Mendime
Florim Zeqa: LDK-ist ngrite zërin e mos hesht!
E shtune, 31.08.2024, 06:50 PM
LDK-ist ngrite zërin e mos hesht!
Shkruan:
Florim Zeqa
Në
shkrimin e fundit me titull "LDK-në nuk e ndihmon më aureola e
Rugovës" kam pritur reagime të shumta dhe përmbajtësore filluar nga
kryetari i partisë, strukturat drejtuese, nga aktivist dhe veprimtarë e deri
tek anëtari i fundit i LDK-së.
Heshtin ata që i
ndihmova me shkrime dhe me votë
Qëllimi
i shkrimit paraprak ishte motivimi i reflektimit të drejtuesve aktual të
partisë dhe sensibiliizimi i elektoratit të LDK-së në prag të zgjedhjeve
nacionale, për nevojën e unifikimit të njëmend dhe të mirëfillt të elektoratit
të LDK-së.
Kam
pritur reflektimin e drejtuesve të partisë, në veçanti të kryetarit z. Lumir
Abdixhiku, të cilit i kam shkruar privatisht dhe ju kam drejtuar me letër
publike më 12 dhjetor të vitit 2021 dhe më 18 gusht 2023.
Kam
pritur reagime nga kryetar të degëve, filluar nga dega e LDK-së në Klinë, ku
situata është më specifike dhe më e rënduar nga të gjitha degët në Kosovë. Po
të ishte ndryshe, dega e LDK-së në Klinë që nga vrasja e kryetarit historik
Ismet Rraci nuk do të ishte dalë humbëse e të gjitha zgjedhjeve lokale!
Kam
pritur reagime nga ish kandidatët për deputet dhe asambleist të degës së LDK-së
nga Klina, të cilët i kam mbështetur me shkrime dhe me votë në të gjitha
zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale!
Por,
kam pritur reagime edhe nga grupi reformator brenda Degës së LDK-së në Klinë,
për ta dëshmuar veten publikisht dhe para elektoratit se janë për ndryshime
përmbajtësore dhe substanciale në kryesinë e degës së LDK-së në Klinë ashtu siq
ma thonë privatisht!
Kam
pritur reagime nga ish deputet dhe ish ministra të LDK-së, për të cilët kam
propaganduar gjatë fushatave zgjedhore, të cilët i kanë futur veshët në lesh
dhe nuk duan të dëgjojnë për Florim Zeqën dhe shumë veprimtarë të tjerë,
themeltarë të LDK-së rugoviane!
Por,
kam pritur edhe reagime ndaj atyre që i kam kritikuar dhe këshilluar gjatë
rrugëtimit të tyre politik, me kritikat qëllim-mira që ishin në funksion të
përmirësimit të tyre!
Harrohet kontributi i
themeltarëve, avancohen servilët dhe zvarranikët
Isha
një ndër themeltarët e Forumit Rinor të LDK-së në Klinë dhe gjithandej Kosovës,
më pas anëtarë kryesie dhe nënkryetar i degës së FR të LDK-së, kryetar i
Komisionit për Informim, Koordinator i Komisionit për Arsim në kuadrin e
Forumit Rinor gjatë viteve të '90-ta, isha edhe përfaqësues i Degës së Forumit
për Bashkësinë e Degëve të Forumit Rinor (Klinë, Skenderaj, Drenas dhe
Malishevë). Por, kontributi i familjes Zeqa dhe fshatit në përgjithësi ishte më
i madh dhe shumëdimensional. Për çka, fshati Bokshiq ishte kthyer në bastion të
LDK-së dhe i rezistencës aktive paqësore kundër pushtuesve serbë. Si pasojë e
kësaj, në vitin 1993 u sulmua fshati dhe u demolua Shtëpia e Kuvendeve të
Rezistencës, kurse me fillimin e luftës çlirimtare, në shenjë hakmarrje, digjen
dhe shkatërrohen mbi 80 % e shtëpive të fshatit nga forcat serbe.
Në
këtë shkrim qëllimshëm nuk po i permendi emrat e të vrarëve dhe të masakruarve
gjatë luftës dhe as të arrestuarit dhe të maltretuarit në aksionin e 23
shkurtit të vitit 1993.
Pasi,
qëllimi i këtij shkrimi është sensibilizimi i opinionit vendor për realitetin e
hidhur të krijuar viteve të fundit në Degën e LDK-së në Klinë, të cilët as që
duan të dëgjojnë më për Bokshiqin legjendar dhe as për veprimtarët me zë e me
nam të këtij lokaliteti të cilët mbi supet e tyre e bartën barrën e aktivitetit
të LDK-së në vitet më të rënda të okupimit klasik të Serbisë!
Konkluzion
E
personalizova shkrimin duke e përdorur degën e Klinës, për të pasqyruar të
vërtetën e hidhur në shumicën e Degëve të LDK-së në mbarë Kosovën, më qëllim që
ta kuptoj më mirë dhe më qartë lexuesi i këtyre rreshtave dhe elektorati arsyet
e rënjes historike të LDK-së! Pra, shkaku i rënjes së LDK-së nuk janë rrënjët
por koka, nuk është elektorati por drejtuesit paraprakë dhe këta aktualë që i
katandisën vlerat demokratike në LDK.