Kulturë
Lejla Gorishti: Një dhuratë e bukur që shkrimtarja Vilhelme Vrana Haxhiraj na dhuron në këtë 8 Mars
E merkure, 05.03.2025, 07:55 PM
Një dhuratë e bukur që shkrimtarja Vilhelme Vrana Haxhiraj na dhuron në këtë 8 Mars
Mendime
rreth romanit “Ai dhe Ajo…’E Çmendura” të shkrimtares Vilhelme Vrana Haxhiraj
Nga
Lejla Gorishti
Të dashura Zonja ! Ju uroj Gëzuar Marsin,
Ditën Botërore të Gruas !
Soloni, ishte një burrë
shteti, ligjvënës, filozof
politik dhe poet arkaik athinas ka thënë: “Perënditë kanë bërë dy gjëra të mrekullueshme; gruan dhe
trëndafilin.”
Çfarë simbolike…?! E madhërishme, e bukur
dhe me aromën e veçantë të trëndafilit.
Këtë simbolikë e gjen të mishëruar te libri
i sapodalë nga botimi nga shtëpia botuese Europrint, i autores së
mirënjohur, shumëdimensionale,Mjeshtre e Madhe të penës, vlonjates Vilhelme
Vranari Haxhiraj, me titull “ Ai dhe Ajo,…’E Çmendura”.
Ky roman ka në qendër përgjithësimin
e portretit
të një gruaje dhe të një epoke, plot luftë dhe fitore. Nga përprekjet e
pafundme, zbulohet gjithë madhështia e jetës të Asaj gruaje që bën epokë.
Është një temë mjaft reale ku
trajtohet një problem që i prek të gjitha gratë, në mënyrë të drejtpërdrejtë
apo të tërthortë.
“Mendoj, - thotë autorja,- se të gjitha
gratë,të çdo moshe apo profesioni, e ndjejnë nevojën që të jenë paksa të
lira, të marrin frymë jashtë çdo lloj trysnie dhe çdo lloj tutele. Nuk e kam
fjalën këtu për shkelje normash e rregullash morale, as tradhëti bashkëshortore
apo mohim përgjegjesie…, jo! Por çdonjeri i çdo moshe, profesioni duhet ta
kuptojë se, ashtu si burrat që qëndrojnë e shijojnë sa e sa çaste vetëm mes
shokësh e të pavarur nga gratë e sidomos nga fëmijët, ashtu dhe ne kemi nevojë
të jemi paksa të çlirta ose të pavarura.”
Është tronditëse, madje tepër drithëruese
për një grua të dëgjojë që nga goja e bashkëshortit të saj të dalin
fjalë kaq të ulta dhe fyese siç na thekson shkrimtarja në këtë roman...
- Është mirë që ta qepësh atë gojë që e ke si halè. Nuk bën gjë tjetër vetëm leh si bushtër gjithë ditën,
sepse je cipëplasur, të ka plasur delli i ballit, dhe një të tille si ti, nuk i
mbyllet kamarja. Le të bëjë çfarë të dua unë, ti përsëri jashtëqitje nxjerrë
nga goja, se veç edukatës që të mungon, dallohesh si rrugaçe edhe akoma më keq si
mosmirënjohëse. Po vazhdove me fjalorin tënd prej ndyrësire, do të të
zhvsh në mes të rrugës. Mos ma thënçin më emrin dhe mos qofsha biri i atij
babai me nam në gjithë kazanë.
-Si ta marrë këtë paralajmërim, kërcënim apo të drejtën
prej tutori të "burrit"mbi gruan, atë të drejtë të pronësisë
bashkëshortore që ka vendosur patriarkati i mesjetës? Jam zonjë e vetes dhe nuk
kam nevojë për tutelë.
-Sepse je bushtër, je një zabërhane e pashoqe që bredh
dhe llap gjithë ditën si ato rrufjankat.Mos po mendon vallë se ke qenë ndryshe?
Jo...Kështu ke qenë që e re. Unë, që isha krenaria e djemve të asaj kohe, doja
të të nxirrja ty nga errësira në dritë, por... Sado që u mundova të të bëja
qytetare, shkriva gjithë energjitë për të të mësuar ty dhe harrova veten, u
vetmohova për ty, sepse isha me shpirt intelektuali apo si ta them simbol i
qytetarit të lindur, jo shaka...Kurse ti ngele, po ajo që ishe... Një fshatare
e pagdhendur. S'ke ku shkon më tej, veçse atje, atje...në gjenezë ke vajtur.
Nuk bëhesh më e mirë nga ata të paaftët e fisit tënd. Je njëlloj si ata,
vulëhumburit e tu.”
Është pak të thuash turp për një dhunë
të tillë psikologjike, për një fjalor kaq fyes e denigrues ndaj gruas me të
cilën ka krijuar familjen e tij ky burrë. Të ushtrosh dhunë psikologjike apo
fizike ndaj femrës është krim. Krimi më i pafalshëm, sepse ti ke ngritur dorë
kundrejt një të pambrojture, po bën të fortin në një betejë me një askush,
sepse forca e femrës nuk llogaritet në dhunë. Kur një burrë vë dorë mbi një
grua, përveçse kur duhet ta përkëdhel atë, e fyen me një fjalor të rëndomtë rrugësh, është
më filliqësirë se fëlliqësira. Është sjellja më e ulët jashtë çdo norme
njerëzore e cila nuk kapërdihet.
Kjo
lloj dhune vjen nga ata burra që janë frikacakë ndaj të tjerëve dhe atë inat që
kanë e nxjerrin tek femra që ka në shtëpi, bashkëshorte apo e fejuar, vjen nga
ata burra maskarenj qe nuk dinë se kanë dalë nga një nënë, që nuk e dinë
ç'është dashuria e që s’do ta dinë kurrë. Vjen nga ata burra që tek të tjerët
nuk guxojnë ta ngrenë zërin,s’kanë fytyrë,dhe gruas(që fatkeqësisht i
duron), ia nxijnë jetën...Edhe dhuna psikologjike nuk është më e pakët,ajo
është një problem me vete,që ndodh kryesisht për shkaqe të rëndomta si
psh,ekonomia...po jap nje shembull nga libri, kur gruaja punon dhe burri eshtë
pa punë, shkurt burri është një parazit që ha lekët e djersën e gruas,
dhe që i duket sikur ia ka për borxh ajo e shkreta.
“Situata pastaj nuk është më një zënkë burrë-grua, por
skllav-skllavopronar, -na thotë autorja.Një situate banale e krijuar nga ai
burrë që ka aq fytyrë ta quaje veten burrë para botës, kur të gjithë e dinë
se nuk eshtë me tepër se një hiç që e mat forcën me gruan...
Dhe si justifikime përdoret gjithmonë, xhelozia. Besoj se duhet ta keni vënë
re dhe nëpër lajme, kur ndodhin krime në familje.
Unë mendoj se edhe gratë kanë një pjesë të fajit, sepse i durojnë burrat aq
shumë, thua se ai ua ka shpirtin në dorë. Pse?! Kur sot më shumë se kurrë, ka
një sërë mundësish denoncimi. Janë hapur zyra për mbrojtjen e grave të
dhunuara, janë këto shkrime me vlerë për të na hapur sytë e për të ngritur
zërin. Ky libër është një pasqyrë e gjallë e jetës sonë.
Këtë thekson dhe autorja në fund të romanit, kur thotë:…”nëpër
paragrafe e rreshta do të gjeni diku veten tuaj si dhunues apo i dhunuar, të
strukur nëpër faqet e këtij romani të vogël po me peshë të rëndë psiko-morale
dhe sociale, i cili i bën apel kohës dhe njeriut që i mungon logjika, arsyeja,
si dhe humanizmi.”
Pasi lexon edhe fjalën e fundit, cilido arrin në këtë përfundim:
“Çdo njeri duhet të mësojë nga gabimet dhe fajet e tij apo të të tjerëve.
Atëherë kupton se përvoja e së shkuarës është një shkollë autodidakte, pa u ulur
në bangat e shkollës, pa mësues dhe pa libra. Kjo është shkolla e jetës, para
së cilës, deri në frymën e fundit, përherë i detyrohemi me respekt përvojës së
kohës, ku çdo individ është nxënës,” Vivra.
Urime dhe shumë suksese Vilhelme Vrana
Haxhiraj!
Vlorë më, 05.03.2025
Lejla Gorishti (redaktore)