Kulturë
Emin Kabashi: Vlerësimi kritik i krijimtarisë së një krijuesi
E merkure, 05.03.2025, 07:54 PM
VLERËSIMI KRITIK I KRIJIMTARISË SË NJË KRIJUESI
(Brahim
Avdyli, Parametrat e dimensioneve letrare, Prishtinë, 2025)
Nga
Prof. Dr. Emin Kabashi, Këshilltar
shkencor - Instituti Albanologjik i Prishtinës
Përkufizimi
Qoftë
vetëm përpjekja për ta përkufizuar krijimtarinë letrare dhe atë të gazetarisë
të Prend Ndue Bzhalës, siç ka bërë përpjekje Brahim Avdyli, është një punë e
mundimshme, por shumë e vlefshme. Prandaj, edhe përkufizimi i temës sonë, është
mbështetur në këtë gjerësi interesimesh të autorit të këtij vëllimi me shkrime
kritike dhe me vlerësime për vepra të veçanta të autorit, duke filluar nga
përmbledhja e parë me poezi e botuar që në vitin e largët 1995 në kuadër të
veprimtarisë së Klubit letrar ’’Voreo Ujko’’
në Klinë. Në këtë vëllim, sipas studiuesit Brahim Avdyli, janë përmbledhur
shkrimet poetike të Prend Ndue Buzhalës që nga viti 1982 deri në vitin 1995 me
një titull shumë specifik ‘‘O Amë, O
Amë’’. Një vëllim poetik i shkruar në periudha të ndryshme kohore, në
sisteme të ndryshme shoqërore, andaj edhe specifikojnë kuptime të ndryshme të
amësisë, të atdhesisë, të perëndisë, por edhe të jetës së njeriut brenda një
sistemi ku shkelen të drejtat elementare të njeriut.
Hyrje
Autori
Brahim Avdyli, duke u marrë me krijimtarinë e shumëllojshme të Prend Ndue Buzhalës,
ka prekur disa nga veçantitë themelore të krijimtarisë së tij, por asnjëherë
nuk e ka shkoqur nga rrethanat shoqërore, ku janë krijuar. Do të thotë,
studiuesi, Brahim Avdyli ka bërë përpjekje që të përthekojë brenda të gjitha
shkrimeve të tij studimore, për akëcilën vepër të autorit Prend Ndue Buzhalës,
pa marrë parasysh llojin apo gjininë e krijimtarisë me të cilën është marrë, duke
specifikuar, në radhë të parë vlerën artistike, përjetimin estetik, por edhe
ngarkesën e kërkesave shoqërore të kohës kur janë shkruar. Të njëjtën metodë
krijuese, Prend Ndue Buzhala, sipas autorit, ka ndjekur edhe në shkrimet e tij
kritike e studimore, për vepra të autorëve të tjerë, në studime dhe vështrime
për krijimtarinë e akëcilit prej autorëve që ka shkruar, duke vënë në spikamë
edhe anën e rëndësisë së angazhimit të saj kombëtar. Prandaj, mund të thuhet,
se studiuesi Brahim Avdyli, në secilin nga shkrimet e tij, qofshin ato për
veprat poetik dhe romanet, qofshin ato për shkrimet publicistike, si dhe për
ato të fushës së mendimit kritik, nuk e ka lënë anash asnjëherë qëndrimin e
autorit të atyre shkrimeve, pra të Prend Ndue Buzhalës për çështjen kombëtare.
Këtij qëndrimi i ka dhënë dorë, edhe veprimtaria e tij atdhetare, pra e
autorit, për veprat e të cilit shkruan, duke filluar nga burgosja e tij, nga
anatemomi dhe pamundësia për të shkruar e për të botuar, si dhe pamundësia për
të krijuar mundësi për të mbajtur dhe rritur familje.
Metodologjia
e shkrimeve për llojet dhe gjinitë e ndryshme letrare
Autori
i studimeve, vlerësimeve dhe recensioneve, Brahim Avdyli, për disa nga veprat e
Prend Ndue Bzhalës, siç thotë ai në nëntitullin e shkrimeve të tij, përherë ka
bërë përpjekje që të komunikojë me lexuesin përmes ideve, simboleve dhe
poetikës së shkrimeve të auorit, veprat e të cilit i ka marrë në shqyrtim. Kjo
do të thotë, se Brahim Avdyli, ka kërkuar bërthamën e vlerës së fjalës, të
vargut, të tërësisë së strofës dhe të poezisë, ka kërkuar qëndrimin e autorit
në shkrimet publicistike, ka qëmtuar me ngulm drejtpeshimin e krijuesit në
vështrimet e tij kritike dhe studimore. Duke u marrë me këtë gjerësi
interesimesh, autori i këtyre studimeve, Brahim Avdyli, në një mënyrë, apo në
një tjetër, ia ka afruar lexuesit jo vetëm qëndrimin e tij ndaj vlerave të letërsisë
që ka krijuar Prend Ndue Buzhala, por edhe shtresat e kuptimit të atyre vlerave
varësisht se në cilën kohë janë krijuar.
Pse
mund të thuhet kështu? Janë disa arsye, por kësaj radhe po trajtojmë vetëm dy
prej tyre. Në kohë robërie, siç ndodh edhe me krijimet e të gjithë popujve të
robëruar, si dhe në të gjitha periudhat kohore, doemos është e pranishme edhe
në poezinë dhe letërsinë shqipe në përgjithësi, qoftë për shkakun që të ruhet
pavarësia e identitetit krijues, qoftë për shkakun që të mos bëhet pronë e
organeve të ndjekjes, apo qoftë edhe për shkakun që të ruhet identiteti i
krijuesit. Prandaj, nuk ka ndodhur rastësisht, që njërin nga titujt e vëllimeve
poetike të veten, e nxitur nga fjala „thika“
e poetit Prend Ndue Buzhala, e krahason me titullin e veprës së tij ‘‘Thikat e mllefit’’, dhe ta quaj këtë titull
dhe vargun një ‘‘metaforë botërore’’,
ngase sipas bindjes së autorit, ajo është e tillë në të gjitha periudhat
kohore, kur janë shkelur të drejtat e popujve për të jetuar në liri, ku janë shkelur
të drejtat e krijuesit që të jetonte dhe të krijonte sipas frymëzimit dhe ideve
të tij, pa pasur frikë se do të ndiqet nga pushteti okupues, siç kishte ndodhur
edhe me autorin e këtyre shkrimeve, të cilat ia ka marrë në shqyrtim studiuesi
Brahim Avdyli. Autori që ka marrë përsipër të vlerësojë në mënyrë kritike, disa
nga veprat e Prend Ndue Buzhalës, pa marrë parasysh llojin apo gjininë e tyre
krijuese, ka ndjekur të njëjtën rrugë të hulumtimit të të vërtetave, që janë
pjesë e jetës, e vetëdijes krijuese, por edhe pjesë e ndërtimit të strukturës
së akëcilës vepër që e ka marrë në shqyrtim. Duke folur për vëllimin me tregime
të Prend Ndue Buzhalës, ‘‘Heroi i
rrugës’’, studiuesi ka qëmtuar rrugët e ndërdijës së personazheve, njësoj
si ato të autorit, përplasjet e realitetit jetësor me rrugët e jetës së
individit, në këtë rast edhe të krijuesit, për të shpërfaqur mundësinë e
përpjekjeve që të kuptohen drejtë të kundërtat e së vërtetës, apo kontradiktat
e të vërtetës, siç i ka titulluar autori Brahim Avdyli. Do të thotë, pasi Prend
Ndue Buzhala është autor i përkushtuar në disa fusha të krijimtarisë letrare,
duke filluar nga poezia, proza, herë e shkurtër, herë romane me tema
interesante, autor i përkushtuar i kritikës letrare, i esesë por edhe i
studimeve deri në metodologjinë e ndërtimit të strukturës së monografisë, që
doemos kërkon një përkushtim më këmbëngulës, studiuesi Brahim Avdyli ka bërë
përpjekje të shpalojë vlerat e secilës nga këto lloje dhe gjini të krijimtarisë
së Prend Ndue Buzahlës. Duke analizuar
strukturën e këtyre tregimeve të shkurtra, si i quan shpesh, autori i studimit
për këto tregime, Brahim Avdyli, ka shtjelluar edhe çështje e formës moderne
dhe postmoderne, duke mbështetur pikëpamjet e tij, në disa nga veprat burimore
që merren me vlerësimin e prozës moderne, jo vetëm në letërsinë shqipe, por
edhe në atë botërore.
Kthimi
te lashtësia dhe kërkimi i identitetit
Një
qasje të veçantë për krijimtarinë e Prend Ndue Buzhalës, autori Brahim Avdyli e
ka për poezinë e tij, të përfshirë në përmbledhjen ‘‘ANI I ILIRISHTEVE’’, botim i vitit 2020 në Prishtinë. Duke
ndjekur më kureshtje qasjen që i ka bërë autori studimit të poezive të këtij
vëllimi, mund të thuhet se është e njëjta rrugë që ka ndjekur edhe në pjesën më
të madhe të studimeve të tij, pa marrë parasysh llojin, apo gjininë letrare që
ka marrë në shqyrtim. Do të thotë, kërkimi i rrugëve që shpalon identitetin e
krijuesit, në këtë rast të krijimtarisë së tij, në të njëjtën kohë është
shpalim edhe i identitetit kombëtar, është në një mënyrë, apo në një tjetër,
kërkimi i njohjes së lashtësisë sonë kombëtare, për ta dëshmuar praninë e
gjëllimit tonë në hapësirat që quhen botë njerëzore. Në këto rrugë, kishte
shumë rënie dhe ngritje, kishte shumë humbje dhe shumë gjurmë të harruar, por
asnjëherë nukishte prekur bërthama, ai kumti i ekzistencës sonë kombëtare, që
shtjellohet në gjithë gjerësinë e studimit të autorit. Në kohën kur autori i
këtyre studimeve është marrë me poezinë e Prend Ndue Buzhalës, të botuara ishin
12 vepra, por në ndërkohë autori ka botuar edhe disa tituj me poezi, që janë
deri tashti mbi 29 sosh, që do të thotë, se shtrija dhe gjerësia e motiveve në
poezinë tij ka ardhur duke u rritur, duke u pjekur dhe duke u thelluar. Kështu
së paku, vjen në përfundim autori i shkrimeve për poezinë e Prend Ndue Buzhalës.
Prandaj, edhe kur merret me shqyrtimin e vlerave të poezisë së vëllimit ‘‘Ani i ilirishteve’’, një titull që
vjen në mënyrë krejt të veçantë, studiuesi, Brahim Avdyli, është ndalur
kryesisht te ato vlera që shpërfaqë kjo përmbledhje me poezi, ku identifikohet
lashtësia dhe identiteti kombëtar i njeriut dhe kulturës shqiptare. Mendoj se
mënyra e shqyrtimit, e analizimit, e zbërthimit të vlerave të vëllimit me poezi
‘‘Ani i ilirishteve’’ është analiza
më e plotë studimore e autorit të këtyre shqyrtimeve për krijimtarinë e Prend Nue
Buzhalës. Mund të thuhet se nëpër të njëjtat hulli hulumtimi, shqyrtimi,
analizimi dhe studimi, autori Brahim Avdyli, ka përvijuar ehe vlerat e
vëllimeve me prozë të Prend Ndue Buzhalës, „Sizifi
pa gurin e tij’’ (2020), por edhe për përmbledhjen me poezi, mbase më të
realizuar në planin artistik, ‘‘Pesëdhjetë
oratorio për fjalën e hirshme“, botim i vitit 2024. Dilemat, dyshimet, se
ato tema që trajton poezia e Prend Ndue Bzhalës, nuk janë ilire, nuk janë
arbane, pra nuk janë shqiptarë, si e kishin thënë shkencëtarë që kurrë nuk
është hequr dyshimi nga objektiviteti i tyre, kur i kanë quajtur se janë greke,
si dhe këmbëngulja për ta dëshmuar trashëgiminë e kësaj lashtësie ilire dhe
shqiptare, janë rrafshet që ka shpaluar në hulumtimet dhe shqyrtimet e tij
autori Brahim Avdyli, kur është marrë me poezinë e Prend Ndue Buzhalës, qoftë
në veçantë, në përmbledhje të caktuara, qoftë në përgjithësi kur është marrë me
vlerat e tyre themelore, në të cilat shpalohet me gjuhën e poezisë lashtësi dhe
identiteti ynë kombëtar.
Identiteti
i tematikës së prozës së Prend Ndue Buzhalës
Pa
marrë parasysh se për cilën vepër në prozë ka analizuar çështje të ndërtimit të
strukturës së tyre, autori Brahim Avdyli, ka mbarështruar gjithë shtresimet e
tematikës së këtyre veprave, duke analizuar dhe duke shqyrtuar ato bërthama që
janë vlera themelore e tyre. Kësisoj, ai ka marrë në shqyrtim, qoftë
përmbledhjen me tregime të shkurtra, për të cilën janë thënë pak fjalë edhe më
herët, ‘‘Heroi i rrugës’’, qoftë të
gjitha përmbledhjet që ka botuar deri tashti, më shumë se gjashtë vëllime
tregimesh, ka nxjerrë në spikamë ato anë vlerash të këtyre veprave, që zgjojnë
kureshtjen e lexuesit për t’i lexuar më tutje, por edhe përpjekjet për të
shqyrtuar me kujdes dhe me fakte teorike vlerat e tyre artistike. Po ashtu të
njëjtën rrugë do ta ndjekim edhe kur i merr në shqyrtim të tri romanet e tij, ‘‘Mosiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë’’,
romanin ‘‘Njerëzit prej fijeve të
dritës’’, si dhe romanin tjetër „Në
kapërcyell’’, kurse veprën e katërt të kësaj gjinie, ‘‘Një buzëqeshje përtej varrit (Tregime pleqërishte për një roman me
frymë të shkurtër)’’. Autori Prend Ndue Buzhala e ka ndarë mendjen të
shqyrtojë si një përmbledhje me tregime, gjë që është e drejtë e tij, edhe pse
brenda titullit të këtij vëllimi është edhe fjala roman.
Në
tërësinë e shqyrtimeve të tij studimore, për të gjitha llojet dhe gjinitë
letrare që ka marrë në shqyrtim nga krijimtaria e Prend Ndue Buzhalës, autori
Brahim Avdyli, ka qëmtuar me ngulm vlerat themelore të tyre, duke kërkuar me
këmbëngulje bërthamën e identitetit të tyre kombëtar, duke shpaluar vlera që e
bëjnë lexuesin ta kërkojë lashtësinë e tij, si dhe duke shqyrtuar gjithë
gjerësinë e shtresimeve të simboleve dhe të metaforave që janë vlerat themelore
të krijimtarisë së tij, qoftë në poezi, qoftë në prozë.
Përfundim
Kur
lexon me vëmendje këto studime, për poezinë dhe për prozën, për veprat me kritikë
letrare dhe veprat që mund të quhen monografi studimore, që autori Brahim Avdyli
ka marrë në shqyrtim nga krijimtaria e Prend Ndue Buzhalës, atëherë lexuesi
bindet se kjo është një punë e mundimshme, që realizohet me shumë përkushtim,
por me një mënyrë të veçantë të leximit. Do të thotë, autori Brahim Avdyli,
veprën letrare të Prend Ndue Buzhalës që e ka marrë në shqyrtim, e ka lexuar
duke qëmtuar bërthamën e tyre të lashtësisë, të identitetit kombëtar, por edhe
shtresimet e vlerave të tyre artistike, kur shkrua për poezinë e tij, si dhe shtresimet dhe mjetet e rrëfimit, pra
gjuhën e mënyrës së bartjes së akëcilës temë që ka trajtuar, për të komunikuar
me lexuesin e kohës sonë. Ngase, vlera themelore e një vepre artistike është
gjuha e komunikimit me lexuesin e kohës kur krijohet. Me mënyrën e shqyrtimit,
me qasjen studimore që i ka bërë veprës së krijuesit të mirënjohur Prend Ndue Buzhalës,
i ka afruar kulturës sonë të studimeve një aspekt të veçantë të shqyrtimit, por
edhe një qasje krejt origjinale në zbërthimin e vlerave të veprave që ka marrë
në shqyrtim.
Prishtinë, shkurt, 2025