Mendime
Albert Zholi: Vladimir Mici - Inflacioni është dhe mbetet vetëm problem i politikës monetare
E merkure, 16.10.2024, 05:54 PM
Flet Dr. Vladimir Mici:
-
Barazimi i Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i drejtohet
një recepsioni të thellë si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia
-
Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga
inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerës.
-Një
treg i pjekur regjistron një inflacion vjetor normal prej 1-3 përqind.
-Inflacioni
i tregjeve në zhvillim mund të jetë pak më i lartë dhe të arrijë 2-8 përqind.
-
Fakti që leku forcohet në raport me to është futja e monedhës euro dhe dollarit
më shumë sesa nevojat tona.
-
Inflacioni është dhe mbetet vetëm problem i politikës monetare.
-
Ky ndryshim do të thotë se konsumatorët dhe kompanitë europiane do të paguajnë
më shumë për shërbimet që importojnë dhe do të fitojnë më pak nga eksportet në
tregje ndërkombëtare.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Ka kohë që leku shqiptar, po forcohet në raport me monedhat e
huaja. Nëse shohim sot, më 13 tetor 2024, dollari amerikan blihet me 89.7
lekë dhe shitet me 90.7 lekë. Euro blihet me 98.4 lekë dhe shitet 99 lekë.
Franga zvicerane këmbehet në blerje me 104.4 lekë, ndërsa në shitje me 105.4
lekë. Paundi britanik blihet me 117.1 lekë dhe shitet me 118.1 lekë. Vlera e
Euros dhe dollarit thuajse është barazuar për herë të parë në 20 vite, duke
sinjalizuar se ekonomia europiane po i drejtohet një recensioni të thellë si
pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Sot afërsisht 1 euro është baraz me 1
dollar. Ky ndryshim do të thotë se konsumatorët dhe kompanitë europiane do të
paguajnë më shumë për shërbimet që importojnë dhe do të fitojnë më pak nga
eksportet në tregje ndërkombëtare. Euro hasi në një humbje dramatike të vlerës
së saj që prej fillimit të shkurtit kur vlerësohej mbi 1,13 dollarë. Kjo ka
bërë që në Shqipëri të ketë inflacion. Inflacioni dhe rritja e çmimeve
janë problem që ndikojnë tek populli. Një treg i pjekur regjistron një
inflacion vjetor normal prej 1-3 përqind. Inflacioni i tregjeve në zhvillim
mund të jetë pak më i lartë dhe të arrijë 2-8 përqind. Për shkak të këtij
inflacioni të parashikuar dhe të kontrolluar, pagat tona, si dhe mirëqenia dhe
përfitimet e tjera, rriten çdo vit. Ndodh, sepse çdo vit për të njëjtën shumë
parash njerëzit mund të blejnë pak më pak mallra. Për këto probleme jep
përgjigje dr. Vladimir Mici...
- Ka kohë që
leku shqiptar po forcohet në raport me monedhat e huaja. Pikërisht më 13 tetor
2024 shikojmë se dollari po barazohet me euron, ndërsa leku shqiptar po
fuqizohet ndaj të dyjave. Mendoni se Banka e Shqipërise ka emetuar në mënyrë të
pakontrolluar monedhë lek për të thithur nga qarkullimi monedha të huaja, kryesisht
euro dhe dollarë duke ulur në mënyrë artificiale kursin e këmbimit me këto dy
monedha?
Siç e kemi thënë kohë më
parë ka kohë që leku shqiptar po forcohet në raport me Sot, më 13 tetor 2024,
dollari amerikan blihet me 89.7 lekë dhe shitet me 90.7 lekë. Euro blihet
me 98.4 lekë dhe shitet 99 lekë. Franga zvicerane këmbehet në blerje me 104.4
lekë, ndërsa në shitje me 105.4 lekë. Paundi britanik blihet me 117.1 lekë dhe
shitet me 118.1 lekë. Vlera e
Euros dhe dollarit thuajse është barazuar për herë të parë në 20 vite. Mendoj
se kjo nuk shkon në logjikën ekonomike. Arsyeja është mjaft e thjeshtë. Nqs do
të kishim më shumë euro dhe dollarë në treg sesa janë nevojat tona
për to çmimi i tyre (kursi i këmbimit) do të binte. Nëse sasia e parave në treg
( dmth lekut do të ishte hedhur për këtë qëllim) duke injoruar faktorë do të
zhvlerësohej në raport me valutat e huaja. Fakti që leku forcohet në raport me
to është futja e monedhës euro dhe dollarit më shumë sesa nevojat tona. Nëse
kjo tendencë vijon atëhere ne presim zhvlerësim të mëtejshëm të dy valutave
ndaj lekut. Por a mund të emetojë Banka qëndrore para? Jo Banka qëndrore
nuk emeton para, pa kërkesën dhe miratimin e qeverisë! Arsyeja është e
thjeshtë. Banka Qendrore merr atributin e agjentit të qeverisë dhe qeveria
siguron nëpërmjet emetimit të parasë burimin e tretë, ku burimi i parë mbeten
tatimet, burimi i dytë është huazimi nga publiku përmes obligacioneve dhe
bonove dhe mënyra e fundit është emetimi i parasë. Ky emetim quhet seinjorazh.
Pasojat e këtij emetimi i paguajnë individët. Në gjuhën ekonomike ajo quhet
taksë inflacioni e vendosur nga qeveria. Për këtë politikë monetare po përdor
shprehjen e Fridmanit. Inflacioni është dhe mbetet vetëm problem i politikës
monetare. Sipas teorisë sasiore çdo emetim shtesë parash është i barabartë me
shtesë inflacioni. Roli i Bankës qëndrore është të ruajë stabilitetin e çmimeve
nëpërmjet inflacionit të shënjestruar. Deri në mesin e vitit 2024, Banka
Qëndrore parashikonte stabilizimin e inflacionit në shifrat poshtë 4%. Më parë
ishte mbi këto shifra. Problemi, që lind me qytetarët se ajo nuk kompensohet në
mënyrën e duhur; pra e thënë pak më saktë rritja e çmimeve nga
inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke
sjellë ulje të fuqisë blerëse dhe papunësi për shkak të rënies së kërkesës së
brëndshme për mallra dhe shërbime. Rritja e inflacionit mbi nivelin e kërkuar
është tashmë e qartë, sepse ka filluar si strategji që me pandeminë dhe shifrat
e fryra të realizimeve të GDP, apo indeksit të çmimeve të ulura artificialisht,
përmes strukturës së shportës së mallrave të inflacionit, strukturës së
pambështetur të konsumit midis grup moshave dhe gjinive dhe sistemit të pagave
joadekuat. Realisht ka ulur pagën reale. Efektet e inflacionit ndihen: Mbi koston
e parasë. Një para e mbajtur në dorë sot pas një viti vlen më pak për shkak të
inflacionit. Kostoja e dytë ndodh me firmat, që detyrohen më shpesh të
ndryshojnë çmimet, për pasojë ato kanë kosto shtesë, që lidhen me marketingun e
tyre. Kostoja e tretë lidhet me kontratat e bëra, për të cilat firma nuk mund
të ndryshojë çmimet. Kostoja e katërt lidhet me efektet tatimore. Psh nqs ke
blerë një shtëpi para dy vitesh, e cila ka kushtuar 5 milion lekë sot, po e
njëjta shtëpi kushton 6 milion lekë nga inflacioni. Në momentin që e shet 6
milion duhet të paguash taksë mbi taksën e inflacionit 15%. Dhe e fundit.
Mospasja e një niveli çmimesh stabël apo të qëndrueshme, por sot ke çmime të
tjera dhe nesër të tjera me diferenca të ndjeshme kjo sjell pasiguri
jetese dhe komplikon shumë planifikimin financiar të çdo familje sidomos ato që
janë edhe me kredi apo borxhe. Në këto raste vendimi më i mirë do të ishte
kursimi dhe kufizimi në maksimal i konsumit duke ulur konsumin si shoqëri dhe
për pasojë produktin e përgjithshëm bruto dhe në një spirale aftësinë e
ekonomisë për të gjeneruar në potencialin e vet. Më të prekur nga inflacioni
janë punonjësit me paga fikse dhe pensionet, sepse edhe në rastin më të mirë
indeksimi i tyre ndodh një herë në vit, por gjatë vitit këto efekte rëndojnë
mbi kurrizin e tyre dhe barra e borxheve tashmë e ka lënë gjurmën e vet.
Banka e Shqipërisë si vepron? A i kontrollon sasinë e parave që
hedh në treg? Çfarë kriteresh ka për hedhjen e parave në treg?
Për të matur sasinë e
parasë në treg mënyra më e thjeshtë është teoria sasiore e parasë. Sipas kësaj
teorie sasia e parasë në treg përcaktohet nga vëllimi i përgjithshëm i
transaksioneve në mallra e shërbime të vlerësuara me çmimet e tyre në vit
pjestuar me numrin e herëve që një njësi paraje qarkullon në vit. Sa më i madh
ky herës aq më e vogël është sasia e parasë në treg dhe anasjelltas sa më i
vogël ky tregues aq më e madhe është kjo sasi. Por aktualisht një pjesë e
transaksioneve kryhen në mënyrë elektronike, apo me llogari bankare, duke eleminuar
paranë cash, dhe kjo përqindje vjen duke u shtuar në raport me paranë cash
kështu që banka e Shqipërisë llogarit edhe këtë sasi në pjesën e saj. Kështu që
lind treguesi i bazës monetare. Baza monetare është sasia e përgjithshme e
njësive të parasë, që mbahet nga publiku dhe rezervat që kanë bankat. Me këtë
tregues lidhet raporti rezervë/depositë dhe raporti para depozitë. Oferta
monetare = paraja cash + depozita, ndërsa baza monetare është paraja cash +
rezerva nga bankat. Kështu që nqs raporti cash depozitë është 1 dhe raporti
reservë depositë është 0.9 dhe baza monetare 200 miliardë lekë oferta e parasë
= 2B/1.1= 363,6 miliardë lekë. Pra egziston një kontroll i thjeshtë për të
përcaktuar tepricën, apo mungesën në treg të parasë. Por a ka vështirësi? Po,
sepse në tregun shqiptar kryhen transaksione të gjëra në euro dhe monedha të
tjera duke zvogëluar mjaft sferën dhe rolin e Bankës qëndrore në politikën
monetare dhe të na japë përshtypjen e një teprie monedhe në lekë.