Kulturë
Ndue Dedaj: Parajsa prej librash e Borgesit
E enjte, 13.03.2025, 09:27 PM
PARAJSA PREJ LIBRASH E BORGESIT
Nga
Ndue Dedaj
45
vjet më parë, Jorge Luis Borges, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të
shekullit XX, thoshte para studentëve të Universitetit të Belgranos, se
“gjithmonë Parajsën e kisha imagjinuar si një bibliotekë” dhe shton “Nga të
gjitha instrumentet e njeriut, pa dyshim, më i çuditshmi është libri.
Instrumentet e tjerë janë zgjatime të trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi
janë zgjatime të vështrimit; telefoni zgjatim i zërit; po ashtu kemi parmendën
dhe shpatën, zgjatime të krahut. Por libri është tjetër gjë: ai është zgjatimi
i kujtesës dhe imagjinatës së njeriut...”
Fjala
e tij mund të gjendet lehtësisht dhe të lexohet, por kumti është i qartë dhe me
kaq. Njeriu në tokë ka krijuar parajsën pa të cilën nuk mund të rronte, atë të
kujtesës së njerëzimit, imagjinatës krijuese, diturisë së gjeneratave – e
gjitha kjo në formën e librit dhe të bibliotekës, që nga papiruset. Doemos që
mund të ketë këndvështrime të ndryshme, dikush e sheh parajsën tokësore te arat
e begata plot bereqet, vreshtat me rrush e vozat me verë, dikush të kështjellat
antike dhe qytetet mesjetare e moderne, dikush te besimi dhe institucionet e
kultit, dikush te shpikjet e mëdha që i dhanë kuptim ekzistencës së njeriut në
këtë planet etj.
Kurse
Borgesi e shihte parajsën te libri. Shumë njerëz e mendojnë si ai, ndaj herë
pas here gjejnë mënyrën për të ndikuar te të tjerët, sidomos pasardhësit, për
një lexim të vazhdueshëm dhe sa më të thelluar të librit, pasi në një mbretëri
të pafundme librash nuk mund të hyhet duke bërë sikur… po lexon. Nuk është e
vërtetë që nuk kemi kohë për të lexuar. Nuk na e merr krejt kohën bota
virtuale! Kafenetë plooot, po. Si askund tjetër në Europë, kah jemi nisur e nuk
po dimë të mbërrijmë. E vërteta është se njerëzit më me shumë punë
intelektuale, krijuese, shkencore etj. lexojnë më shumë! Nuk kanë vend se ku të
vënë librat. Ka hequr dorë nga libri kategoria që e mendon leximin kohë të
humbur, apo thjeshtë për të kaluar kohën!?
Jo,
të lexuarit nuk është aspak një gjë e lehtë, pasi vetë libri nuk është një
“send” i lehtë në dorën tënde, madje është më i rëndë se dhe vetë topat që
buçasin…
Bibliotekat,
botuesit, katedrat universitare, masmediat, shkrimtarët sugjërojnë lista me
libra që duhen lexuar, veçanërisht nga nxënësit dhe studentët. Por është dhe
një zakon i vjetër, mes miqsh, të flitet për librat, që fatmirësisht nuk është
venitur nga koha e internetit. I rekomandojnë njëri-tjetrit libra artistikë, historie,
filozofie, përkthime enciklopedike etj., secili sipas “parajsës” së tij dhe
asaj të Borgesit. Postojnë foto bibliotekash të vjetra, që nga ajo e
Aleksandrisë dhe njerëzish që lexojnë dhe në park, në tren etj. në kohën e
sotme, për t’iu provuar tanëve këtu se ky refuzim i librit ndër ne është
absurd, i dëmshëm dhe me pasoja për shoqërinë e nesërme.
Të
ishte për punëtorët e Librit, dhe ata janë jo pak, nuk do t’i kishin miratuar
listat e deputetëve pa i kaluar një për një në “provimin” e librit, leximit dhe
bibliotekës vetjake, familjare. Nuk do t’i kishin miratuar ministrat,
gjykatësit, ambasadorët pa këtë kriter, të lexuarit.
Lum
kush ta kuptojë në tokë “parajsën” e Borgesit, për të cilin “ashtu si rëra,
edhe libri nuk ka as fillim as fund”.