E enjte, 01.05.2025, 10:54 PM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Mërgimtarë, mos bini pre e krimit të organizuar!

E merkure, 09.10.2024, 06:50 PM


Mërgimtarë, mos bini pre e krimit të organizuar!

Shkruan: Florim Zeqa

Niveli i lartë i uzurpimit të partive politike nga liderët autoritarë dhe kapja e partive politike nga grupet e interesit, ka bërë që të mos ketë shumë dallime mes tyre. Kush më pak e kush tjetër më shumë, shumica e partive politike kosovare po mbahen të uzurpuara nga një grup i vogël i klaneve dhe grupeve të interesit të lidhura ngushtë me korporatat e inkriminuara të bizneseve të pista, të cilët skajshmërisht i kanë ngulfatur zërat reformues brenda partive politike, duke e bërë kështu të pamundur ndryshimin aq të nevojshëm të kursit qeverisës në vendin tonë.

Politikanët e inkriminuar e infektuan edhe mërgatën

Liderët partiakë me këto grupe të vogla njerëzish përreth tyre, duke mbajtur afër vetes vetëm servilët dhe puthadorët e të gjitha pushteteve, përveçse i kanë izoluar zërat ndryshe, i kanë irrituar qytetarët dhe mërgimtarët, ku si pasojë e kësaj situate kemi rënie drastike të daljes së elektoratit në zgjedhje!

Nga paslufta e këndej, klasën e korruptuar politike në pushtet është duke e mbajtur nëntoka kriminale dhe sekserët e tyre në Diasporë, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave të pista dhe zhvatjen e buxhetit të shtetit, në emër të aktiviteteve të mërgatës, duke paguar nga llogaria e shtetit të Kosovës dreka e darka të majme, verëra dhe pije të shtrenjta me çmime të fryera të restoranteve mesatare në shtetet evro-perëndimore.

Janë të papranueshme dhe të dënueshme të gjitha format e abuzimit të parasë së taksapaguesve të varfër kosovarë, e në mënyrë të veçantë nga individët e caktuar në mërgatë që janë të lidhur me krimin e organizuar në Kosovë, të cilët po i qesin hije të zezë anës më të pastër, arteries më të shëndoshë dhe më humane të kombit tonë.

Politikanët e inkriminuar pa i pasur sekserët e tyre në mërgatë as që ia mësyjnë Diasporës. Vizitat e eskortave politike të pushtetarëve tek organizimet fiktive pa anëtarësi në Diasporë u ngjajnë tenderëve njëburimor që i ndajnë për kompanitë fantome në Kosovë, nga të cilat dhe përmes të cilave i shpëlajnë paratë e pista.

Individët apo grupet e interesit në Diasporë, të cilët kanë marrë dhe marrin mjete (pare) të taksapaguesve të varfër kosovarë nga qeveritë e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Diasporës në emër të zhvillimit të aktiviteteve në mërgatën tonë janë sekser abuzues dhe pjesëmarrës aktiv në krim të organizuar.

Prandaj, individët dhe grupet e interesit në Diasporë që thithin mjete të taksapaguesve të varfër kosovarë janë grupe mafioze të cilët politika e korruptuar i shfrytëzon për shpëlarjen e parave të pista dhe për vota njëkohësisht.

Më mirë do të ishte që ato mjete të mbeteshin në Kosovë, gjegjësisht të shfrytëzoheshin për përmirësimin e jetës së qytetarëve, gjegjësisht për rritjen e skemave sociale, pensioneve të  invalidëve të luftës, shërimin e të sëmuarëve apo ndarjen e bursave për studentët shëmbullorë e jo për bileta aeroplani dhe shpenzime hotelerie për mërgimtarët që shkojnë për të votuar për politikanët e inkriminuar në pushtet apo opozitë.

Rezervimet e biletave të aeroplanit dhe të hoteleve për mërgimtarët kanë filluar nga dita e shpalljes së zgjedhjeve nga Presidentja! Shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit në hotele, mërgimtarëve ju kthehen në këmbim të marrjes së librezës partiake, gjegjësisht të konfrimimit të votës së dhënë për ta!

Si zakonisht, ndërmjetësues në sigurimin e biletës dhe hotelit për mërgimtarët votues janë sekserët e diasporës dhe grupet e interesit në Kosovë!

Ju themë me bindje të plotë, se ata që ju ofrojnë kushte tërheqëse për një votë, asnjëherë nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë në fokus interesin e qytetarëve dhe mërgimtarëve, por mendjen e kanë si ta mbajnë apo marrin pushtetin, për t'u pasuruar në mënyrë të paligjshme, duke ju harruar tërësisht deri në zgjedhjet e radhës!

Sikur të ishte ndryshe, pa asnjë problem data e zgjedhjeve do të caktohej në përiudhën e pushimeve dimërore të mërgatës, në fund të muajit dhjetor apo në ditët e para të janarit. Por këtë nuk e bën, sepse i frikësohen votës së lirë të mërgimtarëve! Andaj, duan t'iu shantazhojnë me para të pista të krimit të organizuar.

Të dashur bashkatdhetarë, vëllezër dhe motra mërgimtare mos bini pre e mashtrimit dhe shantazhit të politikanëve të korruptuar. Pavarësisht çmimit të ofruar mos bini pre e krimit të organizuar.

Florim Zeqa

05.10.2024



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Llesh Ndoj: ''Mosbindja civile'' me mjete luftarake, si mund të quhet? Kalosh Çeliku: Dudumët që të vrasin natën dhe të vajtojnë ditën Florim Zeqa: Dallimi mes politikanëve dhe mërgimtarëve! Ndue Dedaj: Sofra Pukjane… e biznesit Florim Zeqa: Nuk ka vota pa përfshirjen e mërgatës në listat zgjedhore! Agron Tufa: Diktatura e re e Krajave dhe ish-hetuesve të komunizmit Florim Zeqa: Amerika dielli që i ngrohë zemrat e shqiptarëve Refik Hasani: Bashkëpunimi institucional ndërkufitar, duke përfshi Vëllazërimin, Miqësimin e Binjakëzimin Asllan Dibrani: Me amanetin e Rugovës dhe Kadaresë Krahina e Rugovës po rikthehet në formë kolektive në të krishterë Hasan Hasanramaj: Barbaritë e pushtuesve në këto troje nuk pushuan ma shumë së një shekull… Kalosh Çeliku: Zyra me çelësa pas dere Aurel Dasareti: Mos lejoni që t'ju shpëlahet truri nga propaganda e mediave manipuluese antikombëtare Nue Oroshi: Bashkimi i Gjermanisë dhe ne shqiptarët Enver Bytyçi: Pse veriu i Shqipërisë është rajoni më i varfër i Europës? Enver Bytyçi: Po u nënshtruan kësaj radhe demokratët, nuk do të ketë më opozitë! Ndue Dedaj: Opozita, djegia e karrigeve si precedent! Feti Tunuzliu: Të flaken latinizmat nga Legjislacioni Penal i Kosovës Nue Oroshi: Marshi i partive politike të Kosovës nëpër mërgatë Florim Zeqa: Qeveria shterpë, presidentja jo produktive! Aurel Dasareti: “Me ty në shtrat, nuk kam më frikë nga vdekja”, -i këndon Rama Vuçiçit

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx