E merkure, 30.04.2025, 06:33 AM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Rrëzimi i një busti dhe pamundësia e ndërtimit të një shprese

E enjte, 20.02.2025, 07:56 PM


Rrëzimi i një busti dhe pamundësia e ndërtimit të një shprese

Nga Albert Vataj

Kush prej atyre që më 20 shkurt 1991 ndodhej në sheshin e përballjes, të asaj fitoreje që dukej e pakthyeshme, nuk e pati shpresuar se rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha do të shënonte fillimin e një epoke të re? Të gjithë u përfshinë nga entuziazmi i asaj dite të paharrueshme, një triumf që duhej të ishte preludi i një ndryshimi rrënjësor, por që, mjerisht, mbeti veç një çast euforie, një përpjekje që nuk u shndërrua dot në një pikë kthese të vërtetë.

Histeria e asaj dite, ekstaza e rrëzimit të një monumenti, krijoi iluzionin se fundi i një epoke të errët ishte i pashmangshëm. Por as mendja më e çoroditur nuk mund ta kishte imagjinuar se shembja e një shtatoreje do të shënonte paradoksalisht zanafillën e një tjetër errësire, ku çdo shesh dhe çdo shpresë do të mbeteshe peng i zhgënjimit, i zemërthyerjes dhe i humbjes së besimit.

Gabuam kur menduam se diktaturat rrëzohen bashkë me simbolet e tyre, se një regjim e humb fuqinë me përmbysjen e një busti.

Gabuam dhe e pësuam më rëndë se çdo iluzion tjetër që na pat verbuar. Ata që dikur ishin zemra dhe zëri i revoltës antikomuniste, sot mbeten plaga e hapur e një pendese – pendesa për atë që nisën, por nuk e çuan deri në fund.

Tani, kur më nuk kemi buste për të shembur, kur sheshet kanë mbetur të heshtura dhe shpresa ka zvenitur, mbetet vetëm një betejë e fundit: rrëzimi i bustit brenda vetes. Ai bust i ngritur në brendësinë tonë, ai që na ka zënë diellin dhe na ka verbuar sytë, që na ka rrënuar vullnetin dhe na ka larguar nga e drejta për të ndërtuar së bashku një të ardhme ndryshe.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të shembim këtë statujë të brendshme, këtë fatalizëm që na ka mbërthyer, këtë dorëzim përballë padrejtësisë. Vetëm atëherë mund të flasim për shpresë. Vetëm atëherë mund të themi se kemi ngritur themelet e një të sotme, për të cilën nuk do të kemi turp të themi: ne ishim ata që ndërtuam!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Kosovë, 17 vjet, sod më 17 t’shkurtit, që zgjatoftë motet, n’ymrin tand e gazmimin tem! Albert Vataj: Dija, dielli përpushës i shpirtit të një gruaje Albert Vataj: “Krishti Largohet nga Pretoriumi”, solemniteti i rrugës drejt Kryqit, i Hyut drejt mbretërisë qiellore Albert Vataj: Për gratë e thjeshta dhe të rralla Albert Vataj: Isabella Rossellini, gruaja e hirshme dhe shpirti i bukur i blatuar natyrës Albert Vataj: Shkodër, mall pata e shpirtje kam për kyt zjarm, diellin e dritimit të tan dëshirave qi m’ndezin Albert Vataj: “Lamtumira” me një puthje e babait me djalin, pikëllimi në kryeveprën e Guillou Albert Vataj: Si u ngrit kurthi francez për vrasjen e legjendës shqiptare, Isa Boletini në Podgoricë? Albert Vataj: Si u lidh zemra e njeriut me dashurinë? Albert Vataj: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, kreshta më e lartë e vetëdijes sonë kombëtare Albert Vataj: Çdo ditë n'Shkodër, nadja asht nji zgjim i andshëm t'amëlcimi Albert Vataj: Dashuria pa epsh, nga OSHO, te mënyra se si ne e kuptojmë dhe e përjetojmë dashurinë Albert Vataj: Qëndresa ndaj çdo vështirësie, na ka mësuar se si të ndeshemi në çdo betejë dhe të fitojmë çdo luftë Albert Vataj: Elvis Presley, një mbret i muzikës që kumtoi shëmbëllimin e një gjenerate ndryshesash të hovshme Albert Vataj: Shkenca shpjegoi se pse kujtesa jonë dëmtohet me kalimin e kohës Albert Vataj: Boris Pasternak, shembulli unik i fuqisë së penës përballë makinerisë së censurës dhe persekutimit Albert Vataj: Patër Anton Harapi, kleriku që bëri kaq shumë për atdheun dhe u ekzekutua si armik i tij Albert Vataj: Druhena, se duhena... hyjshëm Albert Vataj: Koha për lamtumirën e vitit që ikën dhe mirëseardhjen e vitit që vjen Albert Vataj: NASA bën histori duke iu afruar Diellit si kurrë më parë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx