Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Skënderbeu i Ardian Pepës, një strateg lufte, i ngjitur në fronin e një prijësi legjendar
E hene, 03.03.2025, 07:00 PM
Skënderbeu i Ardian Pepës, një strateg lufte, i ngjitur në fronin e një prijësi legjendar
Nga
Albert Vataj
Nga
të gjithë jetësimet artistike, të emrit, jetës dhe veprës së Gjergj Kastrioti –
Skënderbeut, ndoshta më imponuesja është ajo e një prijësi, e simbolizuar nga
ajo që përfaqëson shtatorja e vendosur në Lezhë, përballë Memorialit të
Skënderbeut, vepër e skulptorit Ardian Pepa, e inauguruar më 2 mars 2025, në
kremtim të 581-vjetorit të Besëlidhjes së Princave.
Veprat
e artit kushtuar Skënderbeut, veçanërisht skulpturat, shpesh janë pritur me
debate, mendime pro dhe kundër, për stilistikën shprehëse, komponentet
përfaqësuese dhe çdo element dallues nga ballafaqimet e mëhershme. Ende kjo
figurë historike është e paqartë dhe idealizimi estetik ka qenë i vetmi
identitet që në përafron me imazhin e vërtetë të tij.
Pavarësisht
se si është përshkruar dhe se si ai është përjetësuar, në dëshmime historike
dhe faktime të dokumentuara, mitizimi ka fituar, për të përfunduar te tiparet
dhe karakteristikat më të shumëpërdorura, të cilat kanë ardhur për ta mbajtur
atë në konfigurimin e legjendës. Shtatorja e Skënderbeut, e Ardian Pepa,
shquhet për disa karakteristika dhe veçori që e dallojnë.
Kjo
shtatore është një përfaqësim madhështor i figurës së heroit tonë kombëtar, e
cila përmban disa shtresa kuptimore, si në aspektin estetik dhe ideor, ashtu
edhe në planin filozofik e historik.
Poza
dhe qëndrimi i tij. Skënderbeu paraqitet në një qëndrim dominues dhe autoritar.
Me njërën dorë mbështetur mbi shpatën që qëndron vertikalisht mbi tokë, simbol
i forcës dhe gatishmërisë për luftë. Dora tjetër mbi bel i jep figurës një
karakter të sigurt dhe të vendosur. Të dy këto elementë të pasqyruara në këtë
vepër, gjejnë lidhje të drejtpërdrejtë me kushtimin, që autori i ka bërë kësaj
skulpture, duke i theksuar asaj këto detaje që lidhen me kohën dhe vendin.
Vendi
ku shtatorja është vendosur, kontekti kohor, kuptimor dhe historik. Skënderbeu
vinte në një besëlidhje me kryezotit e Arbërisë, për të vendosur për fatin që
do të rrjedhonte, nga qëndresa që do t’i bëhej një prej ushtrive më të
përbindshme të kohës, asaj osmane. Skënderbeu është në gjendje pritëse, të
simbolizuar me dorën e djathtë që mban shpatën dhe dorën e majtë që mbështetet
në bel, vështrimin e shigjetues nga lart poshtë dhe një ashpërsi më të zbutur,
e tipologjisë së zakonshme të kësaj figure. Edhe pse vjen nga lufta dhe është i
gatitur për luftë, në pritje të vendimeve që do të dalin nga Kuvendi i Lezhës,
ai përcillet në këtë komunikum parmes një shprehjeje zotërimi.
Për
tu ndalur te komponentët e tjerë. Armatura dhe veshja e tij, janë të stilizuara
sipas imazhit ikonografik të Skënderbeut që njihet nga pikturat historike, me
helmetën e tij karakteristike me brirë dhie, simbol i luftës dhe mençurisë.
Manteli i gjatë që shpaloset pas tij krijon një ndjesi fisnikërie dhe fuqie
epike, duke e ngritur figurën në një dimension pothuajse mitik.
Portreti
i tij nuk është thjesht heroik, por gjithashtu përfaqëson një shpirt të paepur,
një udhëheqës që nuk lëkundet para sfidave. Kjo i jep veprës një dimension
psikologjik të thellë dhe forcë.
Monumenti
është i ngritur mbi një bazament të fortë, duke krijuar një efekt vizual që e
bën figurën e Skënderbeut të duket edhe më mbizotëruese mbi hapësirën përreth.
Kjo për ta vendosur këtë shtatore si një pikë referimi që dominon horizontin.
Në vetvete ai dëshmon për rikthimin e tij legjendar në njërin prej vendeve
ikonike të historinë së shqiptarisë, aty ku ai hyri në histori për t’u
përjetësuar në kujtesën e Kombit shqiptar dhe memorien e figurave të tjera të
përmasave dhe ndikimeve të tilla që ai përfaqësoi dhe shënjoi.
Nëse
krahasohet me shtatoret më të njohura të Skënderbeut, kjo e Ardian Pepës
vendosur para Memorialit, ku ai prehet në gjithmonshmëri, ka një stilizim më të
butë dhe më pak agresiv, më pak dramatik, por gjithsesi ruan një prezencë të
fuqishme. Me një ati, mësuesi dhe një prijësi, ai vjen në këtë qasje për të
shëmbëllyer atë të idealizuarin.
Kjo
shtatore është një ndërthurje e fuqisë dhe madhështisë, prijësit dhe heroit,
mitit dhe legjendës, duke e vendosur Skënderbeun në një hapësirë që e
përjetëson, si një figurë të pakontestueshme të historisë shqiptare, si një
kulmim i epërm i vetëdijes sonë, e cila shtrihet në gjithëshqiptarinë si një
energji përtëritëse dhe vetëbesimi, duke e vendosur atë më korrnizimin e një
ikone, duke e ngjitur në tempullin e një shenjtërie.
Ajo,
është gjithëpoaq një vepër që ruan një balancë mes realitetit historik dhe
idealizimit heroik, ndërsa mesazhi i saj kryesor mbetet i qartë, krenari, forcë
dhe përjetësi e vlerës së figurës kombëtare.
Duke
u rrekur për ta parë atë përtej kufizimeve, vërejmë se Skënderbeu i Pepës, ka
disa përkime stilistike dhe konceptuale me tradita të ndryshme artistike dhe
shkolla krijuese, që e lartësuan aktin në gjigandë prej bronxi. Edhe pse duhet
pajtuar me idenë se qasjet individuale krijuese që fitojnë, janë ato të
mbështetura mbi modele dhe përkime, shëmbëllime dhe interpretime, që në
kohëpaskohje orvaten të formalizohen në aktin krijues si unike.
Ajo
që mund të thuhet dhe që rrok një dakordësim kuptimor edhe nga një vështrim i
atypëratyshëm, ky monument ka një qasje realiste dhe heroike, e cila e vendos
figurën e Skënderbeut në një formë madhështore dhe të monumentalizuar. Kjo qasje
është e ngjashme me ndikimet i diktuara estetike të shekullit XX, ku heroi
paraqitet me një fizionomi të theksuar, me linja të forta dhe qëndrim
mbizotërues, për të qënë më shumë se sa ajo që sheh, ajo që ndjen dhe pesha që
të duhet të përballosh.
Nga
ana tjetër, ky stil ka rrënjë edhe në akademizmin e shekullit XIX, ku
skulpturat e heronjve kombëtarë si Napoleoni (p.sh. shtatorja e tij nga
Jean-Auguste-Dominique Ingres) apo Garibaldi në Itali paraqiten me një
madhështi të ngjashme, imponuese.
Përmasa
e Skënderbeut, qëndrimi i tij statik dhe simetrik, si dhe vëmendja ndaj
detajeve të veshjes dhe armaturës, kanë një frymë neoklasike, e ngjashme me
portretizimin e heronjve antikë grekë dhe romakë, kah janë pleksura rrënjët e
pothuaj gjithë traditave të monumentalizmit, sepse së andejmi erdhi përmasa dhe
stilizimi imponues, si fuqi që nënshtron. Sepse arti është e vetmja gjendje
përjetimi dhe reagimi që guxon të shkojë aty ku mendimet dhe përfytyrimi
sendërgjohen përmes një lënde të bartur emocionale.
Poza
me dorën mbi shpatë dhe mantelin që shpaloset prapa kujton Augustusin e
Primaportës (skulpturë e famshme romake), ku perandori shpërfaqet në një
qëndrim të ngjashëm dominues.
Gjithashtu,
helmeta me brirë dhe detajet e armaturës e afrojnë atë me përfaqësime të
Mbretit Leonidas të Spartës në artin klasik grek, duke e shndërruar Skënderbeun
në një figurë mitike.
Edhe
pse në thelb është një vepër statike dhe hieratike, manteli i gjatë që shtrihet
pas tij, si dhe forma e kapelës dhe armaturës, krijojnë një ndjesi të lehtë
lëvizjeje. Kjo i jep shtatores një element barok, të krahasueshëm me shtatoret
e Berninit (p.sh. "Konstantini i Madh" në Vatikan), ku vëmendja ndaj
teksturave dhe gjestikulacioni i trupit krijojnë një ndjesi dramatike.
Skulptura
të barokut shpesh përdorin mantelin dhe krekosjen për të dhënë madhështi, siç
shohim në veprat e Gian Lorenzo Berninit, ku veshja nuk është vetëm dekorative,
por pjesë e narrativës vizuale, asaj që ajo do të imponojë dhe mëton.
Shtatoren
e Abraham Lincoln në Uashington (nga Daniel Chester French), gjithashtu,ku
figura qëndron në një qëndrim madhështor dhe imponues, apo shtatoret e
Garibaldit dhe Cavour-it në Itali, ku liderët kombëtarë shfaqen me një qëndrim
të fortë dhe të pashmangshëm mbi piedestal.
Kjo
shtatore është një përzierje e realizmit heroik, neoklasicizmit dhe ndikimeve
baroke, duke krijuar një figurë që i përngjan heronjve antikë dhe udhëheqësve
të mëdhenj të historisë, por edhe trajtimeve të mëhershme që i janë bërë kësaj
figure të historisë. Ajo ka një frymë të qartë madhështore dhe mitike, e cila
shkon përtej një thjeshtë portretizimi historik, për të hyrë në sferën e
ikonografisë kombëtare dhe simbolizmit të pavdekësisë. Sepse arti,
monumentalizmi, përmasat, forca, imponimi, janë elemente që krijojnë një marrëdhënie
me soditësin, duke e lejuar të përfshihet emocionalisht në këtë përjetim, e pse
jo edhe duke zgjuar te ai fantazinë për ta kthyer në kohën e heroit dhe
zhvillimet e asokohshme, për t’i lejuar gjithashtu të jetë pjesë e historisë,
të mbushet me gjendjen dhe ta ndjej peshën që bie mbi të, duke e bërë atë më të
fortë dhe më të gjallë në këtë përfshirje.
Skënderbeu
këtu nuk shihet vetëm si një komandant ushtarak, por si një figurë udhëheqëse
më e përgjithshme dhe më e përjetshme. Sepse ai nuk ka mbetur në memorien e
historisë vetëm si një strateg lufte, por edhe si një diplomat i urtë, një
udhëheqës i drejtë dhe një prijës vizionar. Ai vërtetë i përkiste kohës së
shpatës, por më shumë se me shpatë, fitoret e tij janë produkt i zgjuarsisë dhe
përvojës.
Nëse
të tjerat, por edhe vetë Ardian Pepa në trajtimet mëhershme të Skënderbeut,
vendos Skënderbeun në një moment lufte dhe aksioni, kjo shtatore e vendos atë
në përjetësi, në përfundimin e misionit të tij, si një udhëheqës tashmë i
përmbushur.
Ndoshta
një Skënderbe legjendar, si një strateg dhe komandant, sot do ta preferonim një
prijës, një figurë të bashkimit, urtësisë dhe maturisë, por edhe vendosmërisë
dhe guximit për të mos u trembur edhe nga nevoja për tu ndeshur. Shpata dhe
veshja, tregojnë se ai është gati për luftë, por më shumë aspiron për paqe.