Mendime
Eshref Ymeri: Synimet fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës
E diele, 25.08.2024, 06:51 PM
Synimet fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës
(Dy
kryeshovinistët rusë - Putini dhe Medvedjevi - kërkojnë ta zhdukin fare nga
harta Ukrainën, si shtet i pavarur dhe sovran)
Nga
Eshref Ymeri
Sulmi i Rusisë fashiste kundër Ukrainës nuk ishte
absolutisht një tekë e rastit e klikës kriminale ruse, me në krye Putinin. Ai
sulm ka parahistorinë e vet, me një shtrirje kohore prej gati 20 vjetësh. Në
vitin 2005, Putini i qe drejtuar parlamenti rus me një mesazh të posaçëm, në të
cilin shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e pati karakterizuar si “katastrofën” më
të madhe gjeopolitike të shekullit të kaluar. Rolin e “vajtores” për shpërbërjen
e Bashkimit Sovjetik, Putini, në vitet në vijim, vazhdoi ta luajë jo vetëm para
publikut rus, por edhe para opinionit ndërkombëtar. Keqardhjen e tij të thellë
për atë “katastrofë”, Putini ia pati shprehur në një intervistë edhe
kinoregjisorit, skenaristit dhe producentit të njohur amerikan, Oliver Stoun
(Oliver Stone - 1946).
Shtatë muaj para sulmit të 24 shkurtit 2024, Putini pati
shkruar një artikull të gjatë, me titull “Për unitetin historik të rusëve
dhe të ukrainasve”, në botuar në sajtin e Kremlinit dhe në faqen e
internetit “tass” të datës 12 korrik 2021. Artikulli fillon me paragrafin
në vijim:
“Para pak kohësh, gjatë emisionit
“Linja direkt”, kur po i përgjigjesha pyetjes për marrëdhëniet ruso-ukrainase,
theksova se rusët dhe ukrainasit janë një popull, janë një e tërë. Këto fjalë
nuk janë detyrim ndaj ndonjë konjukture të caktuar ose ndaj rrethanave të
tanishme politike. Këtë e kam thënë jo një herë, kjo është bindja ime”.
Dhe në vazhdim, Putini, duke iu përmbajtur praktikës së
vet të njohur të mashtrimeve politike, futet thellë në historinë mesjetare, për
të “vërtetuar” se rusët dhe ukrainasit qenkan “një popull”.
Në kundërshtim me mashtrimet e Putinit, ja çfarë ka
deklaruar një analist ukrainas:
“Marrëdhëniet e
tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë
krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusës Kieviane
(me toponimin Rusa nënkuptohet emërtimi historik i tokave të sllavëve
lindorë dhe të shtetit që qe krijuar atje në shekujt e mesjetës - E.Y.), kur princët rusë që gjoja i përkisnin
së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë
fronin e Kievit. Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do
ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani
(komandant i trupave kozake, - E.Y.)
ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të
lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj
se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e
kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat. Mandej pasoi beteja në
afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës - E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar,
Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe
asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte
mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë
shpirtin e tij mëkatar. Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në
aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët
kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për
“miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas
ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi,
nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse
ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu
kanë bërë të liga. Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe
t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë
në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek,
ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit,
nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë
me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin
vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit
“Ukraina” (që do të thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët
filluan ta quanin “Rusia e Vogël” - E.Y.)
dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe
“rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë
stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të
lirë në shtetin e tyre të pavarur… Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit
të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas
ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë, Vovoçka
Putin, le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë
Maidan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të
hapur, parku apo sheshi në tërësi - E.Y.),
të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë
popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje
e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të
gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë
në tokën e Ukrainës!” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje
për rusët”. Faqja e internetit “UAINFO”.
22 shkurt 2014).
Kur mbarova së
lexuari këtë analizë interesante, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft
kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas, Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin
perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e
degdisur në stepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e
shërbimit ushtarak:
Brune, bëni qejfin tuaj,
Por jo me moskalë*,
Se moskalët janë të huaj,
Kanë për t’ju tallë.
Gati një vit pas sulmit të 24 shkurtit, Putini i dha në
Moskë një intervistë gazetarit të njohur amerikan Taker Karlson (Tucker
Carlson - 1969), themelues i videoplatformës “Tucker Carlson Network”. Nuk
dihet me saktësi nëse Karlsoni kishte qenë vetë i interesuar për t’ia marrë atë
intervistë Putinit, apo Putini e pati ftuar paraprakisht për t’i dhënë një
intervistë të tillë. Sidoqoftë, një gjë është e qartë: Karlsoni njihet si
simpatizant i thekur i Donald Trampit dhe ky njihet mirë si simpatizant i
Putinit.
Një gazetar dhe shkrimtar anglez shkruan:
“Në dhjetor (2015 - E.Y.), disa muaj
para se Trampi të propozohej nga partia republikane si kandidat për president,
Putini e pati quajtur “njeri të ndritur,
të talentuar, pa as dyshimin më të vogël…”. Trampi, nga ana e vet, u shpreh
për Putinin me simpati, duke e quajtur “udhëheqës
të fortë”, me të cilin do të dëshironte të kishte marrëdhënie shumë të
mira… Mjetet ruse të informimit masiv janë kryesisht në mbështetje të Trampit,
i cili, në financimin e bizneseve të veta me pasuri të paluajtshme,
tradicionalisht, vazhdon t’i var shpresat te paratë ruse” (Citohet sipas: Julian Borger. “Nuk ka dyshim që Putini përkrah Trampin”. Faqja e internetit e
gazetës “The Guardian”. 26 korrik
2016).
Në intervistën që i dha gazetarit Karlson, të botuar në gazetën “Komsomolskaja
pravda” më 08 shkurt 2023, Putini, për të justifikuar edhe para opinionit
publik amerikan sulmin fashist kundë Ukrainës të një viti më parë, i parashtroi
atij të njëjtat mashtrime, si edhe në artikullin e lartpërmendur të 12 korrikut
2021.
Mashtrimet
e Putinit ishim me të vërtetë skanaloze. Mosreagimi i gazetarit ndaj atyre
mashtrimeve, e nxori edhe shumë më tepër në pah mjerimin e tij, si një
përfaqësues i një mjeti amerikan të informimit masiv pa formim intelektual. Në
vend që të reagonte, duke i hedhur poshtë ato mashtrime, gazetari jo vetëm që
pohonte me kokë për çdo gjë, por madje arriti deri aty, saqë i krehu bishtin
Putinit me shprehjen “dijet tuaja janë enciklopedike”!!!
Kur
Putini deklaroi se “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, Karlsoni
heshti si mumje, në vend që të reagonte me pyetjen:
“Nëse
qenkan një popull, atëherë ata qenkan një etni dhe paskan një gjuhë të përbashkët,
apo jo?”.
Një
pyetje të tillë mund t’ia bënte Putinit për ta zënë “mat” vetëm një gazetar me
përgatitje enciklopedike, por jo Karlsoni gjysmak nga formimi intelektual dhe
profesional në raport me historinë e marrëdhënieve të Rusisë me Ukrainën. Sepse
gjuha është treguesi dhe themeli i identitetit kombëtar. Si tepër e ndjeshme
ndaj dukurive të sociumit (kolektiv, mori njerëzisht që karakterizohen nga përbashkësia
e jetës shoqërore, ekonomike dhe kulturore), gjuha pasqyron veçoritë
karakteristike për çdo nivel shoqëror dhe shërben si tregues i statusit social
të individit. Si fenomen sociokulturor, gjuha paraqitet si faktor i
identitetit kombëtar. Pozicioni gjeografik, nuncat politike dhe zhvillimi
historik kanë bërë që, në kohën e tanishme, gjuha ruse të dallohet dukshëm nga
gjuha ukrainase. Fjala vjen, shkronja “e” ndryshe shqiptohet në
rusisht, ndryshe në ukrainisht. Tregues thelbësor i ndryshimeve gjuhësore është
leksiku. Leksiku i ukrainishtes ka më shumë ngjashmëri me disa gjuhë
europianolindore, sesa me rusishten. Kështu, vihen re 23 tipare të përbashkëta
të ukrainishtes, të polonishtes dhe të sllovakishtes, kurse me rusishten vetëm
11 tipare. Dhe një gjë të tillë e vërteton leksiku më së miri. Rusishtja dallon
thelbësisht nga ukrainishtja edhe për arsye se në këtë të fundit përdoret rasa
thirrore. Për arsye të rregullit të kombinimit, sipas të cilit tinguj zanorë
ose bashkëtingëllorë në ukrainisht nuk përdoren njëri pas tjetrit, kjo gjuhë
konsiderohet më melodike se rusishtja. Sigurisht që dallimet mes rusishtes dhe
ukrainishtes janë shumë më të mëdhaja. Kryesorja është që këto janë dy gjuhë të
ndryshme, në të cilat janë ndjekur rrugë të ndryshme zhvillimi, çka do të thotë
se janë gjuhë më vete, secila me veçoritë e saj. Prandaj deklarata e Putinit,
sipas të cilit “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, është një gënjeshtër
me bisht, një mashtrin i kulluar, me të cilin ai ka për qëllim të justifikojë
sulmin fashist të 24 shkurtit 2022, sulm ky që e kanë përkrahur dhe vazhdojnë
ta përkrahin shumica dërrmuese e popullit rus dhe kisha shoviniste ruse. Në mjetet e informimit
masiv është dhënë informacioni në vijim:
“Sot, më 20 gusht 2024, në Ukrainë qe
marrë një vendim historik. Parlamenti ndaloi me ligj
veprimtarinë e kishës ruse në Ukrainë. Parlamenti aprovoi ligjin”. (Citohet sipas: “Kishën ruse e ndaluan në Ukrainë. Parlamenti aprovoi
ligjin”. Faqja e internetit “my.novini”. 20 gusht 2024).
Ndërkohë, duhet theksuar se qëndrimi shovinist i Rusisë
fashiste ndaj Ukrainës, nuk përmblidhet vetëm në pikëpamjet e kryekriminelit
Putin. Ai qëndrim, dy vjet pas sulmit të 24 shkurtit 2024, zbulohet fare
lakuriq në figurën e një tjetër kryekrimineli rus, siç është Dhimitër
Medvedjevi. Putini dhe Medvedjevi kanë vite që njihen si “Loli dhe Coli” i
Kremlinit, duke ndërruar disa herë me njëri-tjetrin postin e presidentit dhe të
kryeministrit. Në këndvështrimin e Medvedjevit, Ukraina duhet të zhduket fare
nga harta si shtet i pavarur dhe sovran.
Instituti i studimit të luftës (Institute for the
Study of War - ISW) është një qendër analitike amerikane, të
cilën, në vitin 2007, e ka themeluar Zonja Kimberli Kagan (Kimberly
Kagan - 1972), historiane ushtarake amerikane, presidente e
institutit në fjalë. Ky institut kryen studime në fushën e mbrojtjes dhe të çëshjeve
ndërkombëtare. Informacioni i këtij instituti hedh dritë mbi synimet e vërteta
fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës:
“Paqja për Rusinë do të thotë fundi i Ukrainës,
si shtet i pavarur dhe sovran në çfarëdolloj kufijsh: më 14 mars këtë e pohoi
haptazi ish-presidenti i Federatës Ruse Dhimitër Medvedjevi, pasi parashtroi të
ashtuqujturën “formulë ruse të paqes”, një formujlë kjo e egër dhe e
paapelueshme. Për këtë bëhet fjalë në një parashikim të ri të Institutit të
studimit të luftës.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë,
Dhimitër Medvedjevi, ka botuar një thirrje të hollësishme për shfarosjen e plotë
të shtetit ukrainas dhe gëlltitjen e tij nga Federata Ruse, duke e quajtur këtë
plan “formula e paqes ruse”. Analistet e ISW theksojnë se
kërkesat e Medvedjevit nuk janë të reja, ato përfaqësojnë më shumë synimet e vërteta
të Kremlinit ndaj Ukrainës, synime këto, të cilat nuk hapin shteg për bisedime
me tjetër qëllim, përveç parashtrimit të kushteve konkrete për kapitullimin e
plotë të Ukrainës. Që në fillim të “planit paqësor”, të shtruar prej tij,
Medvedjevi e hedh poshtë sovranitetin e Ukrainës, duke e qujajtur atë “ish”
vend dhe duke e vendosur në thonjëza toponimin “Ukrainë”. Më poshtë, Medvedjevi
ka parashtruar shtatë pika të “formulës së paqes”, sipas tij, të cilën ai, në
një mënyrë tallëse plot mllef, e ka quajtur “të qetë”, “realiste”, “humane” dhe
“të butë”. Ja çfarë parashikohet konkretisht në ato shtatë pika:
1. Pranimi nga ana e Ukrainës i disfatës ushtarake, kapitullimi i plotë
dhe pa kushte i Ukrainës dhe “demilitarizimi” i plotë.
2. Pranimi nga ana e krejt bashkësisë ndërkombëtare i “karakterit nazist”
të Ukrainës, shoqëruar me “denazifikimin” e autoritetit ukrainas.
3. Deklaratë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për
zhveshjen e Ukrainës nga statusi i shtetit të saj sovran, në përputhje me të
drejtën ndërkombëtare, si edhe deklarata
se çdo shteti-trashëgimtar të Ukrainës do t’i ndalohet të rreshtohet në çfarëdo
aleancash ushtarake, pa pëlqimin e Rusisë.
4. Dorëheqja e të gjitha organeve kushtetuese të pushtetit të Ukrainës
dhe zhvillimi i menjëhershëm i zgjedhjeve parlamentare për një “parlament të përkohshëm”.
5. Pagesa e reparacioneve Rusisë nga pala ukrainase.
6. Pranimi zyrtarisht nga ana e “parlamenti të përkohshm”
(që gjoja do të zgjidhet pas dorëheqjes së pushtetit të tanishëm të Ukrainës) i
faktit që krejt territori i Ukrainës është pjesë e Rusisë dhe aprovimi i aktit
të “ribashkimit të Ukrainës me Federatën Ruse” dhe përfshirjes së saj në të.
7. Shpërndarja e këtij “parlamenti të përkohshëm” dhe
njohja nga ana e Organizatësë së Kombeve të Bashkuara e “ribashkimit” të Ukrainës
me Rusinë...” (Citohet sipas: “Kapitullimi i Ukrainës në shtatë pika. Që nga
fillimi i sulmit, Medvedjevi i ka sqaruar shumë më qartë synimet e vërteta të
Federatës Ruse në luftë: ç’do të thotë kjo?” Faqja e internetit “New
Voice”. 15 mars 2024).
Ky qëndrim prej sllavi i
popullit rus, të cilit s’i bëjnë kurrfarë përshtypjesh krimet barbare të
ushtarëve të tij kundër popullsisë civile në Ukrainë, shkatërrimet me raketa të
pallateve të banimit, të objekteve të artit dhe të kulturës dhe përgjithësisht
të infrastrukturës në atë vend, më solli ndër mend një shprehje mjaft
kuptimplote të arkitektit amerikan Frank
Lloid Rait (Frank
Lloyd Wright - 1867-1959), të vlerësuar si krijues të “arkitekturës organike”. Ajo shprehje i shkon mjaft për shtat
natyrës së marrëdhënieve të kryekriminelit Putin me popullin e vet. Ai ka thënë:
“Madhështia e një despoti e ka
burimin jo në vlerat e tij personale, por në poshtërimin e turmës që e
rrethon”.
Dhe me të vërtetë, turmat e
popullit rus janë aq të poshtëruara nga kryedespoti i Kremlinit, saqë të
kujtojnë bujkrobërit e çifligarëve që përshkruan shkrimtari Nikollaj Gogoli
(1809-1852) në romanin e famshëm “Frymë të vdekura”. Por, në të njëjtën
kohë, ato turma janë kaq të indoktrinuara me frymën e shovinizmit rusomadh, saqë
janë bërë mbështetje e fuqishme e klikës fashiste të Kremlinit për pushtime
territoresh të huaja. Ky indoktrinim ka traditë të kahershme në Rusinë cariste
dhe ka ardhur e është bërë shumë më tepër agresiv, sidomos gjatë sundimit të
Pjetrit I (1672-1725), Ekaterinës II (1929-1796), Leninit (1870-1924), Stalinit
(1878-1953) dhe Putinit (1952). Pikërisht pesha e rëndë e këtij indoktrinimi të
fuqishëm shovinist, ka bërë që turmat ruse të ditëve tona të mos ndiejnë
kurrfarë shqetësimi nga vrasja e më shumë se 600 mijë ushtarëve dhe oficerëve
rusë në Ukrainë që prej sulmit fashist të 24 shkurtit të vitit 2022. Domosdo,
ato turma të verbra ruse, mbartëse të psikologjisë prej sklavi brez pas brezi,
e kanë më të shtrenjtë pushtimin e territoreve të huaja, sesa jetën e bijve të
tyre. Ato turma prisnin me ngazëllim se ushtria fashiste ruse do të pritej me
lule në rrugët e Kievit, ashtu si turmat pararendëse ishin të bindura se
ushtria sovjetike, pas sulmit fashist kundër Finlandës më 30 nëntor 1939, do ta
festonte fitoren nëpër rrugët e Helsinkit me rastin e ditëlindjes së Stalinit më
21 dhjetor. Po ashtu, turmat e verbëra të popullit rus prisnin se pas sulmit
fashist që ushtria sovjetike ndërmori kundër Afganistanit më 24 dhjetor 1979,
ajo do të pritej me lule nëpër rrugët e Kabulit. Por, për arsye të forcës
mitike të atij popullit të vogël finlandez, ushtria fashiste sovjetike e pagoi
atë sulm me 127 mijë ushtarë dhe oficerë të vrarë, të ngrirë në dëborë dhe të
zhdukur pa lënë gjurmë, kurse sulmin
kundër Afganistanit e shleu me 30 mijë të vrarë dhe 60 mijë të sakatuar.
Pra, luftërat agresive, Rusia fashiste i ka përfunduar me turp. Me siguri që
edhe lufta agresive kundër Ukrainës ka për të përfunduar me turp për Rusinë. Më
këtë luftë, klika fashiste e Kremlinit dhe shumica dërrmuese e populit
shovinist rus, shpresonin se, duke pushtuar Ukrainën, të cilën ëndërrojnë ta
zhdukin nga harta si shtet të pavarur dhe sovran, dhe duke e ribashkuar përfundimisht
me Federatën Ruse, do të çliroheshin një
herë e mirë nga smira dhe xhelozia që i ka brejtur pa pushim ndaj Ukrainës pas
shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Ajo smirë dhe xhelozi i ka bërë
krerët e Kremlinit dhe pjesën më të madhe të popullit rus, të mos e pranojnë të
vërtetën historike që Ukraina është djepi i kulturës sllavianolindore dhe Kievi
kryeqendra e saj. Sepse Kievi është themeluar në vitin 482, kurse Moska - 665
vjet më vonë, në vitin 1147. Edhe Moskën e pati themeluar princi ukrainas Juri
Dollgoruki (1090-1157).
Lexuesve të nderuar iu
rekomandoj të ndjekin në youtub materialin me titull “Video
allegedly shows captured Russian soldiers in Kursk”, në
mënyrë që të shikojnë se në ç’derexhe janë katandisur ushtarët e ushtrisë “së dytë në botë”!
Kaliforni, 22 gusht 2024
-----------------------------------
*moskal - nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në
Ukrainë dhe në Bjellorusi.