Mendime
Bardhyl Mahmuti: Zoti Kryeministër! Dhuna seksuale në Kosovë është akt gjenocidal!
E diele, 15.09.2024, 06:57 PM
Zoti Kryeministër!
Dhuna
seksuale në Kosovë nuk ishte as "krim lufte" e as “mjet lufte”, por
akt gjenocidal!
Nga
Bardhyl Mahmuti
Me
vëmendje të madhe ndëgjova fjalën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.
Albin Kurti, në konferencën ndërkombëtare për lansimin e studimit mbi pasojat
afatgjate të dhunës seksuale gjatë luftës.
Duke
u mbështetur në një interpretim tërësisht të gabuar, gjatë fjalës së tij,
kryministri Kurti theksoi se “përdorimi i dhunës seksuale gjatë luftërërave të
viteve të 90-ta në ish-Jugosllavi lanë pasoja të përhershme në shumë familje.
Kjo ka qenë edhe njëra ndër strategjitë e Serbisë. Në heshtje e përjashtim
shoqëror, të mbijetuarat e këtyre krimeve u bën forca lëvizëse për njohjen dhe
dënimin e këtij krimi të luftës.Në Kosovë është përdorur si mjet lufte nga
Serbia, mjet që ka lënë pasoja të gjerë te individi, familja, mbarë populli e
shoqëria”.
Siç
është informuar opinioni publik shqiptar, duke filluar nga data 12 qershor
2024, në 25-vjetorin e përfundimit të zbatimit të gjenocidit në Kosovë, në faqen
e internetit të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, kam filluar të
botoj në vazhdime librin tim të titulluar “Gjenocidi në Kosovë - Aspekte
teorike dhe studime rastesh”. Si koinçidencë, pjesa e 27 e fejtonit, lidhej pikërisht me dhunën seksuale dhe interpretimet e gabuara
nga juristë dhe historianë të Kosovës.
Për
të shmangur parafrazimet e tekstit në fjalë, në këtë rast do të shkëpus një
pjesë të shkrimit të publikuar sot, me shpresë se do të ndihmojë të kuptohet se
emërtimi i saktë i dhunës seksuale që zbatuan forcat e armatosura serbe gjatë
luftës në Kosovë nuk janë as “krime lufte” e as “mjet lufte”, por akte
gjenocidale. Emërtimi i saktë i këtij krimi është kusht paraprak që të
adresohen drejtë plagët e së kaluarës.
Dhuna
seksuale - Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit
Në
kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare, dhunimi dhe të gjitha format e
dhunës seksuale, që paraqesin lëndim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor
të viktimës, janë të përfshira në të tria kategoritë e krimeve të rënda: krimi
i gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.
Në
rastet kur dhuna seksuale ndodh gjatë një konflikti të armatosur, qoftë të
karakterit ndërkombëtar, qoftë të karakterit jondërkombëtar të përkufizuar në
të drejtën ndërkombëtare humanitare, atëherë kemi shkelje të të drejtave
themelore të njeriut, të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe të
protokolleve shtesë I dhe II të vitit 1977.
Ajo
që vlen të theksohet lidhur me dhunën seksuale në kuadër të krimeve të luftës
ka të bëjë me faktin, se përgjegjësia penale është individuale për autorët e
krimeve, sepse kjo dhunë nuk është rezultat i një strategjie shtetërore, por
akt individual. Në dallim nga dhunimet e tjera individuale, dhuna seksuale në
kuadër të kësaj kategorie cenon njërën nga kategoritë e mbrojtura me këto akte
juridike ndërkombëtare. Dhe, si e tillë, është përfshirë në Statutin e Gjykatës
Penale Ndërkombëtare (Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 8, § 1,
pika b-XXII).
Kur
dhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale ushtrohen gjatë aksioneve të
përmasave të gjera dhe sistematike kundër një popullsie civile, e cilësdo
përkatësi kombëtare qoftë, atëherë kemi të bëjmë me krim kundër njerëzimit,
sepse në këtë rast viktima lëndohet në atë që është njerëzore, sipas Statutit
të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni
7, § 1 dhe 2, pika g në të dy paragrafët)
Në
dallim nga krimet e luftës, aktet kriminale që hyjnë në kategorinë e krimeve
kundër njerëzimit mund të kryhen edhe në kohë paqeje dhe dallojnë nga krimi i
gjenocidit, për faktin se aktet kriminale të cilësuara si krime kundër
njerëzimit nuk janë domosdoshmërish të drejtuara kundër një grupi kombëtar,
etnik, racial ose fetar. Vetëm atëherë kur dhuna seksuale lëndon integritetin
fizik dhe mendor të anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial
apo religjioz, me qëllim të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht grupi si i
tillë, përbën akt gjenocidal në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe
Dënimin e Krimit të Gjenocidit (Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit
të Gjenocidit, neni II, § b.), Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare
(Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 6, § b. dhe Elementet e
Krimeve Elementet e Krimeve, neni 6, §b, Génocide par atteinte grave à
l’intégrité physique ou mentale).
Për
të shmangur çdo konfuzion lidhur me atë se cilat akte hyjnë në këtë kategori,
në tekstin juridik të titulluar Elemente të Krimeve, saktësohet:
“Elementet
e gjenocidit përmes lëndimit të integritetit fizik dhe mendor janë në rastet
kur:
1.
Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi
apo të më shumë personave;
2.
Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar
të veçantë;
3.
Autori i krimit kishte për qëllim të shkatërronte tërësisht ose pjesërisht këtë
grup kombëtar, etnik, racial, fetar.
4.
Një veprim i tillë është bërë në kuadër të një serie veprimesh të ngjashme, të
drejtuara kundër këtij grupi, apo që mund të shkaktonte një shkatërrim të
tillë.
Me
qëllim që të saktësohet se cilat veprime hyjnë në aktet gjenocidale, që kanë
për qëllim të shkaktojnë lëndimin e integritetit fizik dhe mendor të
pjesëtarëve të grupit të vënë në shënjestër, në fusnotën 3 të këtij neni
saktësohet: “Pa u kufizuar në format e shfaqjes, ky veprim përfshin aktet e
torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose
poshtëruese” (Cour pénale internationale, Textes juridiques fondamentaux,
Eléments des crimes, Article 6 (b), Génocide par atteinte grave à l’intégrité
physique ou mentale, f. 2).
Me
një fjalë, sipas këtij dokumenti juridik themelor të së drejtës ndërkombëtare,
në kategorinë e krimit të gjenocidit hyjnë vetëm aktet e torturës, të dhunimit,
të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese që u bëhen
anëtarëve të një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, me qëllim që të
shkatërrohet grupi si i tillë.
Ajo
që është me rëndësi të thuhet lidhur me gjenocidin përmes dhunës seksuale, si
formë e lëndimit të integritetit fizik dhe mendor, ka të bëjë me faktin se në
këtë kategori nuk hyn dhuna seksuale që është bërë si akt individual për
shfryrje të epsheve, por vetëm aktet që kanë për qëllim shkatërrimin të cilitdo
nga grupet e lartpërmendura.
Pikërisht
për këtë arsye, preokupimi i strukturave që kanë planifikuar dhe zbatuar planin
e gjenocidit është fshehja e krimeve. Meqenëse në Kosovë viktimat ishin
evidente, strategjia e Serbisë dhe e mbështetësve të saj ishte zvogëlimi i
numrit të viktimave dhe zhvendosja e përgjegjësisë nga shteti, në grupe dhe
individë (paramilitarë), që gjoja ishin jashtë kontrollit shtetëror.
Rrëfimet
publike për disa raste të dhunës seksuale në Kosovë e dëshmojnë më së miri këtë
strategji. Gjatë disa dhunimeve kemi “ndërhyrjen” e eprorëve ushtarakë serbë,
“duke i qortuar” ata që kryenin dhunime dhe i trajtonin si “pisa”. Madje kemi
raste, kur kriminelët prezantohen si “të dehur ose nën ndikimin e lëndëve
narkotike”. Në këtë mënyrë, shteti serb përpiqet t’i prezantojë si veprime
individuale aktet e dhunës seksuale dhe të mohojë vërtetësinë, se synimi i
kësaj dhune ishte lëndimi i rëndë i integritetit fizik dhe mendor i shqiptarëve
të dhunuar, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë.
Dihet
se dhuna seksuale ka pasoja të rënda për viktimën. Por kur dhuna seksuale hyn
në funksion të strategjisë së shkatërrimit të një grupi, siç ishin dhunimet e
shqiptarëve në Kosovë, atëherë qëllimi i dhunimeve seksuale nuk është vetëm
shkatërrimi i viktimave të drejtpërdrejta, por, nëpërmjet dhunimeve, synohej të
lëndohej integriteti mendor edhe i të afërmve të viktimave, i tërë grupit, i të
gjithë shqiptarëve. Vetëm në kuadër të këtij qëllimi mund të shpjegohen
dhunimet e meshkujve dhe detyrimet e dhunimeve brenda anëtarëve të së njëjtës
familje, ku prindi detyrohej të kryente marrëdhënie seksuale me fëmijën e vet
dhe anasjelltas.
Prandaj
duhet të jemi të kujdesshëm kur përpiqemi të hedhim dritë mbi këtë formë të
gjenocidit, sepse rrezikojmë të individualizojmë një krim shtetëror.
Fatkeqësisht kemi raste, kur viktima e dhunës seksuale ka rënë viktimë e
strategjisë së shtetit serb dhe deklarojnë se janë dhunuar nga “paramilitarë”.
Tragjedi e dyfishtë!