E merkure, 30.04.2025, 08:14 AM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Dija, dielli përpushës i shpirtit të një gruaje

E diele, 09.02.2025, 07:55 PM


Dija, dielli përpushës i shpirtit të një gruaje

Nga Albert Vataj

Më sinqerisht dhe më dashamirësisht se kushdo tjetër, gratë më kanë bindur për magjinë e fjalës, për fuqinë shndërruese të përjetimit që sjell gërmëzimi i zërit të shpirtit.

Ato lexojnë më shumë, sepse ndjejnë dhe përjetojnë më thellë, më pastër, më zjarrtë. Ato e thithin fjalën si një frymëmarrje të dritës, e shndërrojnë në flakë përfytyrimin, në ngrohtësi idilin, në stuhí pasionin.

Atyre ndoshta u desh të besonin më fort në magjinë e fjalës, në historitë dhe ëndrrat e ëndërrimtarëve e qëndistarëve, për ta ruajtur atë si një diell mbrojtës në prehrin e tyre – ballë një bote gjithnjë e më të ftohtë dhe një të tashmeje gjithnjë e më të zbrazët.

Ato besuan tek fjalët si tek hyjnitë, që mbërrijnë në shpirtrat e tyre si dritë dhe premtim, si ngushëllim dhe adhurim.

Te leximi ato shpalosin botë dhe dëshira, dëgjojnë zërin dhe heshtjen, i bëjnë shoqëri vetmisë dhe ndahen me trishtimin.

Atyre u ra të zgjidhnin një altar dhe dëgjuan zemrën, thurën himne dhe blatuan përulje, aq të larta sa vetë eteri i besimit që i ngjiz dhe i përjetëson në shenjtërim.

Prandaj dashuria të do me aq pasion dhe zjarr, ty grua që di dhe ndriçon. Sepse ti je Afërditë dhe Penelopë, je Xhokondë dhe Zhulietë, je Laura dhe Zhan D'ark, je gjithçka që çmon si shpërblim, je grua, je nënë, je e shenjta Terezë.

Duart e tua që vetëtijnë kur prekin, që të dehin kur puthin, janë duar që krehin erëra dhe shfletojnë shpirtin e botës, që gjëmon në kraharorin tënd.

Ti, grua që lexon, ti ke gjithçka… dhe asgjë nuk mund të lëndojë prehjen tënde në andje dhe adhurim, sepse në ty është jeta e derdhur në trajtën e një shëmbëllimi të epërm – atë të vullnetit hyjnor.

Libri është dielli që sjell dritë në shpirtin tënd. Dielli që end qëndisma shkëlqyese, me të cilat ti vesh gjithçka që sheh, gjithçka që prek, gjithçka që ënd në përfytyrime dhe ëndrra. Shndrij, o diell, në këtë shpirt që përkundi jetën.

Femra është sinonimi i bukurisë, sharmit, finesës dhe elegancës. Në të zë fill gjithë harmonía e ekzistencës. Ajo është shenjtore sepse brenda saj lindin dhe zjarrmojnë të gjithë yjet – vezullime magjepsëse në qiellin e pasionit.

Ajo është e perëndishme sepse në trupin e saj krijohet jeta, dhe nga ajo buron fryma që gjallëron gjithçka.

Kjo magji e shndërron të magjishmen e vet, atëherë kur zelli i ëndjes e thërret këtë misionare të shndrisë qenien me prekjen e dijes përmes leximit.

Historia e pikturës ruan në prehrin e ngrohtë të ninullave tablotë e mjeshtrave, të cilët kanë përjetësuar leximin si një prej pasioneve të kahershme të gruas – të gruas mëkuese të jetës, të gruas endëse të qytetërimit, të gruas kënduese të çasteve joshëse të pasionit.

Çdokush te libri kërkon të zbulojë botët që i ka premtuar pasioni i dijes. Gruaja, më shumë se të tjerët, kërkon dhe gjen diellin që i ndriçon shpirtin.

Ndaj ka disa sy që, kur të shohin, të shndërrojnë në diell… dhe disa të tjerë që, kur të prekin, shuajnë çdo yll, sepse ata përmes leximit kanë zbuluar sekretin e dritës.

Ne shohim botën me dritën e tyre dhe ndjejmë me prushin që përpushet në çdo dëshirim që i thërret si në një mision.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: “Krishti Largohet nga Pretoriumi”, solemniteti i rrugës drejt Kryqit, i Hyut drejt mbretërisë qiellore Albert Vataj: Për gratë e thjeshta dhe të rralla Albert Vataj: Isabella Rossellini, gruaja e hirshme dhe shpirti i bukur i blatuar natyrës Albert Vataj: Shkodër, mall pata e shpirtje kam për kyt zjarm, diellin e dritimit të tan dëshirave qi m’ndezin Albert Vataj: “Lamtumira” me një puthje e babait me djalin, pikëllimi në kryeveprën e Guillou Albert Vataj: Si u ngrit kurthi francez për vrasjen e legjendës shqiptare, Isa Boletini në Podgoricë? Albert Vataj: Si u lidh zemra e njeriut me dashurinë? Albert Vataj: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, kreshta më e lartë e vetëdijes sonë kombëtare Albert Vataj: Çdo ditë n'Shkodër, nadja asht nji zgjim i andshëm t'amëlcimi Albert Vataj: Dashuria pa epsh, nga OSHO, te mënyra se si ne e kuptojmë dhe e përjetojmë dashurinë Albert Vataj: Qëndresa ndaj çdo vështirësie, na ka mësuar se si të ndeshemi në çdo betejë dhe të fitojmë çdo luftë Albert Vataj: Elvis Presley, një mbret i muzikës që kumtoi shëmbëllimin e një gjenerate ndryshesash të hovshme Albert Vataj: Shkenca shpjegoi se pse kujtesa jonë dëmtohet me kalimin e kohës Albert Vataj: Boris Pasternak, shembulli unik i fuqisë së penës përballë makinerisë së censurës dhe persekutimit Albert Vataj: Patër Anton Harapi, kleriku që bëri kaq shumë për atdheun dhe u ekzekutua si armik i tij Albert Vataj: Druhena, se duhena... hyjshëm Albert Vataj: Koha për lamtumirën e vitit që ikën dhe mirëseardhjen e vitit që vjen Albert Vataj: NASA bën histori duke iu afruar Diellit si kurrë më parë Albert Vataj: Ikja pa kthim e Fan Nolit Albert Vataj: "Shkodra Elektronike", “Prometeu” që do të çojë “Zjerm”-in e shpirtit shqiptar në Eurovision 2025

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx