Mendime
Llesh Ndoj: Vidh të vjedhim, se ka për të gjithë!
E shtune, 07.09.2024, 05:57 PM
VIDH TË VJEDHIM, SE KA PËR TË GJITHË!
Nga
Llesh Ndoj, Studjues
“Gjësë
së vjedhur nuk ia sheh kush hajrin”, thotë një shprehje popullore, shprehje e
cila synon të dekurajojë lakminë për t’u pasuruar përmes vjedhjes apo grabitjes
së mallit të tjetrit, ose të shtetit. Kjo vjedhje apo grabitje, nuk është
doemosdo në formën e saj klasike apo thjesht materiale. Ajo është e
shumëanshme, si vjedhja e karrierës, e mundit dhe djersës duke e keqpaguar atë,
përvetësimi nga pak duar i asaj që duhej të ishte e gjithë shoqërisë etj. Jo
vetëm është shumëplanëshe, por vjedhja e grabitja e tjetrit janë edhe të
kudondodhura, duke u bërë fenomen me të cilin jemi mësuar, e thuajse tashmë nuk
po na bën përshtypje e nuk reagon askush. Pronarët sipërmarrës, në vend që t’a
bëjnë punëtorin të interesuar e ai t’a ndjejë veten pjesë të kapitalit të tij,
me keqpagimin dhe mosrespektimin e djersës e dinjitetit të punëtorit e bëjnë
atë “armik” të punës dhe të sistemit, që në çdo rast pret të përfitojë prej
tij, e në mos jo, t’a dëmtoje atë, sipas parimit të pa shpallur: hiqja derrit
qimen. Ndodh pikërisht si thuhet për kafshën e ngarkesës dhe të zotin: Ajo
(kafsha e ngarkesës) gjithë ditën i bindet të zotit, e gjithnjë pret rastin me
ia dhënë ndonjë shkelm! Po me shtetin, ç’ngjet? Këtu fenomeni është edhe më
prezent, edhe më akut, edhe më masivisht i përhapur. Shteti ynë vazhdon të
sillet si pronar i pasurisë publike, jo si administrator i saj dhe si i tillë
ai grabit ç’të mundet nga pasuria e djersa jonë, duke na vjedhur ditën për
diell dhe pastaj shtetarët e stërvjedhin gjënë me forcë prej nesh, në favor të
xhepave të tyre. A nuk dëshmojnë këtë koncensionet e pafundme në të gjitha
kohërat, e në të gjitha fushat në gjithë teritorin? Besoj se tashmë e kanë të
gjithë të qartë se forca e shtetit, në këtë rast, jo vetëm që është grabitje e
asaj që u takon të qeverisurve prej saj, por edhe “rrjedhë e drejtuar” e parave
drejt xhepave personalë të qeveritarëve. Kështu është vepruar me pasuritë
minerare e me naftën, me pyjet, me bregdetin, me ujin, me ish pronën shtetërore
e gjithshka tjetër që u është dhënë mundësia.
Shikoni
bregdetin! Asnjë pëllëmbë e pa “grabitur” me lejen e shtetit, por asnjë nga ata
që janë “graduar” pronarë me katapultë përmes shpërdorimit të pushtetit, nuk
lëshon kupon tatimorë, as pëë parkingjet që janë bërë miniera “floriri”, as për
shezllongjet, as për…, të paktën si një “ngushëllim”, a më mirë të themi
mashtrim, se nga kjo para do të përfitonte diçka edhe populli, ndoshta indirekt
përmes investimeve e shërbimeve. Sipërfaqe të tëra toke publike si kullota,
pyje, rërë e deri uji, pa e “ngulur asnjë kazëm” u shndërruan si me magji në
“toka bujqësore” vetëm e vetëm për t’u ndarë sipas ligjit 7501, duke grabitur ish
pronarët realë e duke “farkëtuar” klasën e re të pronarëve kudo në Shqipëri.
Kuptohet, aty ku toka ka vlerë, se në disa zona të thella malore vlera e saj
është minimale, e më shumë “morale” se sa materiale. E akuzuan dikurë një ish
drejtues të një ekonomie bujqësore “Ia vure kazmën kooperativës, o filani…”, e
ai ishte përgjigjur: “Për idealin e Partisë asnjë tef kazme nuk kam ngul në
jetën time”! Tamam kështu, ligji i famshëm e korrupsioni shtetëror me tokat
bëri “bujq” shumë njerëz që kurrë nuk e kanë ditë se ç’është toka e bujqësia.
As orizi nuk bëhet në toka e ujë të kripur deti, ndërsa këta ndërtuan aty
parajsën e tyre, kinse bujqësore.
A
mund të ndodhte kjo pa “xhepat - thasë” të pushtetarëvë? Duhet të jesh fort
naiv të mendosh se shteti e lejon, që “të fuqizohet” klasa e sipërmarrësve
privatë. Jo!
Apo
në dobi të popullit! Jo e jo!
Çdo
logjikë minimaliste të orienton tek rrjedha: shteti grabit ne, e shtetarët
vjedhin arkën e shtetit. Dyfish të vjedhur ne, e dyfish përfitues shtetarët.
Nuk mund të shpjegohet ndryshe, se pse shtetarët janë në këtë vend të pasurit
më të mëdhenj, me pasuri të dukshme e të fshehura, me llogari të hapura në
parajsat fiskale e kudo, përveçse jo me drejtësi e me djersë. Nuk ka si
shpjegohet ndryshe fakti që “lufta për jetë a vdekje” mes palëve politike,
dominohet e drejtohet nën rrogoz nga “konsensusi” i dukshëm, por i pa shpallur:
Vidh të vjedhim se ka për të gjithë! Ndryshe asnjë burg nuk do të mund t’i
zinte thjesht të burgosurit e niveleve nga drejtorë të përgjithshëm, kryetarë,
zëvendësministra, ministra, kryeministra e zëvendës të tyre, deputetë etj.
Vetëm emrat, tashmë të mirënjohur në këtë fushë, që nga Meta, Berisha, Koka,
Beqaj, Ahmetaj etj, apo ata që përfiten, jo krejt për ajri, të djeshëm e të
sotëm, janë mjaftueshëm për t’a bërë të besueshme sa më sipër, por lista është
e gjatë e litari i saj zgjatet dita - ditës. Prandaj besoj se as SPAK-u do të
mund t’a “këpusë” këtë tërkuzë… Shihni, po të doni, hapësirat publike në
qytete, që janë uzurpuar kudo nga njerëzit, me lejen e shtetit. Asgjë nuk flet
ndryshe, përveçse përdorim i shtetit për t’na grabitur, e përdorim i pushtetit
për të vjedhur shtetin nga pushtetarët. Lista është e gjatë me të tilla
xhevahire, aq sa nuk ka shkrim që i zë, por do të doja të përmendja një të
vogël fare, lehtësisht të verifikueshëm edhe për ata që janë “të dashuruar” me
pushtetet. Qendra e qytetit të Lezhës përshembull, u rregullua me programin e
rilindjes urbane dhe për hir të së vërtetës, u bë një punë shumë e mirë. Më
vonë, sheshi administrativ para bashkisë u kthye në shesh parkimi për mjetet.
Edhe ky një veprim, që tej diskutimeve se a duhej apo s’duhet bërë për shkak të
zonës muzeale - arkeologjike, në kushtet e mungesës së parkimeve publike në
qytet, lehtësoi qytetarët dhe duhet vlerësuar pozitivisht. Këtij parkingu jo të
vogël, iu vu edhe nje portë gjysëm automatike që kontrollon hyrje - daljet e
mjeteve e kohën e qëndrimit bashkë me pagesën që duhet të bëjë secili. Edhe
kjo, përtej faktit që herë funksionon e herë jo, është veprim pozitiv dhe i
vlerësueshëm. Por… Dalim ku e nisëm.
Sheshi
është bërë me parat tona (taksat e qytetarëve e bizneseve) dhe vendosja e një
tarife për të shkuar tek zyrat e shtetit që paguhen po prej qytetarëve, mund të
konsiderohet “grabitje”. Personalisht do të isha shumë i kënaqur me kaq.
Shtetit i duhet paguar dhe kërkuar llogari që parat tona t’i përktheje në
investime e shërbime. Por ç’ndodh? Asnjëherë dhe për asnjë njeri në këtë pike,
nuk lëshon kush kupon tatimorë, duke e kthyer çdo lek të marrë prej nesh në një
“grabitje”, përderisa është forca e shtetit që na e detyron, por edhe duke
konsoliduar mendimin që ato lekë “orientohen” në xhepat e privatëve. Rrjedha e
tyre nuk është krejt e papërfillshme, pasi as që do ishte marrë mundimi të
vihej trau po të ishin shuma që as ulin e as ngrenë peshë. Dhe xhepat drejt të
cilëve duhet të rrjedhë, pike - pikë e përditë leku, nuk janë e s’ka si të jenë
të atyre 2 - 3 punonjësve që shërbejnë aty. Po të kujt janë?
Emrin
nuk e di e s’kam si t’a them, por e sigurtë është se rrjedha shkon në ndonjë
xhep të vogël pushtetari… Unë nuk jam
“revizor” publik, as pjestarë i KLSH - s apo strukturës së Hetimit Tatimor të
flas me shifra se sa është madhësia e rrjedhjes (vjedhjes), nuk jam as prokuror
të them se në xhepat e kujt shkojnë para të tilla. Dëshiroj të jem i gabuar,
por që të përgënjeshtrohem mjafton lëshimi i kuponave tatimorë, kësaj “shpikje”
që bota e ka nxjerr prej kohësh, e ligji e kërkon kudo ku bëhen arkëtime cash.
E kam parë këtë jo vetëm në botën perëndimore ku duam të integrohemi, por edhe
në Lindjen e Largët e Ballkanin e afërt. Bile edhe në Tiranën që sheh më shpejt
drejt Perëndimit. Përbetimet në zot, as në idealin e partisë, tashmë nuk
mjaftojnë!
Ka
plot të tilla raste dhe kudo, por askush s’ka vullnetin t’a ngrejë zërin, e as
të ndërhyjë për t’a ndryshuar situatën. Pushtetarëve të të gjitha rangjeve u
pëlqejnë vetëm duartrokitjet tona, por jo kritikat, u pëlqejnë epitetet që ua
veshim pa doganë si “i madh”, “gjigand”, “i paparë”, “Skënderbe” e lloj - lloj
të tilla, por harrojnë se më i miri prej tyre thjesht ka bërë detyrën, pjesa
tjetër “hanë përshesh me kos” e “gjigandët” e popullit servile, grabisin me
forcën e pushtetit, e vjedhin shtetin duke pasuruar veten. A do të lindë në
këtë vend ndonjëherë “një Ataturk”, që të marrë pas vetes ekonomistë të zotët,
me të cilët para se çdo njeri të marrë funksione e detyra publike, t’i bëhen
llogaritë e pasurisë? Po ashtu edhe kur ai duhet t’a dorëzoje postin apo
funksionin, t’i bëhen llogaritë dhe ose t’i thuhet publikisht je i ndershëm e
meriton respektin e njerezve, ose nga karriga të orientohet drejt e në qeli, e
pasuria e grabitur t’i sekuestrohet për t’ia kthyer të vjedhurve prej tij.
Natyrisht, kur them këtë, e di që ekziston, por nuk e kam fjalën për ILKPD - i
e mekanizma të tjerë po kaq të korruptuar, që asnjë shenjë jete nuk kanë dhënë
deri më sot, por për vullnetet politike të atyre që quhen burrështetas.