Mendime
Ndue Dedaj: Opozita, djegia e karrigeve si precedent!
E merkure, 02.10.2024, 05:58 PM
OPOZITA, DJEGIA E KARRIGEVE SI PRECEDENT!...
NGA
NDUE DEDAJ
Kishte
kohë që i kishte dalë tymi Kuvendit, tash i doli dhe flaka te shkallët e
jashtme, në hyrje. Kjo nuk është një flakë olimpike që të gëzohesh se nga
pishtari i ndezur i lojërave sportive, pritet do të ndodhë diçka e bukur, siç
është fitorja. Nga “djegia” e mandateve te djegia e karrigeve të deputetëve të
PD-së para Kuvendit është një udhë e gabuar fund e krye, që nuk “prodhon”
demokraci për opozitën, por pushtet të pakufizuar për palën tjetër, saktësisht
kryeministrin aktual, që ka përqendruar në duart e tij aq shumë pushtet sa nuk
di si të sillet me të. Le pastaj ta mendosh flakën si rrugë për të ardhur në
pushtet, apo për të shkuar në Europë. Ndaj reagoi menjëherë Ambasada Amerikane,
ambasadori i BE-së në Tiranë, ambasadori i Anglisë etj. Thanë pikërisht këtë,
që flaka në Kuvend është e papranueshme dhe nuk të çon askund. Vërtetë dënimi i
një deputeti të opozitës është diçka e rëndë, por radikalizimi i opozitës për
këtë shkak duhej të ishte ndryshe, politikisht i ashpër në foltoren e Kuvendit
e jashtë saj, por jo i dhunshëm me djegie karrigesh që do t’i paguajmë sërish
ne që ata, djegësit e tyre, të ulën në to. Nëse aktin e djegies së karrigeve
nga deputetët e popullit e shkëpusim për një çast nga politika dhe e kundrojmë
në anën sociale, edukative, ligjore, çfarë do të ndodhte nëse një grup
adoleshentësh, që të irrituar nga përjashtimi nga shkolla i një shokut të tyre,
ndonëse padrejtësisht, do të nxirrnin karriget e klasës ku mësojnë dhe t’i
digjnin para godonës së shkollës në mënyrë demonstrative? Do të krijohej
precendet në të gjithë vendin. Ndërsa deputetëve si duket u “lejohet” çdo
precedent!...
Flakës
ia kemi parë hajrin sa e herë e kemi ndezur! Edhë në 97-ën, edhe në 98-ën, edhe
në 2011 etj. Është përpara 7 shtatori i
lajmëruar nga opozita për prorestë masive në Tiranë, a do të dimë të sillemi si
opozitë, si qytetarë, si mazhorancë? Është 18 tetori i rihapjes së negociatave
për integrimin në Bashkimin Europian, sërish a do të dimë të sillemi si
europianë? Është një vit zgjedhor në prag, a do të dimë t’i shmangim “flakët”?
Sa shumë pyetje, sa pak përgjigje!
Një
qeverisje e korruptuar në çdo segment e qelizë të saj, për tre mandate radhazi,
kërkon përgjegjshmëri dhe strategji të mirëmenduar të opozitës për ta rrëzuar
nga pushteti dhe jo veprime politike (!) emocionale të çastit. Por opozita në
të vërtetë nuk e ka prijësin që do t’i duhej në sipërmarrjen e saj drejt
pushtetit. Dhe jo vetëm opozita. Si qytetar e themi me bindje e me dhimbje se
vendit tonë i mungojnë liderët politikë, pavarësisht fjalimeve që mbajnë dhe
aureolave me të cilat i mveshin mbështetësit e tyre të zjarrtë, nga baza në
qendër, për interesa thellësisht vetjake. E nëse mazhoranca përdor pushtetin si
“lider” të vetin shpirtëror, pasuror dhe partiak, duke e shpërdoruar rëndshëm
jo vetëm atë, por dhe vetë shtetin, opozitës i duhet më të vërtetë një lider
frymëzues e fitoresjellës, që nuk e kamuflon problemin e tij me ligjin pas
frazash për kinse demokracinë e shqiptarëve! Nuk e paragjykojmë për çfarë ka
bërë apo nuk ka bërë kreu i demokratëve lidhur me çështjen “Partizani”, ajo i
përket gjykatës, ama duhet kuptuar nga të gjithë se pozita e tij e palirë,
fjalimet patetike të të njëjtit stil prej tri dakadash e gjysmë, nuk bëhen dot
kauzë e demokratëve në aksionin opozitar për fitore. Sa herë është thënë kjo
gjë, por lideri historik nuk tundet nga ballkoni i tij i përnatshëm, për t’ua
lënë vendin të rinjve demokratë, që do të ishin një shpresë për ndryshimin dhe
jo ca partiakë të lodhur të PD-së apo koalicionit opozitar, që synojnë
jetëgjatësinë e tyre në politikë, qoftë dhe në opozitë.
Flaka
“olimpike” që do të lajmëronte fitoren e opozitës, nuk duhet lejuar të
shndërrohet nga askush në “flakë kashte”...