Kulturë
Anton Nikë Berisha: Eqrem Çabej njohës dhe studiues cilësor i letërsisë
E diele, 16.03.2025, 07:52 PM
EQREM ÇABEJ NJOHËS DHE STUDIUES CILËSOR I LETËRSISË
Nga
Anton Nikë Berisha
– Fjalë paraprake –
Në
vitin 1978 në të përditshmen “Rilindja” të Prishtinës botova punimin për
veprimtarinë e prof. Çabejt me titull Studiues dhe njohës i thellë i letërsisë
sonë gojore[1], të cilin me një formë të zgjeruar e të plotësuar e botova në
revistën “Përparimi” me titull Prof. Çabej njohës dhe studiues i letërsisë sonë
gojore[2]. Në librin tim “Përkime poetike” (1978) pata shfrytëzuar dhe disa
mendime të prof. Çabejt për letërsinë dhe për përkimet poetike midis letërsisë
sonë gojore dhe letërsisë sonë të shkruar[3].
Më
2014, në Universitetin e Kalabrisë (Itali), në Katedrën e gjuhës dhe të
letërsisë shqipe, ku isha ligjërues i rregullt, me rastin e takimit me vajzën e
prof. Çabejt, Brikena Çabejn, bëra një plan për një studim monografik me titull
“Eqrem Çabej njohës dhe studiues cilësor i letërsisë” dhe ia tregova asaj, duke
i thënë: “Ky do të ishte, pak a shumë, koncepti i një studimi, po gjatë punës
mund të ndryshojë”.
“Të
mbetet t’ia fillosh punës dhe ta mbarosh. Do ta kesh ndihmën time për sigurimin
e veprave dhe të punimeve që të duhen. Botimin e studimit e marr përsipër unë”,
më tha.
Isha
i bindur se pa humbur shumë kohë do t’ia filloja punës. Një pjesë të asaj që
prof. Çabej e kishte thënë për letërsinë në përgjithësi dhe sidomos për
letërsinë tonë gojore në veçanti, e kisha të njohur dhe e kisha vështruar në
punimet e përmendura. Më duhej të përqendrohesha në plotësimin dhe zgjerimin e
dukurive, veçmas në pikëpamjet – mendimet e tij për letërsinë e shkruar dhe për
vlerësimet për disa nga veprat e shkrimtarëve tanë të shquar si De Rada,
Poradeci, Fishta, Noli, Asdreni etj.
Grumbullova
disa nga veprat e rëndësishme të prof. Çabejt që ishin botuar e ribotuar viteve
të fundit. Edhe vëllimet me punime kushtuar veprimtarisë së tij. Disa punime të
tij në gjermanisht i kisha fotokopjuar gjatë qëndrimit tim në Gjermani si
bursist i DAA-së dhe i Humboltit. Diçka nga kjo literaturë lexova dhe për këtë
dëshmojnë datat e leximit të veprave ose të punimeve, që rëndom i shënoj në
fund të tyre. Mirëpo, rrethanat dhe rrjedha e punëve nuk deshën që ta filloja
hartimin e studimit monografik. As vetë nuk di ta sqaroj pse vetvetiu fillova
të merrem me veprën e dy autorëve të letërsisë sonë të vjetër, Buzukut dhe
Budit. Ndoshta i nxitur nga ajo që lexova te punimet dhe veprat e prof. Çabejt?
Gjatë
hartimit të dy studimeve monografike kushtuar veprës së Gjon Bdek Buzukut:
“Meshari” – vepër e hartuar nga Buzuku[4]” dhe “Gjon Buzuku poeti ynë i
parë[5]” u mora shpesh dhe me mendimet e prof. Çabejt, po studimin për të nuk e
vazhdova. Edhe vepra “Pjetër Budi poet dhe prozator[6]”, më mori rreth tri vjet
pune dhe më largoi nga studimi për Çabejn.
Me
kthimin nga Kozenca në Prishtinë, ngritën krye, pra më pushtuan, disa punë:
mbarimi i përkthimit të “Psalmeve”, të nisura më parë, përgatitja e veprave –
dhe studimeve: “Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës”
(Me përkthim të ri të tekstit, 2015), “Hyrje në historinë e letërsisë gojore
shqipe” (2017), “Paanësia e fjalës poetike. Libri i parathënieve” (2017),
“Ligjërime rreth tekstit letrar poetik” (bashkë me Labinot Berishën, 2017),
“Vëzhgime mbi ‘Poetikën’ e Aristotelit” (2018), “Estetika dhe estetika e
letërsisë” (bashkë me Labinot Berishën, 2018), “Qenësia e kumtit poetik. Libri
i parathënieve 2” (2019) dhe “Antologjia e poezisë së përshpirtshme 1555 –
2015” (2020), për të mos i përmendur të tjerat.
Me
pak fjalë, ishte shkruar që hartimin e studimit për veprimtarinë e prof. Eqrem
Çabejt në fushën e letërsisë ta hartoja pas studimeve e librave të përmendur;
ndonjëherë njeriu, vetvetiu, ndjek rrjedhën e asaj që vepron ose, siç thoshte
Shekspiri i madh: T’i bëjmë ballë kohës ashtu si të na vijë!
*
* *
Për
prof. Eqrem Çabejn dhe veprimtarinë e tij shkencore, sidomos në fushën e
gjuhësisë, kanë shkruar një varg gjuhëtarësh dhe studiuesish, të shquar e të
pashquar. Këtu po përmend librin e Shaban Demirajt Eqrem Çabej – një jetë
kushtuar shkencës[7], pastaj vëllimet Eqrem Çabej dhe kultura shqiptare[8],
Eqrem Çabej (materialet e sesionit shkencor mbajtur më 25 – 26 dhjetor 1988[9])
Eqrem Çabej dhe vendi i tij në shkencat albanologjike (Në 100 – vjetorin e
lindjes)[10], ku u botuan një varg punimesh që ndriçojnë këndvështrime të ndryshme
të veprimtarisë së pasur hulumtuese e shkencore të prof. Çabej[11], Nexhmije
Kastrati, Studimet e Eqrem Çabejt për letërsinë[12] etj.
Edhe
punën (ndihmesën) e prof. Çabejt në fushën e letërsisë e të kulturës, e
vështruan disa autorë tanë, punimet e të cilëve, kryesisht, u botuara në
vëllimet e përendura ose në ndonjë vepër të tyre.
Në
studimin tim synoj të ndriçoj disa nga çështjet kryesore të punës së prof.
Çabejt në fushën e studimit të letërsisë, parë sidomos në katër pikëvështrime:
Mendimi
për artin e fjalës në përgjithësi,
Mendimi
për letërsinë gojore,
Mendimi
për letërsinë e shkruar dhe për disa dukuri të rëndësishme të saj, dhe
Mendimi
për veprat e disa autorëve të caktuar të letërsisë sonë si De Rada, Fishta,
Poradeci, Noli.
Pra,
qëllimi i studimit tim është që përmes vëzhgimeve, analizave dhe interpretimeve
të mendimeve të prof. Çabejt, të ndriçohet e të dëshmohet koncepti kryesor i
tij për letërsinë si art i fjalës dhe i disa veprave konkrete, përkatësisht
puna e tij cilësore në këtë fushë.
*
* *
Kush
merret mirëfilli me mendimet e prof. Çabejt për letërsinë bindet se ato janë
shumëfish të rëndësishme, po aq sa ato në fushën e gjuhësisë. Them kështu duke
e pasur parasysh gjendjen e studimit të artit të fjalës në botën tonë deri më
1929[13], kur prof. Çabej e botoi punimin e parë për poezinë e Lasgush
Poradecit[14], pastaj punimin “Kënga e Leonorës në poezinë popullore shqiptare”
(“Normalisti” 1934), librin “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe” (Me
pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme – 1936)[15], studimin “Për gjenezën e
literaturës shqipe[16]” (1939) e ndihmesat e tjera të botuara më vonë në shqip
dhe në gjermanisht.
Pra,
mendimi i prof. Çabejt për letërsinë dhe për veprat e disa shkrimtarëve tanë
është i pasur dhe i gjerë dhe kërkon një përkushtim të madh për dy arsye
kryesore:
E
para: Çabej i vështroi një varg dukurish të rëndësishme letrare dhe vepra të
autorëve dhe mendimet e tij lanë gjurmë të dukshme në studimin e letërsisë
sonë, edhe pse kjo gjë nuk u tha e as nuk u ndriçua në masën e duhur.
E
dyta: për ta studiuar në dritën e mirëfilltë punën e prof. Çabejt në fushën e
letërsisë, detyrohesh t’i zgjedhësh, edhe dukuritë, edhe veprat e autorëve që
profesori i vështroi dhe i ndriçoi nga rrafshe e aspekte të ndryshme, për të
përcaktuar rëndësinë e tyre të mirëfilltë, edhe pse ndonjë herë në “vogëlsira”
fshihen mendime të rëndësishme.
Në
studimet për letërsinë, siç ndodhi dhe në studimet për gjuhën, prof. Çabej
dëshmoi jo vetëm një dije e përkushtim të jashtëzakonshëm për t’i ndriçuar
dukuritë dhe veprat në mënyrë sa më objektive, të përligjet e vërteta shkencore
sa më shumë që është e mundur, po dhe bëri vlerësime të qëndrueshme të
përcjella me argumente bindëse. Këtë e dëshmojnë edhe vetë fjalët e tij:
“Në
punimet tona ne e kemi për parim të kërkojmë të vërtetën e të mos trembemi ta
themi atë. Njëkohësisht, ndërkaq, do të jemi objektivë, po jo indiferentë.
Çështjet jetike që kanë të bëjnë me kombin dhe kombësinë tonë, me kulturën e
tij të lashtë e origjinale, brenda së vërtetës do t’i mbrojmë nga çdo
shtrembërim që mund të vijë nga çdo anë qoftë. Kjo është një ndër misionet
kryesore të një dijetari të vërtetë[17]”.
Katër
mendime që po i sjell në vijim për personalitetin e prof. Çabejt dhe për
veprimtarinë e tij, sa të pasur aq dhe të gjerë, dëshmojnë mirëfilli se të
merresh me të e me veprën që na e la trashëgim, qoftë në fushën e gjuhësisë,
qoftë në atë të letërsisë e të etnologjisë[18], lypset shumë më tepër dije,
aftësi e përkushtim sesa mendohet në të parë për arsye se në shumë raste, ai
sublimoi dijen e kohëve të mëparshme dhe të kohës së tij.
Duke
e vlerësuar lart dijen dhe cilësinë e punës së prof. Çabejt redaksia e revistës
“Leipziger Vierteljahrsschrift für Südosteuropa” (3. Jahrgang) me rastin e
botimit të studimit të prof. Eqrem Çabejt “Die albanische Volksdichtung”
(Poezia popullore shqiptare) shkruante pos të tjerash: “Me kënaqësi po e
botojmë në vijim këtë punim të një njohësi të shkëlqyeshëm, ku bota e panjohur
e letërsisë gojore shqipe (Volksdichtung), e cila për arsye të burimësisë
(Urtümlichkeit) ka një rëndësi të veçantë për gjithë Ballkanin e lashtë, hap
një rreth të mëtëjshëm në tërë mënyrën e shqyrtimit ballkanik[19]”.
Gjuhëtari
i njohur, prof. Mahir Domi, duke folur për veprimtarinë e pasur dhe cilësore të
prof. Eqrem Çabejt, thotë: “Mund të themi se ka qenë prof. Eqrem Çabej dijetari
që i ka kushtuar vëmendjen më të shumë, në mënyrë të vijueshme, kompleksit të
çështjeve të lidhura me gjenezën e gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, ai që
u bëri atyre trajtimin më të plotë, më të shumanshëm, më rreptësishtë shkencor,
hodhi dritë më shumë në to. Ai përpunoi një teori të tërësishme, të mbështetur
mirë në fakte e të dhëna, në argumente e analiza të sakta, me përfundime e
zgjidhje bindëse. Shqyrtimet e mprehta kritike, që karakterizuan këtë kompleks
studimesh dhe rezultatet që u arritën, përcaktuan vlerat dhe meritat e mëdha të
tyre, u siguruan arritjeve më kryesore një jehonë të gjerë dhe një miratim të
qëndrueshëm në mendimin shkencor botëror. Shumë prej tyre qëndrojnë gjithnjë si
ndihmesa themelore[20]”.
Duke
e vlerësuar punën e prof. Çabejt shkrimtari dhe studiuesi, Moikom Zeqo, pati
vënë në dukje: “Në veprën e tij kolosale dhe të shumëdisiplinëshme, vizionare
dhe të një kulturologjie të epërme, Eqrem Çabej, si askush qe shndërruar shumë
vite më parë, pra që në mesin e shekullit të kaluar, si një Institucion Mendor,
i Mëvetshëm dhe Universal […] Eqrem Çabej është kapërcyesi i një Rubikoni, në
kulturën e ndërlikuar por dhe të paçmuar të gjuhës shqipe. Ai kapërcen si
askush, gati si një Marathomonak, fazën parashkencore, gjysmë mitike të
studimit të origjinës së gjuhës shqipe, duke dalë nga gjuhësia shkencore
gjermane dhe botërore e një strukturimi serioz të shkencës linguistike, për të
zhvendosur përfundimisht epiqendrën gravitacionale të studimit të gjuhësisë
shqiptare, të konceptualizuar si një shkollë shkencore e mëvetshme, pikërisht
në metropolin e vet mendor, në Shqipëri.
Çabej
bëri një punë pionieri, për të hedhur tutje mbi çdo “horroi vaqui”, mbi humnerat
e mungesave kulturore, që kemi pasur ne shqiptarët në histori, sepse Çabej
besonte, si askush, si asnjë shqiptar tjetër, se vonesat kulturore nuk janë
asgjë, nuk janë fatale, por janë vonesat konceptuale, ato, që lënë pasoja më
prapambetëse, më primitive dhe se krijimi i një botëkuptimi shkencor, studimi
me një metodologji, për të cilën ai theksonte gjithmonë fjalën e pashmangshme
“akribi”, do të bënte që shqiptarët të bëheshin paraprijësit e Albanologjisë në
krejt botën, si dhe mjeshtrit e padiskutueshëm të gjuhës shqipe[21]”.
Edhe
vlerësimi i Nelson Çabejt, i bërë në vitin 2016, e përligj sa gjerësinë aq dhe
thellësinë dhe ndërliqësinë e studimit të veprës së prof. Çabejt në fushën e
gjuhësisë dhe të letërsisë: “Çabej mbetet shembulli i përsosur i intelektualit
dinjitoz e të pakomprometueshëm, që në krijimtarinë e tij nuk bëri lëshime
metodike ndaj trysnisë ideologjike, edhe kur kjo bënte të pamundur botimin e
veprës së tij. Me këmbënguljen e tij ai citoi dhe vlerësoi punën e figurave
”armiqësore” si Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, etj.
Qëndrime
të tilla të papërkulura e vunë atë shpesh në konflikt me autoritetet
administrativo-shkencore, duke i krijuar situata të vështira dhe të rrezikshme,
deri në akuza publike për pikëpamje dhe qëndrime antisocialiste. Të gjitha ato
ai i përballoi me dinjitet dhe krenari. Ai është, mbase, i vetmi intelektual
shqiptar që në veprën e tij e madje edhe në artikujt publicistikë që i kërkonin
të shkruante, përfshirë edhe fjalën e tij me rastin e themelimit të Akademisë
së Shkencave, i ka lejuar vetes luksin të përjashtonte sloganet e pashmangshme
të lavdeve për ‘kujdesin e Partisë dhe të shokut Enver’ etj. Dhe e gjitha kjo
nuk ka qenë pa kosto për të. I matur në shkencë, po ashtu si dhe në jetë, ai
edhe pasi jepte argumentet shtrënguese për të mbështetur pikëpamjen e tij,
linte hapët mundësinë e një interpretimi alternativ[22]”.
*
* *
Në
mbyllje të kësaj Fjale paraprake dua të falënderoj përzemërsisht vajzën e prof.
Eqrem Çabejt, BRIKENA ÇABEJN, për ndihmën e madhe që më dha për sigurimin e
literaturës përkatëse për hartimin dhe botimin e këtij studimi si dhe djalin,
LABINOTIN, për cytjen dhe ndihmën për ta vazhduar dhe për ta përfunduar.
[1] Anton Nikë Berisha,
Studiues dhe njohës i thellë i letërsisë sonë gojore. Rilindja, Prishtinë, 29
korrik 1978, f. 13.
[2] Anton Nikë Berisha,
Prof. Çabej, njohës dhe studiues i letërsisë sonë gojore. “Përparimi”,
Prishtinë 1978, nr. 6, f. 855-870.
Të dy variantet e
punimit ia kisha nisur prof. Çabejt në Tiranë dhe duhet të jenë në bibliotekën
e tij.
[3] Anton Berisha,
Përkime poetike. Rilindja, Prishtinë 1978, f. 3, 94, 114 etj.
[4] “Meshari” – vepër e
hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet
Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014.
[5] Gjon Buzuku poeti
ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini
Editore, Cosenza 2016.
[6] Pjetër Budi poet dhe
prozator. Studim. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2015. Botimi i dytë “Faik
Konica”, Prishtinë 2015.
[7] Shaban Demiraj,
Eqrem Çabej – një jetë kushtuar shkencës. 8 Nëntori, Tiranë 1990, botimi i dytë
2008.
[8] Botoi Universiteti i
Gjirokastrës, Gjirokastër 2003.
[9] Botoi Instituti
albanologjik i Prishtinë, Prishtinë 2003.
[10] E botuan Akademia e
shkencave të Shqipërisë & Akademia e shkencave dhe arteve e Kosovës.
Konferncë shkencore. Tiranë 2009.
[11] Seminari
ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, Universiteti i
Prishtinës – Fakulteti filozofik. (Përmbledhje e ligjëratave dhe e kumtesave të
lexuara në Seminarin e trembëdhjetë 1987. Sesioni shkencor me temën bosht:
“Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabejt”. Prishtinë, 1987; Sesioni shkencor
Rëndësia e veprës së Profesor Eqrem Çabejt për studimet albanologjike. Me
rastin e 90-vjetorit të lindjes. Instituti albanologjik i Prishtinës – Dega e
gjuhësisë, Prishtinë, më 25-26 dhjetor 1998; Jeta e re, Revistë letrare, Numër
i veçantë kushtuar 90 – vjetorit të lindjes së Eqrem Çabejt (1908-1998. Nr. 4,
Prishtinë 1998; Eqrem Çabej. Figura që shkëlqeu në studimet albanologjike.
Tetovë, 19 – 20 dhjetor 2008. Universiteti EJL. Konferenca IV ndërkombëtare për
gjuhën dhe letërsinë shqiptare. Tetovë 2009; Eqrem Çabej personalitet i shquar
i shkencës dhe kulturës shqiptare – në 90 vjetorin e lindjes. Universiteti i
Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Sektori shkencor i albanologjisë. Studime shqiptare
9. Çabej, Tiranë. Pa datë botimi.
[12] E botoi Olymp,
Prishtinë 2013.
[13] Shih më gjerësisht
për mendimin kritik dhe estetik në letërsinë tonë pjesën Fillet e estetikës në
letërsinë shqiptare në veprën Anton Nikë Berisha & Labinot Berisha,
“Estetika dhe estetika e letërsisë”. Faik Konica, Prishtinë 2018, nga f. 239 e
tutje. Shih dhe Anton Nikë Berisha, Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës
dhe të Fishtës. Shtëpia botuese “Arbëria 07”, Tiranë 2011.
[14] Shih Mbi poezinë e
Lasgush Poradecit, pun. i përm., f. 87 – 89.
[15] Tiranë 1936,
Shtypshkroja e Ministrisë s’arsimit.
[16] Botuar në Shkodër,
Shtypshkroja Françesnake.
[17] Eqrem Çabej
personalitet i shquar i shkencës dhe kulturës shqiptare – në 90 vjetorin e
lindjes. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Sektori shkencor i
albanologjisë. Studime shqiptare 9. Çabej, Tiranë (pa datë botimi), f. 7.
[18] Shih pos të tjerash
Eqrem Çabej, Diana dhe zana. Studime kulturhistorike. Botimet Çabej, Tiranë
2011 dhe Eqrem Çabej, Sitten und Gebräucher der Albaner. Në Revue
Internationale des Etudes Balkaniques. II/I, (1934 – 1935), f. 218 – 234. Shih
dhe Zakone dhe doke të shqiptarëve “Illyria”, viti I, nr. 34, f. 4, Tiranë, 17 dhjetor
1935. (Shih dhe nr. 6, 1936).
[19] Shih “Leipziger
Vierteljahrsschrift für Südosteuropa” (3. Jahrgang). Herausgegeben vom
Südosteuropa – Institutit an der Universität Leipsig. Otto Harrassovitz,
Leipzig 1939, f. 194. Në fusnotë. Përkthimi im.
Të gjitha përkthimet nga
italishtja, gjermanishtja dhe kroatishtja, nëse nuk përmendet përkthyesi, janë
të autorit të studimit.
[20] Eqrem Çabej
personalitet i shquar i shkencës dhe kulturës shqiptare – në 90 vjetorin e
lindjes, vep. e përm., f. 19 – 22.
[21] Nga një punim në
dorëshkrim dhënë nga vetë autori.
[22] Nelson Çabej, Eqrem
Çabej dhe albanologjia sot. Në “Dielli”, 10 gusht 2016.