Mendime
Bardhyl Mahmuti: Torturat “spastruese” të UDB-ashit Mehmet Loci dhe Ismajl Haradinaj
E merkure, 18.09.2024, 06:55 PM
Torturat “spastruese” të UDB-ashit Mehmet Loci dhe Ismajl Haradinaj
Nga
Bardhyl Mahmuti
Për
më shumë se një çerek shekulli nga tërheqja e aparateve politike dhe atyre të
dhunës shtetërore serbe nga Kosova, në kuadër të forcave politike që garonin
për pushtetin politik në Kosovë u instalua logjika e mbotjes së “UDB-ashëve”
dhe pinjollëve të tyre që aderonin në partitë e tyre dhe sulmit ndaj
“UDB-ashëve” dhe pinjollëve të “UDB-ashëve” që aderonin në partitë rivale. Me
një fjalë, zotëroi logjika se “UDB-ashët” dhe fëmijët e “UDB-ashëve” të partisë
sonë janë më të mirë se “UDB-ashët” dhe fëmijët e “UDB-ashëve” të partive të
tjera!
Dëshmitë
e një numri veprimtarësh politikë në emisionin e gazetarit Ermal Panduri, të
titulluar “Tradhëti vëllezërish, shqiptarët dhe UDB-ja”, në “TV Dukagjini”,
nxorën në publik ferrin nëpër të cilët kanë kaluar atdhetarët shqiptarë që
merrnin guximin të cenonin “parajsën jugosllave”.
Meqenëse
në shumicën dërmuese të dëshmive të tranmetuara deri tani, përmendet inspektori
i atëherëshëm i Sekretariatit Krahinor për punë të Brendshme, Mehmet Loci, gazetari
e pa të udhës t’i jepte mundësi edhe ish “UDB-ashit”, të sqarohej.
I
edukuar të veprojë në përputhje me logjikën serbe të shpërndarjes së
gënjeshtrave, që në fillim të intervistës së tij, Mehmet Locin e “tradhëtoi”
mosha: shpall si karakteristikë të popujve ballkanas, atë që ja kanë ngulitur
në shpirt mentorët e tij serbë! Në minutën e 19-të të intervistës së
transmetuar më 3 shtator 2024, ai deklaroi: “Po ju them diçka ! Ne jemi popull
i Ballkanit. Tek ne gënjeshtrës i besohet ! E vërteta duhet të provohet ”!
Duke
u nisur nga këto premisa të edukimit serb që ka marrë gjatë periudhës së
konvertimit nga “arkeolog” pa përvojë, në “UDB-ash” të regjur, Mehmet Loci nuk
la gjë pa shpifur apo pa lënë mundësinë e interpretimit të rrejshme të çështjet
për të cilat e pyeste gazetari.
Nga
të gjitha gënjeshtrat e sajuara që volli gjatë kësaj interviste, ishin të
pështira fjalët që tha për Heroin e Kombit, Ismajl Haradinaj, dhe dy kolosët e
luftës sonë çlirimtare (Nasimin dhe Agronin).
Për
shkak të insinuatave që bartë me vete thëniet e tij: “nuk do të tregojë se
çfarë na i paskësh thënë Ismajl Haradinaj gjatë ‘bisedave spastruese’” dhe
përmendja e Haradinajve në kontekst të pohimit se “të burgosurit politikë edhe
gjatë vuajtjes së dënimit kanë qenë të tërhjekur për bashkëpunim nga
operativcat e Sekretariatit për Punë të Brendshme të burgut të Nishit”, më
shtrëngoi të sqaroj me sa vijon:
-
Ismajl Haradinaj, nuk kanë qenë asnjëherë i transferuar në burgun e Nishit;
-
Pas shqiptimit të dënimit maksimal prej 15 vjetësh, Ismajl Haradinaj është
transferuar nga burgjet hetuese të Kosovës, në burgun famëkeq “Zabella” të
Pozharevacit (vendëlindjen e Sllobodan Millosheviqit);
-
Gjatë qëndrimit në këtë burg, Ismail Haradinaj është mbajtur në Pavijonin 7, ku
ishin të burgosurit e kategorisë që mbaheshin “Nën Mbikëqyrkje të Përforcuar pa
Punë”;
-
Më 12 mars 1982 më transferuan nga Burgu i Qarkut i Mitrovicës, në burgun
“Zabella” të Pozharevacit;
-
Në periudhën 12 mars 1982 - 28 tetor 1986, sa kam qëndruar në këtë burg, më
shumë se një vjet kam qenë në të njëjtën kthinë me Ismajl Haradinajn;
-
Përkundër asaj se komunikimi nga kthina në kthinë ishte rreptësisht e ndaluar,
të burgosurit politikë që mbaheshin në Pavijonin 7 e dinin se gjendja
shëndetësore e Ismajl Haradinajt ishte shumë e keqe. Mirëpo tek pasi e sollën
në kthinën tonë, u bindëm se ai ishte në gjendje të tmerrshme:
a)
i sëmurë nga turberkulozi, pa trajtim mjeksor dhe pa terapi, sa herë që kullej,
Ismajl Haradinaj nxirrte nga goja copëza gjaku të kuaguluara, që dukeshin si
pjesë të mushkërive të shkulura nga krahërori;
b)
sipas pohimeve të Ismajl Haradinajt, gjatë torturave në “bisedat spastruese” që
janë zbatuar ndaj tij, Mehmet Loci dhe “UDB-ashët” e tjerë kishin përdorur edhe
mjete kimike për t’ia “spastruar trurin” nga idetë “kundërrevolucionare që
synonin ta ndanin Kosovën nga Serbia dhe ta prishnin vllazërim-bashkimin me
serbët”.
c)
si pasojë e eksperimenteve që kishin zbatuar “gjatë bisedave spastruese” ndaj
tij, Ismajl Haradinaj kishte humbur aftësinë e artikulimit të mendimeve;
d)
eksperimentet kimike që ishin zbatuar ndaj tij, kishte lënë pasoja kaq të mëdha
dhe të pakthyeshme, saqë pas daljes nga burgu, në tetor të vitit 1992, duke u
shërbyer me dokumentacionet e dikujt që kishte leje qëndrimi në Suedi, familja dhe
shokët organizuan transferimin e Ismajl Haradinajt nga Gllogjani në Tetovë dhe
pastaj nga Tetova në Stokholm;
e)
fatkeqësisht dëmet ishin kaq të mëdha, saqë edhe pas trajtimit dy dekadhësh, as
mjekësia e avancuar suedeze nuk mundi t’ia përmirësonte gjendjen e rëndë
shëndetësore.
“UDB-ashi”
i regjur, Mehmet Loci, shpreson se periudha katër dekadëshe që ka kaluar nga
ajo kohë për të cilën flasin dëshmitarët, do t’i mundësojë “të përhapë
gënjeshtra, të cilave, populli shqiptar, si popull ballkanas, do t’u besojë”.
Mehmet Loci, UDB-ashët e tjerë dhe pjella e tyre duhet ta dijë se ka vdekur
koha e torturave “spastruese” që zbatonin ndaj atdhetarëve shqiptarë.
P.S.
Gjatë
intervistës në fjalë, gazetari Ermal Panduri disa herë ia tërhoqi vërejtjen të
ndërpriste përpjekje për të shitur mjegull. Krahas këtij aspekti, përpjekjet e
Mehmet Locit për të përqendruar vëmendjen e teleshikuesve në atë përse ish të
burgosurit politikë që kanë dëshmuar deri tani nuk i përmendin edhe UDB-ashët
serbë, nxjerr në sipërfaqe kauzën serbe të mishëruar në shpirtin e kësaj
kategorie UDB-ashësh!
Emisioni
i Ermal Pandurit titullohet “Tradhëti vëllezërish, shqiptarët dhe UDB-ja”!
Vetëm ata që shpirtërisht ishin të vëllazëruar me serbët, si Mehmet Loci dhe të
ngjashëm si ai, mund të kërkojnë përmendjen e “vëllezërve UDB-ashë serbë”! Por
një gjë e tillë nuk mund kërkohet as nga Nasim Haradinaj e as nga të atdhetarët
e tjerë, të cilët janë të dëshmuar si të pashoq për guximin që t’i thonë gjërat
ashtu siç kanë qenë!