E premte, 25.07.2025, 03:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Një jetë me matematikën, për matematikën

E merkure, 23.07.2025, 06:57 PM


Nëse do krijoni monumente për njerëzit e rëndësishëm, krijoni për mësuesit. Ata janë heronjtë e shoqërisë sonë. - Guy Kawasaki

NJË JETË ME MATEMATIKËN, PËR MATEMATIKËN

Islam Alikaj, në moshën 85-vjeçare vazhdon të botojë

Portret

Nga Kadri Tarelli

Një jetë të tërë pune me Matematikën dhe për matematikën, nga Profesor Islam Alikaj, ku ka shumë mundim, sakrifica, studim, krijim, mësim dhe përkushtim ndaj nxënësve, shkollës, edukimit të brezave të rinj me dashuri për “Mbretëreshën e shkencave”.

Islam Alikaj edhe sot, pas afro 60 vjet pune si mësues, nuk i ndahet profesionit të nderuar, duke u shndërruar në përcjellës apo “Misionar i dijeve” shkencore. Kënaqet dhe ndjen një lloj krenarie të heshtur kur qytetarët e Durrësit, jo vetëm ish nxënësit e tij e thërrasin profesor. Një emër që shpreh fisnikëri, si një pasuri shpirti ku ka shumë nderim e mirënjohje, por edhe emër shumë i lakmuar, kur bëhet fjalë për krijuesit, veçanërisht në fushën e shkencave.

Titullin që të japin organizmat shtetërore apo shoqërore, natyrisht kanë vlerën e tyre, por kur të “pagëzon” shoqëria e qytetaria, është, si të thuash, nderim i shumëfishtë: si profesionist, mësimdhënës, studiues dhe për më shumë si njeri me vlera të larta qytetarie e atdhetarie.

Kam shkruar disa artikuj kushtuar profesorit të nderuar. Shkrimi i fundit i përket, marsit të 2019: “Mbroni matematikën e Gjimnazit”, Gazeta “Bulevard”. 15. 03. 2019. Ndaj po përpiqem të qëmtoj disa copëza të vogla në dukje, për ta bërë më të plotë portretin e këtij “Misionari” të arsimit, dijes dhe edukimit.

Vetëm njerëzit e vegjël, ata që rrahin gjoksin dhe mburren, nuk rrinë pa përmendur vend e pa vend dhe kohë pa kohë, “veprat e tyre” të ndritura, duke shtuar si “pa dashje” edhe ca fjalë nën zë, për ata që i bëjnë “hije” apo që i “kanë prerë udhën e suksesit”, të cilët, dashje pa dashje, meritojnë të nderohen shoqërisht dhe shtetërisht. Më vjen keq që ky soj njerëzish pa skelet, sikur është shtuar ca si shumë.

Ndryshe ndodh me njerëzit e thjeshtë e të ditur, (Të diturit përherë janë të thjeshtë në vetvete). Ata dinë të vlerësojnë punën e vet dhe të të tjerëve. Ata shqetësohen e lumturohen për suksesin, pasi kanë në shpirt frymë idealizmi, sepse mendojnë më larg, se mundi i tyre i vlen dhe i shërben shoqërisë, vendit dhe kombit, duke i lënë kohën që t’i vlerësojë për atë çka bëjnë. Qytetarët e Durrësit, apo më mirë durrsakët, e kanë parë Islamin të rritet bashkë me qytetin, duke lënë gjurmët e tij si mësues dhe krijues në fushën e matematikës dhe astronomisë. Megjithatë duhet thënë diçka më tepër për të:

Lindi në qytetin e Kuçovës më 1939. Mbaroi shkollën 7-vjecare dhe Gjimnazin në Durrës, me rezultate shumë të mira, më pas UT. në vitin 1962 në degën e matematikës. Ka dhënë mësim në shkollat e mesme në Krujë, Shijak, Durrës, gjimnazi “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Kastrioti”, si dhe pedagog në “Filial”, degë e UT. në Durrës. Në vitet 75-85, për dhjetë vjet punoi në fshatrat e Durrësit, në Shkollën e Mesme Katundi i Ri, që sot mban emrin “Jusuf Hoti” dhe në shkollën 8-vjecare të fshatit Jubë, komuna e Katundit të Ri.

E dashuroi profesionin e mësuesit dhe matematikën, duke i kushtuar jetën edukimit dhe arsimit të brezave të rinj për t’u bërë atdhetarë dhe qytetarë të mirë. Njeri korrekt, metodist dhe i palodhur në mësimdhënie, studiues i zellshëm, këmbëngulës dhe autodidakt, zotërues i gjuhëve frëngjisht, gjermanisht, anglisht, rusisht e italisht. Fillon të botojë në vitin 1969, në organe të ndryshme të shtypit, artikuj të shumtë shkencor, punime të veta dhe përkthime për matematikën dhe astronominë.

Thonë, se njeriun e ndihmon fati që të ngrihet si intelektual dhe të bëhet i dobishëm e i njohur në shoqëri. Kjo thënie ka shumë pak të vërtetë brenda, sepse harrojnë se po nuk je i zoti, po nuk punove, po nuk “investove” për vete, natyrisht aty ku e ndjen veten më të fuqishëm, askush nuk të shikon me sy, aq më pak të të japë dorën. Nuk jam besimtar, por mendoj se janë rrethanat, (që besohen si fat), që të kërkojnë dhe të ndihmojnë të shpalosësh aftësitë dhe zotësinë tënde. Kështu ndodhi në fund të viteve 60 - 70, të shekullit të kaluar, kur u kërkua që matematika të gjejë zbatim në prodhim. Ishte Islam Alikaj dhe pak të tjerë, që iu përgjigjën thirrjes. Kështu doli edhe botimi i tij i parë, "Si përftohen prerjet optimale", në vitin 1969. Metodat e propozuara në këtë punim do të zbatoheshin me përfitim të lartë në Uzinën Mekanike në Durrës. Ishte koha kur u thirrën mendjet e ndritura të matematikës, për t’i shërbyer ekonomisë, në industri, bujqësi e blegtori.

Ky ishte vetëm fillimi i një veprimtarie të gjerë botuese prej 22 titujsh, kryesisht për matematikën, ndër të cilët: 4 libra universitare dhe 14 libra para universitarë. Prof. Islami nuk është mjaftuar me kaq, sepse ndër shumë nga  librat e tij, vlen për t’u veçuar botimi i një libri matematike në gjuhën italiane, “MATEMATICA, per insegnanti e gli allievi delle scuole superiore”, viti 2016. Më pas, në vitin 2024, botoi librin “Analiza Matematike”.

Besoj, se më i miri libër në fushën e matematikës për profesor Alikaj, është libri i pestë universitar, “Analiza Komplekse” për studentët e Universitetit Politeknik.

Po kthehem herët në kohë, në rininë e tij, kur profesor ynë i nderuar kishte një pasion të veçantë edhe për astronominë, madje në vitet 1968-1973, ishte ndoshta i vetmi në Shqipëri që u mor me vrojtimin dhe studimin e Qiellit Yjor. Diçka e rrallë për kohën dhe kushtet tona laboratorike dhe astronomike.

Kolegët, me titull prof. e dr. Shkencash, pedagogë të Universitetit dhe akademikë, i pranojnë dhe i vlerësojnë mendimet, arritjet, madje dhe vërejtjet e tij. Ja si shprehet Luan Omari, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në një letër që i dërgon z. Islam, në vitin 1981: “Vërejtjet tuaja, që na duken të drejta, ia dërguam për kompetencë Ministrisë së Arsimit”. Dhe......  interesant se pas këtyre fjalëve vlerësuese, nuk e lejuan të mbrojë disertacionin në fushën e matematikës. Ne që e përjetuam dhe përcollëm atë kohë pa kohë, nuk çuditemi. “Lufta e klasave” ishte vrastare edhe për njerëzit e ditur.

Profesori ynë i nderuar i mbijetoi kohës. Janë mbi 60 vjet që nuk i ndahet mësimdhënies së matematikës. Edhe sot si konsulent për matematikën, pëlqehet e zgjidhet nga shumë të rinj gjimnazistë e universitarë, që vijnë e marrin mësime plotësuese nga “profesori”, i cili me durim dhe kënaqësi u jep atyre dije, por edhe një pjesë të shpirtit dhe idealizmit të tij. Ndoshta, por jo vetëm ndoshta, kjo është mënyra më e mirë për t’i shërbyer qytetit, Durrësit që e do aq shumë dhe shoqërisë që e rriti, për të lënë gjurmë dhe një emër të nderuar që brezat ta kujtojnë.

Unë nuk i përkas fushës së matematikës, pavarësisht se më pëlqen të shkruaj dhe kam shkruar për “heronjtë” e saj, por më kujtohet fare mirë një bisedë e bërë disa vite më parë, kur Prof. Islami i shqetësuar ngrinte një problem madhor në arsim, lidhur me nivelin e ulët të programit dhe teksteve të matematikës në gjimnaz. E ngriti zërin por nuk e dëgjoi njeri. Pse....? Nuk jam në gjendje ta kuptoj as ta shpjegoj. Mbase në këtë gjendje është ndodhur edhe profesori ynë i nderuar. Kështu ai gjeti një zgjidhje tjetër: - “Për tetë muaj, bazuar në njohuritë e mia dhe orientuar nga teksti mësimor në përdorim, hartova këtë libër “Analiza Komplekse”, për studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës. Detyra e parë ishte ulja e disnivelit gjimnaz-universitet, që vinte nga tekstet e tanishme të matematikës për arsimin parauniversitar”. - Kështu shprehet ai në bisedë.

Dikush mund të pyesë, pse priti 5-6 vjet të hartojë dhe të botojë një libër të tillë......? E them me bindje, se ai nuk ka nguruar, as ka pritur, pasi për të pasqyruar realitetin e ri që sillte përshtatja  e teksteve të  Oksford-it, përveç shkrimeve në shtypin e shkruar dhe bisedave në median vizive, ai hartoi dhe botoi, në vitin 2020, tre libra:

1) “Shpëtoni Matematikën e Gjimnazit”.

2) “Plotësimi teorik i tekstit të Oksfordit për klasën e 9-të”.

3) “Plotësimi teorik i tekstit të Oksfordit për klasën e 12-të”.

Dikush mund të pyesë, se ç’ pasuri ka bërë në këto 60 vjet pune të mundimshme? - Eh, dihet.......! Profesioni i mësuesit nuk bën kurrë pasuri. Ai çdo ditë dhuron pasuri. Të rinjve u jep dije, kulturë, përkushtim e dashuri për komb, atdhe, fisnikëri e qytetari. Ai bën që mijëra njerëz, të thjeshtë e të shquar, ta takojnë e ta përshëndesin me nderim e adhurim.

Jeta dhe veprimtaria e profesor Islam Alikaj, shërben si një model për t’u ndjekur nga brezi i ri i mësuesve të matematikës, pse jo edhe nga studentët me të cilët ka kontakte të vazhdueshme. Gjykoj dhe kam të drejtë të shprehem, se ai është një personalitet i ditëve tona, që rrëfen e kundërshton qetësisht dhe pa u mburrur, atë shembull të opinionit të gabuar, se prodhimtaria intelektuale bie në moshën e viteve të pensionit..... Unë nuk e besoj......! Takojeni profesor Islamin dhe do të bindeni.....!

Si gjimnazist, koleg dhe mik i vjetër, duke njohur një pjesë të mirë të jetës dhe veprimtarisë të profesor Islamit, mendoj se do të ishte me interes një “Monografi” ku të përmblidhej e gjithë jeta e tij, me përplasjet, thyerjet, gëzimet, trishtimet dhe zhgënjimet, ashtu edhe tërësia e botimeve mësimore shkencore. Ku nuk mungohnë mundimet dhe sakrificat që janë të pranishme. Vetëm ata që merren me shkencë dhe krijimtari i dinë, i njohin, i çmojnë dhe i besojnë.

Në qershor 2023, i jepet titulli “Nder i qytetit të Durrësit”.

I urojmë shëndet, fuqi e jetë për të vazhduar sa më gjatë punën e tij fisnike të mësuesit dhe hartuesit të librave mësimor universitar.

Kadri Tarelli

Durrës, më: 03, të Majit, 2025.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx