Kulturë
Jusuf Buxhovi: Nga takimet në Gjermani me shkrimtarin Martin Camaj
E merkure, 12.03.2025, 06:59 PM
Nga takimet në Gjermani me shkrimtarin Martin Camaj
KOSOVA
- QENDËR E SHQIPTARIZMIT...
Nga
Jusuf BUXHOVI
Poetin
Martin Camaj e njihja që nga fëmijëria në saje të veprave “Nji fyll ndër male”
dhe “Kanga e vrrinit”, të botuara në Prishtinë nga mesi i viteve të pesëdhjeta.
Poezitë e Camajt ishin një frymëzim, që ndikoi përcaktimin tim për
krijimtarinë, duke filluar nga vjershat për fëmijë, ato për të rritur dhe më
vonë tek proza. Njoftimet që kishim për shkrimtarin Martin Camja, ishin paksa
të censuruara nga shkaku i veprimtarisë së tij në Romë tek revista letrare “Shejza” e Koliqit, që kishte
tretmanin e “shtypit emigrant antijugosllav”. Kjo kishte ndikuar që edhe dy
përmbledhjet me poezi, të anashkalohen nga lektura shkollore, ku ishin për disa
vite. Mosbotimi i tyre pa ndonjë anatemë politike, njëherësh e kishte qitë “në
heshtje” edhe shkrimtarin, që kishte ndarë fatin e veprës. Kalimi i tij në Mynhen, studimet e suksesshme
dhe punësimi në Universitetin Ludwig-Maximilian, si docent dhe më vonë profesor
i albanologjisë, ku do të drejtojë edhe katedrën e këtyre studimeve dhe do të
ndikojë që edhe në kuadër të revistës shkencore “Südost-Vorschungen“, të
përfshihen tema nga albanologjia, ia kishin krijuar renomenë e një studiuesi
serioz, por nuk ia kishin hapur rrugën veprave të tij letrare romanit “Djella”,
poezive “Rrathët” dhe të tjera të botuar në Romë dhe Mynhen, t’u bashkohen
“Kangës së vrrinit” dhe “Nji fyll ndër male”. Për to nuk kishte pasë ndonjë
ndalesë “zyrtare”, por as prani në jetën letrare dhe kulturore të Prishtinës.
Kontaktet me veprat e Camajt kishin studentët e tij në Universitetin e
Mynhenit, ku ai ligjëronte dhe ata të rrallët që kthenin në bibliotekën e këtij
Universiteti ose edhe në bibliotekën e madhe të “Südost Institut” për ndonjë
hulumtim shkencor.
Duke
shfletuar katalogun e “Südost Vorschungen“, hasa edhe në romanin „Djella“ të
Martin Camajt. Aty ndesha edhe shënimet përcjellëse për Camajn, ligjërues në
Universitetin Ludwig-Maximilian, gjë që me një letër iu lajmërova, me dëshirën
që sapo të ktheja në „Südost
Institut“ për hulumtimet e mia për temën
e magjistraturës rreth pasqyrimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në dokumentet
gjermane, të cilat krahas Arkivit Politik të Ministrisë së Jashtme duhej të
zgjeroheshin edhe në pikat tjera arkivore edhe të instituteve dhe bibliotekave
të tyre, ku tashmë kisha dedikuar burime të shumta.
Nuk
vonoi dhe Martin Camaj ma drodhi letrën. Ishte një letër e përzemërt, ku ai
tregonte se kishte njohuri për punën time si korrespondent i përhershëm i
„Rilindjes“ i akredituar në Bon. Më
shkruante se „Rilindjen“ bashkë me disa botime të tjera në gjuhën shqipe i
merrte rregullisht, nëpërmes „Institutit juglinde“ të Mynhenit dhe seminarit të gjuhës shqipe pranë
Universitetit Ludwig-Maximilian, ku ai ligjëronte. Me njëfarë mallëngjimi
fliste për vitet e studimeve në Beograd dhe lidhjet letrare që kishte me Prishtinën,
ku edhe i ishin botuar dy përmbledhjet nga mesi i viteve të pesëdhjeta, për
ç’gjë falënderohej, meqë thoshte, ia kishin hapur rrugën për te thellësitë
letrare, ai uji i pashtershëm, që shuan etjen e shpirtit. Më tha se në
Bibliotekën e „Südost Institut“ si dhe në arkivin e Institutit të Europës
Lindore (Osteuropa-Institut), me mbi 120 mijë dokumente nga hapësira e vendeve
të Europës Lindore, ku përfshiheshin edhe Jugosllavia dhe Shqipëria, kishte
shumë e shumë libra dhe dokumente që lidhen me shqiptarët dhe të kaluarën e
tyre historike, kulturore dhe shoqërore-politike. Përmendi letërkëmbimin e De
Radës me Gustav Meyerin, një memorandum të Meyerit dërguar Kongresit të
Berlinit dhe fuqive të mëdha europiane, po edhe shtypit gjerman, si dhe një
Memorandum, manuscript, të Wilehm von Wiedit (Vilhelm von Vidit) nga viti 1917,
dokument ky i mbetur në hije, po me interes të madh për studimin e kohës si
princ i Shqipërisë dhe pas saj.
Diku
në shtator të vitit 1977, në lokalet e seminarit të gjuhës shqipe të
Universitetit Ludwig-Maximilian, kisha përpara poetin tim të dashur të
fëmijërisë dhe të djalërisë, dhe poashtu, kisha përpara, një shkrimtar dhe një
studiues, për veprat e të cilit kisha pak njohuri, pa i lexuar. Camaj, gjithë
mallëngjim, zuri ngojë lidhjen shpirtërore me Kosovën, prej nga tha se „kishte
shpërthye si shkrimtar“. Shtoi se aty i
kishte rranjët...
Mbas
pak, hapi çantën dhe ma la përpara një dosje të fryrë me letërkëmbimin e
albanologut të madh gjerman Gustav Meyerit me De Radën si dhe disa letra dhe
shënime të tjera nga Hora Arbëreshe,
reagime gjatë dhe pas mbajtjes së Kongresit të Berlinit si dhe për
ngjarjet që do ta përcjellin pavarësinë e Shqipërisë deri në vitin 1912. Aty
ishte edhe fotokopja e manuskriptit „Albanishes Memorandum“ të Vilhelm von
Vidit nga vitit 1917.
Pas
një vizite kalimthi bibliotekës së madhe të Universitetit Ludwig-Maximilan dhe
pajisjes me katalogjet e regjistrimeve në Bibliotekë, kaluam te Arkivi i
Südost-Institutit. Arkivi, i themeluar në vitin 1930 nga Shteti i Lirë i
Bajernit, ka mbi 160 mijë dokumente nga hapësira e vendeve të Europës
Juglindore, ca prej tyre nga shekulli XIII, që kanë të bëjë me Mbretërinë e
Bavarisë, Austrinë, me Austro Hungarinë, mandej, pjesën e Ballkanit e deri tek
Rusia. Krahas tyre, janë përfshirë edhe mijëra dokumente nga Perandoria Osmane
nga kalimi i saj në Ilirik, në shekullin XIV e deri te rrënimi mbas Luftës së
Parë Botërore në “Dosja e Ilirikut”, (emërtim ky nga ai që i ishte dhënë
provincës nga Perandoria e Romës në shekullin IV pas erës sonë e që kishte
vazhduar edhe gjatë Bizantit për t’u kthyer në Ballkan, në gjysmën e dytë të
shekullit XIX nga Perandoria Osmane nën trysninë e Rusisë). Në arkiv përfshihen
disa nga raportet nga kryqëzata e tretë
dhe ajo e katër 1200-1204, që lidhen me Barbarosën si dhe Ludwigun kur ushtritë
e tyre arrijnë Naisusin (Nishin) dhe prej andej i drejtohen Kostandinopojës, të
cilën, në vitin 1202, do ta plaçkitin dhe shkatërrojnë për ta vendosur atë që
quhet Perandori Katolike Perëndimore (1204-1267). Një pjesë e mirë e
dokumenteve lidhen me luftuat austro-osmane të viteve 1696 dhe ato 1730 të
drejtuara nga gjenerali Pikëlomëni, i cili nga Nishi depërtoi deri në Prishtinë
e prej andej, një pjesë e forcave të tij i drejtohej Prizrenit, dhe tjetra,
Shkupit, për t’u përfshirë në betejën vendimtare kundër Mustafë pashë Qypriliut, sadriazemit osman me
rrënjët shqiptare. Aty, pos tjerave, pata rastin ta shoh edhe origjinalin e
manuskriptit “Albanishe Memorandum”
(Memorandumi shqiptar), të Princ Vidit nga viti 1917, të cilin Camaj e kishte
fotokopjuar bashkë me të tjerat që m’i dha sapo u takuam.
Aty,
për herë të parë, e mora ndore origjinalin e veprës “Die Sprache der Albanesen
oder Schkipetaren” te Josef Ritter von Xylanderit, nga viti 1833 të botuar në
Frankfurt. Ky botim unikat, do t’u
paraprijë veprave të tjera nga albanologë gjermanë: “Albanische Studien” në tri
vëllime e vitit 1856 e Georg von Hahn
dhe “Etymologische Wörtebuch der
albanesiaschen Sprache” (Fjalori Etimolgjik i gjuhës shqipe”) i Gustav Meyerit,
botuar në Strasbur në vitin 1891 dhe të të tjerave të kësaj natyre që krijuan
shkencën e albanologjisë.
E
veçanta e librit të Xylanderit ka të bëjë me atë se është vepra e parë ndër më
kompletet nga fusha e gjuhësisë për gjendjen e gjuhës shqipe, mbështetur mbi të
folmet e arvanitasve të Greqisë e shkruar nga një gjeneral i Bavarisë, ndër
ushtarakët më të njohur gjermanë të kohës, i cili la pas studime të çmueshme
historike dhe gjuhësore për ç’gjë u pranua anëtarë i Akademisë së Shkencave të
Suedisë.
Pasditen
dhe deri në orët e mbrëmjes, e kaluam në shtëpinë e Martinit në Lenggris, një
katund piktoresk në skaj Mynhenit. Na priti, bashkëshortja, Erica, mjeke e
njohur. Aty u njoha edhe me bibliktekën e
madhe të Martinit me rreth dhjetë mijë libra në shqipe, gjermanishte,
italishte, latinishte dhe serbishte. Krahas letërsisë, pjesa më e madhe e tyre
ishin nga fusha e historiografisë, gjuhësisë, ku kishte edhe enciklopedi nga
ajo gjermane e “Dudenit” me 32 libra, britanikja dhe të tjera.
Tha
se kjo ishte pasuria e tij më e madhe dhe më e çmueshme. Mbas një pushimi, foli
e tha se këto libra do të dëshironte të përfundonin në Bibliotekën Universitare
të Kosovës në Prishtinë, në ndërtesën, si tha, ndër më të bukurat e
kontinentit.
Ia
ktheva se biblioteka e tij do të pasuronte Bibliotekën e Universitetit të
Kosovës. Kjo i pëlqeu, por shtoi se “rruga nga Mynheni deri në Prishtinë asht e
largët...”
Fillimisht
mendova se e kishte te largësia, që nuk paraqiste ndonjë vështirësi në
rrethanat e tanishme të transportit, por pas pak e kuptova se mendjen e kishte
tek krijimi i kushteve për pranimin zyrtar të tyre kur dihej se mund të
pengoheshin nga pushteti, ndonëse nga Jugosllavia, si emigrant politik shqiptar
në vitin 1956, për në Itali ishte larguar në përputhje me të drejtën që karta e
OKB-së u garantonte emigrantëve për të zgjedhur vendin që u përshtatej. Ishte,
megjithatë, qëndrimi katërvjeçar në Romë dhe puna letrare në revistën letrare
“Shejzat” e Koliqit, për të cilën
zyrtarët e Shqipërisë dhe ata jugosllavë njësoj mendonin, se ishte pjesë
e “propagandës së qarqeve shqiptaromëdha” në Perëndim! Edhe pse Martin Camaj në Jugosllavi
zyrtarisht nuk ishte ngarkuar me ndonjë anatemë “të bashkëpunëtorit” të këtyre
qarqeve, megjithatë, diçka e pathënë nga kjo politikë, kishte penguar veprën e
Camajt të njihet në Kosovë, ku i kishte fillimet tejet të suksesshme me dy
librat e poezive (“Nji fyll ndër male” dhe “Kangët e vrrinit”) të botuara nga
mesi i viteve të pesëdhjeta në Prishtinë.
“Njoh
Pajazit Nushin nga koha e studimeve në Beograd.”
Në
një pliko kishte futë dy nga librat e fundit (romanin “Djella” dhe librin me
poezi “Rrathët”) dhuratë për të. Më tha t’ia përcjellja dëshirën time që
biblioteka e tij private me mbi 10 mijë libra t’i dhurohej Bibliotekës
Universitare në Prishtinë, si fondacion i shkrimtarit.
Gjatë
pushimeve të verës ktheva te profesor Pajazit Nushi, asokohe nënkryetar i
Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Ia dhashë librat e Martin Camajt dhe i tregova
për dëshirën e tij që biblioteka e tij të përfundojë në Prishtinë.
Profesor
Pajazit Nushi, i mori librat dhe i shfletoi me vëmendje. Lavdëroi përgatitjen
teknike të librave, me ilustrime të piktorit Gjelosh Gjokaj dhe tha se kishte
respekt për poezitë e tij të botuara në Prishtinë si dhe për punën shkencore në
Beograd, me ç’rast përmendi disertacionin për Gjon Buzukun të mbrojtur në
Universitetin e Beogradit tek albanologu Henrik Bariqi.
Pa
ndonjë hamendje, më tha se dhurata e Martinit Bibliotekës sonë është e
mirëseardhur dhe e çmueshme. Do të pranohet në marrëveshje me autorin në
përputhje me procedurën zyrtare të
donacioneve nga jashtë dhe se nuk shihte kurrfarë pengese të vinin në
Prishtinë. Shtoi se do ta njoftonte profesor Ymer Jakën, Sekretar krahinor për
arsim dhe kulturë si dhe Sekretariatin krahinor për marrëdhënie me botën, që
udhëhiqej nga profesor Ukshin Hoti, që të kryheshin të gjitha veprimet e
parapara me ligj.
“Të
fala Martinit dhe uroji punë të mbarë letrare”.
Pas
pushimeve vjetore në Prishtinë, në shtatorin e vitit 1978, ktheva prapë në
Mynhen për hulumtime disaditëshe në Bibliotekën e “Südost- Institutit” dhe në
“Arkivin e Institutit të Evropës Lindore”.
Puna
e parë ishte takimi me Martinin. Nga Boni ia kisha dërguar një letër me ato që
kisha biseduar me profesor Pajazit Nushin. Kjo e kishte gëzuar së tepërmi. Më
tha se mezi priste që të viheshin lidhjet e duhura me institucionet e Kosovës për marrjen e
librave.
“Librat
atje më riatdhesojnë...”
Përkundër
premtimeve që kishte marrë nga drejtuesit e Bibliotekës Universitare si dhe
njoftimeve se ishte bërë kërkesa zyrtare në organet federative për t’i marrë si
donacione, ato nuk kishin gjetur rrugën e Prishtinës, që Martini e zuri ngoje
me mëdyshje kur e hapi punën e tyre.
Nga
ato që Martini dinte, procedura nga Prishtina kishte filluar dhe, kur pritej
t’u hapej rruga për në Prishtinë, kishin qenë ngjarjet e marsit të vitit 1981
(demonstratat në Prishtinë), që ua kishin mbyllur atë. Rezolutat e Kryesisë së
RSF-së nga maji i vitit 1981 rreth “demonstratave armiqësore nga pozitat e
nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” me qendër në Universitetin e
Kosovës, siç kishte vu në shënjestër çdo
gjë të kulturës, shkencës dhe arsimit kombëtar mbi bazat institucionale
(Universitet, Akademi e Shkencave, Institute shkencore-hulumtuese, veprimtari
botuese, teatër, balet, film e të tjera), kishte ngrirë të gjitha aranzhmanet
dhe marrëveshjet kulturore dhe arsimore me jashtë, siç kishte pezulluar edhe
studimet postdiplomike dhe ato hulumtuese shkencore të hulumtuesve nga Kosova
jashtë deri tek një verifikim i ri nga organet federative!...
Edhe
dy herë gjatë vitit 1980 e takova Martinin në Mynhen. E mbante shpresa se do të
vijë koha kur ai dhe librat e tij do të kthehen në Kosovë.
“Librat
mund ta humbin rrugën, po jo edhe
Martini...”
Dhe,
përnjëmend, nga mesi i vitit 1991 u gjend për disa ditë në Prishtinë.
Natyrisht
se adresa e parë ishte shtëpia botuese “Rilindja”, e cila, me vendimet e
regjimit të Beogradit, ishte dëbuar me dhunë nga shtëpia e shtypit. Me disa nga
shkrimtarët e viteve të hershme, u takua te “Elida”. Ndërsa, me dr. Rugovën, si
Kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, u takua në barakën e Shoqatës.
Ishte një përqafim i gjatë midis dy shkrimtarëve dhe studiuesve të rëndësishëm
të letërsisë dhe njëherësh i dy intelektualëve, njërit të përfshirë në jetën
politike dhe së shpejti, që në prill 1992, do të zgjidhej President i Parë i
Republikës së Kosovës, ndërsa Martin Camaj, pas çmalljes disaditësh në
Prishtinë, do të kthehet prapë në Gjermani, ku më 12 mars 1992 do t’i mbyllë
sytë përgjithmonë.
(Shkëputje nga "Vitet e Gjermanisë", 2024, faqe 116-119).