Mendime
Llesh Ndoj: Shteti s’mund të jetë një akt
E diele, 20.07.2025, 02:06 PM
SHTETI S’MUND TË JETË NJË AKT, POR VEPRIM I VIJUESHËM I INSTITUCIONEVE LIGJORE
Nga
Llesh NDOJ
Të
gjithëve na kanë bërë përshtypje veprimet, si një rrufe në qiell të kthjellët,
të Kryeministrit Edi Rama këto ditë të nxehta në mes të korrikut, me fokus
çlirimin e hapësirave publike në bashkitë kryesore të vendit, kryesisht në ato
rajone ku turizmi është parësorë në aktivitetin e tyre, si Vlora, Durrësi,
Shkodra e Fieri, me paralajmërimin e tij ultimativ se aksioni do të shtrihet në
të gjithë teritorin e vendit. Nuk është hera e parë që ndodh një situatë e
tillë në vendin tonë, bile në shumicën e rasteve, aksione të tilla kanë patur
të njejtin protagonist: Edi Ramën! Kujtojmë periudhën, tashmë të largët, kur
shembeshin objektet e paligjshme në parkun “Rinia” në Tiranë, apo në shumicën e
qyteteve të vendit, kur policia ndërtimore, atëherë e drejtuar nga drejtori i
saj i hekurt Mitat Havari, i shembte pa mëshirë objektet e paligjshme, të cilat
kishin mbirë si kërpudhat pas shiut, në një periudhë kur shteti ishte vërtetë
“kap ç’të kapësh”, ngritur mbi një vizion (në fakt pa asnjë vizion!) tribal të
drejtuesit të kohës Sali Berisha, i cili me dashje e me një program të
mirëmenduar për karieren e tij personale, u bëri thirrje njerëzve të turren
drejt çdo hapësire të lirë. Kjo mund të tipizohet plotësisht si koha e “tokë e
xanun”! Ai aksion, që pasoi një periudhë të mosshtetit, edhe sot gjendet
plotësisht i justifikuar në opinionin e njerëzve, por ai s’mbeti i vetmi…
Le
të kujtojmë ngjarjet në Astir, apo problemet me shpronësimet për ndërtimin e
Unazës së Re në Tiranë, ku pa asnjë program e asnjë marrëveshje sociale, njerëzit
uleshin për të fjetur me çati mbi krye dhe gdhiheshin megjithë dyshek në rrugë
e trotuare. Le të sjellim ndërmend atë nanën mirditore, simbol të qëndresës
atje, që kacafytej me policinë duke shprehur dëshpërimin e saj më të thellë për
djersën e humbur padrejtësisht të bijëve të saj në emigracion, që vetë shteti
po ja dëmtonte pa sanjë justifikim, le të kujtojmë me dhimbje sa loti u derdh,
e sa mallkime u dhanë nga njerëz të pafajshëm, të cilëve vetë shteti ua kishte
“bërë me sy” të vepronin në menyrë të paligjëshme, në këmbim të një vote, apo
edhe në mënyrë korruptive, ku përfaqësuesit e tij, në këmbim të mosveprimit,
kishin mbushur trastat me para. E prap gjendet një justifikim: ato veprime
bëheshin në emër e në interes të projekteve madhore, siç ishte Unaza e Madhe e
Tiranës dhe ofronin edhe ndonjë kompromis social me të prekurit prej tyre.
Po
si mund të justifikohet futja në burg e fshatarëve në skajet më të largëta të
vendit, të cilët në pronën e tyre, pa penguar e dëmtuar askënd dhe thjesht për
një çati mbi krye, bënin ndonjë shtesë objekti! E pajustifikuar dhe me qëllime
jonjerëzore mund të karakterizohet e gjithë ajo situatë, ndonëse brenda
kornizës ligjore. Përsëri protagonist është Edi Rama! Justifikimi: Duhet
ndërtuar shteti ligjorë, ndryshe s’mund të integrohemi në Evropën ku synojmë të
bëjmë pjesë! Prap me vete, me zë e nën zë, shumëkush i ka justifikuar këto
veprime, si hapa të vegjël drejt qëllimeve të mëdha, por që deri më tash kanë
rezultuar “xhirim në baltën”, që e kemi krijuar vetë vit pas viti.
Le
të kthehemi tani tek aksioni aktual dhe mendësia që dukshëm qëndron pas tij.
“Ylli polar” ekonomik i kësaj qeverisje, ka vite që është përcaktuar turizmi.
Ky objektiv jo vetëm ekonomik, ka rezultuar i suksesshëm, të paktën në këta
hapat e tij fillestarë, kur masivizimi, më shumë si eksplorim i të panjohurës
se sa si përmbushje e kërkesave, ka patur efekte të mira, veçanërisht
afatshkurtëra. Disa inisiativa qeveritare, më mirë të themi personale të kreut
të qeverisë Rama, si ajo e investitorëve strategjikë, apo e ashtuquajtura
“paketa e maleve”, rritja e pagës minimale dhe pagat referuese në punësimet në
sektorin e turizmit, e ndonjë masë tjetër e ngjashme me to, mbeten për t’u
përshëndetur. E tillë, për t’u pëshëndetur, është edhe masa e paralajmëruar për
vënien në dispozicion të publikut pa pagesë të hapësirave në plazhe, duke
licensuar për përdorimin e tyre vetëm strukturat hoteliere. Por ç’emër mund t’i
vendosim shembjes në kulmin e sezonit turistik të resortit në Golem para disa
viteve? Po aksionit aktual në Vlorë, Fier, Durrës e Shkodër, në pikun e sezonit
turistik të shumëpritur, si mund t’ia vemë emrin? Ç’imazh kërkon të shpërndajë
zoti Rama tek turistët e partnerët ndërkombëtarë me ato pamje rrenuese në Theth
dhe jo vetëm aty, me lotët e njerëzve, që sa hap e mbyll sytë, iu shemben jo
vetëm kursimet e jetës, por edhe ëndërrat e të ardhmes. Mendoni se ka prej tyre
që kanë lënë emigracionin për ato ëndërra, me qëllim që t’a ndërtojnë jetesën
në vendin e tyre.
Le
të qartësohemi hapur fare, hapur para kujtdo që e lexon këtë shkrim e që mund
t’më paragjykoje si anarshist, apo antishtet: Unë jam për shtetin ligjor dhe në
funksion të ngritjes së tij jam i gatshëm të sakrifikoj edhe personalisht
shumëçka. Por, a është ky shteti ligjorë? Më tej akoma, a bëhet shteti ligjorë
me aksione të tilla, ku protagonist është një individ, qoftë ky edhe i pari i
shtetit, apo shteti është (duhet të jetë, në fakt!) veprim i përditshëm vijues
e ligjorë, i shtrirë njëtrajtshmërisht në të gjithë territorin ku ai e shtrin
ndikimin e pushtetit të vet? Më saktë, në të gjithë territorin ku duhet t’a
shtrije pushtetin e tij, pasi faktet flasin se nuk ndodh kështu. Kjo situatë e
vështirë nuk ka mbërritur deri këtu në një ditë, por ka një historik
kohëzgjatje që flet haptazi për mungesën e shtetit ligjorë, korruptimin e tij
deri në palcë, funksionimin me orekse private e mungesën e autoritetit të
ligjit. E kjo, jo vetëm në Theth, apo në skajet më të largëta të vendit, por
edhe në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, në Fier, në Elbasan, në Shkodër etj, që
janë zemra e vendit, jo vetëm fizikisht, por edhe ekonomikisht e në aspektin e
shtetbërjes. Ky lloj shteti që funksionon me veprime e aksione ditore, me
fushata e teke individuale, sipas mendësive e humorit të një individi, qoftë ky
edhe kryeministri i vendit, vetëm shtet ligjorë nuk mund të jetë! Simptomat e
tij anojnë dukshëm drejt qeverisjeve autoritare, në mos me shenja diktatoriale,
jo krejt për t’u neglizhuar!
Përsëri
e them: Ç’i takon publikut, i duhet kthyer atij, se vetë emri “Republikë”, që
vjen nga “res publica”, ose “gjerat publike”, për të cilat ngrihet e funksionon
shteti, këtë nënkupton, por kjo duhet të realizohet vetëm me ligj dhe vetëm me
procedure ligjore, e kurrë me aksione e fushata! Në rastin e tanishëm, më shumë
se ata të cilëve u janë shembur apo do t’u shemben ndërtimet e paligjshme, të
përhershme apo provizore qofshin ato, unë jam i bindur se po dëmtohet imazhi i
shtetit dhe vetë perspektiva e vendit.
Kryebashkiaku
i Vlorës miratoi dorëheqjet “vullnetare” të bëra me urdhër të Ramës, për 21
drejtorët e asaj bashkie, por a e ka bërë ndonjëherë analizën e pozicionit të
tij si kryebashkiak zoti Dredha? Të ishte burrë i ndershëm e drejtues vizionar,
ose s’do t’a kishte pranuar këtë situatë poshtëruese për të e bashkinë e tij,
duke e yshtur kryeministrin t’a shkarkonte me vendim, ose i ndërgjegjshëm për
përgjegjésitë e veta dhe i paaftë për të ndryshuar situatën nga brenda
institucionit që i është besuar të drejtojë, duhej të jepte menjëherë
dorëheqjen. Të njejtat fjalë shkojnë edhe për demokrato - socialistin e
bashkisë së Shkodrës Beci, për jetëgjatin pushtetar Subashi, e këdo tjetër që
pranon poshtërimin e vartësve të tij, për të mbajtur karrigen e dhuruar nga
Rama. Të them të vërtetën, nuk jam simpatizant personal i kryebashkiakut të
Lezhës, por kam bindjen se ai kurrë nuk do t’ia kishte lejuar vetes një
poshtërim të tillë, plus që shumë veprime të modelit “aksion” i ka nisur vetë,
përpara se t’i niste me porosi nga Edi Rama. Edhe pak më tej akoma: - A është ky shtet i
barabartë në veprim për të gjithë?
Kurrë
nuk i kam pranuar zërat që i japin qeverisjes aktuale nuanca si një qeverisje,
në mos anti, jo dashamirëse me Veriun e Shqipërisë. Edhe kur më janë vënë
përballë argumentat e mungesës së rrugëve, apo vënies së të vetmeve tarifa
pagese posaçërisht në rrugët e veriut, nuk i kam mbajtur anën kësaj ideje, e
cila fatkeqësisht nuk është thjesht një fiksion. Ja! Edhe tani shembulli merr
dhenë e vihet si “çimento” speciale në themelet e një ndarjeje, që nuk duhet të
ekzistoje qoftë edhe si fiksion, propogandë apo ndikim armiqësorë, quaje po
deshe. Në Vlorë, pas disa ditë shfaqjeje të tipit “show” të shëmtuar me
protagonist Kryeministrin, u bë gjeja e duhur: u arrit në një kontratë “win -
win”, sipas së cilës bizneset do t’a vazhdojnë aktivitetin edhe këtë sezon, për
t’iu nënshtruar një rregullimi të përgjithshëm në shtator. Mrekulli… edhe pse
me vonesë e me mosveprim nga organet që kanë status ligjorë për t’a bërë këtë.
Po pse Thethi u kthye në “Kandahar”? Pse ato kioska të vogla që shërbenin për
mbijetesë, u shembën aq shpejt e aq pamëshirshëm Zoti Kryeministër? A nuk është
turp për shtetin kur sheh atë malësorin e varfër që qanë me lot për gjakun (jo
thjesht djersën!) e shkuar dëm? Ju e dini besoj, se malësori me zor derdh lot
edhe kur i ikën djali i vetëm, por nuk e pranon tradhëtinë, pabesinë dhe
fyerjen e dinjitetit njerzorë. Dhe çuditemi pastaj, kur e vetmja pjesë e
harresës shqiptare që “ngjyroset blu” në zgjedhje është Veriu! Veriorët janë
burra të besës, por t’i presësh ata në besë, kurrë nuk është gjetje e zgjuar!
Shteti
ligjorë nuk mund të jetë aksion një apo disa ditorë, por veprim i qëndrueshëm,
shteti ligjorë nuk mund të jetë veprim dhe iniciativë individësh, sado të
fuqishëm e të mençur qofshin ata, por bashkëveprim institucionesh, shteti
ligjorë nuk ka pse ngutet pasi ai i ka në dorë edhe gurin edhe arrën dhe mund
të veprojë! I forti kurrë nuk ngutet, prej trimnie e jo prej tutet! - thotë një
shprehje popullore veriore. Atëherë, pse po ngutet Edi Rama? A është vërtetë “i
fortë” ai, siç e tregojnë numrat në qeverisjen e gjatë e fitoret e
njëpasnjëshme me të cilat dominon gjithë jetën politike të vendit, apo është
një frikacak e diktatoruc që fshihet pas shtetit, për të realizuar ambiciet e
tij personale, shpesh të dyshimta.
Në
se për kaq shumë vite qeverisje, shteti që ke ngritur me duart e tua nuk
funksionon, jep menjëherë dorëheqjen, Zoti Kryeministër, dhe hapu rrugë
zhvillimeve të reja edhe pse është tmerrësisht vonë!