Mendime
Llesh Ndoj: A na duhet pak idealizëm ne shqiptarëve?
E merkure, 21.08.2024, 07:57 PM
A NA DUHET PAK IDEALIZËM NE SHQIPTARËVE?
Nga
Llesh Ndoj*
Me
vetshkërmoqjen në mënyrën më të keqe të mundshme të sistemit të ashtuquajtur
socialist para 34 viteve, shoqëria shqiptare kaloi nga ekstremi në ekstrem.
Vendin e idealizmit “absolut”, nën parulla tërësisht ideologjike, për arritjen
e të cilave sistemi i kohës sakrifikonte gjithçka, madje edhe jetë njerëzish, e
zuri ekstremi tjetër ku materialja u bë dominantja e jetës dhe mendjeve të
shumicës së njerëzve, atyre që jetojnë me mundin e krahëve, pushtetarëve e deri
tek ata që teorikisht do të duhet të ishin idealistët e përsosur, “klerikët”. Rendja
pa asnjë rregull si drejt njërit ashtu edhe drejt tjetrit ekstrem, solli
ndryshime të pashmangshme në strukturën e të menduarit, por pashmangshmërisht
edhe në strukturën e shoqërisë shqiptare. Vendin e adhurimit deri edhe si
perëndi të atyre që ishin në krye të atyre “idealizmave” të pretenduara të
kohës, e zuri adhurimi me të njëjtën fuqi i parasë dhe njëherit dhe të njerëzve
të pasur. Ashtu si të parët “mbinin” nga hiçi, në emër të ideologjisë
proletare, edhe këta të dytët “fjetën” pa bre… dhe u zgjuan milionerë, duke
lëkundur fort, në të dyja rastet, besimin se paraja, pasuria, puna e karriera
ndërtohen gradualisht dhe me shumë mund, duke nxjerr në pah veset negative
njerëzore si servilizmin, vjedhjen, korrupsionin, përbuzjen ndaj të ndryshmes e
shtypjen e saj me çdo mjet, e në ë çdo kohë. Praktikisht, thuajse asgjë nuk
ndryshoi: ata që deri dje të bënin gropën në emër të idealizmit, sot të
rezervojnë të njëjtin fat në emër të shejtërisë së pasurisë, pa përfillur asnjë
mjet dhe asnjë parim njerëzor. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, sepse kur gjërat
i fiton pa djersë, qoftë para, pasuri apo pushtet, të konsolidohet mendimi e
bindja se “je prerja që ka falë vetë Zoti” për të qenë në maja. Më duket se ne
shqiptarët, në tërësi nuk jemi të përgatitur shoqërisht për të përballuar
ekulibrat aq të domosdoshëm mes asaj që është thjesht “ideale” dhe asaj që
është thjesht “materiale”, e për të ecur si gjithë bota e përparuar në rrugën
që të dyja këto ekstreme i ka “barazuar” në një: shenjtëria e punës!
Po
a kemi nevojë për pak idealizma ne shqiptarët? Mendoj se po!
Deri
dje përshembull, me dhunë, ne zotoheshim se do të jepnim edhe jetën për atdheun
tone të dashur(!), i nënshtroheshim deri edhe torturave fizike nëpër stërvitje
ushtarake e zbore, për të qenë fizikisht të aftë për t’a bërë këtë. Për më keq
akoma, atdheun e barazonim me partinë(!) dhe zotoheshim që për të të jepnim
edhe jetën(!). Nga ky ekstremizëm kemi kaluar në krahun tjetër përseri
krejtësisht ekstrem: e shajmë atdheun në të gjitha gjuhët e botës, ikim e ikim
pa e kthye kokën këndej, dhe kur na bie të kthehemi, “japim mend” atyre që kanë
mbet këtu se si duhet t’a ndërtojnë e duan me shpirt një atdhe të dashur edhe
për ata që kanë ikur.
Po
kush ka mbetur këtu, në atdheun e dashur?
Pleqtë,
një grusht pasanikësh (jo doemos oligarkë!) dhe pushtetarët e të gjitha
niveleve. Pleqtë hallin e vetëm kanë, a do t’u mjaftojë pensioni për
medikamentet e muajit, a do të kenë mundësi të shkojnë deri tek dyqani i bukës,
dhe më tej dominohen nga ideja e fiksimi se a do të ketë kush ti përcjellë në
“botën ideale”, kur t’u dalë shpirti. Ndërsa pushtetarët dhe kapitalistët, natë
e ditë mbeten të fiksuar pas idesë se si të shtojnë pasurinë. Kapitalistët
ankohen se s’kanë punëtorë, e harrojnë se punëtorët janë njerëz që duhen paguar
e duhen respektuar që të bëhen edhe “idealisht” të lidhur me punën e kapitalin
e tyre, duke e ndjerë veten si “në të tyren”. Po pushtetarët, për çfarë
kujdesen?! Dukshëm, si ushtari dikur, numërojnë ditët nga fundi i mandatit dhe
sa më pak iu mbetën, aq më shumë intensifikojnë “mjetet e tyre të pasurimit” si
korrupsionin e vjedhjet se “ku i dihet” e nesërmja…
Deri
dje shtetin e hymnizuam aq shumë sa nuk i lamë vend as adhurimit të Zotit, por
sot lehtësisht mund të dallojmë dy kategori ekstremisht të ndara: ata që e duan
shtetin (nënkupto pushtetin!) si “minierë ari” dhe si të vetmin mjet për t’u
pasuruar dhe që për këtë shkak dashurohen pas tij e kthehen në diktatorë apo
burokratë pa shpirt njeriu, makineri vrastare dhe ata të cilët, ndoshta jo pa arësye,
e urrejnë atë! Por shtresa që as dashurohet as e urren pushtetin shtetëror,
sipas parimit kristian “Jepi Çezarit, atë që takon Çezarit”, pothuajse është
inekzistente. Pra, ose e shohim atë si makineri shtypëse, që duhet urryer me
çdo mjet, ose si makineri floriri, pas së cilës duhet të kacavirren me çdo mjet
duke mos kursyer askënd e asgjë, prandaj nuk po ndërtojmë dot shtet ligjorë,
nuk po arrijmë të bëjmë tranzicione normale pushteti, ku shteti pasardhës
ndërtohet mbi themelet e qëndrueshme të atij paraardhës, duke ngritur kështu,
tullë pas tulle, ngrehinën e duhur shtetërore që të jetë “streha” e të gjithëve
e jo gërmadha që na rrezikon të gjithëve, siç ka ndodhur në vitet 1945, në
1992, në 1997, apo me pak ndryshime edhe në 2005 e 2013! Ndoshta e njëjta
mendësi “udhëheq” edhe ekonominë e vendit. Dukshëm ka ndodh një polarizim
ekstrem i shoqërisë në aspektin ekonomik: ka ose shumë të pasur, ose
ekstremisht të varfër, ndërkohë që shtresa e mesme, ajo që duhet të ishte
promotore e zhvillimeve në ekonominë e vendit dhe jo vetëm, thuajse nuk
ndjehet. Politikat shtetërore dukshëm nuk e përkrahin këtë shtresë, por edhe
vetë njerëzit nuk janë të prirur ta “kanalizojnë” veten aty. Kjo mendësi, ose i
zhyt në korrupsion e krim, ose i bën që të largohen duke e kërkuar fatin jashtë
vendit, e jashtë pronës së tyre. Prandaj tokat janë djerrë, malet të shkreta,
nëntoka vidhet e pyjetve u vihet zjarri… Jo vetëm në gjërat që duhet të duam,
si puna, atdheu, ndershmëria etj, kemi kaluar nga ekstremi në ekstrem, por edhe
në ato që duhen urryer kemi mbajtur qëndrime ekstremiste. Më kujtohet një ish i
persekutuar politik, që sistemi ia kishte prerë çdo udhë përparimi, veç punës
në minierë, ndonëse kishte qenë ekselent në mësime. Me futjen në pluralizëm
(sepse demokraci nuk është as sot!), thirrja “poshtë komunistat” u bë e
zakonshme, duke zëvendësuar, si padashje, parullën “poshtë komunizmi”! Ai, një
djal i ri atëherë, u tha një grupi shokësh që po protestonin në qendër të
fshatit:
-
Jo poshtë komunistat, por poshtë komunizmi! Komunistat janë njerëz…
E
solla këtë shembull, për të thënë se edhe në urrejtje duhet idealizëm. Nuk mund
të urresh njeriun, por veset e tij negative, nuk mund të urresh bindjet e
tjetrit, por veprimet e tij të gabuara, nuk mund të urresh pasurinë, por rrugët
e paligjshme e të panjerëzishme me anë të të cilave sigurohet ajo, nuk mund të
urresh pushtetin, pasi ai është një mekanizëm i domosdoshëm rregullator në
shoqëri, por duhet urryer e luftuar abuzimi me pushtetin. Në fakt, ne heshtim
përballë tij, e lejmë atë të majmet mirë e mire, e pastaj kërkojmë t’a rrëzojmë
me çdo kusht, pa menduar se në këtë udhë kushdo që të vijë, do të bëj të
njejtën gjë… Mund të rreshtoja pafund fakte të “lundrimit” shqiptar përmes
ekstremizmave që pasojnë njëri - tjetrin, duke bërë që bota, jo rrallë, e jo
krejt pa të drejtë, të na etiketojë si njerëz që s’dimë të bëjmë shtet, por
asnjë vlerë të shtuar s’do të përbënte kjo “lista” e ekstremizmave tona,
përballë një bote që kalon nëpër ekulibra të brishtë e që prishja e tyre rrezikon
rrokullimën tonë në humnerë, pikërisht nga mungesa e ekulibrave të brendshëm, e
njëfarë idealizmi të nevojshëm brenda një kohe ku materialja “udhëheq”. Brezi i
ri, shpesh i mirëshkolluar në Perëndim dhe me përvojë atje, më kot lodhet të na
“mbushë mendjen” neve që jemi “këtej gardhit”, se jemi gabim e duhet të
ndryshojmë. Jo! Ejani dhe merreni ndryshimin përdore, ose na lini të “xhirojmë”
në baltën që e bëjmë vetë, e t’i shesim mend po vetes, se “po punojmë”, por
“s’keni sy me na pa!”
Të
dashurit pa kusht e të urryerit pa fré, qojnë njëlloj në shembjen e godinës ku
jetojmë, bashkë me njerëzit tone Brenda. …dhe themi pastaj, fati s’është me ne!
* Poet dhe studjues, Lezhë