Mendime
Albert Zholi: Gëzim Tushi - Kriminelët kujtojnë se kanë të gjithë të drejtat për të bërë gjithçka
E marte, 03.09.2024, 06:54 PM
Flet "Mjeshtri i Madh" Gëzim Tushi:
Kriminelët kujtojnë se kanë të gjithë të
drejtat për të bërë gjithçka, pa ju kanosur asnjë rrezik.
- Përballimi i krimit kërkon jo vetëm
veprimin dhe forcën e ligjit, por mbi të gjitha ngritjen e barrierave sociale,
organizative e konceptuale.
- Shqetësues është infrastruktura e
reflektimit të institucioneve dhe mungesa e reagimit autentik të opinionit public.
-Në Shqipëri krimi po banalizohet dhe rreziku i adoptimit social po rritet
-Nën ndikimin e krimit të zgjeruar janë
shtuar "jetët e humbura", por në nivel sociologjik është duke u
prishur balanca sociale.
- Ka shumë ndryshime mes raporteve, midis sjelljes
humane dhe asaj kafshërore, duke humbur "vija ndarëse" midis
njerëzores dhe çnjerëzores.
- Duhet të vlerësohet edukimi, familja,
shkolla, kultura, shoqëria civile, feja, media.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Kohët e fundit
shoqëria jonë është tronditur nga sasia dhe intensiteti i krimit. Për fat të
keq, shoqërisë shqiptare po i shtohen njerëzit me vese, maskarenjtë socialë, që
sillen në shoqëri në mënyrë anormale, me sjellje të çekulibruar perverse.
Përditë dëgjojmë dhe pëballemi me njerëz që bëjnë krime, duke kujtuar se kanë
të gjithë të drejtat për të bërë gjithçka, pa ju kanosur asnjë rrezik. Ndërkaq
shqetësues është infrastruktura e reflektimit të institucioneve dhe mungesa e
reagimit autentik të opinionit publik.
- Dëgjojmë dhe përballemi me njerëz,
që bëjnë krime, duke kujtuar se kanë të gjithë të drejtat për të bërë gjithçka,
pa ju kanosur asnjë rrezik. Si ka
ardhur shoqëria shqiptare në këtë situatë alarmante?
Këtë e kupton sa
herë përballesh me faktin që akoma analizat, gjykimet e qëndrimet zyrtare,
mediatike dhe publike, nuk janë në lartësinë e duhur për të bërë atë që duhet,
si kusht për ta bërë "zap krimin". Kjo situatë e perceptimit të
deformuar, semplist nga njerëzit dhe shoqëria shqiptare në gjykimet që i bëhen
në tërësi të krimit, shkaqeve dhe pasojave të tij. Sipas mendimit tim, kjo
është më e rëndë se vetë gjëndja e kriminalitetit. Në të vërtetë, duke u nisur
nga realitetet evidente të krimit, situtave kriminale që qarkullojnë në
shoqërinë tonë, besoj se qëndrimi dhe reagimi social duhet të jetë më adekuat.
Pa bërë "strucin social" gjëndja e kriminalitetit sa vjen dhe
agravohet dhe të gjithë si shoqëri po përballemi me një situatë anormale të
zgjerimit dhe sofistikimit të teknikave të krimit.
Ka një tendencë, që nuk mund të
mbullohet me optimizmin e "gjetheve të fikut".
Duhet të themi
të vërtetat tona, sepse nën ndikimin e krimit të zgjeruar jo vetëm janë shtuar
"jetët e humbura", por në nivel sociologjik është duke u prishur
balanca sociale, e raporteve midis sjelljes humane dhe asaj kafshërore, duke
humbur "vija ndarëse" midis njerëzores dhe çnjerëzores. Një situatë
sociale kur krimi po bëhet si "buka e përditshme" (Ferid Zakaria),
për pasojë po shtohet "karburanti i krimit" duke kthyer në normë të
zakonshme sintagmën frymëzuese tipike të kriminelëve për të cilët, sikurse ka
thënë filozofi Andre Glyksman "asgjë çnjerëzore nuk është e huaj për
ta". Tipologjia dhe fenomenologjia e rasteve të fundit të kriminalitetit,
na bën të themi se kanë të drejtë sociologët, të cilët duke parë përmasat e
zgjeruara të kriminalitetit, thonë se shoqëritë po përjetojnë një situatë kur
pasi "erdhëm nga bota e kafshëve dhe u bëmë njerëz, tani me këtë nivel
kriminaliteti duket sikur po ecim në të kundërt, drejt tipologjisë së bishës
njerëzore, të njeriut që nuk e ka perceptimin human të ndjenjës së fajita dhe
për pasojë me lehtësi bën krime me gjak të ftohtë".
Ka kohë që shoqërinë tonë po e gërryen në të gjitha
drejtimet përhapja e zgjeruar dhe e pafrenuar e krimit. Tani nuk ka pse i
fshihemi të vërtetave tona. Jemi në situtën kur po zgjerohet krimi në familje e
shoqëri. Janë zgjeruar format e sofistikuara të keqbërjes kriminale urbane. Nuk
është e tepërt të themi që me këtë sasi, intensitet dhe morfologji të kriminalitetit,
po shfaqet një dikotomi e frikshme e paradoksale. Nga njëra anë po shikojmë
kafshë shtëpiake që po "atropoformizohen" dhe bëhen më të
"sjellshme", ndërkaq që përballemi me epideminë e njerëzve kriminelë,
që për fat të keq po ecin në rrugën e njeriut të neandertalit, madje duke
shfaqur tipare të dukshme të "animalizimit".
I habitshëm parashikimi rusojan, sipas të cilit
qytetërimi bëhet faktor për prishjen e njeriut, që është i prirur drejt krimit
dhe formave të pashëndetshme të jetës.
-Por pyetja që të lind kur shikon
këto krime të përbindshme është: a mos po shfaqen dukuri anormale e disa
njerëzve që po rikthehen dhe po bëhen "kafshë"?
Jo në kuptim metaforik, por të drejtpërdrejtë e
nominalisht adekuat. Të cilët po ndikojnë në zgjerimin e veprimeve antishoqërore
e kriminale, deri në nivelin kur po e bëjnë jetën sociale tejet të pasigurt, të
shqetësuar.
Personalisht mendoj se ka ardhur koha kur përmasat e
krimit duhet t'i shikojmë me optikë të re, duke vlerësuar seriozisht dëmet,
rrezikun social eminent, sepse sasia dhe intensiteti i krimit dhe gjakftohtësia
me të cilën kryhen, duket sikur ata (kriminelët) jo vetëm po shtohen
numerikisht, por po tentojnë të "organizohen" dhe të shfaqen në
shoqëri si "forcë sovrane".
Duke analizuar reagimin mediatik, gjykimet e shfaqura në
opinionit publik për situatat e krimit, për përballjen dhe frenimin e tij,
sipas mendimit tim ndeshen dy optika të ndryshme, të cilat nuk janë vetëm
ideologjike e teorike, por që kanë ndikim të fortë në vlerësimin empirik të
situatave kriminale dhe mënyrave të diversifikuara të reagimit kundër tyre. Një
pjesë e shoqërisë shqiptare, e mësuar me të menduarit tradicionalist, e
afektuar me kulturën e shtetit totalitar, rolin e tij vendimtar në
"shpartallimin"e krimit urban, mendojnë se asnjë faktor tjetër nuk ka
role, përgjegjësi e mundësi për tú përballuar me krimin përveç shtetit.
Kjo pikëpamje që është shumë e zgjeruar, në këtë periudhë
të zgjatur të tranzicionit postkomunist, inercisë së ngadalësisë së tij, ende
vazhdon të mbijetojë si mentalitet social, që ka ndikime përtej kufijve të
tranzicionit, është shumë e gabuar. Është thjesht një ide e vjetër etatiste, e
kapërxyer nga koha. Për shkak të kushteve të reja politike, nuk është aq e
mundur që shteti të marrë përsipër të gjithë rolet e përgjegjësitë në
përballjen me stratagjemat e stërholluara të krimit urban.
Ka të tjerë, që mendojnë se nuk është më ide aq shumë e
pëlqyer, që shteti në emër të luftës kundër krimit të intervenojë në sferën
intime, të hyjë në jetën private, apo në familje, si institucion unik i jetës
private. Sipas gjykimit të tyre një rol i tillë i zmadhuar i shtetit në luftën
kundër krimit, mund të bëhet padashur faktor që ndikon në nënvleftësimin e
aspekteve dhe roleve që ka edukata dhe edukimi, familja, shkolla, kultura,
shoqëria civile, feja, media, etj.
Ndërkaq, gradualisht në shoqërinë tonë ka filluar të
marrë forcë dhe të jetë i pranishëm në konceptimin e luftës kundër krimit,
ideja liberale modern, e cila mendon, se para se të merremi me shërimin e
krimit apo ndëshkimin e kriminelit është mirë të merremi me edukimin qytetar
dhe human të njeriut.
Kjo pikëpamje, e cila akoma nuk ka marrë peshën e duhur
sociale në shoqëri, i jep prioritet idesë së politikave dhe veprimeve sociale
dhe edukative parandaluese, si mënyra e mjete që duhet të bëhen sunduese në
familje, shkollë, media, institucione fetare e shoqëri. Kjo është rruga e duhur
për të krijuar njeriun me fizionomi humane, kusht për të zbutur tensionin,
konfliktet, situatat e krimit në familje, duke i zvendësuar ato me komunikimin
e butë, marrëveshjen, tolerancën e mirëkuptimin, që janë bazë e ekzistencës dhe
funksionimit paqësor të familjes shqiptare dhe komunikimeve njerëzore jashtë
familjare e në sfondin e gjërë të jetës qytetare.
Mirëpo për fat të keq, shoqëria shqiptare ka marrë një
drejtim të gabuar, madje nganjëherë të duket se ajo po bëhet armiqësore ndaj
kërkesave imperative, nevojave imediate të edukimit të njeriut me sjellje
humane. Kjo neglizhencë e përgjithshme sociale, ky qëndrim gati armiqësor ndaj
dhe kundër edukimit në familje, shkollë, komunitet, media e kudo, është sipas
meje një nga shkaqet madhore, arsye substanciale që po godet rëndë shoqërinë
tonë.
Adoptimi dhe indiferenca sociale me këtë situatë të
deformuar rëndë prej krimit në shoqërinë shqiptare, është shkak madhor që
vazhdimisht, pa ndërprerje krijon kushte më të gjëra sociale të penetrimit të
tij në të gjithë sferat e jetës intime, sociale e publike. Kjo rrugë nuk është
"rruga e lirisë" së qytetarit, por e lirisë së krimit, "mënyra e
duhur" për të zgjeruar mundësitë e garantuara që kriminelët të bredhin të
lirë në shoqëri.
-Si duhet vepruar në këto kushte?
Në këto kushte, përballimi i krimit kërkon jo vetëm
veprimin dhe forcën e ligjit, por mbi të gjitha ngritjen e barrierave sociale,
organizative e konceptuale për përballimin e tij. Sepse në përgjithësi rastet e
krimit në shoqëri bëhen nga njerëz, të cilët pasi humbasin ndjenjën e fajit
personal, në mënyrë spontane përfshihen në krim dhe veprime kriminale.
Shoqëria shqiptare e ndodhur përballë epidemisë së
krimit, bashkë me shtetin dhe institucionet e tij duhet të ndërtojnë strategji
të vërtetë, për demotivuar kulturën e dhunës dhe krimit. Burra shteti të kohës
sonë, mendojnë se përdorimi i forcës ndaj krimit, nuk është vetëm një e drejtë
e shtetit, por dhe detyrë e pashmangshme e tij. Sepse të falësh krimin apo të
ngurosh para kriminelëve, nuk është vetëm gabim. Është një gabim që mund të
kthehet në krim. Me të drejtë ish presidenti Francës Nikola Sarkozy thotë, se
"pa autoritet, pa rend, pa hierarki, pa sanksione shoqëria kthehet në
gjëndjen natyrore, domethënë tek ligji më të fortit".
(N. Sarkozy, Pasione, f. 77)
Ndërkaq, nga ana tjetër në këto kushte që jemi, kur e
keqja sociale e krimit po vazhdon të zgjerohet me ritme të shpejta, është
prioritare duhet investim i madh për edukimin human në familje, shkollë e
shoqëri, shoqëruar me forcimin e instrumenteve të parandalimit social të
situatave kriminale, forcimi i ligjit dhe rolit të shtetit në luftën kundër tij
të shoqëruara me ndëshkimin e krimit dhe trajtimin e duhur të kriminelit, janë
hallka të procesit të lidhura ngushtë me njëra tjetrën.
Është evidente prania e një strategjie të gabuar e sempliste,
sepse gjithë shteti, policia, media, shoqëria merren me rastet e ndodhura dhe
kriminelët individualisht dhe jo sa duhet me shkaqet e këtij niveli të agravuar
të përhapjes dhe "demoktratizimit" të krimit në shoqëri. Sepse jemi
në situatën kur krimet nuk janë rastësore e aksidentale, por një tendencë
strategjike, që po kthehet në modus viventi jo thjesht për disa njerëz të
përveçëm, por për një grup social në zgjerim që shfaqet si shtresë sociale që
përbën "llumin" e shoqërisë.
Nëse do vazhdojmë të ecim linearisht në këtë rrugë, pa
vlerësuar seriozisht situatat dhe dobësitë tona, me siguri që në të ardhmen
krimi ordiner dhe i organizuar, bashkë me kriminelët, që e realizojnë atë, do
të krijojnë një lloj "llumi social" që mund të bëhet akoma më shumë i
përhapur. E keqja dhe shqetësimi është se "llumi i krimit" përditë po
vjen duke u trashur. Kjo situatë kriminale, jo vetëm e ka bërë jetën tonë të
ndodhet gjërësisht, në mënyrë permanente e të përditshme në situatë krimi, por
edhe njerëzit të jenë në lloj-lloj armiqësish individuale, situata të acaruara
të pasigurisë sociale. Në këto kushte përballja me krimin nuk është problem
personal, por problem shtetëror, shoqëror e publik.
Kjo do të thotë se duhen parë të dy anët: krimi si
fenomen social dhe krimineli si subjekt anormal, duhen parë shkaqet e njeriut
që bëhet kriminel, por dhe të rrethanave shoqërore që "prodhojnë"
krim".
Natyrisht është e natyrshme që njerëzit tanë janë të
mërzitur nga epidemia e krimit në Shqipëri. Kjo është arsyeja që tashmë në
opinionin publik janë ravijëzuar dy qëndrime të kundërta, lidhur me qëndrimin
dhe ndëshkimin e krimit. Liberalët mendojnë se janë rrethanat ato që nxitin dhe
prodhojnë krim. Kështu që sipas tyre duhen ndryshuar e përmirësuar rrethanat
sociale, sistemi dhe formacionet e edukimit. Konservatorët shfaqen radikalistë,
madje deri në nivelin që shumica prej tyre kërkojnë dhe mendojnë se zgjidhja e
problemit, është rikthimi i dënimit me vdekje.
Në fakt unë mendoj se as vlerësimi realist, apo i nxituar
i opinionit publik por as ligjërimet e sforcuara politike e mediatike, nuk janë
të mjaftueshme për të zbutur fenomenin e krimit në shoqëri. Duhet një strategji
sinkretike, që të bashkojë në një "ortek social" të gjithë faktorët e
parandalimit dhe ndëshkimit, institucionet e edukimit dhe ligjit, ndikimin
pozitiv të medias, angazhimin aktiv të shoqërisë civile dhe institucioneve
fetare. Nuk ka rrugë tjetër për t'u përballur me krimin, me këtë të keqe
sociale kaq shumë shqetësuese për shoqërinë tonë...