E enjte, 24.07.2025, 09:04 PM (GMT+1)

Kerko: a

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (II)

E enjte, 26.06.2025, 05:00 PM


INTERVISTË ME SHKRIMTAREN SHUMËDIMENSIONALE VILHELME VRANA HAXHIRAJ (II)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në këtë pjesë të dytë të intervistës me shkrimtaren, intelektualen dhe aktivisten Vilhelme Vrana Haxhiraj, do të flasim mbi një nga periudhat më vendimtare të historisë shqiptare – kalimin nga diktatura komuniste në një shoqëri demokratike. Me një zë të ndershëm dhe shpesh të pamëshirshëm ndaj të vërtetave të hidhura, zonja Haxhiraj rrëfen përjetimet e saj personale dhe profesionale gjatë tranzicionit të vështirë pas shembjes së sistemit totalitar.

Ajo flet me kurajë për bashkëfajësinë e shoqërisë në një regjim shtypës, për dhunën morale dhe fizike që ky sistem ushtroi mbi individin, si edhe për mungesën e ndëshkimit real të krimeve të komunizmit në dekadat që pasuan. Si një nga zërat e parë dhe më të guximshëm të grave që u ngritën kundër diktaturës, dhe si themeluese e Lidhjes Demokratike të Gruas në Vlorë, Haxhiraj sjell një perspektivë të thellë mbi rolin e gruas në shoqërinë shqiptare.

Në një rrëfim që bashkon kujtesën historike me ndjeshmërinë humane dhe vlerat qytetare, Vilhelme Vrana Haxhiraj na fton të shohim të kaluarën pa iluzione dhe të kuptojmë se ndërtimi i një shoqërie të drejtë kërkon përballje të sinqertë me gabimet, heshtjet dhe plagët që ende nuk janë shëruar. Kjo intervistë nuk është vetëm një dëshmi personale, por një thirrje për ndërgjegjësim kolektiv dhe përpjekje të vazhdueshme drejt së vërtetës, drejtësisë dhe barazisë.

GM: Si e përjetuat shembjen e sistemit komunist dhe cilat ishin momentet më domethënëse për ju gjatë atij tranzicioni? Si e ndjetë ndryshimin në jetën tuaj personale dhe profesionale?
VVH: Pas vdekjes së diktatorit më, 1985, sikur u duk njëfarë liberalizimi, por bota po eksperimentonte me Shqipërinë nën diktaturën komuniste. Bota duke prerë lëndën e parë të uzinave fabrikave, të industrisë mekanike dhe metalurgjike, asaj të lehtë dhe ushqimore, provonte se sa do të jetonin shqiptarët pa bukë, vetëm me ajër, ujë dhe dritë, të mbyllur si në kopsht zoologjik eksperimental.Të gjitha objektet që jepnin lëndën e parë për jetën, u shndërruan në KADAVRA eksperimentale për të gjetur se cili ishte mikrobi vdekjeprurës i kancerit për shqiptarët. Vit pas viti ekonomia u varfëua. Filloi uria e bukës. Pas rënies së Murit të Berlinit, studentët, rinia, intelektualët shpërthyen dyert e Ambasadave. Të burgosurit shembën telat me gjemba dhe muret e dukshme dhe të padukshme të diktaturës komuniste antinjerëzore. Shqyen dyert e burgjeve, sepse donin lirinë e mohuar dhe të munguar pa bërë asnjë faj. U ngritën jo vetëm për fatin e tyre, por më tepër për gjithë njerëzit që kishte marrë më qafë diktatura e egër komuniste.Rezultati ishte:
-Të pushkatuar; 5548, nga këta,91 gra.
-Të burgosur; 14 5663, nga këta 445 gra.
-Të vdekur në burg; 987, nga këta 7 gra.
-Të futur në psiqiatri; 308, nga këta 35 gra.
-Të internuar e të dëbuar; 21401, nga këta 9322 gra.
U mbushën anijet oqeanike me qindra e mijëra njerëz që kërkonin liri, demokraci perëndimore, shtetin e së drejtës ligjore dhe një Shqipëri si Europa.
Oh, sa shqiptarë mori deti dhe rruga e panjohur e emigrimit. Gjithsesi ata nuk u tërhoqën, edhe me gomone, mes stuhisë detare, vetëm të largoheshin nga kolera marksiste -leniniste. Nënat dhe baballarët ndoqën shembullin e rinisë, u ngritën për përmbysjen e kulteve të regjimit të urryer komunist. Më 21 shkurt, rrëzuan statujën e Diktatorit. Çudi e madhe! Ata që betoheshin për të, merrnin frymë për diktatorin, e hodhën përtokë idhullin dhe e hoqën zvarrë sa hap e mbyll sytë. U rrëzua statuja e Përbindshit Enver Hoxha, por jo “ Ai” dhe as ndikimi i  tij si “udhëheqës i lavdishëm” nuk u rrëzua. Sa mblodhën veten nga kjo e papritur politike, pasuesit e tij që nga të moshuarit e deri te foshnja që sapo lind, vazhdojnë rrugën e tij, duke krijuar një neokomunizëm të sofistikuar. Në duart e trashëgimtarëve, të bijëve, nipërve dhe mbesave janë partitë, krerët e të cilëve kanë pushtetin politik, ekonomik, arsim-kulturën, shëndetësinë, drejtësinë, diplomacinë dhe mediat. Edhe pse gjoja u zgjodh një Kuvend pluralist më 1991, e vërteta është se e djathta ka një vend aq të papërfillshëm, sa asnjëherë nuk mund të bëhet faktor politik, në asnjë instancë të “Pushtetit Demokratik”, sepse kjo shtresë për gjysmë shekulli u denigrua, u mohua derisa u eliminua. Gjithçka mund të jetë ky sistem, por Demokraci, kurrë. Vitet e para si gjithë shqiptarët të etur për liri, edhe familja jonë u angazhua në proceset demokratike. Pas revolucionit evgjito-fshatar të vitit 1997, qysh në 3 shtator të atij viti, Partia Socialiste më nxori përsëri jashtë radhëve të arsimit. Nuk e njihja veten time për kaq të rrezikshme si në diktaturë, edhe tani që ishim në “pluralizëm politik”. Më 26 shkurt, dita e vrasjes së punonjësve të ShIK,( Shërbimit Informativ) në Vlorë, u dënuan me vdekje shumë demokratë, mes të cilëve, edhe ne si familje:  Bashkëshorti, kryetar i grupseksionit të lagjes “28 Nëntori”Fitim Haxhiraj, djali ynë, Vladi sekretar i FRD, student i juridikut dhe unë si Kryetare e LDG,Vlorë. Data 3 shtator,1997, për mua nisi zhgënjimi më i madh për demokracinë, se më pas nuk punova asnjë ditë në arsim. E vetmja gjë që kam fituar është liria e mendimit dhe e fjalës.Atë nuk mundën të ma ndalnin. Që në vitin 1991, u mora me publicistikë dhe më, 1996, theva akullin e heshtjes së detyruar, botova librin e parë poetik. Kjo ka qenë kënaqësia ime, sepse gjeta vetveten e humbur në brazdat e kohës së egër. Porse më e veçanta ishte se fitova diçka të madhe dhe sublime,besimin në vetvete. Për këtë rrëfen fakti që nuk kisha më frikë se më përndiqnin. Kush e ka provuar e di mirë, se të vrashësh frikën, është timëri e madhe. Veç di një gjë që se ideologjia e komunizmit sllav, e rrënjosur te shqiptarët pa ndërgjegjje kombëtare, vazhdoi luftën e klasave që endej si hije dhe tek brezi  tim bir dhe djalit të tij. Çuditërisht kanë ndjesinë se ende janë të persekutuar.A nuk është turp që vazhdon Lufta e Klasave deri në 5 breza?

GM: Cili do të ishte një opinion i pamëshirshëm lidhur me faktin që ne, njerëzit e thjeshtë, iu bashkuam bandës qeveritare komuniste, spiunonim njëri-tjetrin dhe çuam drejt burgut apo varrit politik një numër të konsiderueshëm bashkëfamiljarësh, bashkëqytetarësh apo bashkëkombasish?

VVH: Ju keni të drejtë që e bëni një pyetje të tillë. Sepse të huajt në çdo shtet që kishin pushtuar, spiunët donin shpërblim të majmë me para, kurse në Shqipëri, këtë ves të ulët, pa dinjitet dhe pa asnjë gram kulture, e gjetën falas. Spiunllëkun e duan të gjithë, por spiunin nuk e do askush. Vetëm njeriu me virtyte, ka karakter të fortë dhe nuk dredhon, nuk tradhton në rrugën e gjatë me emrin “jetë”. Nuk jam dakord kur përgjithësoni, se të gjithë ne u bashkuam me bandën komuniste.Jo... Ne themi: Çdo berr* varet nga këmbët e veta(*berr= bagëti e imët.) Spiunllëku, tradhtia, krimi, është ves individual dhe tejet personal. Për mua, për ne si familje,apo për familjen e babait të bashkëshortit, ky ves i ulët, që të bashkohesh me ata që të kanë nxjerrë jashtë ligjit, është njëlloj sikur të lëpish atë që ke pështyrë. Ndaj është gjë e huaj, fyese dhe e papranueshme.Të tillët që janë bërë sahanlëpirës, puthadorë, servilë dhe shërbyes të një sistemi që ngjet me një gjellë që nuk e ke provuar kurrë, e cila as gatuhet dhe as nuk hahet (komunizmi), ishin ata që bashkëpunuan me agjentët jugosllavë, grekë e me Sigurimin e Shetetit, sepse këtë zanat të ndyrë e kanë bërë më parë dhe me çdo lloj pushtuesi. Po të shohësh sot ata i gjenë të punësuar në sferat e larta të shtetit. Janë pikërisht ata që kanë rrëmbyer me dhunë,apo kanë vjedhur dokumentet e pronave të pronarëve legjitimë, të cilat i kanë transkriptuar dhe i kanë tjetërsuar pronarët me sa e sa mbivendosje në Kadastra edhe në Arkivin Qëndror, duke u plotësuar hajdutëve çdo dëshirë. Korrupsioni është  zanat i njerëzve të pangopur, por në opinion janë njerëz të ndotur e të urryer që kanë shkatërruar kushedi sa familje fisnike në vendin tonë. Nga të tillët, unë dhe rrethi familjar i të dy palëve, Haxhiraj dhe Vrana, është përzhëlitur dhe ka vuajtur Luftën e klasave, më të egrën që ka njohur njerëzimi. Të parët që duhet të gjykohen në Gjyqin e Hagës apo Strasburg, janë ata që kanë kryer burgime dhe vrasje me pramendim dhe pa gjyq, s dhe ata që kanë kryer krim ndaj pronarit legjitim dhe kombit, duke shitur jashtë ligjit dhe çdo norme morale apo tradite, pronën e trashëguar ndër breza.

GM: Si e perceptoni realitetin e Shqipërisë gjatë periudhës 1944-1990? Cilat përvoja apo ndikime kryesore kanë formësuar këndvështrimin tuaj për atë epokë? Sipas jush, cilët ishin faktorët dhe elementët kryesorë politikë, ekonomikë, shoqërorë dhe kulturorë që e përcaktuan këtë periudhë historike?

VVH: Unë e kam përshkruar deri diku tmerrin e jetës në diktaturë. Ishte një sitem politik-ekonomik i zymtë, vrstar, përgjues që krijonte ankth tek të gjithë qytetarët pa përjshtim. Pse?

Sepse, edhe gjysma tjetër e përkrahur nga pushteti dhe Partia, nëse dikush prej tyre kalonte kufirin detar apo tokësor pa leje, dënohej me burgim politik njëlloj si një i persekutuar. Kushtet jetike ishin minimale si për ata proparti dhe për ne “antiparti.” Mungesa e strehimit apo jeta 2-3 kurorave ose familjeve në një apartament ishte ligj për të gjithë. Pagat e ulëta apo me të ardhura ekonomike të pakta për çdo famlje, ishte skllavëri, se pas 15 ditësh, nuk kishte asnjë kothere bukë në tavolinë për fëmijët e tij. Shfrytëzimi maksimal i njeriut, kundrejt një page të ulët ishte torturë për çdo prind. Gjendja shvlerësuese për prindin në sytë dhe ndërgjegjen e fëmijëve të tij, si i paaftë për të mbajtur familjen në kushte normale. Zhdukja e pronës private, heqja e oborrit kooperativist, ndërtimi i kooperativave bujqësore e varfëroi familjen shqiptare materialisht dhe mendërisht. Mungesa e pronës është privim i lirisë, zhdukje e ndërgjegjes kombëtare. Prona është lidhur me shpirtin dhe është ajo që përcakton garancinë e pavarësisë për kombin. Prona është tregues i ndërgjegjes kombëtare. Faktorët për një epokë të dështuar kanë qenë të shumtë. Vrasjet pa gjyq dhe burgosjet pa faj, shkaktuan plagë të rënda për shoqërinë shqiptare. Besimi i verbër te partia-shtet, që ia kishte shitur shpirtin djallit (Beograd, Moskë dhe Pekinë), ishte krimi më i madh ndaj një kombi autokton dhe një race liridashëse, që lirinë e barazonte me vdekjen.Liria është shumëdimensionale, por ne na u mohua dhe liria vetjake për çdo bashkëkombas. A nuk është krim që t’i ndalosh qytetarit të drejtën e fjalës, të shtypit, të shprehjes së mndimit të lirë, kur në Angli qysh në shek.XVII, Xhon Milton doli me një kërkesë Pralamentit anglez, për lirinë e fjalës dhe të shtypit. Është një monument historik, libri i tij Aeropagjitika. Kurse tek ne u dhunua, u tradhtua tradita, sepse u ndoq dhe u kopjua një politikë e huazuar nga sllavët,që tjetërsoi origjinën dhe trashëgiminë kulturore, zakonore, traditën e hershme dhe shqiptarizmin. U zhduk Besa e Shqiptarit, që me një të shtrënguar dore, ndanin kufijë dhe sinore.
Faktor tjetër ishte arsimi tejet i politizuar që niste nga fatosat e kopshtit. Tek të rinjtë u edukua deliri i madhështisë për udhëheqësin e Partisë si shpëtimtar dhe dhurues i të mirave materiale të çdo shqiptari. Edukimi i një politike farse që ishte kundër karakterit të shqiptarit. Ekonomia kooperativiste ishte regres për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Niveli kulturor i shqiptarëve ishte i ulët, sepse mbi  interesin inteklektual ndikonte edukimi kulturor politik. Mosvlerësimi i intelektit profesional dhe shkencor të individit,  i dedikohej si vlerë e shoqërisë dhe asnjëherë e personit. Idealizimi fars, politizimi i kulturës, artit të skenës dhe ekranit, artet figurative ( pikturë-skulpturë- kostumografisë marramendëse)dhe muzikës humbi origjinlitetin shqiptarë të trashëguar ndër shekuj dhe mbështetur në pasurinë e pafundme të folklorit kombëtar aq të pasur sa ka zilepsur  botën. Pabarazia mes qytetarëve nxiti mllefin, urrejtjen dhe hakmarrjen mes tyre. Ishte ndërtuar një shoqëri e deformuar, e kalbur nga politika e mbrapsht, e cila nuk i shërbente askujt dhe as kombit.
I nderuar Gëzim dhe lexues!

Ju dhe të tjerët mund të nxirrni akoma më shumë, por unë ballafaqova 18 faktorë që e kanë shpërbërë kombin tonë. Për fat të keq është frika ajo që e ruan vreshtin.Diktaturat e çdo lloji, jetojnë fal dhunës që përdorin xhelatët ndaj shtetasve të pabindur, ose të papërulur, të cilët pa asnjë arsye i emërtojnë “Armiq të Popullit”, pstaj u rrëmbejë pronën e më pas jetën.

GM: A mendoni se krimet e komunizmit janë dënuar siç duhet në Shqipëri? Si e vlerësoni ndryshimin e perceptimit të shqiptarëve për të kaluarën komuniste ndër vite?

VVH: Ndaj popullsisë së trojeve etnike shqiptare, në Çamëri, Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë, Hercegovinë, Kroaci, është ndjekur genocid shfarosës, madje i kanë hedhur si plehra nëpër varre masive. Duke nisur nga Hani i Hotit, 2000 shqiptarë të vrarë nga forcat malazesenë vitin 1945, të hedhur në një gropë. Masakra e Tivarit, tragjedia makabre e regjimit komunist më ,1 prill, 1945, mbi 4000 shqiptarë të vrarë, hedhur në një gropë. Akte më dhunuese dhe tragjike, janë vrasjet makabër, kur nuk zhvillohej asnjë betejë, gjë që dëshmon për një veprim strategjik shfarosës nga pushteti ushtarak dhe politik i Jugosllavisë komuniste. Kjo gjëmë, u bë vetëm për boshatisjen e trojeve të Kosovës, duke mbushur vagonat e trenave për në Turqi, që më vonë të popullohej nga serbët.  Genocidi në Çamëri, vrasja masive e shqiptarëve të Çamërisë, detyrimi i ndjekjes me dhunë dhe i shpërnguljes së 30 000 çamëve. Për Genocidin e 27 qershor,1945, në Çamëri ende mbahet një heshtje misterioze. Masakra e Srebrenicës (Tragjedia e Bosnjës), qershor1995, u vranë 8000 burra nga 12 deri në 77 vjeç. Janë një sërë pyetjesh që kërkojnë përgjigje dhe gjyqe nd/kombëtare:  *Sa shqiptarë të Kososvës i masakruan dhe i hodhën në një gropë, (varr masiv), *a u dënuan kriminelët serbë apo malazes që kanë mbjellë panik në Rajonin perëndimor të Ballkanit? *Si nuk thuhet një fjalë nga BE, apo organizmat ndërkontinentale për genocidin shfarosës të Partisë Komuniste apo Partisë së Punës Shqiptare,ndaj qytetarëve të vet?! Lufta brenda llojit është më e egër, nuk njeh kufi. Si numër popullsie,  Shqiptarët janë kombi më i denigruar, ndaj të cilëve me qëllim shfarosjeje si racë, është ndjekur genocid me të gjitha mënyrat monstruoze. *Kush u dënua penalisht për krimet që kishte bërë?* Cilit anëtarë të Byrosë Politke iu dhà dënim kapital, me vdekje apo u dënua me burgim të përjetshëm? *Kujt iu sekuestruan pronat ose paratë e depozitura në bankat zvicerane apo diku tjetër? *U bënë disa gjyqe qesharake për metrazhe, për dreka dhe darka, por asnjë gjyq politik nuk u bë që të merrnin dënimin e merituar si ndodhi me ne dhe prindërit tanë që u tretën qelive, kënetave, kanaleve vaditëse, hekurudhave dhe Minierave si njerëz pa atdhe, ishin të persekutuarit e diktaturës.* Cili ishte dëmshpërblimi për atë shtresë të mohuar, ata intelektualë të burgosur, të internuar apo të vrarë, që dergjen në varret pa emër,ku u bënë ushqim për gjarpërinjtë dhe mushkonjat? Në vendin tonë ku ka sunduar krimi, tradhtia dhe lufta çnjerëzore ndaj njeriut, që e çmon së tepërmi lirinë, duhej bërë një Nuremberg. Ka 34 vjet që u shemb diktatura komuniste dhe asnjë persekutor nuk kërkoi falje. Por ua morën shpirtin të persekutuarëve, duke u dhënë si lëmoshë për mëshirë nga një kockë që u zvarget në fyt deri sa t’u marrë frymën.Nuk ka turp më të madh për ata,  të cilët deri sa të vdesin do të quhen “ish të burgosur, ish pronar dhe ish të mohuar”. Ky nocion ende bën ndarje klasore mes qytetarëve që thithin të njëjtin ajër. Kjo ngjet me personin që i kanë vënë damkën e turpit në shpatulla. Me këto fakte mentaliteti komunist, (natyrisht jo për të gjithë komunitetin), është po ai i para viteve’90. Mendoj se do të jetë i njëjti epitet për sa kohë që nuk do të dënohen krimet e komunizmit sipas Kartës të së  Drejtave të Njeriut. Duhet shumë kohë të sundojë e vërteta, sepse “Drejtësia është e barazvlertë me lirinë e shpirtit, të cilën e vendos vetëm i vitytshmi”. Po në cilin institucion shtetëror apo të Drejtësisë, janë këta njerëz të arsyeshëm dhe të vetdijshëm?! Korrupsioni dhe trafiqet e drogës, të armëve, të mishit të gjallë, shitja e djemve për trafiqe dhe vajzave për prostitucion, janë damka e turpit e këtij tranzicioni të tejzgjatur, i cili ua këputi shpirtin shqiptarëve për një grimë liri shumëdimensionale , sa nëna i ka lënë me duar në gji. A mund të ketë fituar lirinë vetjake një prind që ka pagën e ulët, apo pensionisti që nuk blen dot barnat për sëmundje?! Kurrë! Sepse ne jemi evropianë, por mjerisht nuk jetojmë si të tillë. Në ç’vend të botës është bërë genocid shfarosës brenda llojit si në Shqipëri?!

GM: Në cilat aspekte të shoqërisë shqiptare mendoni se është ende i pranishëm mentaliteti i periudhës komuniste? A ka fusha ku mendoni se shoqëria shqiptare është çliruar plotësisht nga ky ndikim?

VVH: Mentaliteti është personal, tejet individual dhe është i rrënjosur në ndërgjegjen e secilit. Çdo njeri dëshiron të ndryshojë dhe të përqafojë të rejat që i ofron një kohë e re, më e zhvilluar, por e ka të vështirë të harrojë dhe të braktisë ato ide me të cilat është mbrujtur ndër breza. Një aspekt që i mban lidhur me të shkuarën e errët, është lëvizja demokratike e pakontrolluar. Pas vitit 1990 e në vazhdim, fshatari braktis shtëpinë dhe pronën, tokën e tij e lë djerr, vjen në qytet e gjithë ditën mat bulevardin me këmbë ose ulet në bare, duke reflektuar kulturën e tij të ashpër. Sipas zonave nga kanë migruar reflektojnë një kulturë të egër dhe heterogjene. Çudi, lënë në mëshirën e fatit pronën (dheun e mëmës dhe të atit) dhe shkojnë argat te greku, te italiani apo të çdo kombësie tjetër. Kudo që shkojnë, sjellin regres dhe vrazhdësi në qytetërim. Thuhet:“S’ka fshat, pa zanat!” Do të thotë se secili ka dialektin e tij gjuhësor, flet ashpër, me zë të lartë dhe me fjalor vulgar, ka zakonet e veta prej të cilave vetëm vdekja e ndan. Po në mënyrën e vet të jetesës krijon marrëdhënie të tjera në komunitet. Ky fluks i fshatit drejt qytetit, prish rregullat e qytetarisë të vendosura qysh në themelimin e qytetit. Kultura e ulët qytetare që importojnë të migruarit nga zonat e thella rurale, reflekton në disa dukuri që janë kundër normave edukative të qytetarit. Të rinjtë e fshatit e sidomos vajzat, hapen shumë shpejt si “vaji në lakra”. Sa zbresin nga fshati, përqafojnë menjëherë modën ekstreme të reklamave në ekran të televizionit. Veshja jashtë normave, me minifundin një pëllëmbë dhe me dekoltenë që zbulon gjysmën e trupit, nuk është as kulturë dhe as qytetari. Është injorancë. Normaliteti i jetës, është i ngulitur në tru dhe varet nga këndvështrimi, me të cilin e sheh botën. Marrëdhëniet me botën kanë ndryshuar mënyrën e jetesës, si dhe synimet për jetën, për ta bërë atë sa më të plotë, të begatë dhe të lumtur, vetëm përmes kulturës. Ndaj familja e ditëve tona i ka dhënë prioritet edukimit dhe arsimimit të brezit të ri. Shumica e prindërve insistojnë në edukimin e gjithanshëm të fëmijëve për t’u bërë zotër të vetes. Kultura pas viteve’90 si, letërsia, muzika, teatri, piktura, skulptura dhe arkitektura, kanë avancuar, janë zhveshur nga doktrinat standarde të detyruara. Në këto fusha të talenteve njerëzore, punohet në mënyrë të pavarur, gjë që tregon se artisti i çdo gjinie është vetvetja. Secili pasqyron botën e tij të brendshme pa ndikime partiake apo politike, por vështron nga këndvështimi i tij mbi gjithçka që e rrethon.

   Si individ kam një vërejtje, se muzikantët duke u kthyer në dasmaxhi, kanë bastarduar folklorin dhe origjinalitetin e veshjeve, që për larminë e tyre, kanë zilepsur vendet e tjera.

GM: Si i përballuat sfidat e periudhës së kalimit nga një sistem totalitar në një shoqëri demokratike, pas rënies së komunizmit? Cilat ishin momentet më të vështira për ju gjatë kësaj periudhe të ndryshimeve të shpejta dhe të thella? Si e përjetuat pas-monizmin dhe çfarë ndikimi pati kjo periudhë në jetën tuaj personale dhe profesionale?

VVH: Në fundvitet ‘90, isha e sëmurë me hemoragji nga stomaku. Komisioni mjekoligjor ma kishte ndaluar punën e rëndë fizike. Ndërkohë punoja në arkën e ndërmarrjes së shërbimeve qytetare. Nga viti 1987, dëgjoja pëshpërimat për ndryshimet që do të ndodhnin. Kishte kohë që përgjegjësi ynë,(komunist edhe pse ishte me tri klasë shkollë), një ditë tha:“Mblidhni lekë, i ruani se më vonë nuk keni për t’i parë me sy”. Pas ca vitesh, kur ra Muri i Berlinit, 1989, më erdhi shefja e kuadrit e më tha:“Më vjen keq, po duhet ta lësh punën se kjo arkë do të suprimohet”. Nuk kundërshtova. Dhe atë vend pune të përkohshëm e kisha, sepse pas vitit 1985, pati një farë liberalizimi të lëvizjes së qytetarëve. Pas 3-4 ditësh më ra rruga andej, kur shoh një komunist më kishte zëvendësuar në arkë. Pas demonstratës së janarit 1990, ndërmarrjet u mbyllën dhe gjithçka, çdo material dhe dyqanet ua ndanë punëtorëve, sigurisht atyre që ishin anëtarë partie, kundrejt një shume qesharake. Ata e çuan deri në fund luftën e klasave, duke na lënë ne të mohuarëve me gisht në gojë. Kur u krijua bërthama e parë e PD, pas bashëshortit, u anëtarësova dhe unë. Ishim anëtarë të PD, por nuk guxonim ta thoshnim publikisht. Më pas, filluam të dy, bashkëshorti dhe unë të trokinim portë më portë tek të afërmit, miqtë dhe shokët tanë, veçanërisht te familjet e persekutuara. Atë kohë ishte trimëri të vrisje frikën, se kishte ndodhur që na e përplasnin derën në fytyrë dhe me urrejtje, duke na quajtur “fashist”. Ndërkohë regjistroja edhe emrat e zonjave që dukeshin optimiste dhe të etura për të drejtat e munguara.

Hapat e ndryshimit rrënjësor të jetës u hodhën në janarin e 1990, kur fillova punë me kontratë në arsim. Që të nisja punë definitive, më kërkuan një vërtetim, që më kishin nxjerrë nga radhët e arsimit për arsye politike.
Bashkëshorti im, Fitim Haxhiraj, shkoi në arkivin e Seksionit të Arsimit për të marrë dëshminë. Sa i hodhi një sy, i ra këmisha nga krahët, kur lexoi, se unë isha e bija e Armikut të Popullit që kisha lyer duart me gjak, kur unë ende nuk kisha lindur.
Në vitin 1993, Ministria e Brendshme më pajisi me Statusin e të Persekutuarit. Nga viti 1967-1990, për mua dhe familjen time, ishin 24 vite jete si në burg me tela me gjemba dhe mure betoni të dukshëm e të padukshëm.
Fillimi i një epoke të re ishte i vështirë për gjithë shqiptarët, se nga një sistemi i centralizuar diktatorial, u kalua në një sistem të decentralizuar. Hedhja e themeleve të demokracisë nga hiçi, pa përvojë, pa buxhet, pa mjete në të gjithë sektorët, pa specialistët e çdo fushe të ekonomisë, kulturës apo drejtësisë, të cilët nuk njihnin ligjet dhe rregullat e panjohura të një shteti demokratik, kishte përplasjet e veta. Ishte kohë e egër, ku mbretëronte zija e bukës. Vendin e kishte mbuluar varfëria, mungesa e energjisë elektrike, uji ishte me orar, me institucione të shkatërruara sikur kishte rënë bomba atomike. Me dyqane të boshatisura, arkat i kishin lënë bosh. Papunësia, uria ishte ulur këmbëkryq në çdo vatër shqiptare ,pasojë e tyre ishte emigracioi klandestin. Godinat e shkollave ishin si hani pa zot. Ç’binte jashtë, futej brenda. Gjithsesi mësimi vazhdonte. Pas vendosjes së pluralizmit dhe fitores së PD më 1992, pas formimit të institucioneve të larta të pushtetit, Qeveria Meksi duhej të merrte masa për të siguruar kushtet minimale të jetës së qytetarëve. Nga të gjithë bashkatdhetarët kërkohej durim, vullnet dhe gjetje mundësish për vazhdimin e jetës. Ne, me gjithë mangësitë,  ia arritëm synimit për hedhjen e themeleve të demokracisë.
Kthesa e hapur, më e drejtpërdrejtë, politike, ekonomike, kulturore dhe diplomtike e ndjekur nga programi i PD, ngjalli shpresat e humbura të çdo qytetari. Por dardha e ka bishtin prapa...

GM: Ishit një nga gratë e para që u ngritën kundër diktaturës. Jeni edhe themeluese dhe ish-Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas – Dega Vlorë. Çfarë e frymëzoi angazhimin tuaj dhe si ndikuan këto eksperienca në formimin e personalitetit dhe qëndrimeve tuaja ndaj ndryshimeve shoqërore dhe politike?

VVH: Prej gjysmës së shqiptarëve të mohuar unë isha njëra prej tyre që më ishte mohuar çdo liri dhe e drejtë humane. Mbi të gjitha më ishte mohuar profesioni që adhuroja. Për 40 vjet, nga viti 1950 deri në vitin 1991, kam jetuar nën një trysni nënvlerësimi social, sikur kisha bërë krimet më makabre të shekullit. Të jetosh si skllav në tokën e të parëve të tu me emër në histori, nën një mbikqyrje e survejim mbijetese, është një plagë e hapur që kullon më tepër vrerë se sa gjak. Persekucioni në vetvete është plagë e pashëruar e shpirtërave të munduar dhe të humbur njerëzorë. Të shëputësh zinxhirët e skllavrisë, mos të të trajtojnë dhe mos të të shohin më me urrejtje antinjerëzore dhe përbuzje, është fitore. Është njëlloj sikur ke rilindur. Deri në vitin 1990-91, isha një e humbur, e burgosur në vragat e kohës së egër diktatoriale, këtë bashkë me mua e vuanin bashkëshorti dhe të dy fëmijët tanë, të cilët trysninë e luftës së klasave e kishin hequr duke ua vrarë ëndrrat dhe dëshirat e tyre fëmijënore. Nuk e kishim moralisht të lehtë ne prindërit, për dy fëmijët, kur vajzën tonë 11 vjeçare, violonçeliste e talentuar, anëtare e Orkestrës Simfonike, një ditë para Kongresit të V të Frontit Demokratik që u zhvillua në Vlorë, i thanë : “Ermelinda, ik në shtëpi se ty nuk të lejohet të marrësh pjesë në këtë koncert”. Akoma më e hidhur ishte, kur babanë e tyre e zbritën nga skena pas 24 vitesh debutim në gjithë skenat e qyteteve të vendit dhe në shumë fshatra, ku ka ngritur grupet artistike. Fitim Haxhiraj ka punuar me grupe aristike në ndërmarrjet dhe nëpër shkollat e qytetit. Fillimisht në Shtëpinë e Pionierit si valltar. Kaloi kërcimtar i Shtëpisë së Kulturës, pastaj në Estradën e Vlorës. Në 50 vjetorin e Çlirimit,1962, luajti dy role të veçanta jo vetëm si kërcimtar, por edhe si aktor, në teatrin e Vlorës, “Fundosja e Skuadrës”, dramë e Sergei Bondarçuk, me regji të të madhit Kujtim Spahivogli. Në vitin 1964, kreu kursin intensiv të Baletit për koreografi me Mjeshtërit më të mëdhenj të skenës shqiptare. Në vitin 1966, në një numër të estradës, Fitimi vuri vallet e tij në skenë, në turne një mujor nëpër qytetet e vendit, ku mora pjesë edhe unë si kërcimtare. Pas specializimit për koreografi, pranë Ansamblit të Shtetit, punonte si koreograf. Në vitin 1972, vallet e tij u kërcyen dhe u duartrokitën në Kosovë e Maqedoni, kurse atij iu ndalua të shkonte. Çudi e madhe, vallet e tij u brohoritën, por emrin e koreografit nuk e prezantuan. Ai vinte nga një familje atdhetare, pjesëmarrëse në Luftën e Vlorës dhe atë  Çlirimtare, megjithatë e zbritën nga skena, se ishte martuar me armiken e popullit. Ju lutem, më thoni: “A kisha më gjë për të humbur?!”
Këto ishin arsyet që, qysh në demonstratën e Vlorës për përmbysjen e diktaturës, mora pjesë bashkë me tim shoq, Fitimin. Madje ishte ai që më nxiti që të bëhesha faktor në lëvizjen demokratike. Bashkë nisëm anëtarësimin e zonjave dhe vajzave që të krijonim organizatën e gruas demokratike. Ishim gati ta deklaronim  Organizatën e Gruas. Në qytetin e Vlorës, më, 1914, ishte formuar e para organizatë e pavarur e gruas në vendin tonë, me kryetare znj.Zehera Delvina, bashkëshorten e Kryeministrit Sulejman Delvina dhe sekretare Marigo Pozio. Kurse anëtare, ishin zonjat më fisnike të Vlorës e Kaninës.Kjo organizatë kishte dhe gazetën e saj “Shpresa Kombëtare”. Në gjurmët e saj ecëm edhe ne, pas 78 vitesh, por kishim shumë pengesa dhe mangësi:
Së pari, na mungonte përvoja e organizimit dhe trajtimit të problemeve të këtij segmenti vlerash i mohuar ndër shekuj.
Së dyti, nuk kishim një zyrë ku të punonim, as telefon, as mjet komunikacioni.
Së treti, na mungonte financa. Bindja ime ka qenë që, Lidhja Demokratike e Gruas të ishte e pavarur që të vetvendoste dhe jo ta hiqte për hunde politika. Këtë e dëshmojnë disa fakte. Ne ishim gati të deklaronim formimin e L.D G, Vlorë, qysh në qershor të 1991, por ishim të kushtëzuara se duhej të prisnim sekretarin politik të PD që të kthehej nga një trajnim në Itali e Francë. Pas 7 mujash,ai  u kthye dhe u mblodhën rreth 100 zonja nismëtare. Pas diskutimeve u votua për kryesinë, nga e cila doli Kryetare themeluesja Vilhelme Vrana Haxhiraj. Partia Demokratike Vlorë, ishte një parti burrash, asnjë grua në kryesinë e saj. Pas shumë diskutimesh dhe artikujsh nga ana ime, pas dy vjetësh, u pranuan tri zonja dhe në zgjedhjet e 1996, u futën 5 zonja, ku nisi t’u dëgjohej fjala. Unë u zgjodha anëtare e Këshillit Kombëtar të PD dhe në Kryesinë e LDG Shqiptare. Gjatë vitit 1992, mora takim me kryeministrin Aleksandër Meksi, të cilit i kërkova ndihmë financiare për LDG.Ai u pëgjigj: “Vilhelme, BGSH e ka lënë arkën bosh. Kërkoua atyre dhe filloni punë!” Më 8 prill, 1992,unë me Fitimin,pritëm te shtëpia e tij Prof.dr.Berishën për një takim. Përmes Znj. Liri më dërgoi fjalë, që ta prisja në Selinë e PD. Sa hyri në sekretari te Eda Hyka, m’u drejtua:
- Znj.Vilhelme, çfarë kishe?
-Unë nuk bëj bisedë në rrugë, Profesor Berisha.
 -Urdhëro në zyrë.

U habita kur më rrethuan dhjetëra gazetarë të huaj për intervistë.Në praninë e tyre i parashtrova kërkesat e mia për lirinë, të drejtat e Gruas dhe barazinë gjinore, i cili më dha përgjgje pozitive. Më tha që t’i drejtohesha Kuvendit. Isha e para që mësova nga gazetarët e huaj se atë ditë Prof. Dr. Berisha, shpallej President i Republikës Demokratike të Shqipërisë. U nisëm për në Vlorë. Gjatë rrugës, në orën 15, u dha lajmi i shumë pritur: “Prof.dr.Sali Berisha u zgjodh Presidenti i Parë i Demokracisë në Shqipëri”. Mblodha kryesinë e LDG për lajmin dhe u parashtrova kërkesat për të drejtat dhe liritë e gruas, me të cilat formulova peticionin, drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Z. Pjetër Arbnori. Në muajin Gusht 1992, me rastin e fitores së zgjedhjeve vendore të PD, zonjat më fisnike dhe të bukura të Vlorës, LDGVlorë organizoi takimin me kryetarin e Bashkisë, z. Elham Sharra, në godinën e turizmit-“Adriatik”-ka qenë një takim shumë i bukur dhe i paharruar.

Më, 25 Nëntor, 1992, organizuam Konferencën e Parë Mbarëkombëtare të LDG me zonja nga gjithë qytetet e vendit. Na nderoi zv/kryeministri Bashkim Kopliku me zonjën e tij. Ishte një ngjarje historike për gruan vlonjate dhe shqiptare në tërësi.Qysh në vitin 1992, mora takim me ambasadorin italian i akredituar në Tiranë, Shkëlqesinë Torquato-Kardili dhe më pas me ambasadorin Paolo Foresti, për legalizimin e refugjatëve dhe bashkimin faniljar. Këto përpjekje ishin një shtysë e madhe, për përshpejtimin e proçedurave ndërshtetërore,  Itali-Shqipëri.
Ishte bukur, kur burrat që kishin gëzuar çdo të drejtë,dëgjonin me vëmendje mendimet e zonjave në Kongresin e Parë të LDGSh, 5 mars, 1993, që e drejtonin tri zonja; Flutura Hasko, Ilmie Mara, dhe Vilhelme Vrana.Në fjalën time unë drejtova një thirrje: “Zotërinj, çfarë keni ju më shumë nga ne? Në arsim jemi të barabartë, në intekelekt gjithashtu, si dhe në profesionalizëm jemi po të barabartë. Familjen e ndërtojmë bashkë, ekonominë e ngrehim bashkë, atëherë pse mos të drejtojmë bashkë politikën dhe shtetin?!” Këto fjalë tërhoqën vëmendjen e mediave të huaja, të cilët më intervistuan. Për tri legjislatura e mbajta Lidhjen Demokratike aktive, fal ndihmës financiare dhe mjeteve të komunikacionit prej bashkëshortit tim Fitim Haxhiraj, se nga PD, nuk kisha marrë as dietë dhe as një litër karburant.Për 9 vjet që e drejtoja organizatën, për të gjitha shpenzimet ishte përgjigjur familja ime. Më 23 Tetor, 1993, me dy autobusa me Zonjat e LDG Vlorë, shkuam në Himarën autoktone shqiptare. Aty zhvilluam një seminar me tri tema;
*Himara në shekuj.
 *Shkolla e parë shqipe në Himarë e hapur nga Nil Katalani më 1667.
*Shqipëria në hapat e parë të demokracisë.
30 tetor,1993, konferencë me inetektualët,në Pallatin e Kongreseve.  Aty ringrita problemet e gruas dhe kujdesin e PD dhe shtetit demokratik për Himarën autoktone shqiptare, se kërkon ta aneksojë Greqia si minoritet.

Marrja me politikë sidomos me emancipimin e gruas e të shoqërisë ishte detyrë sublime, e cila më bëri të jem kjo që jam sot.Vitet që pasuan ishin të ngarkuara me seminare si ai i Hans Zajdel dhe i Universitetit Misisippi, të cilët ndikuan në seminaret e zhvilluara në zona të ndryshme të qarkut Vlorë, lidhur me fenomenet që sjell emigracioni, si ato sociale; krimi, droga, prostitucioni, shtatëzënia në moshë të mitur, rritja e interesit për historinë, kulturën dhe integrimin e vendit, si dhe rritja e nivelit kulturor, mes arsimimit.

GM: Si e vlerësoni trajtimin e rolit të gruas në shoqërinë shqiptare që nga vitet pas 1990-tës? Cilat janë sfidat kryesore me të cilat gratë përballen sot dhe si mendoni se kanë evoluar politikat dhe ndryshimet kulturore në mbështetje të përmirësimit të pozicionit të tyre në shoqëri? A mendoni se janë bërë përparime të konsiderueshme, apo ende ekzistojnë pengesa të mëdha që duhen kapërcyer për të arritur barazinë e plotë gjinore?

VVH: Gruaja shqiptare i ka treguar vlerat e saj qysh në antikitet. Shembulli më i mirë ishte Mbretëresha Teutë që udhëhoqi Luftën e II- Iliro-romake. Çdo epokë ka nxjerrë emrat e ndritur të saj. Si para dhe pas 1990, vlerat e gruas kanë qenë, janë e do të ngelen të veçanta, si pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e historisë kombëtare.
*Maro Konda u flijua me fëmijën në barkë,duke tërhequr në greminë 2 taborre të ushtrisë osmane në vitin 1537. *Nora e Kelmendit, trimëresha shqiptare e shek.17- e famshme për bukurinë dhe trimërinë, vret pashain në Shkodër, i cili do ta bënte shkrumb e hi Malësinë e Madhe, nëse Nora nuk bëhej gruaja e tij. Gra si këto që u shndërruan në heroina, janë : *Janica Martinaj, e cila zuri vendin e babait e udhëhoqi kryengritjen e Malësisë së madhe (Vraninë,1911, për të cilën shkruanin gazetat New York Times  dhe Le Petit Journal- Francë)duke quajtur Zhana D’ark shqiptar. *Legjendarja Laskarina Bubulina, kapitene e flotës detare në revolucionin grek 1821. *Shote Galica, nusja që ngjeshi armët,një javë pas martese. *Elena Lukrecia Peshkëpia, që sfidoi me doktoraturën në filozofi, më 1678. *Humanistja Dora D’Istria,një nga 10 femrat  e shquara të shek.XIX. e sa të tjera të cilat do t’i gjeni te librat studimor VVH,  Elitat e Mohuara” dhe LDGVlorë.
Ndaj me të drejtë jam shprehur në librin “Lidhja Demokratike e Gruas” Vlorë, 6.2.2022 :
*Gruaja është  embrion i njerëzimit, prej së cilës lind e bukura, Jeta. *Gruaja është lulëzimi dhe zhvillimi i jetës mbi tokë.
 *Familja ose“shteti i vogël”, bërthama e një kombi, ndërtohet nga gruaja dhe burri.
*Gruaja vitale ka forcën, jo vetëm të ngrejë një perandori, por dhe ta shkatërrojë atë.
*Ekzistenca e shoqërisë njerëzore mundësohet nga dy segmente, femra dhe meshkuj.
*Historia jonë kombëtare është e lidhur ngushtë me jetën, veprimtarinë dhe sfidat e gruas.
*Nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore, drejtësia dhe fatet e kombeve të mëdhenj apo të vegjël.
*Shtëpinë e ndërton sipas shijeve femërore, gruaja, por namin e merr burri, sepse ai njihet si zot shtëpie.

Gratë, si në botë dhe në vendin tonë kanë luftuar dhe luftojnë për të drejtat e tyre, duke dalë jashtë kornizave të kohës, janë bërë vetvetja në mbrojtje të jetës, moralit dhe atdheut. Modeli më i mirë ishin amazonat shqiptare. Në vitin 1990, pa pyetur askënd, ato dolën krah të rinjve që u ngritën kundër diktaturës për ndryshim. Me dëshirën e tyre formuan Lidhjen Demokratike të Gruas. Duke i dhënë prioritet aftësive intelektuale, arsimore dhe profesionale, dolën me kërkesa për barazi gjinore. Kanë kërkuar të marrin pjesë në jetën politike, ekonomike dhe juridike me të drejta të barabarta me burrat. Për fat të keq asnjë burrë nuk e lë karrigen për një grua, pasi secila për meshkujt është thjesht një riprodhuese e jetës, siguron trashëgimin, apo një shërbëtore e familjes, pa marrë parasysh vlerat intelektuale që ka. Nuk mendohet ndryshe, kur në 34 vite pas rënies së diktaturës, nga PD e Vlorës, asnjë zonjë nuk ka ngjitur shkallët e parlamentit, të ministrive, apo Bashkisë, Prefekturës apo në Drejtësi. Përse vallë? Burrat janë aq shpirtvegjël dhe egoistë, sa i përdorin gratë nëpër fushata që të punojnë për të fituar kandidatura e një burri. Gratë qenkan të zonjat të flijohen për demokracinë duke votuar për burrat. PDSH vendosi një kriter përfaqësimi për zonjat. Vendosën që 25% e më pas 30%  të parlamentarëve do të jenë gra. Kjo shifër fiktive për mua si individ, është e papranueshme, se nuk është përzgjedhje demokratike. Gratë duhet të jenë në gjendje të përballen me burrat, të pranojnë sfidën jo pse janë delikate, por duhet të bëhen faktor publik dhe faktor politik, në demokraci e të përfaqësohen me arsim, kulturë, intelekt dhe profesion. Në zgjedhjet e vitit 1996, u propozova dhe u përzgjodha Kandidate për Deputete në të pesë rajonet e Vlorës. Në mbrëmje më uruan nga Tirana se dola figurë e pastër, kurse në mëngjes, “X” person e sollën nga Greqia dhe vendosën emrin e tij si dhe të Kryetarit të PD Vlorë, që nuk ishim në listën kandidaturave.Për analogji po jap dy shembuj: Në fushatën që po zhvillohet, u kandidua një zonjë e kulturuar me nivel të lartë arsimor, Alta Azizi Haluci, pedagoge në Universitetin “Ismail Qemali”në Vlorë, me gradën Doktor dhe është Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas Vlorë. Pas përzgjedhjes, ajo ngeli në listën e hapur. Po kështu kandidate ishte dhe mjekja Nada Daullja. Për fat të keq votat e tyre u shkuan të tjerëve. Ky mosvlerësim është mëkat dhe turp. Demokratët e Vlorës, si duket vazhdojnë t’i shikojnë shtrembër zonjat, kur asnjëri nga të zgjedhurit nuk matet me aftësitë e tyre. Veçse fatkeqësi e dy zonjave të nderuaa, është të qenit femër. Duhej të kishin një pseudonim mashkulli, si Zhorzh Sandi, apo Dora D’Istria, humanistet e shek XIX. Duhet shumë punë kundër mendësive të mesjetës dhe të diktaturës komuniste që e shndërroi gruan në shtojcë të burrave.Vetëm duke i dhënë vlerat e duhura gruas,atëherë ajo do të zerë vendin e saj denjësisht në shoqëri. Gjithmonë insistoj nëse ajo bëhet faktor në media, ku të jetë model e të jap mendimet e saj për integrimin e kombit. Gruaja është si puna e ujkut. “Sikur ujku ta dinte se sa i zoti ishte, do kishte bërë kërdinë në bagëti”.Edhe gruaja nuk e di se ç’forca ka brenda qenies së saj.Daljes së gruas atje ku e meriton, me të gjitha normat morale, arsim, kulturë dhe pofesioalizëm, pengesë i bëhet egoizmi mashkullor, që ka smirë, e cila po të kishte qenë mikrob, do të kishte infektuar gjithë njerëzimin. Unë jam që çdo grua të arrijë nivelet e larta politike, shtetërore dhe diplomatike, por duke pasur parsysh lirinë vetjake, pra të jenë vetveja , por kurrë lirinë pa kufi.



(Vota: 91 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (XI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (X) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (IX) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe botuesin Kalosh Çeliku (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli – Kombi Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VIII) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VII) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (VI) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli - Politika Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sabile Keçmezi–Basha (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli - Kosova

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx