Kulturë
Fran Gjoka: Urime për punëtorët e dijes!
E enjte, 06.03.2025, 07:58 PM
SKICË LETRARE
URIME
PËR PUNËTORET E DIJES!
7-Marsi, dita e bekuar e gjuhës shqipe, 138-vjet
histori ndriçuese
“Edhe
kur kryet do na mbulojnë thinjat,
Ndërmend
do të sjellim një emër nderues,
Emrin
e dashur, emrin e bukur, emrin e thjeshtë, por të madh Mësues!...”
(Dh. Siliçi)
Nga
Fran Gjoka
Kanë
kaluar plot 138 vjet nga 7 Marsi 1887. Ato mbeten vite vitale, vite përpjekjesh,
përkushtimi, djerse e mundimi për lartuar shkollën e parë shqipe, shkolla më e
re e shfaqur “pas përpjekjeve të mëdha të rilindësve dhe atdhetarëve në
kontinentin e plakur të asaj kohe.
Por
është momenti të përulemi me respekt të thellë, për ata që bënë të mundur
hapjen e Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës. Populli ynë rezistoi me të gjitha
mënyrat. Shkrimi i shqipes u mësua fshehurazi në kasollet e fshatarëve, pranë staneve
të çobanëve, në shtëpi të thjeshta, në ndërtesat e kultit etj. Shikojmë aty këtu
edhe ndonjë shkollë, si në Kurbin në vitet 30 të shekullit 17, në Pllanë e në
Blinisht të Lezhës me 1638 dhe 1639, në Kurbin 1670, në Prizren e gjetkë. Këto
shkolla patën jetë të shkurtër dhe lëvizja për hapjen e tyre ishte sporadike. U
deshën të kalonin 2 shekuj, që lëvizja për shkollën dhe gjuhën shqipe të
fitonte përmasa reale zhvillimi. Intelektualët tanë të shquar, që nga N.
Veqilharxhi, Zef Jubani, K. Kristoforidhi, Pashko Vasa, Sami e Naim Frashëri,
H. Tasimi, J. Vreto, K. Hoxhi, P. Doçi, N. Mjeda, Gj. Fishta, N. Naçi etj., edhe
pse pa shtetin e tyre, pa asnjë institucion kombëtar, të drobitur pa miq e
aleatë ditën të gjejnë gjuhën e bashkimit kombëtar. Abetaret e Veqilharxhit e
Tasimit etj. u përhapën dorë në dorë dhe u bënë shpresë për popullin dhe rininë
e kohës, u bënë tmerr për pushtuesit, po aq sa pushka e komitëve, që shpejt mbushën
malet e Shqipërisë.
Për
intelektualët e shquar, gjuha dhe shkolla shqipe u bënë pikënisje e shpresës së
madhe, “sofra” e parë e fundshekullit të 19, që këtu i bashkoi shqiptarët për
beteja të ardhshme. Ata lanë mënjanë dasitë fetare krahinore e fetare dhe u bënë
një për çështjen e gjuhës kombëtare.
8
Mars 1887 - Drita e së ardhmes
Mësonjëtorja
e parë shqipe u hap me 35 nxënësit e parë, e më pas breza të tërë nxënësish nisën
udhën e bukur të dijes në një shkollë të vërtetë shqipe. Një ditë më vonë, me 8
Mars 1887 Th. Mitkoja shkruante : “ Dëshira tonë u mbarua, shkolla shqipe u
hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla”.
Pas
mësonjëtores së parë u hapën edhe shumë shkolla të tjera, si në Pogradec e
Kolonjë, shkolla e Vashëzave në Korçë etj. Asgjë s`kaloi lehtë, përkundrazi u
deshën përpjekje dhe sakrifica të mëdha për të bërë përpara çdo hap në udhën e
ndritur të arsimit. Armiku reagoi shumë ashpër dhe u përpoq me të gjitha mënyrat
që ta mbyste këtë dëshirë dhe luftë të madhe të shqiptarëve drejt dijeve dhe
emancipimit të tyre shoqërore. Nga përplasjet me armikun e zi u flijuan shumë
patriotë e atdhetarë të shquar me burgosje, vrasje e internime. P. Sotirin e hodhën
nga kati i tretë i shtëpisë së tij, Papa K. Negovanin e therën me thika, Petro
N. Luarasin e helmuan...E, megjithatë mësimi në gjuhën shqipe nuk ndalej.
Shkollat shqipe po ngriheshin, populli po i mbante ato në këmbë, duke hequr
edhe kafshatën e fundit të gojës. Popullit i duhej drita dhe atë dritë diturie
e jepte vetëm shkolla. Vetëm një populli i ditur dhe i arsimuar mund t`i bënte
ballë pushtuesit dhe forcave reaksionare që vepronin brenda Shqipërisë. Ndaj
nga të gjithë njerëzit përparimtarë të kohës, nga atdhetarët e vërtetë hapja e
shkollës së parë shqipe konsiderohej dallëndyshja e parë që lajmëronte
pranverën. Dhe, dihet, dallëndyshet
s`vijnë vetëm, të tjera dallëndyshe do të vinin dhe Shqipëria e shtypur dhe e
masakruar në shekuj do të shikonte dritën. 8 Mars 1887 ishte fillimi i dritës që lajmëronte të ardhmen e
ndritur.
Drita
kërkon dritën, erdhi dita e 28 -Nëntorit 1912
Shpallja
e Pavarësisë me Plakun e Vlorës dhe me ministër arsimi L. Gurakuqi nxiti dhe
realizoi hapjen e 70 shkollave shqipe. Për ta vazhduar më me ngulm fuqizimin e
shkollës kombëtare, sidomos pas Kongresit të Lushnjës më 1920 e pas luftës
antifashiste nacional çlirimtare shkolla do të pësonte arritje të papara. Në
vitet 50’ do të zhdukej analfabetizmi nën moshën 40 vjeç, do të shpallej arsimi
i detyruar fillor e pastaj 7 e 8 - vjeçar. Në vitin 1957 hapet Universiteti i
parë shqiptar. Universiteti i Tiranës, pas tij, Instituti e, më pas
Universiteti i Shkodrës e më tej, i
Elbasanit, i Gjirokastrës i Korçës, i Vlorës, Akademitë si e Shkencës, e Gjuhësisë,
e Arteve të Bukura dhe Kulturës Fizike dhe Sporteve.
7
Marsi - festë drite, festë bashkimi, festë përparimi
Me
festën e 7 Marsit, janë të lidhur të gjithë: gjyshërit dhe gjyshet, baballarët
dhe nënat, të rinjtë dhe të rejat, adoleshentët dhe fëmijët e të gjithë
moshave, pasi shkolla mbetet për ta institucioni i mësimit dhe i edukimit më të
organizuar për nxënësit e të gjithë grupeve. Aty kultivohen vlerat e vërteta
kulturore, normat morale dhe mënyrat e komunikimit njerëzor e civil. Aty mësohet
dhe zbatohet parimi i demokracisë për zbatimin në unitet të të drejtave dhe
lirive nga njëra anë dhe të detyrave e përgjegjësive nga ana tjetër. Në të
vetmin institucion të organizuar, në shkollë dhe nga shkolla, përcillen tek
gjeneratat e reja që do të drejtojnë vendin në të ardhmen mesazhe paqeje e mirëkuptimi,
kultivohet toleranca dhe dëshira për të mësuar gjatë gjithë jetës në mënyrë
aktive, krijuese dhe kritike.
Askush nuk lind i ditur, por bëhet i tillë në jetë
Askush
nuk lind i ditur, por bëhet i tillë në jetë duke filluar nga vatra prindërore e
familjare e më pas nga bankat e shkollës,ku armata e mësuesve punon pa pushim
,skalit pak nga pak dhe pa u ndjerë
mendjet e vocrrakëve dhe të rinjëve, përsos çdo ditë ngrehinën
monumentale, intelektuale dhe shpirtërore të kombit. Këtë mësuesit e bëjnë çdo
ditë pa u lodhur, pa zhurmë, seriozitet, durim, përkushtim e fisnikëri dhe pse
s’ka ende stimuj moral e material nga shteti shqiptar.
Të
gjithë mësuesit ,me profesionalizmin e tyre ,duken të afërt ,sikur diku i ke
takuar ,i ke njohur dhe ke bashkëbiseduar me ta,ke ndjerë ngohtësinë ,mirësinë
dhe humanizmin e tyre.Njohja me ta të bën të ndjehesh mirë ,të zgjon ide dhe
kujtime të bukura,mbresa dhe emocione respekt për jetën dhe njerëzit. Vlerat e
mësuesve janë të mëdha, me gjithë trysninë e gjithanëshme të dhunës
psikologjike të ushtruar ndaj tyre dhe përsëri çdo njëri prej nesh e ndjen se
ka marrë diçka prej tyre,diçka që është fiksuar fort në fëmininë tonë,në
përsonalitetin ,në shprehitë dhe zakonet tona. Janë mësuesit ato që kapin e
zbulojnë prirjet dhe talentet e nxënësve dhe kujdesën vazhdimisht ,që ata të
rriten dhe të zhvillohen më tej në drejtimin e duhur. Ndonëse brezi i mësuesve
,që janë sot në pension e kanë kryer detyrën e shenjtë, duke dhënë të gjitha
energjitë e tyre, pasionin e profesionalizmin, përsëri ata nuk ndjehen të
qetë, ku brenda tyre zjen ndjenja e dashurisë për shkollën,arsimin e
nxënësit.Kanë merak dhe mall për shkollën, për klasën, për zilen, regjistrat, kanë merak dhe mall e dashuri për nxënësit e tyre. Është ky një mall që nuk
shuhet kurrë.Janë mjaft emocionuese kur kujton dhe flitet shpesh me nderim dhe
respekt për ata autoritete të arsimit, të shkencës e të pedagogjisë shqiptare
,që s’jetojnë më ,por vepra dhe ndihmesa e tyre e shquar do të mbeten të
pavdekshëme në kujtesën e mësuesve shqiptarë e më gjërë, siç janë : ministrat e
Arsimit Naxhije Dume e Thoma Deliana, rektori i Universitetit të Tiranës
Kahreman Ylli, si dhe pedagogët e mësuesit e shquar: Persa Grabova, Vasil
Kamani, prof. Bedri Dedja, Emine Gjakova, prof.Jup Kastrati, Fatbardha Gega,
Nazmije Pasholli, prof..Shefik Osmani, Lame Xhama “Mësues i Popullit” , Evanthi
Ciko, prof. Mark Vuji- “Mësues i Popullit” etj. etj. ,të cilët me thjeshtësinë
e njohur ,shpirtin e madh e bujar , edukuan e mësuan breza të tërë, nderonin
njerëzit e thjeshtë të dijes dhe të kulturës
,respektonin vlerat e verteta të mësuesisë shqiptare.
“7
Marsi” ngre zërin para politikanëve e pushtetarëve të të gjithë niveleve,
intelektualëve, medias e shoqërisë civile, mbarë opinionit publik: Më shumë
përkujdesje për shkollën dhe mësuesin, më shumë nderim, ndjeshmëri e mirënjohje për punën e tyre të
veçantë e të lodhshme, për ata që na mësuan shkrim e këndim, matematikë e
shkencë dhe që na bënë ta shohim jetën në dritë të syrit!
Ndërsa
prindërve, kudo ku jetojnë e punojnë, në diasporë, në Evropë e Amerikë, në
Australi e vende të tjera, “7 Marsi” u kujton se krahas punës dhe mundit për
mbijetesë, mos ta harrojnë shqipen e bukur dhe t’ua mësojnë edhe fëmijëve,
nipave e mbesave. Gjuha është medalion i artë i çdo shqiptari, që na njeh në
botë e që na lidh e na bashkon.
Mësuesi
-figura qendrore e shkollës
Parë
në këtë këndvështrim, 7 Marsi i sivjetmë, që përkon me 137 - vjetorin e hapjes
së shkollës së parë shqipe, është një ngacmim disi ndryshe për faktorët dhe
aktorët që e kanë detyrim ligjor, por edhe qytetar e moral për përkujdesje e
vlerësim më të madh të mijëra mësuesve, që në mjaft raste punojnë në kushte
ende të vështira dhe me trajtim financiar larg mundësive që ata të garantojnë
jetën e tyre dhe të fëmijëve. Mësuesi është ai që të hap portat e dijes, që të
orienton në lumin e madh të informacionit, që të udhëzon më mirë se kushdo tjetër
sesi lexohet e punohet me librin. Ai dhe vetëm ai edhe gjërat më të vështira i
bën të lehta për fëmijët. Mësuesit, në shumicën e rasteve, punojnë me pasion të
veçantë e intensitet për t’i përgatitur nxënësit jo për kohën që ata janë në
bankat e shkollës, por për kohën që ata do të dalin në jetë dhe do të ndërtojnë
Shqipërinë e së ardhmes, Shqipërinë e vërtetë Evropiane.
7
Marsi apelon para politikanëve e pushtetarëve të të gjithë niveleve, para
medias e intelektualëve, para të gjithë opinionit: Më shumë përkujdesje për
shkollën dhe mësuesit, më shumë respekt për punën e tyre të veçantë dhe të
lodhshme, më shumë vlerësim për të gjithë brezat dhe para së gjithash para kontribuuesve
më të mëdhenj të arsimit dhe atyre që tashmë të kërrusur nga vitet e gjata të
punës në arsim presin me padurim ditën e marrjes së pensionit në sportelet me radhë
të gjata! Më shumë ndjeshmëri e vlerësim material e moral për ata që na mësuan
shkrim e lexim, matematikë e kimi dhe që na orientuan të sigurt në jetë për të
përballuar konkurrencën e tregut të punës!
Më
shumë kujdes për ruajtjen e gjuhës së bukur dhe të vjetër shqipe nga huazimet
dhe fjalët e huaja, që mund të zëvendësohen lehtësisht me fjalë shqipe! Ndërsa
prindërve, kudo ku jetojnë e punojnë, në Evropë e Amerikë, në Australi e në
vendet e tjera, bashkë me respektin që kemi për kontributin që ata japin edhe për
zhvillimin e Shqipërisë, ju lutemi dhe në njëfarë mënyre ju përgjërohemi që tua
mësojnë gjuhën shqipe edhe fëmijëve dhe nipave e mbesave ! Në të kundërt gjuha
jonë, ndër më të vjetrat, një ditë do të shuhet dhe kur ajo nuk flitet e
shkruhet, shuhet edhe kombi, pasi gjuha është elementi kulturor që e mban gjallë
një komb. Nuk ka identitet pa gjuhë.
Festa
e të gjithëve përcjell mesazhe edhe për mësuesit. Ata kurdoherë të jenë në ballë
të punës për zbatimin e politikave për reformimin e shkollës, për kultivimin e
vlerave demokratike tek brezi i ri, për zhvillimin e fuqisë krijuese tek
nxënësit, për përfshirjen e të gjithëve në procesin e edukimit dhe të mësimit,
të argëtimit dhe të zbavitjes !
Në
këtë ditë të shënuar nga thellësia e shpirtit tonë buron fuqishëm urimi: Gëzuar
festën e dijes kolegë tanë të nderuar dhe të respektuar! Paçi gjithnjë suksese
e mbarësi!.