Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Patër Anton Harapi, kleriku që bëri kaq shumë për atdheun dhe u ekzekutua si armik i tij
E diele, 05.01.2025, 07:01 PM
Patër Anton Harapi, kleriku që bëri kaq shumë për atdheun dhe u ekzekutua si armik i tij
Nga
Albert Vataj
“A
e dini se çdo ndêrtese i vihen temelet n’dhé? Edhe pse n’vàrr, ne hijshëm duhet
t’jemi gurt’ e temelit t’njiasaj bînaje t’cillin sot e quejm Shqypni”. Janë
këto fjalë të qëndisuna me zemër të gatueme me prushin e atdhedashunisë dhe
hirin e shenjt të shërbestarit, t’devotshmit të rrugës së vërtetë, diejtuesit,
mendimtarit, shkrimtarit, veprimtarit politik dhe fratit françeskan Patër Anton
Harapi
Sot
137 vite më parë më 5 janar 1888 lindi në Shirokë të Shkodrës, biri i Loros dhe
i Çiles, Anton Harapi. I ati merrej me peshkim, të cilin e kishte traditë. Në
fëmijëri bashkëmoshatarët e thërrisnin në emrin e pagëzimit, Gaspër. Që në
moshë të re hyri në Kolegjin e Jezuitëve dhe më pas në Kolegjin Françeskan, që
ishte dhe mbeti shtylla e traditës së mirëfilltë kombëtare shqiptare.
Rezultatet
e shkëlqyera në shkollë i mundësuan të vijojë mësimet e larta në Salzburg, e
pastaj në Schwaz e Villach të Austrisë, dhe më vonë vijoi studimet teologjike
në Romë.
Më
1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e mbrame
të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur
Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazese e serbe, i përkushtohet shërbesave
fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në lagjen Arra e Madhe në
Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Gjatë kohës së takimeve që i
paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së
Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u
zhvilluan mes kontit L. von Berthold dhe Ismail Qemalit. Më 1916 në Dukagjin ra
kolera, P. Antoni vajti si shërbetor pranë tyre, për t’i ngushëlluar dhe
ndihmuar drejtpërdrejt nga ana profilaksike kundër kolerës. Dy vitet e fundme
të Luftës së Parë Botërore e gjeti famullitar në Grudë të Malcís së Madhe.
Organizon menjëherë tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh dhe ua uli parinë në
Shkodër që t’i dorëzonin memorandumin e përgatitur nga ai vetë në vitin 1918,
komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim me L. Gurakuqin dhe P. Gjergj
Fishtën, harton një peticion të nënshkruar nga 200 përfaqësues të tre
bajrakëve, drejtuar përkatësisht Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të
jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në përkrahje të
negociatave diplomatike, përfaqësuesit e Grudës, Hotit e Triepshit në Shkodër,
organizuan demostratën te Ura e Maxharrit, duke brohoritur: “Hot e Grudë ishin
betue, Pa gjak malet mos me i l’shue”.
Në
takimin që formoi grupin “Ora e Maleve”, nga fillimi i vitit 1923, merr pjesë
si përfaqësues i françeskanëve. Ishte bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të
fletores me të njëjtin emër, sëbashku me Ernest Koliqi të shoqërisë “Rozafat”
dhe Zef Harapi e shoqërisë “Bogdani”
“Kur
kam nxjerrë “Orën e Maleve”, përveç kolegut tim Dom Lazër Shantojës, nuk kam
pasë asnji njeri që të më përkrahë e të më japë ndihmë. Po, edhe miku im Nush
Topalli, më ka pague shpenzimet për botimin e tre numrave të parë”, dëshmon
nxënësi i tij P. Zef Pllumi.
Emërohet
drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte L. Gurakuqin në pjesëmarrjen
e tij tek Lëvizja e Qershorit, me fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor 1924
arrestohet dhe burgoset për do kohë. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë
mësim në liceun “Illyricum” (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në
Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor
të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës”. Botime të tija i gjejmë
edhe në gazetat “Posta e Shqypnisë” dhe tek “Zani i Shna Ndout” ku për shtatë
vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”. Gjatë
vitit 1936 dërgohet në Korçë i kërkuar nga intelektualët e atij qyteti tek P.
Fishta, si i njohur që ishte në shkallë kombëtare për shprehinë e tij të
zhdërvjellët për një kuvend mbi vlerat, parimet, kulturën e krishterë dhe
atdhetarisë. Më 1937 kreu shërbimin e fundit si famullitar në Bajzë të
Shkodrës.
Përveç
artikujve dhe studimeve në fushat e kulturës, artit, filozofisë dhe
sociologjisë Atë Anton Harapi ka botuar edhe librat Edukata ose Mirërritja e
Fëmijëvet (Shkodër 1925), Vlera shpirtërore (Shkodër 1936) dhe romanin
psikologjik Andrra e Pretashit që më parë u botua në vazhdime në revistën Hylli
i Dritës (1933-1940). Si vepër e plotë posthume u ribotua në Romë më 1959. Në
vitet e fundit fondacioni Hylli i Dritës ka botuar një vëllim me veprat Vlera
shpirtërore, Andrra e Pretashit dhe Valë mbi valë, që mund të porositet prej
Kuvendit françeskan në Tiranë.
Siç
ka vënë në dukje studiuesi Shpend Shpata, Edukata ose Mirërritja e Fëmijëvet
është përkthim e veprës së pedagogut A.Herget, të cilin Anton Harapi ka ditur
ti përshtasë moshës së re shqiptare, duke pasuruar pedagogjikën shqiptare me
elemente të pedagogjisë botërore.
Vepra
e dytë e Harapit, Vlera shpirtërore, ka pasur si qellim të dëshmonte se besimi
katolik nuk është kundër diturisë e përparimit, as kundër aspiratave të
njeriut, as kundër ndjenjave kombëtare.
Kryevepra
e Anton Harapit, Andrra e Prekashit, i kushtuar bashkëveprimtarit të tij të
dashur Luigj Gurakuqi, ka vlerë të madhe dokumentare, etnografike, psikologjike
dhe filozofike mbi jetën dhe idealet e shqiparëve të krahinës së Grudës, ku
Harapi shërbeu si famulltar në vitet 1918-19. Në këtë vepër ai jep pamje nga
jeta e tyre të përditshme por synimi i tij kryesor ka qenë thjesht kombëtar:
fiset e Hotit dhe të Grudës, t¨mbetura jashtë kufirit politik të sotëm, janë
thjesht shqiptare. ”Me veprën e përvuejtë të virtyteve shqiptare do ta ngrehim
madhinë e kombit tonë” shkruan Harapi.
Me
pushtimin e italianëve, Gjon Marka Gjoni ngarkohet nga paria e Shkodrës që të
shkonte të bisedonte me kontin Çiano, më 12 prill 1939, ku si pjesëmarrës dhe
përkthyes ishte Patër Antoni.
Si
njëri nga krerët e dërgatës së asambleistëve të Shkodrës i kërkon Asamblesë
Kushtetuese të Tiranës Pavarsinë e Shqipërisë, flamurin, gjuhën, shkollat… Në
prill të vitit 1940 bëhet pjesë e Institutit Mbretëror të Shkencave dhe në
vitin 1941 u zgjodh Provinciali i Urdhërit Françeskan në Shqipëri.
Pas
kapitullimit e Italisë, Mehdi bej Frashëri i propozon për t’u bërë përfaqësues
i katolikëve në Këshillin e Lartë të Regjencës. Duke qenë e papërputhshme me të
qenurit e tij klerik, ngase mund ta çojë në firmosjen e dënimeve me vdekje, dhe
se duhej leja e eprorëve, Harapi nuk e pranon ketë detyrë. Për këtë arsye
Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t’i jepte leje
At Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia
dha lejen Padër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte antar i Këshillit të
Regjencës, por me kusht që mos të nënshkruante asnjë vendim vdekjeje.
Me
13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri
në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit
si anëtar i Këshillit të Naltë, shprehej kështu: “Më rrenë mendja se nuk ka zog
shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a
për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi
më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija
e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase
me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të baj as
njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji
marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma
mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të
pastër – desha të komprometohem”.
I
plotfuqishmi i Rajhut në Evropën Juglindore, Herman Nojbaher shkruan te
Kujtimet e tij me vlerësim të madh për P. Antonit. Ishte fundi i qershorit të
1944 kur Nojbaher i hipën avionit për të fluturuar drejt Beogradit dhe At
Antoni që i thotë se: “nuk mund ta duronte më politikën” dhe vajti me të.
Pas
disa javësh qëndrim në Vienë e Tirol kthehet në Shqipëri.
Me
arrdhjen në pushtet të komunistëve, frati bashkë me mikun dhe kolegun e tij në
Regjencë, Lef Nosi, shkojnë në Shkodër dhe strehohen për disa ditë në Kuvendin
Françeskan të qytetit. Iu ngjitën Dukagjinit dhe mbas pak ditësh në Kir, më 5
dhjetor të 1944 vendosen në Plan të Pultit. Prenkë Ndou, kryetari i këshillit
dhe bajraktari i fshatit e strehon tek një vejushë në Lumaj, një vend ku ishin
vetëm dy shtëpi.
Më
6 apo 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur. Me vendim të datës 19
shkurt 1946 të Gjykatës Speciale në Tiranë, Anton Harapi shpallet kriminel
lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe
u ekzekutua të nesërmen duke mbetur pa varr.
I
tillë ishte fundi i këtij kleriku, i tillë fund që do të nënshkruhej me gjak e
me hekur nga komunizmi ndaj gjithë klerikëve, kësaj pasurie të gjatë dhe këtij
visari vlerash dhe kontributesh. Ata ikën me Krishtin në gojë e Atdheun në
zemër për të mbetur të përgjithmonshëm në kujtesën dhe detyresën për mirënjohje
të gjeneratave.