Kulturë
Timo Mërkuri: Triko e nënës
E shtune, 08.03.2025, 07:54 PM
PENELOPA
-Nënës
sime, Aleksandrës!
Nëna punon në shtiza një triko të leshtë për
mua,
Ndërsa shiu zhurrmon jashtë mbi rrasat e të
dashurve tanë...
TRIKO
E NËNËS
Nga
Timo Mërkuri
Më
datën 8 Mars 2025 Ilirian Zhupa hodhi në fb poezinë "Penelopa", si një krijim kushtuar
nënës së tij të ndjerë Aleksandra. Në këtë krijim Ilirian Zhupa ndërton një
portret poetik të nënës së tij, Aleksandrës, duke e ndërlidhur me figurën
mitike të Penelopës. Në vargje, nëna e tij, Aleksandra shfaqet si figurë
mëmësore e përkushtuar, e cila i përngjan Penelopës jo vetëm përmes aktit të
punës me shtiza, që ka qasje me të punuarit në avlëmënd të Penelopës, por edhe
përmes durimit, sakrificës e dashurisë së pakushtëzuar. Realisht studiuesit e
letërsisë e kanë parë figurën e Penelopës si një grua besnike e Odiseut, e cila
i mashtron mtonjësit me endjen në avlëmënd të një pëlhure që nuk përfundonte
kurë, falë dinakrisë së saj; pse atë që thurte ditën e çthurte natën, duke
shtyrë kohën e mbajtjes së premtimit për të zgjedhur bashkëshortin e ri midis
tyre. Gati të gjithë studiuesit e letërsisë (përjashto poetin Varnalis) këtë
këtë dinakri të saj e lidhin me besnikërinë ndaj Odiseut dhe pak kujtohen se
ajo veçse mbretëreshë ishte dhe nënë, dhe kësisoj shtyrja e afatit të martesës
së saj me një nga mtonjësit kishte të bënte edhe me shtimin e afatit të
sigurisë së rritjes së të birit Telemakut si princ trashëgimtar, dmth i
paprekshëm. Varnalasi te “Ditari i vërtetë i Penelopës” na thotë që ajo “harroi” që ishte gruaja e
Odiseut, por asnjë autor nuk thotë që ajo harroi ndonjëherë që ishte nëna e
Telemakut, madje dhe kur vjehri i saj, Laerti, i lodhur e i dëshpëruar
“braktisi” detyrën e tij si gjysh i Telemakut; u tërhoq nga pallati dhe shkoi të
jetojë në një kasolle, pra dhe atëherë që mbeti vetëm pa mbështetje Penelopa
nuk e braktisi detyrën si nënë. Madje ajo edhe detyrën si mbretëreshë e la fare
pas dore, e la pallatin dhe pasurinë në duar të mtonjësve. Edhe kur Telemaku u
largua për të gjetur të atin ose ndonjë lajm për atë, dhe pse mtonjësit e kapën
gafil në mashtrimin e çthurrjen e pëlhurës së thurur, ajo u tha atyre të
prisnin sa të vinte i biri. Thjeshtë donte të sigurohej që i biri nuk ishte
prekur dhe nuk do prekej.
Mirëpo
kemi një element të rëndësishëm që e bën
këtë poezi edhe më prekëse: nëna e poetit nuk jeton më, ndërsa poeti thotë që
ajo punon me shtiza një triko për atë. Kjo i bën vargjet të marrin një ngarkesë
ndjesore më të thellë, duke e shndërruar kujtimin për të në një formë të
poezisë përjetësuese, ose më saktë mund ta emërtojmë këtë dukuri me frazën:
Nëna e poetit ose kujdesi që mbart kohën
Te
vargjet e Zhupës, nëna e tij është paraqitur në një moment të thjeshtë e të
përditshëm, duke thurur një triko të leshtë për të birin, ndërkohë që jashtë
dëgjohen gjurmët e shiut mbi varret e të dashurve të ndjerë, detaj që vendos një
contrast mes ngrohtësisë së brendëshme dhe ftohtësisë së jashtëme, duke shtuaj
një dimension ndjessor dhe filozofik në poezi. Ky detaj e vendos nënën në një
kohë të shkuar, duke e bërë të gjallë përmes kujtesës poetike. Në këtë çast,
ajo nuk është vetëm një grua, por mbi të gjitha një nënë që krijon, që
përkujdeset, që mbron, edhe përtej kohës dhe jetës. Nëna e mbron poetin edhe përtej
jetës, ku ajo është ndërkohë. Kjo figurë është ndërtuar nga poeti thjeshtë mbi
kujtesën e tij të fëminisë, kur e shihte gati çdo ditë nënën duke thurur triko
pranë vatrës, ndërsa ata të gjithë, madje dhe babi kotej pranë vatrës. Kështu puna
e saj me shtiza bëhet një metaforë e një kujdesi të pandërprerë, që nuk përfundon
as me kalimin e viteve, as me largimin fizik nga jeta. Trikoja e leshtë, një
vepër e thjeshtë por e ngarkuar me dashuri, është një mënyrë me të cilën nëna
lë gjurmë në botën e të birit. Përmes saj (trikos), ajo e ngroh birin jo vetëm
fizikisht, por edhe shpirtërisht. Ky është akti përkujdesës mëmësor që e lidh
në mënyrë të natyrshme me Penelopën, e cila, siç thamë thurte e çthurte për të
shtyrë afatin kohor dhe për të mbrojtur të birin. Pra kemi dy nëna identike që
bëjnë gjithçka për të mbrojtur birin e tyre nga e keqja që u avitej.
Le
ti kushtojmë pak vëmendje vargut: “Ndërsa
shiu zhurrmon jashtë mbi rrasat e të dashurve tanë”. Ky shi që bie nuk është
thjeshtë një element i natyrës por më së pari është një metaforë për kalimin e
kohës, ciklin e pandalshëm të jetës dhe vdekjes. Një grua është gjithmonë një
ekuilibër mes gruas dhe nënës, por ka periudha në jetë kur mëmësia e mbulon
plotësisht feminitetin. Kjo ndodh me Penelopën, e cila për vite të tëra nuk
është (vetëm) gruaja e Odiseut, por para së gjithash nëna e Telemakut. E njëjta
gjë ndodh edhe me nënën e poetit Zhupa, e cila shfaqet në vargje në momentin
kur ajo nuk është më, por vazhdon të jetë prania e munguar që lë shenjë. Ajo
nuk është më një grua me përditshmërinë e saj, por një figurë mëmësore që jeton
në kujtesën dhe artin e të birit, duke u shndruar në një figurë qëndrore midis
dy botëve. Ashti si Penelopa që ndodhet mes të shkuarës dhe të ardhmes, edhe nëna
e poetit “krijon” diçka në të tashmen, një “triko” metaforike, e cila shkon përtejë
funksionit të saj praktik dhe duhet të shihet si metaforë e mbrojtjes së
përherëshme të birit . Rrënia e shiut mbi rrasat e varreve krijon një contrast
që e vendos trikon si një urë mes të gjallëve dhe të vdekurve dhe dëshmon se
ndërsa jeta vazhdon ciklin e saj, dashuria e nënës nuk shuhet kurrë. Unë ju
them se trikoja është më shumë se një
send, ajo është një “poezi e rhurur me duar”, një metaforë e dashurisë që nuk
venitet. Zhupa përmes këtij imazhi nuk shfaq një moment të zakonshëm por një
symbol universal të kujdesit mëmësor dhe vazhdimësisë përmes kujtimit.
Së
fundi ju them se e kam dhe unë një triko të tillë që e vesh çdo ditë, sot e 57
vjet, por s’kam bërë ende një poezi për atë. Të faleminderit Ilirian që e
krijove dhe për mua.
Sarandë, më 8 Mars 2025