuk e kam menduar kurrë se mund t’a festoja ditelindjen
time në një vend të huaj, - përseriste shpesh. Po ja qe ndodh ajo që nuk e mendon.
Në fakt, Moza ka vite në emigracion, në fillim qenë vendosur në Greqi, pastaj u
erdhi në Itali. Të ngjethet mishi kur tregon vuajtjet, punët e vështira,
racizmin që kanë treguar grekët ndaj emigrantëve. Aty ndodhet edhe Valbona
Castagna, vajza lezhjane që vite të shkuara pati ardhur në La Spezia. Aty pati
njohur edhe Masimon, një djalë mjaft punëtor dhe me tipare tepër njerzore, me
të cilin qe martuar dhe paten krijuar familje. Patën një vajzë, se cilës
Valbona e pati pagëzuar me emrin Alba, në kujtim të vendlindjes së saj. Pas pak
vitesh, bashkëshorti i saj qe ndarë nga jeta, ndërsa Valbona vazhdon të merret
me arsimimin dhe edukimin e Albës, e cila sot është studentë. Valbona na fton
bujarisht, siç e ka traditë shqiptari dhe ne e presim ftesën e saj me kenaqesi.
Dalim për të konsumuar një kafe në qytetin antik të Sarzanas. Takojmë dhe
bisedojmë me shumë bashkëatdhetarë të ardhur nga zona të ndryshme të
Shqipërisë, kryesisht nga Mirdita, Lezha, Kukësi, Kurbini etj. Me ne bashkohet
edhe Anton Prenga, një djalosh i ri nga Lezha, i cili kishte rreth 25 vjet që
kishte jetuar në fillim në La Spezia, ndërsa tani ishte vendosur në Sarzana. Na
flet Antoni për jetën e vështirë si emigrant, problemet që u dalin për të
fituar rezidencë, vështirësitë për t’i pranuar në punë. Antoni tashmë është
vendosur familjarisht në këtë qytet, së bashku me prindërit, bashkëshorten dhe
tre fëmijët. Kërkoj të më njohin me objektet historike të qytetit, të cilat
janë të shumta. Nga larg, shquaj një ndërtesë të lartë, një objekt mjaft të
lashtë me një arkitekturë interesante. Gëzimi më thotë, se është kështjella e
qytetit. Ishte një fortesë që gjatë periudhave historike kishte sherbyer për të
mbrojtur qytetin. Kështjella ka ekzistuar që nga shekulli i X ndërtuar në
formën e saj ekzistuese me urdhër të Lorenzo de Medicit. Nga të dhënat
historike mësojmë se në vitin 1921, Sarzana ishte arenë e luftimeve mes
popullsisë vendase dhe formacioneve luftarake fashiste të Musolinit. Gjatë
këtyre luftimeve një grup i vogël karabinierësh dhe shumë qytetarë të thjeshtë
kundërshtuan me force formacionet fashiste që kishin ardhur për të shkatërruar
qytetin, por përpjekja e tyre rezultoi me humbje, pasi ranë në fushën e betejës
18 luftëtarë dhe u regjistruan rreth 30 të plagosur, emrat e të cilëve kujtoheshin
me nderim dhe mirënjohje. Frymën e kundërshtisë populli liridashës i Sarzanas e
ruajti edhe gjatë pushtimit gjerman të Italisë gjatë viteve të Luftës së Dytë
Botërore, ku ky qytet kishte qenë një qendër e rendësishme e rezistencës
partizane.
E
enjte, ditë pazari në Sarzana. Bulevardet dhe sheshet janë mbushur plot me
vitrina ku ekspozohen mallra të llojëve të ndryshme. Nuk mungon sagjë, madje me
çmime të përballueshme për këdo. Futem në një librari aty në qender të qytetit
dhe marr gazetën “Avvenire”. Shitësi më thotë se aty ndodhej edhe gazetari që
shkruan shpesh për Sarzanan. Quhej Marko Zanneti. E përshendes gazetarin dhe
bisedojmë për disa minuta, sepse ai po ngutej të përgatiste kronikën për ditën
e pazarit që po ia kërkonte redaksia. Më bëri përshtypje qetësia, thjeshtësia
dhe menyra e komunikimit. Kur mori vesh se jam nga Shqipëria, më tha se kishte
shumë respsekt për shqiptarët, sepse janë të sjellshëm, punëtorë, të qetë. E
falenderoj gazetarin e njohur dhe përseri vizitoj pazarin javorë të qytetit.
Dikush më tërheq vemendjen, ?shtë Marjan Prendaj nga
Zejmeni. Ka vite që njihemi me djaloshin lezhjanë. Takohemi dhe bisedojmë pak
kohë së bashku. Kishte shumë vite që jetonte në Masa. Nga telefoni më thërret
miku im shkrimtari dhe studiuesi Llesh Ndoj, i cili më tregon se sapo kanë dale
nga shtypi tre libra të tij, madja së shpejti me kërkesë të prof. Anton Nikë
Berishës do të prezantoheshin në Klinë. E falenderoj mikun tim shkrimtar dhe i
uroj suksese në krijimtari. Në shetitoren kryesore që lidh dy portat antike të
qytetit, funksionojnë disa katedrale mjaft të njohura në rajon. Mes tyre
dallohet katedralja e Shen Marisë, e Shen Andreas dhe e Shen Gjonit. Vizitoj
atë të Shen Marisë që është edhe vendi i shenjtë më kryesorë në qytet. Nga të
dhënat historike rezulton se Katedralja e Sarzanas filloi të ndërtohet në mesin
e shek. XIII, kur Papa Innocenti III në vitin1203, sanksionoi pronësinë dhe
nxori dekretin e transferimit të katedrales nga Luni në Sarzana. Në këtë
periudhë nisën punimet edhe për fasadën, pjesa e poshtme e së cilës u përfundua
në vitin 1355 nga arkitekti i njohur italian Michelino de Vivaldi. Katedralja
frekuentohet shumë nga besimtarë të kombeve të ndryshme, por edhe nga turistët
e shumtë që interesohen për funksionimin dhe historinë e saj.
Na duhet të përgatitemi seriozisht, pasi Merilin Prendi ka 4 - vjetorin e lindjes. Kërkesat e saj janë të shumta, megjithatë na duhet t’i përballojmë. Për të festuar bashkë me ne, kanë ardhur shumë miq, mes të cilëve edhe Emili i vogël së bashku me prindërit Evën dhe Edin nga Milano. Më gëzon fakti se vajza e vogël ka nisur të flasë disa fjalë shqip. Meri është shend e verë, pasi i kanë ardhur shumë dhurata dhe urime. Në fakt, ditëlindjen e saj e kanë festuar edhe shokët dhe shoqet tek kopshti, madje edukatoret kishin organizuar edhe një mini aktivitet me fëmijët e nacionaliteteve të ndryshme me kengë dhe recitime, për t’i bërë qefin bukuroshes Meri. E urojnë Merin e vogël të gjithë, Antoni, Daniela, Dila, Edi, Maria, Eva, Dori, Moza, Alba, Vjola dhe dy prindërit Gëzimi dhe Vana. Veçori dalluese është se këtu për festa dhe ditëlindje, mblidhen vetëm shqiptarë. Nga Londra Marinela Elezi më njofton se ka arritur nga Xhenoa miku im Pjetër Elezi së bashku me Andin, për të më takuar. Bisedojmë me Pjetrin për vështirësitë e punës dhe të jetës në emigrim. Ka vite të tëra që jeton dhe punon në Xhenoa familjarisht, dersa doli në pension. - Tani, - më thotë, - e vizitoj shpesh vendlindjen, sepse e ndjej veten atje, shumë më mire se këtu. Ndoshta në një të ardhme të afërt do t’a lë përgjithonë këtë vend, - shton ai.
Së
bashku me Gjonin dhe Dilën, një çift pensionistësh nga Lezha që kanë ardhur të
jetojnë tek fëmijët e tyre, po dërgonim nipërit dhe mbesën në kopsht. Tek dera
na presin edukatoret Rafaela dhe Emanuela, të cilat na respektojnë në maksimum.
Bisedojmë për punën, vështirësitë e punës me fëmijët, rregullat dhe metodat që
ndjekin për edukimin e tyre, pastaj marrin fëmijët dhe me kujdes dhe dashuri i
dërgojnë tek vendi i tyre. Ambientet e kopshtit shkëlqejnë, baza material dhe
mjetet didaktike janë të bollshme dhe të larmishme. Fëmijët janë të
nacionaliteteve të ndryshme, ka shqiptarë, romen, tunizien, algjerian,
ukrahinas, kinez etj, të cilët qëndrojnë nga mëngjesi deri në orën 15 në
kopsht, madje edhe drekojnë pa pagesë. Aty ka qetësi, ka ambiente të
përshtatëshme për mësim, për lojra, për argëtim dhe mbi të gjitha ka siguri.
Kthehemi në qytet dhe sodisim pamjet, rrugicat dhe sheshet plot gjelbërim.
Takojmë Ndoc Lleshin nga Shkodra së bashku me bashkëshorten Adën. Me Ndocin na
lidh deshira për të diskutuar rreth kengës popullore, sepse unë e kam pasion,
ndërsa ai e ka në gen. ?shtë i afërt i
mjeshtrave të kengës folklorike, vllezërve Lleshi, me të cilët ka të drejtë të
krenohet. Dikush i thirr nga larg Gjonit: - Buongiorno Giovani! - Unë jam
shqiptar dhe emrin e kam Gjon!, - i përgjigjet flake për flake miku im. Tjetri
vuri buzën në gaz, tundi lehtas kokën dhe u largua në heshtje. - Ja bërë mirë,
- i thashë, - le t’a dijë edhe ai se ne e ruajm identitetin tonë kudo që jemi.
Gjoni buzëqeshi hidhur dhe si mendueshëm shton: - S’ka si vendi yt!
Jemi në prag të Pashkëve. Na kanë ftuar në Milano për t’a festuar këtë festë tradicionale të ringjalljes së Krishtit. Rrugën nga La Specia në Milano e bëja për herë të pare. Merilini na mbante me muhabet dhe shpesh herë na jepte dhe urdhëra. Më çlodhte biseda dhe lojrat me të. Rruga ishte e lodhshme, por të ngjallte kuriozitet dhe interes për t’i njohur këto vende piktoreske. Kemi kaluar plot tetëmbëdhjetë tunele deri sa arritëm tek ura gjigande mbi lumin Ticino i cili buron nga alpet e Zvicrës, kalon nëpër Lago Maggiore dhe derdhet ne lumin Po, 652 km. më i gjati në Itali, i cili furnizohet nga 26 degë. Lumi Ticino ka prurjet më të medha ujore, që shërbejnë për vaditje të fushave me prodhime bujqësore bujqesore, sidomos për kulturën e orizit. Në disa pika të përshtatëshme ka diga hidrocentralesh për prodhimin e energjisë elektrike. Aty ku bashkohet lumi Ticina me lumin Po, ndodhet ura Ponte della Becca, e cila lidhte qytetin e Pavias me rajonin e Oltrepo Pavese në komunën e Mezzaninos. Ura kishte strukture prej çeliku rreth 1040 metra e gjatë e ndarë në 13 hapësira. Kemi arritur në qytetin universitar të Pavias, ku na pret plot gëzim dhe dashuri Emili e vogël që ka lindur në këtë qytet, por përpiqet të mësojë shqip. Gjetëm atmosphere festive dhe e tillë mbeti dersa u larguam nga ky qytet, pjesë e provincës së Lombardisë.
Jemi
në qytetin e bukur bregdetar të La Spezias. ?shtë një qytet i vogël
buzë detit të Ligurias, në veri të Italisë, me një popullsi rreth 250 mijë
banorë. Thuhet se qysh në kohë të lashta, emri i këtij qyteti lidhej me
mikpritjen që banorët e qytetit bregdetar u bënin të huajve si tregtarëve,
peshkatarëve, pelegrinëve, emigrantëve dhe turistëve. Zhvillimin më të madh
qyteti e pati pas viteve 1200, kur bënte pjesë në Republikën e Xhenovës.
Megjithatë ky zhvillim nuk u ndërpre as në kohën e sundimit të Napoleonit, kur
u projektua e ardhmja e gjirit si një pikë strategjike ushtarake. Ishte vetë
Napoleon Bonaparti ai që përcaktoi përfundimisht të ardhmen e këtij qyteti,
sepse sipas bindjes së perandorit, La Spezia duhej të ishte një qytet detar
ushtarak, rol të cilën qyteti e ruan edhe sot e kësaj dite. Ndërtimi i
kantierit detar ushtarak kishte filluar rreth vitit 1860. Në këtë vit, ky qytet
qe populluar shumë, sepse mijëra punëtorë vërshuan për të punuar në ngritjen e
kantierit gjigand. Ndërsa përshkon në kembë trotuarin përgjatë vijës
bregdetare, mund të dallosh qindra anije, varka, skafe, motovedeta të shteteve
të ndryshme nga më të largëtat në glob. Në port ka shumë lëvizje, sidomos
turistët nga vende të ndryshme të botës janë të interesuar për historinë,
kulturën, natyrën, pamjet ekzotike të cilat i fiksojnë si kujtime të çmuara në
aparate fotografike dhe celularë. Të njëjtën gjë bëjmë edhe me Gëzimin, Merin
dhe Dorin. Madje Meri kërkon edhe shperblim, por Vana në rolin e fotografes
gjente momente të bukura dhe na shkrepte fotot, si një kujtim i paharruar. - ?shtë qytet i bukur dhe i pasur, - na thotë Gëzimi dhe shton
se vjen shpesh në këtë qytet të bukur për arsye pune. Diku në qendër të qytetit shoh një reklamë
”Albani - immobiliare”. Gëzohem pa masë kur mësoj se kjo axhensi administrohet
nga një djalosh me origjinë shqiptare. Në mbrëmje, Gëzimi më dhuron një
stilolaps të personalizuar të firmës së ndërtimit “Kabali” që vepronte
kryesisht në aksin La Spezia, Sarzana, Leriçi dhe Massa. Më gëzon fakti se një
djalë mirditorë i fisit Kabali nga Proseku, falë punës vetmohuese plot mund dhe
përkushtim është bërë i suksesshëm në këtë province. Në fakt, fisi i tyre kanë
qënë të njohur edhe në trevën e mirditës si Shtëpi e Parë dhe duket se këto
tradita po i mbajnë edhe këtu. Gëzimi më
përmend Shtjefnin dhe Prendin si shokë me vlera, punëtorë dhe njerëz të mire,
sepse bashkë me ta ka ndarë shqetësimet, gëzimet, mundin, djersën, mallin për
atdhe dhe shpesh here edhe…bukën.
Duke
shetitur dhe diskutuar rreth historisë, zhvillimit dhe pamjeve mahnitëse të
qytetit, më tërheq vemendjen një përmendore e gdhendur në gurë. Afrohem dhe e
kundroj me vemendje pejdestalin që iu kushtohej heronjve të rënë në Luftën e
Dytë Botërore. Aso kohe porti qe zgjeruar shumë jo vetëm për anijet ushtarake,
por edhe për anijet luftarake që ndërtoheshin në kantierin më të madh. Kështu,
për shkak të arsenalit detar ushtarak dhe pozitës strategjike ku ndodhej, porti
dhe qyteti i La Spezias qenë bombarduar disa herë gjatë Luftës së Dytë Botërore
duke shkaktuar shumë viktima, monumenti i të cilëve ndodhet aty në bulevardin
kryesorë të qytetit, nën hijen e palmave. Qytetit i u deshën vite për të
rifituar shkëlqimin, zhvillimin dhe qetësinë e dikurshme. Sot La Spezia është
një qendër e rendësishme ushtarake detare, ku ankorohen, ndërtohen dhe
riparohen anije nga gjithë bota, por edhe një qytet historik, turistik e detar,
që ndodhet mjaft afër rajonit turistik më të njohur të Italisë Cinque Terrën.
Kthehemi në Sarzana pas një dite të lodhshme, por plot energji dhe entuziazëm,
për ato çfarë pamë dhe mësuam për këtë rajon të bukur. Në lulishte përpara
pallatit takojmë nënën 96 vjeçare Enca Colotto. ?shtë
kurjoze të dijë për Shqipërinë, sepse siç na tregon babai i saj kishte qënë
kundër fashizmit, madje edhe ishte dënuar pasi nuk kishte pranuar të vinte për
të luftuar në Shqipëri. Megjith moshën e thyer që mban mbi supe, përseri është
e forte, sepse kryen punët e shtëpisë dhe kur ka kohë lexon. Shpesh i gjeja
nëpër duar librin e shkrimtarit të njohur Italian Francesco La Licata “Storia
di Giovanni Falcone”, për të cilin duket se kishte patur simpati. Si sot më
kujtohet data 23 maji 1992, kur në mbarë botën u perhaps lajmi i vrasjes së
gjyqtarit të njohur Italian bashkë me bashkëshorten e tij dhe tre truprojat,
duke mbetur shembull heroizmi kundër botës së krimit. - Sikur t’a kishte një të
tillë edhe vendi im, - mendoj me vete.
Edhe
se punojnë dhe jetojnë në vend të huaj, shqiptarët nuk i kanë harruar, as nuk i
harrojnë traditat e mrekullueshme të të parëve të tyre. Ata festojnë
datëlindjet, përvjetorët, festat fetare,
datat përkujtimore, tamam sikur të ishin në vendlindjen e tyre. Një
festë të tillë na rastisi t’a festojmë në Sarzana në familjen Prenga nga Lezha.
Jemi mbledhur shumë bashkëatdhetarë sot në këtë familje. Sejcili merret me punë
për përgatitjen e festës. Antoni ka therur dashin, Daniela përgatit kuzhinën,
Dila po mbush shishet me raki, unë bisedoj me Violën dhe bëj shaka me
vogëlushin Tomi, Gabrieli i vogël na bën pak rrëmujë, ndërsa Rubina dhe Aria,
dy vajzat e shkathta të familjes kanë organizuar një mini spektakël dhe na
kënaqin më interpretimin e disa ushtrimeve gjimastikore, duke zbuluar talentin
e tyre të fshehur. Festa kalon mjaft bukur, plot urime, të qeshura, shaka dhe biseda
e diskutime. U krijua brenda shtëpisë një copë Shqipërie me biseda, kujtime,
këngë dhe humor.
Interesohem
të di, nëse ka patur përpjekje të emigrantëve shqiptarë për të krijuar shoqata,
për të organizuar aktivitete, apo për të hapur shkolla shqipe në këtë rajon. E
them këtë, sepse siç më informon miku im i nderuar Ndue Shabaku nga Breshia,
vitet e fundit janë hapur rreth pesë shkolla shqipe në veri të Italisë, një nga
të cilat është shkolla shqipe “Migjeni” në Fano me drejtoreshë Valbona Markun,
mësuese e gjuhës shqipe nga Lezha. Edhe në Breshia funksionon më së miri Qendra
Culturore “Oda”, sekretar i së cilës dhe zëdhënës shtypi është prof. Ndoi. Janë
të shumta aktivitetet kulturore, artistike, patriotike dhe koncertet folklorike
që organizon kjo qendër e njohur në gjithë veriun e gadishullit. Meritë të
padiskutueshme në organizimin e tyre ka edhe i mirënjohuri Ndue Shabaku, i cili
nuk përton të na ftojë shpesh në evente të tilla. Më thonë se edhe ne La Spezia
dhe Sarzana janë bërë përpjekje të tilla. Shoqata “Gjergj Fishta”, e krijuar që
në vitin 1991, kur në këtë rajon patën ardhur emigrantët e parë, funksionon
edhe sot, por jo me atë gjallërinë e dikurshme.
…Ditët
kalojnë dhe vizitës sonë po i vjen fundi. Kemi kaluar çaste të kendëshme, kemi
vizituar vende të bukura, kemi biseduar dhe njohur njerëz të mire, kemi zënë
miq të rinj, por dashuria dhe malli për vendlindjen të grish pa masë kur je
larg atdheut tend. Largohemi nga ky qytet i bukur dhe plot gjallëri, për tu
rikthyer ndoshta përseri.