E shtune, 09.11.2024, 12:19 AM (GMT)

Mendime

Llesh Ndoj: ''Mosbindja civile'' me mjete luftarake, si mund të quhet?

E merkure, 09.10.2024, 05:35 PM


“MOSBINDJA CIVILE” ME MJETE LUFTARAKE, SI MUND TË QUHET?

NGA LLESH NDOJ

Që të jemë tërësisht i qartë dhe si “paradhënie”, për të gjithë ata që pas fjalëve vijuese do të mund të më ngjitin etiketa stampë, të tilla si komunist, socialist, majtist, apo çfarëdo epiteti tjetër kësisoj, unë i përkas asaj shtrese që mendon se të protestosh është ndoshta “vaksina” më e sigurtë për t’a ruajtur të shëndoshë qeverisjen e një vendi, aq sa jam i sigurt që qeverisja aktuale socialiste ka hap mjaft “fronte” ndaj të cilave duhet reaguar me të gjitha format demokratike, përfshirë edhe mosbindjen civile. Ka vite që personalisht nuk marr pjesë në protestat e opozitës së kohës. Ndoshta kjo që në “kohën e Fatosit”! Pse?

Sepse ato, ose janë thirrur si protesta pa kauzë reale, apo me kauza të kamufluara me ngjarje të rastit, ndonjëherë edhe fatkeqe, ose janë manipuluar e devijuar në shërbim të një grushti njerëzish që i kanë vënë ato në shërbimin e tyre personal, sipas parimit makiavelist: “qëllimi e justifikon mjetin”, duke sjellur pasoja të dëmshme për shoqërinë, më shumë se sa rezultate pozitive e shëndoshje të qeverisjes. Kohët e fundit sidomos, në gjuhën politike të opozitës, artikulohet gjerësisht termi “mosbindje civile”, një term që vjen në kohë pas keqpërdorimit për shumë vite të termit “revolucion” dhe në një rend jo logjik të zhvillimeve në vend.

Po ç’përbën në vetvete ky term? Cila do të ishte udha normale e evoluimit të tij, nga revolucioni në mosbindje civile, apo anasjelltas, nga mosbindja civile në revolucion? Pak më tej, a janë krijuar kushtet vërtetë për një revolucion në Shqipëri? Me këto mendime në kokë, e prita jo pa interes protestën e datës 7 tetor 2024 të opozitës shqiptare, jo thjesht për koicidencën si datë me atë të revolucionit bolshevik të një shekulli më parë, apo me një vjetorin e sulmeve terroriste të hamasit mbi Izrael, por kryesisht për shkak të termit të shumëpërdorur nga drejtuesit opozitarë, veçanërisht doktor Berisha, për mosbindjen civile, e për paralajmërimet se 7 tetori 2024 do të sillte fundin e narkoshtetit, oligarikisë, shtetit mafioz shqiptar e të tjerë terma që as literatura politike s’i përmban, por që u përdorën gjerësisht prej tij, duke sjell edhe fjalëformime të reja të denja për t’a pasuruar fjalorin politik, por edhe për faktin që për herë të parë protesta nuk udhëhiqej drejpërdrejt prej Tij, e në krye të saj ishin njerëz që duhej t’a kishin flakur tej prej kohësh mentalitetin komunist mbi revolucionin, pasi janë formuar së shumti jashtë ndikimit të kësaj ideologjie, për shkak të moshës së tyre relativisht të re.

Asnjë zhgënjim nuk pata! Bile kjo protestë m’a ka konsoliduar më tej mendimin, se nuk dinë të zhgënjejnë kurrë drejtuesit e PD-s, pasi nuk dalin dot nga metodat e tyre të dhunshme që i shohin, me sa duket, si të vetmet metoda për t’u rikthyer në pushtet. Kur po shihja molotovët ndaj kryeministrisë pa asnjë provokim nga pala në pushtet, molotovët ndaj selisë së Partisë Socialiste të boshatisur, ndaj Ministrisë së Brendshme e ndaj Bashkisë së Tiranës, goditje që vinin nga “grupi i zjarrit” fill pas “procesionit”, në dukje të heshtur e ndalimit para tyre të drejtuesve partiakë, Bardhi e Ndoka të cilët, po në heshtje e me një kod tipik mafioz “urdhëronin” veprimin e grupit të militantëve që i shoqëronin, apo shkatërrimin e tabelave të reklamave e të stacioneve të urbanit etj, natyrshëm më lindi pyetja:

-A ka kuptim mosbindja civile me mjete luftarake?! S ajo me emrin e vërtetë, revolucion apo veprim vandalist?

Jo vetëm unë, por askush me mendje normale nuk mund t’a pranojë këtë situatë si tregues të mosbindjes civile. Mosbindja civile nuk “injektohet” nga lart, por lind aty ku është problemi, nuk mund të vije që në fillesë nga shtresa paramilitare protestuesish fytyrat e të cilëve (jo vetëm atyre të drejtuesve politikë) i njohim të gjithë, ose duke u çjerrë me thirrje e intervista bajate, ose të maskuar e me molotovë në dorë. Kjo, në këndvështrimin tim, ishte shumë më larg se mosbindja e Bashës që i braktisi të gjitha institucionet e shtetit dhe e nxori opizitën në udhë të madhe si një turmë amorfe, që nuk di ka shkon, e çfarë kërkon, duke e dëmtuar përfundimisht atë, por duke i sjell jo pak dëme edhe shoqërisë në tërësi. Vetëm mosbindje civile nuk mund të ishte protesta e datës 7 tetor! Maksimumi ajo mund të merrej si “protestë luftarake” e drejtuesve të partisë demokratike dhe një grupi “të gatshëm” ndaj mosbindjes civile të votuesve e mbështetësve të saj të shumtë që po e braktisin në fatin e tyre përditë e më shumë. Por tashmë, pas këtij “eksperimenti” të ri me mendësinë e vjetër, mund të them me bindje se PD e Shqipërisë, e ka të ngulitur në adn-n e saj ardhjen në pushtet me dhunë dhe se në përputhje me ideologjinë komuniste konsideron që pushteti rrjedh nga gryka e pushkës, e mbrohet prej saj! Shih gjithë historinë e kësaj partie të mbushur me akte force, kur është në pushtet dhe dhunë e vandalizëm kur është në opozitë. Nisu që nga viti 1991 po deshe, kohë kur kjo parti u “institucionalizua” përmes zjarrit në biblioteka, institucione shtetërore, arsimore e shëndetësore, e ku arriti të instaloje frikën tek votuesit se po nuk fituan këta do të bëhet qameti! Për hir të së vërtetës, në një vit opozitë të atëhershme, 1991-1992, ata kombinuan bukur mjetet e misbindjes civile (kujto grevat e minatorëve e paralizimin e jetës së vendit) me revolucionin, përdorimin e mjeteve të dhunës e mbjelljen e terrorit në popull, mjete që në një vit i kthyen në mazhorancë absolute në vend. Nuk munguan që në pushtet të silleshin si “revolucionar” e të shtypnin me zjarr demostrimet civile të opozitës së kohës, nisur që nga burgosja e liderit socialist e deri tek 26 maj i dhunës së pashembullt e të gjithanshme ndaj opozitës. Ka shumë dëshmitarë të asaj dhune të pashembullt në historinë tonë, por edhe unë jam njëri prej tyre. Pa asnjë shkak e shumë “miqësisht”, kryetari i komisionit të një QV-je në ato “zgjedhje”, përfaqësues i PD-s, më tregoi grykën e revolverit që e mbante në xhepin e brendshëm të xhakaventos së tij, duke më paralajmëruar, si nënkryetar që isha, se çfarë na priste! Natyrisht, jo mua personalisht, se e kisha mik, por zgjedhjet… Do me thënë, do të “zgjidhnim” ose PD-n në letra, ose dhunën deri me grykën e armëve. Më demokratike, nuk mund të ishte!

Kështu e më keq vijoi me revolucionin e sojit të veçantë në vitet 1997 - 1998 në kërkim të karrigeve të humbura, e në vitet 2007 - 2012 në mbrojtje të tyre, për të vijuar me dhunën e pashembullt për shumë vite demostrimesh në opozitën e pas vitit 2013 - të nën pushtetin e socialistëve, deri tek bojkoti i parlamentit, e djegja e karrikeve. Kjo metodë “revolucionare” dëshmohet se është pjesë e adn-s së kësaj partie edhe nga zhvillimet e brendshme të saj ku dhuna, e dukshme apo e fshehur, nuk ka munguar e nuk mungon. Kujtoni ngjarjet tragji - komike tek selia e partisë së tyre, apo dashuri - urrejtjet në kuvend, kujtoni akuzat e paimagjinueshme ndaj njëri - tjetrit e fjalorin aspak të përshtatshëm që vazhdon edhe sot, kujtoni përbetimet për luftë e përkuljet para ballkonit, si në ndonjë vend të shenjtë, ku “papa” i partisë thotë meshën e mbrëmbjes për një gjumë të qetë, pasi të nesërmen sipas tyre, do të gdhihen në pushtet!

Pra, mosbindja civile e pretenduar prej tyre nuk nënkupton hiç më pak se revolucion për ardhjen me dhunë në pushtet, e një diktaturë të egër për mbrojtjen e pushtetit po me dhunë. Fatkeqësi e madhe për popullin që i ndjek, për ata që janë të detyruar t’i heqin mbi kurriz pasojat e kësaj lufte pa objekt, e me metoda dispropocionale, por edhe për të rinjtë politikanë të asaj force, që janë duke u rritur të deformuar nën peshën e mendësisë kinse revolucionare të liderëve të tyre

dhe që, ose bëhen “të përkulurit” e saj, ose bëhen “viktima” në ndonjë aksident, ose “kurban” të pushtetit, në këmbim të ndonjë kompromisi “ëin - ëin” të krerëve fuqiplotë. Në se keni mbetur tek teoria e revolucionit, së paku duhet t’a përvetësoni mirë teorinë marksiste - leniniste të tyre. S’besoj se e kanë harruar ata të brezit parë, pasi i përkasin jo vetëm periudhës, por edhe besnikërisë absolute ndaj asaj ideologjie, por po ua rikujtoj shkurtimisht këtyre më të rinjëve… Sipas kësaj teorie, që një revolucion të shpërtheje duhet të piqen e të kombinohen mirë faktorët objektivë dhe subjektivë. Ndër faktorët objektivë ata renditin një klasë punëtore të zhvilluar e të ndërgjegjshme për misionin e saj dhe shtypjen e masave në atë shkallë, që shtypja të bëhet e padurueshne dhe e pazgjidhshme me mjete paqësore, ndërsa faktori subjektiv është faktori politik i aftë që të vihet në krye të lëvizjes, t’i frymëzojë e drejtojë pakënaqësitë e masave drejt përmbysjes së pushtetit si klasë shfrytëzuese. A jemi në këto kushte?

Pak analizë: Fuqia punëtore industriale thuajse nuk ekziston në vendin tonë. Ndërmarrjet e mëdha që grumbullojnë shumë fuqi punëtore e lejojnë organizime qënësore sindikale për mosbindje civile e deri organizime revolucionare, ka kohë që kanë pushuar së ekzistuari. Rinia ka marrë udhët e botës prej shumë vitesh. As shtypja nuk ekziston si e tillë e për më shumë në përmasat që të provokojë revolucion! Maksimalisht ekzistojnë pakënaqësi me hapat zhvillimorë, objektiva të parealizuara e hapa të ngadalshëm zhvillimi, ka korrupsion e arrogancë shtetërore, që gjithsesi janë larg së konsideruari “shtypje” e masave. Por le t’a konsiderojmë se ky faktor plotësohet. Atëherë lind pyetja: Kush duhet të dalë në revolucion, e kush duhet t’i prijë atij? Veç pensionistëve dhe administrarës, pak kush ka mbetur në këtë vend, as për të protestuar paqësisht, e jo më për revolucion! Por as kush që t’i prije e t’a kanalizoje pakënaqësinë e masave dhe protestën në udhën e duhur, të këtyre pak njerëzve që kanë mbetur, e t’u japë zë pakënaqësive të tyre, nuk ka mbet në këtë vend! Partia Demokratike e Shqipërisë e ka të pamundur t’i prijë zhvillimeve të reja, duke qenë plotësisht e uzurpuar nga mendësitë e shekullit të kaluar, ku në modë ishte revolucioni, e në një kohë kur bota mpreh mendjen, ajo vazhdon me zjarr e me pushkët me gjalm luftën për pushtet… Nuk e preferoj fort Batonin (Haxhiun) në opinionet e tij, por mbrëmë (7 tetor 2024), një shprehje e tij më erdhi fort realiste në emisionin “Opinion”.

Çfarë tha Batoni?

Në thelb, tha ai, beteja duhet të bëhet për të ardhmen, por ku mund të bazohemi më mirë për t’a ndërtuar atë: në të djeshmen (nënkupto pushtetin e PD-s), apo në të sotmenm(nënkupto qeverisjen e PS-s)? Fatkeqësia jonë nuk është qeverisja aktuale, pasi ajo është e dukshme për të gjithë, sepse ka shumë mangësi qeverisëse e që duhet t’u hap krah zhvillimeve të reja, pasi e ka humbur dukshëm ndjeshmërinë ndaj halleve të njërëzve të thjeshtë, por fakti se nuk ka në “pazar” një model më shpresëdhënës, që në minorancë t’i bëj presion asaj të qeverisë më mire, e të frymëzoje votuesit t’i japin votën për t’a kthyer në mazhorancë përmes zgjedhjeve të lira e demokratike. Vetëm ndryshime pushteti me forcën e votes, e jo me forcën e zjarrit e të molotovit mund, e duhet t’a ndryshojnë Shqipërinë.

Llesh Ndoj, intelektual e studjues

Lezhë, më 08/10/2024



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kalosh Çeliku: Dudumët që të vrasin natën dhe të vajtojnë ditën Florim Zeqa: Dallimi mes politikanëve dhe mërgimtarëve! Ndue Dedaj: Sofra Pukjane… e biznesit Florim Zeqa: Nuk ka vota pa përfshirjen e mërgatës në listat zgjedhore! Agron Tufa: Diktatura e re e Krajave dhe ish-hetuesve të komunizmit Florim Zeqa: Amerika dielli që i ngrohë zemrat e shqiptarëve Refik Hasani: Bashkëpunimi institucional ndërkufitar, duke përfshi Vëllazërimin, Miqësimin e Binjakëzimin Asllan Dibrani: Me amanetin e Rugovës dhe Kadaresë Krahina e Rugovës po rikthehet në formë kolektive në të krishterë Hasan Hasanramaj: Barbaritë e pushtuesve në këto troje nuk pushuan ma shumë së një shekull… Kalosh Çeliku: Zyra me çelësa pas dere Aurel Dasareti: Mos lejoni që t'ju shpëlahet truri nga propaganda e mediave manipuluese antikombëtare Nue Oroshi: Bashkimi i Gjermanisë dhe ne shqiptarët Enver Bytyçi: Pse veriu i Shqipërisë është rajoni më i varfër i Europës? Enver Bytyçi: Po u nënshtruan kësaj radhe demokratët, nuk do të ketë më opozitë! Ndue Dedaj: Opozita, djegia e karrigeve si precedent! Feti Tunuzliu: Të flaken latinizmat nga Legjislacioni Penal i Kosovës Nue Oroshi: Marshi i partive politike të Kosovës nëpër mërgatë Florim Zeqa: Qeveria shterpë, presidentja jo produktive! Aurel Dasareti: “Me ty në shtrat, nuk kam më frikë nga vdekja”, -i këndon Rama Vuçiçit Blerim Rrecaj: Kliko, kërko, po kujdes mos u kontamino

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora