Mendime
Florim Zeqa: Vitet e '90-ta, vite të krenarisë kombëtare!
E merkure, 25.09.2024, 06:53 PM
Vitet e '90-ta, vite të krenarisë kombëtare!
Shkruan: Florim
Zeqa
Lëvizja paqësore e LDK-së e trasoi rrugën e popullit të
Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Liria u arrit kur u bën bashkë penda dhe
pushka, kur u bën bashkë dashuria për atdhe dhe urrejtja ndaj pushtuesit, kur u
bën bashkë solidariteti dhe humanizmi qytetar, kur u bë pajtimi kombëtar dhe u
arrit partneriteti ndërkombëtar.
Rilindja
shpirtërore e shqiptarëve të Kosovës
Shfaqja e Lidhjes
Demokratike të Kosovës (LDK), për më tepër se parti politike, nga qyetarët e
vendit ishte kuptuar si lëvizje gjithëpopullore, që më vonë e merr karakterin e
një Rilindje shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës.
Formimi i LDK-së nga një grup intelektualësh shqiptarë të
kohës, në krye me Ibrahim Rugovën në fund të vitit 1989 (23 dhjetor 1989 shënon
një etapë kthese historike për shqiptarët e Kosovës.
LDK-ja, si partia e parë politike në hapësirat
mbarëkombëtare, shënon fillimin e pluralizmit politik në Evropën Juglindore.
Brenda një kohe relativisht të shkurtër, kjo parti politike e merr karakterin e
një lëvizje gjithëpopullore dhe fillimin e një etape të re për shqiptarët e
robëruar.
Kësisoji me LDK-në, lindi një epokë e re, lindi një
shpresë e re për një popull të robëruar dhe shumëvuajtur, i cili tashmë e
shihte dritën jeshile në fund të tunelit, që një ditë shumë shpejtë do t'iu vie
fundi të gjitha vuajtjeve e torturave nga një regjim barabar e fashizoid, siq
ishte regjimi okupues i Millosheviqit në Kosovë.
LDK nën udhëhqjen e liderit historik Ibrahim Rugova, si
lëvizje paqësore që ishte, ishte përkrahur dhe ndihmuar fuqishëm edhe nga
subjektet tjera minore politike dhe apolitike të kohës, të cilat ishin vënë në
mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe Kosovës në përgjithësi.
Deri në formimin e LDK-së, problemi i Kosovës, për të mos
thën hiq, fare pak ishte i njohur në botë. Për bashkësinë ndërkombëtare çështja
e Kosovës pothuajse ishte krejtësisht e panjohur. Edhe pse regjimi pushtues i
Millosheviqit kryente dhunë sistematike ndaj shqiptarëve, opinioni ndërkombëtar
nuk dinte çfarë ishte duke ndodhur me një popullatë të pambrojtur në zemër të
Ballkanit.
Për më tepër se kaq, edhe vetë nocioni Kosovë për shumë
shtete të botës ishte i panjohur, e të mos flasim për pozicionin gjeo-politik,
që nuk figuronte fare në regjistrin botëror
Lëvizja paqësore e
LDK-së, gurthemel i shtetit të Kosovës
Asnjëherë gjatë
historisë nuk ka ndodhur mobilizim më i lartë qytetar sesa në vitet e 90-ta,
respektivisht 90-99, që ta përballojmë dhunën sistematike dhe varfërinë, përmes
të cilave u kalitëm dhe u përgatitem edhe për rezistencën e armatosur që ta
fitojmë lirinë, e cila erdhi si produkt i bashkrendimit të forcave kombëtare në
njërën anë dhe partneritetit me aleatët perëndimor, respektivisht NATO-n dhe
SHBA-të, pa të cilat, për të mos thënë të pamundur, do ta kishim të vështirë të
arrinim deri tek liria, tek shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e
Republikës së Kosovës.
Lëvizja paqësore e LDK-së me në krye Ibrahim Rugovën
kishte rol të rëndësishëm në rrugëtim të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Lëvizja paqësore e LDK-së dhe politika e urtë dhe
largëpamëse e Ibrahim Rugovës e bëri hapin më të madh në histori me unifikimin
biblik të shqiptarëve dhe krijimin e miqësisë me SHBA-të dhe shtetet më të
fuqishme të Bashkimit Evropian.
Lëvizja paqësore e LDK-së bëri që bota demokratike ta
kuptojë rezistencën paqesore si përpjekje e drejt për liri, e cila kulmoj me
rezistencën e armatosur në vitete 1998-99, për çka e kishim edhe mbështetjen e
botës së civilizuar dhe demokratike.
Fillimi i njohjes
së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare
Lajmet e para për
ngjarjet në Kosovë, buronin nga një zyrë e vogël në Prishtinë, përkatësisht
përmes konferencave javore të shtypit që kryetari Rugova zhvillonte çdo të
premte me gazetarët, të cilët njoftonin opinionin e brendshëm dhe përhapnin të
vërtetën për opinionin ndërkombëtar mbi zhvillimet në Kosovë.
Depërtimi i së vërtetës jashtë kufijve të Kosovës ishte
mëse i nevojshëm në atë kohë, për shkak se propaganda antishqiptare e Serbisë
millosheviqiane ishte aq e fuqishme, saqë përceptimi i disa shteteve dhe
popujve të botës ndaj shqiptarëve ishte tepër negativ.
Paraqitja e shqiptarëve si nacionalist dhe popull
luftënxitës e të prapambetur nga ana e Serbisë fashiste bëhej më qëllim të
mbullimit të dhunës dhe represionit sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Por, me presidentin Ibrahim Rugova bota e civilizuar dhe
demokratike na njohu si popull liridashës, i urtë dhe paqësor, i përkushtuar
ndaj vlerave civilizuese, me besim të fuqishëm në Zot dhe Atdhe.
Propaganda
anti-rugoviane e Serbisë
Duke e pasë të
pamundur kontrollin rreth veprimtarisë politike dhe aktiviteteve të popullatës
shqiptare, regjimi pushtues i Millosheviqit e fillon një fushatë të paparë të
përçarjes së shqiptarëve përmes propagandës anti-rugoviane.
Për fat të keq, në këtë segment pushtuesi serb i gjenë
disa individ që përhapnin gënjeshtra dhe trillime ndaj udhëheqësit të urtë të
lëvizjes paqësore dhe liderit shpirtërorë të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim
Rugova, e që për qëllim të fundit e kishin sabotimin e lëvizjes paqësore në
Kosovë.
Sikurse profetët e kohërave më të vjetra që kishin
kundërshtarët e vet, ashtu edhe lideri ynë shpirtëror, Ibrahim Rugova, kishte
kundërshtarët e vet politikë e ideorë, para të cilëve nuk u gjunjëzua asnjëherë
dhe nuk iu përgjigj në asnjë rrethanë shpirtligjve dhe fatzinjve të kombit
shqiptar.
Këta shpirtëzinjë që përhapnin të pavërteta kundër Ibrahim
Rugovës, ishin frikacak dhe qyqarë që nuk e kishin guximin të dilin hapur,
shkaku që nuk gëzonin përkrahje në popull, por vepronin në prapaskenë, duke e
kundërshtuar kursin e politikës paqësore të Ibrahim Rugovës.
Ne që sot
ballafaqohemi me sfidat e kësaj kohe të keqe, na mban gjallë ndjenja e
krenarisë kombëtare që jetuam dhe vepruam në epokën e lëvizjes paqësore të
Ibrahim Rugovës. Ndjehem me fat dhe i privilegjuar që isha pjesë aktive e
lëvizjes paqësore në në vitet e krenarisë kombëtare.