Kulturë
Anton Nikë Berisha: Vepër që ndriçon mirëfilli rrjedhën e familjes së Bajram Currit
E enjte, 06.03.2025, 07:56 PM
VEPËR QË NDRIÇON MIRËFILLI RRJEDHËN E FAMILJES SË BAJRAM CURRIT
– Parathënie –
“Për
me kenë Shqipnija shtet përnjimend i pamvarshëm e me u mbajtë në kambë si shtet
e me përparue, nuk asht mjaft që shqiptari të jetë shqiptar vetëm me fis -me
trup, por duhet që të jetë shqiptar me shpirt: asi shqiptari, që të përbajë
kombin e jo vetëm popullin [...] për me mujtë me i vjeftë shtetit - Atdheut, ma
parë me dalë duhet me dijtë se çka asht Atdheu e mandej këtë Atdhe me e dashtë
me gjithë zemër?” - FISHTA
NGA
ANTON NIKË BERISHA
Gjurmues
këmbëngulës për ta ndriçuar të vërtetën përmes dokumenteve.
Me
veprat e hartuara dhe të botuara deri më tani, Mark Palnikaj ka dëshmuar se
është një gjurmues këmbëngulës dhe i përkushtuar që përmes dokumenteve ta
ndriçojë të vërtetën, t’i afrohet asaj sa më shumë që të jetë e mundur. Them
kështu për arsye se edhe vetë dokumentet i shkruajnë njerëzit dhe ata mund ta
thonë pjesërisht të vërtetën ose e thonë të vërtetën e tyre.
Puna
kërkimore e hulumtuese e Mark Palnikajt veçohet, pos të tjerash, për dy dukuri:
të zbulojë sa më shumë dokumente rreth një dukurie ose ngjarje, pra të përdorë
dokumente nga burime të ndryshme, pastaj ato t’i ballafaqojë midis tyre dhe,
atje ku është e mundur, si në rastin e ndriçimit të rrjedhës së familjes së
heroit dhe dëshmorit të kombit, Bajram Currit, t’i krahasojë dhe me atë që
tradita gojore e ka përcjellë nëpër breza.
Mirëpo,
punën e tij gjurmuese e cilëson edhe dukuria, që e gjen rrallë tek autorët
tanë: ai i zbulon dokumentet për një çështje e thotë mendimin e vet, po
asnjëherë nuk e mbyll atë, përkundrazi lë mundësinë që një gjurmues tjetër, në
bazë të burimeve e të dokumenteve të tjerë, ta plotësojë, ta ndriçojë edhe më
tej ose dhe të thotë diçka tjetër.
Pse
gjurmohet e kaluara?
Gjithë
cilësinë e punës kërkimore hulumtuese, Mark Palnikaj e përligj edhe me librin
“Bajram Curri, Origjina dhe familja”, që lidhet me të kaluarën tonë të largët
ose të afërt. Ai është i vetëdijshëm për atë që thoshte Gadamer-i “Tradita nuk
është vetëm një përmbledhje mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e
treta organike e potenciale, që aktualizohen e riaktualizohen në mënyrë të
domosdoshme në çdo gjykim të ri” dhe atë që thoshte Thomas Elioti se e kaluara
e përcakton në mënyrë të ndjeshme të tashmen, prandaj pa njohjen e saj nuk mund
të njihet mirëfilli as e tashmja. Pra, e kaluara nuk është thjeshtë një diçka
që ka kaluar, po, siç thotë shkrimtari italian, Francesco Grisi (Françesko
Grizi), “[...] është një e tashme që duhet zbuluar “. Është një ndërlidhje dhe
këmbim i vijueshëm midis të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes.
Këtu
janë dhe arsyet pse Mark Palnikaj ia hyri studimit të rrjedhës së familjes së
Bajram Currit i bindur se duke e ndriçuar rrjedhën e saj në bazë të dokumenteve
dhe të dëshmive të atyre që e përjetuan pandërmjetësisht atë rrjedhë dhe
ngjarjet ose të kujtimit që njerëzit kanë ruajtur për to, do të ndriçojë
mirëfilli edhe figurën e Bajram Currit (dhjetor 1866 –29 mars 1925), sidomos në
rrafshin kombëtar, po dhe veçantitë e një varg çështjesh që e cilësuan botën
shqiptare në atë kohë, për të cilën patrioti i shquar, Hasan Prishtina,
thoshte: Në kohën kur ne s’kishim as letër për të mbështjellë cigaret, Serbia
na premtonte tambël zogu që të bashkëpunonim me të.
Familjen
Curraj studiuesi Palnikaj e hulumtoi sidomos nga viti 1774, përkatësisht nga
koha kur Currajt dëshmohen pasardhës të Mark Bibës dhe të fisit Nikaj. Kurt
Mustafa, babai i Kol Kurtit dhe Hysen Kurtit morën prona në Curraj të Epër mbas
largimit të Pjajës dhe të Mavriqëve, të cilat (prona) ata nuk i shitën
asnjëherë.
Pra,
Currajt, si njëra nga tri degët e fisit Nikaj, ishin rebeluar dhe nuk ishin të
një mendimi me dy pjesët e tjera, Lekbibajt dhe Kolbibajt. Familja Curri këtë
mbiemër e mori mbas vendosjes në Gjakovë të vëllezërve Hysen Kurti dhe Kol
Kurti, dy nga pesë djemt e Kurt Mustafës të cilin më vonë, në ndonjë shkrim,
gjendet i shkruar si Kurt Curri.
Në
bazë të burimit – regjistrit të famullisë së Nikajve, i ruajtur në kishën e
Nikajve, familja e Kurt Mustafës kishte kushërinj të afërt pasardhësit e Per
Lekës dhe të Nik Lekës që në vitin 1820 ishin shtuar dhe kishin krijuar
familjet e Nik dhe Has Martinit, Vuksan Prekës dhe Mul Prekës, Kurt dhe Ded
Mustafës, Has Martini kishte 8 djem, Nik Martini kishte 3 djem, Mul Preka
kishte 5 djem dhe rreth njëzet nipa.
Sipas
regjistrave të Kishës së Nikajve studiuesi Palnikaj veçon: Kurt Mustafa kishte
pesë djem: Delinë, Kolën, Hysenin, Sokolin dhe Balën. Kishte edhe një vëlla që
quhej Ded Mustafa. Dy nga djemtë e Kurt Mustafës, Hyseni dhe Kola, lanë pronat
e tyre në lagjen Kodra e Shkallës dhe dolën me banim në Curraj të Epër. Hysen
Kurti së bashku me vëllain e tij Kolën, u larguan dhe u vendosën përkohësisht
në fshatin Koçanaj. Nuk dihet viti i saktë kur këta dy vëllezër u përplasën me
armë me xhandarët duke vrarë Tush Gjonin dhe sejmenët e tij për dhunën që ata
ushtruan në fisin Krasniqe.
Sipas
Mark Palnikajt kënga popullore e tregon motivin e vrasjes, por nuk na tregon
datën se kur ka ndodhur kjo ngjarje. Teksti i këngës dëshmon se Hysen Kurti
luftoi aty së bashku me vëllain e tij, por pa ia përmendur emrin. Më vonë,
Hyseni me familjen e tij ndërroi besimin dhe ndërtoi shtëpi në qytetin e
Gjakovës.
Duke
folur për familjen e Hysen Kurtit, mësuesi Col Qokaj nga ky fshat
shkruan:“Gjelosh Rama me Bajram Currin ka lidhje fisi dhe gjaku. Janë pasardhës
të Mark Bibës. Të parët e Bajram Currit, trollin e shtëpisë e kanë pasur afër
shtëpisë së Sadri Zeqirit, ngjitur me shtepinë e Prend Maxhunit. Të dy janë nga
fshati Curraj i Epër dhe si fis me prejardhje Krasniqe. Në fshat njëri ështëi
Mrishaj dhe tjetri i Nikbibaj. Jeta dhe lufta bëri që këta të njihen nga afër e
të bëhen miq e shokë të përjetshëm. Ata pinë edhe gjakun e gishtit, duke u
vëllazëruar me njëri-tjetrin. Dhe të dy derdhën gjakun për lirinë dhe
drejtësinë e maleve tona. Një pjesë e tokës së tij gjendet në Kodrën e Vocit.
Po kështu, kroi dhe ara e Hysen Kurtit, i cili gjendet përtej shtëpisë së Isuf
Sadikut, po në këtë vend. Këta emra ruhen edhe sot nga banorët, që banojnë
pranë tyre. Në bregun e lumit, poshtë shtëpisë së Mark Qun Arifit, në lindje të
kishës, sapo të kalojsh lumin e Currajt, poshtë shtëpisë së tij, është një
fushë që bregun e ka të mbuluar me shelgje. Në bregun e majtë të rrjedhës së
Lumit Curraj ka qenë toka e Hysen Kurtit, që janë nga trungu i Mark Bibës. Në
krye të kësaj toke gjenden edhe rrënojat e banesës së tyre që u bë stallë e
kooperativës ”.
Sipas
Mark Palnikajt ky shkrim fshin çdo hije dyshimi për praninë e Hysen Kurtit në Curraj
të Epër. Toponimet që përshkruhen në këtë tekst, janë një provë shumë e fortë
për pronat e Hysen Kurtit në këtë fshat.
Pra,
Hysen Kurti ka qenë babai i Shaqir Currit dhe babagjyshi i Bajram Currit,
ndërsa Shaqir Curri babai i Bajram Currit. Kur Hysen Kurti vendosi të shkojë në
Gjakovë ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe krijoi aty jetesë normale;
ndërroi fenë dhe u përshtat mirë me ambientin shoqëror dhe me organet
shtetërore që sundonin në atë kohë.
Në
bazë të dhënave që jep Mark Palnikaj, Shaqir Curri nuk u pagëzua në kishë, po u
konvertua në fenë islame; kishte lidhje të mira me Haxhi Zekën sepse te dy
kishin dalë nga Krasniqja.
Në
bazë të dokumenteve, Hysen Kurti dhe familja e tij, në vijimësi, u dalluan për
veprimtari atdhetare, që mbërrin një rrafsh kulmor me Bajram Currin, ku
përligjet ajo që thoshte Luigj Gurakuqi: “Atdheu âsht gjâja mâ e çmueme që kena
në kyt jetë” dhe ajo që thoshte atë Anton Harapi: “Çdo ndërtese i vihen
themelet në dhé. Edhe në varr, prandaj ne hijshëm duhet të jemi gurët e
themelit të njasaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipní”.
Mark
Palnikaj jep një varg të dhënash të tjera për familjen e Bajram Currit.
Për
vetë Bajram Currin në libër bëhet fjalë vetëm në faqet e fundit, meqenëse për
figurën e tij janë botuar shumë libra e studime.
Pasi
thekson se “Koha i dha të drejtë njëqind herë Bajram Currit në idetë e tij për
liri dhe përparim të kombit shqiptar dhe pa as më të voglën mëdyshje ai mbetet
figurë qendrore e historisë së kombit tonë për periudhën kur ai veproi”, Mark
Palnikaj përqendrohet vetëm në dy çështje: në vrasjen e Bajram Currit dhe në
kultin për të në kohën e komunizmit.
Për
të parën, pasi jep një varg argumentesh, Mark Palnikaj shkruan: “Vetëvrasja e
tij nuk është e besueshme [...] Përse unë nuk jam i bindur se ai është
vetëvrarë, por është vrarë nga dikush tjetër?
Së
pari xhandarët me këtë mision kishin ardhur, ose për ta arrestuar ose për ta vrarë.
Nëse do të ishte ndryshe, ata do t’i dërgonin fjalë të dorëzohej [...] Sipas të
dhënave që kemi aty ka pasur shkëmbim zjarri me armë midis xhandarëve dhe
mbështetësve të Bajram Currit ku sipas njoftimeve ka pasur të vrarë dhe të
plagosur. Në një situatë të tillë kush do ta kursente dhe të mos e vriste atë
nëse do të kishte mundësi. Nga populli i Tropojës edhe atëherë edhe më vonë,
nga disa deri në ditët e sotme, është thënë se ai nuk u vetëvra, por është
vrarë nga të tjerët”.
Vrasjen
e Bajram Currit nga forcat që e kishin rrethuar, e dëshmojnë dhe fjalët e
Shefqet Dragës, kosovar, i cili kishte qenë në çetën e Bajram Currit edhe në
çastet e rrethimit të tyre. Shefqet Draga thotë: “Në ora 6 të ditës allaturka
ishim tuj ndej në shpellë të qetsueshëm edhe të zhveshun. Bajraktar Salih Mani
doli përjashta për me pa, ku qe, po kthen mbas 4 – 5 minutash i nxituem tuej na
thanë se po ndihet një za edhe mori armën megjith Avdi Bajramin e Avdi Ali
Nimanin e dolën jashtë ku mas 5 minutash vështrimi Aliu kthej tuj na thanë se
çohi prej këtuhit edhe shmangni terthoras se në pashim qi na kan hetue do të
nisim luftën [...] Bashkë me Bajram Begun u shtërnguem s’bashkut tuej ardhun me
ne edhe Met Vesejli u nisëm bjeshkës tërthore. Prap mbas 5 minutash që ishim
nisë të shmangena ra një pushkë dhe mbas saj një batare kur po ndiejm edhe
brimën e Avdisë tuej bërtitë “U vra një”. Pushka gjithnjë vazhdonte dhe na
veçse ecshim në direkcionin e diftuem prej Bajraktarit (Sali Manit – v. ime).
Mbas tri oret të ecunit tonë, të lodhun kemi ndryshue direkcionin tuj ecun
teposhtë edhe jemi ulë në pushim ner pyllë resht pa u çue dy orë. Afër akshamit
më thotë Begu mue, filloju ti rrugës se unë të zë. Mbasi u largova prej tij nja
50 metra kam ndie krismën e pushkëve rreth Bajram Begut edhe sa jam sjellë të
shikoj shof se edhe Bajram Curri vetë mbas një lisit të hollë po qindron dhe
shtje pushkë. Mbas pes minutash lufte Curri u vra. Vrasjen e Currit e kuptova
prej nalimit të tij tuej shti pushkë si edhe prej zanit të gjindarmave të cilët
bërtitne tuj thanë “U vra Begi”. Si e pava që Begu u vra u nisa teposhtë për me
ra norë të noj oficeri [...] u avita ngat nëntoger Kadri Mehmetit, i dëftova se
kush jam dhe ju dorzova. Per veç mejet e Currit ka kenë Bajraktar Salih Mani,
Avdi Bajrami, Ali Nimani, Adem Bajrami e Met Vejseli” .
Për
t’i shtuar mendimit të tij një dëshmi tjetër thelbësore se Bajram Currin e kanë
vrarë xhandarët e shtetit, Palnikaj shkruan: “Ata që janë të pa informuar mbi
këtë ngjarje mund të pyesin “Pse u përhap ideja e vetëvrasjes së tij?”. Kjo ide
i shkonte për shtat Ahmet Zogut për të qetësuar masat e popullit kryengritës të
fiseve të Veriut për vrasjen e njeriut që ata e kishin idhullin e tyre. Me një
hipokrizi që nuk njeh kufi, qeveria e Zogut sponsorizoi varrimin e tij me ceremoni
në qytetin e Krumës në Has. Organizatori i vrasjes së tij, Hasan Kryeziu, e
drejtoi ceremoninë e varrimit duke e quajtur si një vrasje aksidentale të tij,
duke e kamufluar si vetëvrasje edhe pse ajo nuk ishte e tillë. Hipokrizia dhe
manipulimi vazhdon me dhënien e një pensioni prej 250 franga ari në muaj për
gruan dhe vajzat e Bajram Currit, i cili ishte një pension i denjë për cilindo
mbështetës të qeverisë zogiste”.
Rreth
ngritjes së kultit të Bajam Currit Mark Palnikaj shkruan: “Mbas vitit 1944, shteti
i kohës bëri vlerësimin e të gjithë figurave patriotike me aktivitet atdhetar
që nga koha e Skendërbeut duke paguar njerëz për të shkruar libra dhe këngë,
për të ndërtuar buste, për të mbledhur dhe botuar folklor që i thurnin hymne
ngjarjeve patriotike kundër pushtuesve të ndryshëm dhe të vrarëve në betejat me
pushtuesit e huaj.
Kështu
ndodhi dhe me Bajram Currin, njërin nga patriotët më të njohur. Palnikaj
shkruan: Ai sistem nuk e quajti komunist, por e emërtoi “Patrioti demokrat” dhe
e vlerësoi me titullin “Hero i popullit”, i dha qytetit Kolgecaj emrin “Qyteti
Bajram Curri”, i bëri një bust të denjë për një patriot të madh dhe u kujdes
për gruan e tij duke i lidhur pension patriotik. Mbas vitit 1990, një takëm
njerëzish nga ish mbështetësit e Ahmet Zogut, kryesisht nga Tropoja, u shprehën
kundra Bajram Currit dhe haptas disa herë kërkuan heqjen e bustit të tij,
ndërrimin e emrit të qytetit nga Bajram Curr në Kolgecaj dhe disa
mendjeshkurtër e konsideruan si prokomunist, politikan i majtë dhe broçkulla të
tilla”.
Edhe
rreth pandehmës kinse Bajram Curri i paskësh shkruar një letër për “Hazreti
Leninin” Palnikaj e zhvesh qëllimin e pushtetit të atëhershëm: “Më duhet të
sqaroj këtu se tymnaja për letrën shkruar nga Bajram Curri për Hazreti Leninin
është një sajesë e disa të ashtuquajturve studiues që punonin në sektorin e
edukimit në Komitetin e partisë në Tropojë të cilët sajuan legjendën se ai e
kishte shkruar një letër të tillë. Kjo legjendë gjeti përhapje të madhe dhe i
shkonte për shtat edhe politikës komuniste të kohës, prandaj edhe pse nuk ishte
e vërtetë e publikuan në gazeta, radio dhe televizion një thënie të tillë. Ne
tropojanët e dimë shumë mirë se cili ishte ky shërbëtor i bindur qorrazi
regjimit të kohës që e sajoi këtë gënjeshtër [...] Tani ju keni në dorë të
botuar në dokumentin që ju përmenda më sipër letrën që Bajram Curri nga qyteti
i Vjenës i ka dërguar jo Hazretit Lenin por Gubernës Sovjetike (Qeverisë së
Bashkimit Sovjetik), të shkruar nga sekretarët e tij në gjuhën frëngjisht dhe
të firmosur me gisht nga Bajram Curri. Ai kërkon ndihmën e asaj qeverie për të
mbështetur shtetin e sapokrijuar shqiptar dhe për kthimin e tokave të marra me
pa të drejtë nga fqinjët e Shqipërisë me ndihmën edhe të ish qeverise ruse, të
drejtuar nga regjimi carist i udhëheqësve rusë. Në atë letër Lenini nuk
përmendet”.
Studiuesi
Palnikaj jep të dhënën e sakët për vitin e lindjes së Bajram Currit: 1886 e jo
1882, siç shënohet gabimisht në shumë libra dhe në shtatore të Bajram Currit!
Më
duhet të përmend faktin se me këtë libër Mark Palnikaj e ndriçon, sa gjerësisht
aq dhe thellësisht, rrjedhën e familjes së Bajram Currit, po dhe dy- tri
çështje të rëndësishme të jetës së vetë Bajram Currit. Me këtë studiuesi
Palnikaj e përligjin mendimin e Luigj Gurakuqi, i cili thoshte: “Një popull që
nderon burrat e vet, një popull që pavdekeson kujtimin e tyne, jo vetëm ndêr
faqet e historisë por edhe mbi rrasa e në monumenta, ai popull tregon se ka
ndêrgjegje, se ka ndiesi të holla, se njef miradijen e ka dishirë me u sjell e
me u drejtue mbâs shembullit të të Mëdhajvet të vet”.
Po
e mbyll këtë parathënie me mendimin e shkrimtarit të shquar gjerman, Tomas
Man-it, i cili thoshte: “Që një vepër e shkruar me kulturë të lartë të ketë
sukses, duhet të ketë një afërsi të fshehtë, të ndjehet lidhja midis fatit
personal të autorit dhe fatit të brezit të tij” . Me veprën “Bajram Curri,
Origjina dhe familja”, Mark Palnikaj ka dëshmuar të njëjtën ndjesi e cilësi
përballë familjes së Bajram Currit, këtij personaliteti madhor të botës sonë, i
cili e përmbushi mirëfilli atë që thuhet në mendimin e Fishtës, të sjellë në
krye të parathënies: “[...]nuk asht mjaft që shqiptari të jetë shqiptar vetëm
me fis - me trup, por duhet që të jetë shqiptar me shpirt”.
Prishtinë, shkurt 2025
ANTON NIKË BERISHA