E merkure, 30.04.2025, 04:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Shpirtplagomë e dhimbjes krenare

E premte, 07.03.2025, 07:57 PM


LenaGraphic, nxori në dritë librin e ri poetik “TEHE NATE” të Hazir Mehmetit, të cilin me kënaqësi e redaktova, duke e dhënë këtë vlerësim:

SHPIRTPLAGOMË E DHIMBJES KRENARE

Poetët kanë fuqinë të ngrënë dhembjet e veta në art, ku ne të gjithë gjejmë dhembjet tona. (Mitrush Kuteli)

Nga Bedri Tahiri

Hazir Mehmeti, krahas shkrimeve publicistike, didaktike-shkollore, dokumentare, tregimtare, tashmë sikur e ka gjetur çelësin magjik për ta hapur më lehtë portën e mbretërisë së quajtur Letërsi-POEZINË!

Thënë të drejtën, shumicën e këtyre krijimeve poetike, i kam lexuar edhe më herët, por, kur më erdhën të futura nën një çati me emrin “TEHE JETE”, e me përkushtimin: Vajzës sime, Dr. Vlora Mehmeti- Tërshani, i përjetova më ndryshe!

Rileximi, vërtet qenkësh punë më me vlerë, më studiues, më thelbësor, më analitik. Gjatë leximit të parë kureshtja fillestare, sikur të mashtron e të tërheq pahetueshëm dhe shumë gjera të kapërcejnë fluturimthi. Si dorëshkrim të kompletuar, e lexova dhe e rilexova me një përkushtim më të veçantë, duke e shijuar me një ndjesi të thellë emocionale.

Dhe, kur u rashë në fund këtyre perlave poetike, me vlera antologjike, seç më erdhën ndërmend fjalët e të papërsëritshmit Lasgush Poradeci, i cili, tek fliste poezinë shkruante: “Një poezi, që të jetë e mirë, duhet të jetë  e sinqertë. Po që të jetë poezia e sinqertë duhet të jesh më parë i sinqertë, gjer në fund të shpirtit tënd, ti që e shkruan. Në poezi s’gënjen dot”.

Të tilla janë poezitë e vëllimit “TEHE NATE”, të cilat, jo rastësisht i cilësova “Shpirtplagomë e dhimbjes krenare”!

Bota poetike e Hazir Mehmetit na shpërfaqet e larmishme dhe përplot shtresime ngjyrash joshëse, tekstuale e nëntekstuale. Gjuha e pastër dhe e pasur me fjalë të bukura shqipe, shpesh, edhe me fjalë të reja-kompozita, stili lakonik, narracioni i lehtë dhe i rrjedhshëm, toponimia origjinale autoktone, pasuruar edhe me dromca etnografike, me rrënjë të lashtësisë mitike, përbëjnë një kurorë të artë të këtyre vargjeve me shtresime shumëdimensionale e mjaft mbresëlënëse.

Tematika dhe motivet e poezive të kësaj përmbledhjeje janë të begata dhe kapin gjithë spektrin e jetës: gëzimet, hidhërimet, sukseset, dashuritë dhe nostalgjitë për të djeshmen, synimet për të nesërmen, mallin dhe kujtimet për traditën, për prindërit, për mësuesin, për atdhetarët, për dijetarët, për të parët largpamës e liridashës, që na e lanë amanet Atdheun e larë me gjak...

Mirëpo, lajtmotiv që i përshkon tej e tej, si një damar i pashtershëm organik, mbetet dashuria në përmasa hyjnore, kujtimi dhe rikujtimi, dhimbja shpirtërore, shndërruar në shpirtplagomë, për shuarjen e hershme të meteorit ndriçues, për bijën e Arbërisë, për shkencëtaren e globit, për Vlorën e shqiptarisë, e cila, me punën dhe përkushtimin e saj zuri vend në Altarin e Përjetësisë!

Kështu, poeti Baba, merr fuqinë e Anteut dhe nga thellësi e shpirti nxjerr vargjet antologjike:

Sonte ta fala gjumin

T’i fala ëndrrat më të bukura

Se ti m’i rilinde me lindjen tënde

T’i fala fjalët e unë pa to sonte

T’i fala sytë e unë i verbër pa ty

T’i fala krahë e duart me të cilët të barta ty

Lavdia dhe krenaria janë ato që mundin dhimbjen, duke i dhënë zemër autorit (por edhe mua si mësimdhënës i saj) që të nxjerr nga gjirmë e shpirtit edhe vargjet epitaf për të bijën shëmbëlltyrë:

Jeta jote tridhjetë e pesë lule

Me vulën e lashtë, Iliri

Megjithatë, jeta vazhdon edhe përtej tejkohësisë. Dritë e meteorëve ndriçojnë edhe nga përjetësia. Dijet shkencore nuk i tretë dot dheu as nuk i mbulon harresa! Dhe, vjen vegim vargjesh, me dritë hyjnore:

Sot kthehem aty, të takoj përsëri

Para me del buzëqeshja jote

Shkëlqim nuri arbëror epokash

Tani shndrit mbi ne meteor n ‘përjetësi...

Fryma atdhetare, e ngjizur që nga fëmijëria dhe e kultivuar përherë, pulson në secilin varg, në secilën strofë, në secilën poezi të kësaj përmbledhjeje margaritarësh. Madje edhe vetë titujt janë përzgjedhur aq mjeshtërisht, saqë reflektojnë gjithë përmbajtjet dhe brendinë e tyre.

Tharmi i tyre i zënë në vendlindje, në ara e male, në oda e në shkollë, në rrëfime pleqsh e në kuvende trimash, në halle e në skamje, pranë oxhakut me blozë e sofrës me misërnike, i jep fuqi brumosjes edhe në mërgatë, në kabinete e në laboratorë, në institute e në konferenca, në kulturë e në shkencë, në Evropë e përtej saj.

Heroi lirik (autori), përmes një narracioni të brendshëm në vetën e parë, kudo që vete, vath në vesh e bartë porosinë e të atit:

Për emrin At e Atdhe

Fjalën e fundit më the:

Plisin, porosi ta lë kudo që je

Ke nder e besë, ke Mëmë e Mëmëdhe!

Mirëpo, cerberët e përtej Tunës dhe lakuriqët e natës, me tehet e shpatës se helmatisur, përpiqeshin të mbytnin e të errësonin çdo gjë, edhe dritën e diellit:

Tehu i tretë ra në syrin tim

Ti s’duhet të shohësh malet, largësitë

As Abetaren, as arat tuaja të mbjella me grurë

Është mëkat drita e diellit

Lexues i nderuar, meqë arti letrar, veçan poezia, nuk shpjegohet, por shijohet dhe përjetohet vetëm duke u lexuar, nuk po e zgjasë më shumë.

Në mbyllje, lirisht mund të konstatojmë se libri poetik “TEHE NATE” i Hazir Mehmetit, është një realizim i bukur përmbajtjesor, tematik e artistik, që autorit i siguron vend nderi në mesin e poetëve më cilësorë të  letërsisë së sotme shqipe.

Librit i dëshirojmë lexueshmëri e prani nëpër secilën bibliotekë e në çdo shtëpi, ndërkaq autorit suksese dhe prurje të reja artistike.

Galicë, janar 2025



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx