Mendime
Florim Zeqa: Mos hapja e Urës, mashtrim apo dështim i shtetit!?
E premte, 16.08.2024, 07:54 PM
Mos hapja e Urës, mashtrim apo dështim i shtetit!?
Shkruan:
Florim Zeqa
Dështimin e kryeministrit Albin Kurti për hapjen e
Urës mbi lumin Ibër është duke e shfrytëzuar për mrekulli presidentja Vjosa
Osmani me marketing politik, të kinse ruajtjes së raporteve me ndërkombetarët,
e ndarë dhe e përqarë me kryeministrin e vendit.
Presidentja mes mitit dhe realitetit
Ditën kritike kur pritej të hapej Ura mbi lumin
Ibër, Vjosa Osmani e zgjodhi një vizitë të (pa)paralajmëruar në një aktivitet
fetar në Letnicë të Vitisë, për të shënuar festën e figurës mitologjike të
‘Zojes së Madhe’!
Nga aty Vjosa Osmani shpërtheu me entuziazëm për
mos hapjen e urës, duke falenderuar miqtë ndërkombëtar të Kosovës, në veçanti
KFOR-in amerikan dhe duke sulmuar BE-në dhe zëdhënësin e saj, sllovakun Peter
Stano.
Vjosa nuk u ndal më kaq, ajo vazhdoj me fjalë të
mëdha trimëruese, duke u munduar të anashkalojë rrezikun nga fqinji ynë verior:
“Askush nuk e pyet Serbinë për hapjen e Urës, ajo do
të hapet në bashkëpunim më ndërkombëtarët, etj, etj.”
E unë nga këtu do t’i parashtroj pyetjen zonjes
presidente, kush është tjetër pos Serbisë që e
pengoj kësaj radhe hapjen e Urës mbi lumin Ibër?!
Nuk ndodhi përballja përfundimtare me Serbinë!
Shumica e qytetarëve të vendit e kishin krijuar
bindjen se paralajmërimet e Albin Kurtit për hapjen e Urës me 15 gusht e kishin
mbështetjën e miqve perëndimor të Kosovës, dhe se deklaratat kontradiktore të
ndërkombëtarëve rreth hapjes së Urës ishin vetëm kamuflim për konsum politik!
Por, çfarë ndodhi në të vërtetë?
Pikërisht, ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiç,
nga i cili u “tradhtua” kryeministri ynë, i cili me gjasë ishte (vetë)mashtruar
nga deklaratat e presidentit serb për hapjen e Urës më 14 ose 15 Gusht 2024!
Mirëpo, një ditë para afatit të paraparë për hapjen
e Urës, kryeministri serbë, “e preu në besë” kryeministrin tonë!
Jam thellësisht i bindur se hapja e Urës do ta
përshpejtonte procesin e zgjidhjes përfundimtare të pjesës veriore dhe fillimin
e konsolidimit të shtetësisë sonë.
Tërheqja nga hapja e Urës sipas planit të
paralajmëruar të Qeverisë së Kosovës e vazhdon edhe më tutje "Status
quon" në pjesën veriore dhe e forcon akoma më shume pozicionin e Serbisë
kundër Kosovës.
Hapja e Urës për qarkullim do të shënonte
përballjen përfundimtare me Serbinë dhe qartësonte qëllimin përfundimtar të
qëndrimit 25 vjeçar të forcave paqeruajtëse në Kosovë!
Sikurse ajo që ka ndodhur e nuk kthehet pas, nuk do
të mund të pengohet as ajo që ka për të ndodhur në pjesën veriore, e zbatimit
të marrëveshjeve të arritura nga ajo e Kumanovës së qershorit të vitit 1999 mes
gjeneralve të NATO-s dhe atyre të ushtrisë serbe, e kthyer ne marrëveshje
ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në vitet 2013-2015 dhe
marrëveshjen për zbatim të Ohrit të vitit 2023 mes Albin Kurtit dhe Aleksandër
Vuçiçit.
Vonesat në implementimin e marrëveshjes së
nënshkruar dhe të ratifikuar në Kuvendin e Republikes se Kosoves në vitin 2013,
jo vetëm që do ta demtojnë Kosovën, e rrezikojnë akoma më shumë përspektivën
euro-atlantike të shtetit tonë!
Pas këtij dështimi të madh, Albini Kurti do të
qëndrojë me këmb mbi tokë, duke ju kthyer realitetit të krijuar, për të
vazhduar betejën politike për rimarrjen e pushtetit, gjegjësisht për të krijuar
aleatë të ri për nxjerrjen nga loja politike Vjosa Osmanin, aktualisht
presidente e vendit!
Pra, Ura do të mbetet e mbyllur, kurse problemet
tona të brendshme do të rihapen sikurse ‘Kutia e Pandores’.