E enjte, 24.07.2025, 11:13 PM (GMT+1)

Kerko: a

Blerim Latifi: Prishtina dhe ushtritë e huaja

E enjte, 12.06.2025, 06:59 PM


PRISHTINA DHE USHTRITË E HUAJA

Nga Prof. Blerim Latifi

Vjeshtë e vitit 1689. Një ushtri europiane, nën komandën e Gjeneral Pikolominit depërton në Kosovë dhe e merr Prishtinën. Për tre muaj ajo frymon si një qytet europian.Një ëndërr e bukur që zgjatë fare pak. Murtaja shkatërron ushtrinë çlirimtare dhe shqiptari i madh, që e projektoi këtë ëndërr, Pjetër Bogdani, bie vetë viktimë e murtajës. Ushtritë osmane, të përforcuara me njësi terroriste tartare të Krimesë, e kthejnë përmbys gjithçka. Në dy shekujt pasues Prishtina zhduket nga historia. Fizionomia e saj: një katund i madh, i varfër, i heshtur dhe i harruar nga të gjithë.

Vjeshtë e vitit 1912. Një ushtri serbe, pa rezistencë të madhe, futet në Prishtinë. Qyteti përjeton natën e tij të Shën Bartolomeut. Një kronikan i kohës shkruan: Në Prishtinë njerëzit vriteshin si lepujt.

Fiks tre vite më pas një ushtri e madhe austro-hungareze i dëbon serbët dhe e çliron Prishtinën. Qyteti merr frymë i lirë. Për tre vite me radhë.

Vjeshtë e vitit 1918. Fati i qytetit përmbyset edhe një herë, për keq. Ushtria serbe rikthehet. Bashkë me të edhe terrori, i cili normalizohet. Për plot 23 vjet rrjesht.

Prill, 1941. Një ushtri italiane futet në Prishtinë. Shqiptarët e terrorizuar me dekada, e presin si çlirimtare. Përsëriten tri vitet e lirisë austro-hungareze. Prishtina jeton Rilindjen Kombëtare. Fëmijët e saj për herë të parë mbajnë në duar abetare në gjuhën shqipe.

Vjeshtë, 1944. Brigadat partizane jugosllave futen në Prishtinë. Bashkë me to një formë e re terrori: terrori i kuq. Qindra njerëz, pasi pushkatohen pa gjyq, zhduken në varret masive në lindje të qytetit.

Qershor, 1999. Trupat britanike të NATO's nga jugu dhe njësitë e UÇK-së nga veriu, e çlirojnë Prishtinën nga serbët. Ajo kthehet në kryeqytetin e shtetit më të ri në Europë.

Mjafton kjo kronologji e vajtje-ardhjeve të ushtrive në Prishtinë për të kuptuar se me cilat erdhi liria e saj e me cilat shtypja e robnia e saj.

Historia është paparashikueshme në tërësinë e saj, por disa gjëra mund të shquhen në horizontin e afërm të se ardhmes: Liria e këtij qyteti do të varet nga besnikëria e tij ndaj të vërtetave të kësaj kronologjie ushtarake.

________________

Secili që e njeh mirë historinë e Kosovës të shekullit XX, e kupton dhe e ndjen se bashkë me 28 Nëntorin dhe 17 Shkurtin, 12 Qershori përbën datën më të shenjtë të këtij vendi. Sepse të triumfosh mbi një shekull përpjekjesh të organizuara për asgjësim kolektiv, është mrekullia vetë. E shenjta nuk është asgjë tjetër veçse tregimi mbi mrekullinë. E ky tregim duhet ruajtur, që e ardhmja të ketë trajtën e synimeve tona dhe të mos rimoj me të kaluarën. Kushti themelor është ai që na vjen nga urtësia e shekujve: patriotizëm dhe dije.

________________

Bujar Bukoshi, i cili vdiq, me siguri është njëri ndër politikanët dhe veprimtarët më të sharë e më të akuzuar në historinë më të re të Kosovës.

Akuzat dhe sharjet i kanë ardhur nga të gjitha palët e përfshira në këtë histori.

Por ata që i njohin mirë rrethanat e kohës në të cilën ai veproi dhe e kanë aftësinë për t'i gjykuar me realizëm dhe objektivitet ngjarjet historike dhe protagonistët e tyre, e dinë se Bujar Bukoshi e kishte përmbushur detyrën e tij patriotike, ashtu siç duhej e siç e kërkonte koha dhe mundësitë reale të saj.

Si pak të tjerë ai e kuptoi se kur ishte momenti që të largohej nga skena politike dhe me këtë tregoi se ai besonte sinqerisht tek politika si detyrë patriotike me afat të caktuar dhe jo si karrierë e përjetshme personale.

Është mungesa e këtij virtyti që politikën tek ne e bën të jetë kryesisht një shkathtësi e shtyerjes me brrylla, pra një shkathtësi që më shumë krijon se që zgjidhë probleme.

Me vdekjen e tij Bujar Bukoshi na e kujtoi këtë leksion të çmuar dhe njëkohësisht edhe kohën kur në këtë vend besohej seriozisht se ai që merret me politikë duhet të ketë prapa vetës përvojë dhe bagazh intelektual e profesional të verifikuar.

________________

Lulëkuqet në Kodrën e Shenjtë të Llapushnikut. Tutje Lugina e Drenicës. Në hermeneutikën e simboleve të Paul Ricoeur lulëkuqja simbolizon dimensionin tragjik të historisë: ngjyra e kuqe e saj shpreh kujtesën e vuajtjeve, dhimbjeve e sakrificave të së kaluarës, ndërsa brishtësia e petaleve të saj shpreh lehtësinë e shpejtësinë me të cilat popujt i harrojnë ato.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Blerim Latifi: A është virtyt patriotizmi? Blerim Latifi: UÇK, shkolla më e mirë për të luftuar për një kauzë të drejtë me dinjitet Blerim Latifi: Miti i Sizifit dhe Kuvendi i Kosovës Blerim Latifi: Vuçiç, i përkëdheluri i Bashkimit Evropian, qëndron në krah të Putinit Blerim Latifi: Prej vitesh kemi thënë se ekstremizmi islamik në Kosovë është projekt i inteligjencës së shtetit serb Blerim Latifi: Tregues i një bote të errët Blerim Latifi: Një kujtim për 24 marsin e Gllogjanit Blerim Latifi: Kjo është historia e Kajtaz Muharremit Blerim Latifi: Të prehesh në varr me emrin e armikut në gur Blerim Latifi: Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ekzaktësisht produkte të Perëndimit të bashkuar Blerim Latifi: Fillimi i fundit të doktrinës mbi paprekshmërinë e kufijve mes shteteve Blerim Latifi: Shumë gjatë është punu në këtë vend që me mbrri në ditën kur do ta pshtyjmë në fytyrë Amerikën Blerim Latifi: William Walker na fton të zgjohemi nga gjumi i gjatë me ëndrra të bukura Blerim Latifi: Ai mbetet gjithmonë si një shembull unik Blerim Latifi: Mjerim intelektual e kulturor ishte Perandoria Osmane Blerim Latifi: Një histori unike në kodin universal të rezistencës kundër shtypjes dhe poshtnimit Blerim Latifi: Dikush që në moshën e pjekur largohet nga atdheu dhe e harron gjuhën e nanës, nuk e meriton vëmendjen e bashkatdhetarëve të saj Blerim Latifi: Ahmet Delia do të vdiste duke bërë qëndresë Blerim Latifi: Shpesh ka ndodhur gjatë historisë që një komb të vuaj më shumë nga budallenjtë e tij, se nga armiqtë e jashtëm Blerim Latifi: Brezi i fundit i heroinave të heshtura po pakësohet

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx