Mendime
Florim Zeqa: Me çka do të blihen votat për zgjedhjet e 9 shkurtit?!
E diele, 25.08.2024, 01:49 PM
Me çka do të blihen votat për zgjedhjet e 9 shkurtit?!
Shkruan: Florim
Zeqa
Megaskandali i
kriminalizuar me veteranët mashtrues e të rrejshëm të luftës çlirimtare është
dëshmia e pamohueshme se disa nga ish-komandantët e papërgjegjshëm të luftës
çlirimtare, të cilët janë vetë kupola e grupeve të interesit që kanë abuzuar
ligjin dhe buxhetin e shtetit për afro 25 njëzet vjet rresht.
Libreza e
veteranit i bëri bashkë pacifistët dhe çlirimtarët
Edhe përkundër
fakteve të pamohueshme dhe akuzës së ngritur në rokurori ndaj disa eksponentëve
të UÇK-së dhe jo vetëm, për mashtrimet kriminale me lista të veteranëve, ku
ende nuk është dënuar asnjëri prej tyre, shkaku i interferimit në punën e
Prokurorisë së Shtetit nga ish-komandantët dhe të fortët e politikës pacifiste.
Situata e krijuar
tregon pamundësinë e ushtrimit të funksionit në mënyrë të pavarur, të paanshme
dhe profesionale, gjë që i detyron prokurorët me integritet profesional të
tërhiqen!
Në fakt, hezitimi
dhe tërheqja e prokurorëve nga kjo lëndë e ndjeshme tregon për dështimin e
sistemit prokurorial për të mbajtur në radhët e veta prokurorë të guximshëm dhe
me integritet, të cilët janë të gatshëm të përballen me sfidat që prodhon
veteranomania në Kosovë.
Veteranët
mashtrues janë një armatë e blerë me para të popullit, për vota të partive të
kriminalizuara në pushtet dhe opozitë për disa mandate rresht, dukuri e cila
është prezente edhe në ditët e sotme.
Lakmia për t’u
pajisur me librezën e veteranit mashtrues nuk i kurseu as “pacifistët”, të
cilët ditën çirren e shtirren se janë rugovistë, kurse natën bashkohen në
ahengje me komandantët e zonave operative, prej të cilëve janë pajisur me
çertifikatën e veteranit mashtrues!
Kontingjenti më i
madh i veteranëve të rrejshëm është produkt i proceseve elektorale, gjegjësisht
i blerjes së votave në këmbim të certifikatës së veteranit nga të gjitha partitë
dhe politikanët me dallime të vogla dhe të papërfillshme.
Veteranomania
proces i papërfunduar
Ashtu, sikurse në
të gjitha proceset në Kosovën e pasluftës, duke filluar nga shpërndarja e
ndihmave humanitare, tenderëve, regjistrimet në fakultete, kontrabandimi i
votës së lirë të qytetarëve, lidhja e koalicioneve paszgjedhore, ndarja e
posteve ministrore dhe ndërministrore, edhe ndarja dhe përzgjedhja e veteranëve
të luftës kaloi nëpër të njëjtat "filtra"!
Caktimi i listave
të veteranëve të luftës çlirimtare sipas përkatësisë partiake, ideologjike dhe
lidhjeve familjare e ka shndërru këtë porces në një "Veteranomani" të
vërtetë.
Lënja jashtë
listave e veteranëve dhe ushtarëve më të spikatur, pjesmarrës në betejat më të
lavdishme të luftës çlirimtare, duke i përfshirë në listat e veteranëve ata që
Kosovën e lëshuan të veshur me rroba grash dhe me buzëkuq të nuseve në fytyrë
dhe të atyre që s’kanë qenë asnjëherë gjatë luftës në Kosovë, të cilët pas
përfundimit të luftës u kthyen si "çlirimtar", e ka lënduar rëndë
imazhin e luftëtarit të vërtetë të UÇK-së!
Lavdi dhe respekt
për të gjithë çlirimtarët e vërtetë, për invalidët dhe veteranët e luftës
çlirimtare që lanë gjymtyrët e trupit në fushat e betejave për çlirimin e
vendit. Turp për të gjithë ata që abuzuan me statusin e veteranit-çlirimtar me
medalje të dyfisht; të cilët në njërën anë e bartin stemën e pacifizmit, ndërsa
në tjetrën emblemën e UÇK-së!
Gjatë fushatës
elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk do të bëhet fjalë për libreza të
reja të veteranëve, por do të jenë premtimet për rritjen e pagesave të
veteranëve, ato që do t’i bëjnë bashkë në premtime të gjithë liderët partiakë,
pa dallime pushtet dhe opozitë.
Florim Zeqa
22.08.2024